Në kërkim të nji fotoje të Mjeshtrit Çurçija
nga Jozef Radi
Për nji kohë të gjatë kërkova nji foto të Gaspër Çurçisë në Google, mbasi si shkrimi i Visar Zhitit te libri i tij “Ferri i çarë”, edhe shkrim i Vera Bekteshit “Nji trombë në vajtim të plotë”, e kishin të domosdoshme të ishin të shoqëruem ma së pakut me nji foto të tij… Edhe mbas lodhjes time të gjatë, gjithsesi kjo foto më mungoi…
E pra, Gaspër Çurçia… simbas meje, po edhe simbas krejt atyne që e njohin pak ma thellë muzikën shqiptare, mbetet ndër ma të mëdhenjtë e trombës dhe të aranxhimit muzikor në Shqipëri… dhe duke mos u gjetë asnji foto të tij… u trishtova… po ma në fund e gjeta nji zgjidhje… e përfaqsova Gaspër Çurçinë thjesht me nji Trombë që shnrit…
Ndoshta ajo mund të shtynte ndokënd me m’ofrue ma së pakut nji foto të këtij njeriu publik deri në vitin e zi 1972…
Mbas kësaj paraqitjeje, nëpërmjet nji mikut tim në fb, A. Çoba gjeta emnin e njenit prej djemve të Gaspërit… Alfredit, i cili asht edhe trashëgimtari ma i afërt i të Atit në instrumentin e pasionit të tij ma të madh: Trombës… Përmes tij munda me gjetë edhe disa foto të këtij artisti, që i dha aq shumë muzikës shqiptare, dhe pse ajo ende sot s’e ka nji requiem për kët artist që u pushkatue, në kapërcim të skajmë edhe të atyne ligjeve të diktaturës… Ky asht nji mister ende i pazgjidhun… apo pse ai ishte nji Luis Armstrong shqiptar, dhe ajo s’mund ta pranonte si të tillë!!!!
E ndërsa mblidhsha do foto të Mjeshtrit Çurçija, gjeta edhe nji seri opinionesh e dokumentesh, po edhe atë pasionin tashma të trashëguem të trombës në familjen Çurçija! Por ajo çka ma tërhoqi ma së tepërmi vëmendjen ishte opinioni i nji muzikanti, ndër ma të talentuemit shqiptarë, Shpëtim Saraçit, i cili kishte shprehë me sinqeritet respektin e tij ma të madh për Njeriun dhe Artistin Çurçija… Kështu, i mbështetun kryesisht tek ai bashkangjita edhe do shënime të vogla të njerzve të tjerë ma të thjeshtë, nji pjesë e të cilëve e kishin njoftë në person Mjeshtrin Çurçija… Kjo ishte ma e vogla që munda me bà me e nxjerrë sado pak nga heshtja e padrejtë dhe me e afrue te brezat e ri në padije figurën e Gaspër Çurçisë, nji prej pionerve të trombës, të arranxhimeve dhe modernizmit të muzikës së lehtë shqiptare…
16 janar 2014
Flamur Kau
Gaspër Çurçija, i vetmi armik konkret i Partisë së Punës në 45 vjet. Më trimi… më kurajozi.
Ul kokën përpara disidencës së tij…
Xhuljeta Bregu Biranji
Duke parë këto foto kujtojmë shumë momente që kemi kaluar bashkë. U emocionuam…
Gaci nuk ishte vetëm një artist i madh, por edhe një person me vlera të mëdha!
Shpëtim Saraçi
Humbja e këtij mjeshtri ka qenë realisht një ndër humbjet më të mëdha për muzikën shqiptare. Ka qenë një ndër turpet më të mëdha të diktaturës…
Para shumë vitesh, fjalët e zonjës që shkruan me sipër, i vërtëtonte dhe i tejkalonte po një tjetër mjeshtër i madh dhe mik i afërt i mjeshtrit Çurcija, zoti Viktor Shiroka. Jam i sigurt që janë bashkë të dy diku në parajsë, aty ku e meritonin.
Mirënjohje dhe Respekt për çfarë ata i lanë artit shqiptar…
Shpëtim Saraçi
Mjeshtri Gaspër Curçija, fantastik dhe i paimitueshëm. Përulem me respekt.
I paharrueshëm qoftë kujtimi i tij. U prehtë në paqe.
Shpëtim Saraçi
Bashkëkohsit e mjeshtrit pohojnë se: përveç nivelit të jashtëzakonshëm artistik dhe drejtues, Gaci ka qenë edhe një mik i pakrahasueshëm, me humor të jashtëzakonshëm e me sens human të admirueshëm.
Shpëtim Saraçi
Arranxhimet e mjeshtrit Çurçija, kanë qenë në atë kohë të nivelit europian, krejtësisht të denja dhe konkuruese me ato të Sanremos të asaj kohe. Imagjinoni nëse do ta lejonin të vazhdonte atë rrugë të mrekullueshme apo po të kishte fatin të përballej në mënyrë direkte me homologët e tij të asaj kohe, sigurisht që pa asnjë dyshim do krenoheshim të gjithë… dhe sot në tjetër nivel do të ishte muzika shqiptare…..
Ilir Nezha
Nderim dhe respekt për Gaspër Çurçinë.
Njeri i madh i muzikës Shqiptare
Zija Bushi Bejleri
Eh, Çurçija… Ne shqiptaret jemi “popull shumë i mirë”… Talente dhe Mjeshtra si Gaspëri, na i eleminoi “diktatura” me pashaportë shqiptare… E gjithmonë: “Në emër të popullit…” pa dyshim…!!
Avni Delvina
…I përjetshëm kujtimi i këtij artisti të madh!
Alfred Çurçija
Kët fletë-program e gjeta dje… rastësisht midis letrash…
Zija Saraçi
Eh i dashur Alfred, sa do fliste ajo flet-programi po të kishte gojë… Kohë të vështira por të bukura… të papërsëritshme… të falenderoj… që na solle edhe njëherë në kujtesë ato kohë këngësh të magjishme… kur shkruhej historia e këngës së vërtetë Shqiptare.. të falenderoj ty Alfred Çurçija që e ke ruajtur këtë fletë programi që edhe vetë koha i ka dhënë një ngjyrë të artë…
Visar Zhiti nëpërmjet fjalëve të Gjosho Vasisë
“Shtille Nacht”.
Paskësh kenë e vërtetë kanga! Po ç’ishte ai magjistar me trombë, nga erdhi, ku iku? Nuk e kapne? Të nesërmen mbrama, kur mrrijtëm nga lumi, na lajmëroi nji “mik polic” se ka ken Gasper Çurçija, qi asht ulë nga makina, atje nalt, brij rrapit e kalasë dhe i ka ra… “burisë”. Ah, ai, e dinte që ishim na, s’kishte kurrnjigja me na dhurue, veçse melodisë së famshme “Shtille Nacht” në terr. Na solli nëpër erë Kshnellat e mungueme. Mandej ishte nisë për Gjinokastër, ku kishte shërbimin. Eh, nuk ia harrojshin dhe e gjente rastin, e kapën për do faje tjera, me taman s’dihej për çka, por ai kishte futë muzikë xhazi në Festivalin XI, kje i pari dhe… e pushkatuen
Vera Bekteshi
Aktiviteti i Gaspërit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte “një trombë në një gjysmë vajtim” – shprehen kolegët e tij.
Tasha Çipi
E kam njohur nga afër, të ndjerin, njeriun e mrekullushëm, njeriun me botë e veç me mirësi, maestron e madh të trombës, Gac…
Një njeri dhe një familje shumë e nderuar…
Dhimbjen më të madhe e kam ndjerë në momentin që po jepej vendimi kapital… “Dënimi me vdekje…” Kam qenë aty në sallë… dhe e shikoja… dhe lotët mezi i mbaja… Kur u dha vendimi: “Me Vdekje…” Një zë i fortë nga fundi i sallës thirri: “Babë… Babë…!” Ishte një skenë e tmerrshme… Ishte i biri… që policët e kapën për krahësh dhe me urrejtje e nxorrën jashtë nga salla… Kjo skenë nuk më shlyhet dhe sot e kësaj dite nga mendja…
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij…!
Stefan Basko
Një muzikant i madh!
I përjetshëm kujtimi i këtij artisti të papërsëritshëm !
Ishte nji artist i madh.
U gjet nji pretekst për t’u eleminu nga fanatikët injorantë si shumë të mëdhej të tjerë në fusha të ndryshme të jetës.
Si shkodran e mbaj mend mirë dhe e kam shiju muzikën e tij. Aspak ma shumë talent nuk rrezatonin muzikantët e festivaleve të San Rremos, që ne i ndiqnim rregullisht dhe të nesërmen i këndonim me tekst të plotë në Shkodër (fshehtas).
I përjetshëm kjoftë kujtimi i tij…
Krenohemi se jemi shqiptarë vetëm atëhere kur lexojmë dhe njihemi me veprat e njerëzve të talentuar e mendjendritur që kanë lënë gjurmë të pashlyeme në histroinë e kulturës, artit e të shkencvs.
I përjetshëm do të jetë kujtimi dhe adhurimi për ta në pantheonin e vlerave kombëtare!