back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Në kujtim të Ndoc Gjetjes – nga Besa Myftiu

Gazeta

Ndoc Gjetja (1944-2010)
Ndoc Gjetja (1944-2010)

Në kujtim të Ndoc Gjetjes

nga Besa Myftiu

Besa Myftiu i ka kushtuar një portret Ndoc Gjetjes në romanin
“Rrëfime nga vendet e harruara” që pas botimit në Zvicër pritet edhe në shqipe.
Ky fragment është zgjedhur nga autorja për ta lexuar së fundi
në turin e prezantimit të veprës së saj. Myftiu kujton ne dhé të huaj
një njeri të përulur, mikun e vjetër kur punonin në “Skena dhe ekrani”,
ai që në roman është poeti Zef…

Bessa Myftiu
Bessa Myftiu

Dy ditë më vonë, shefi i revistës më telefonoi dhe më kërkoi takim. Brenda javës fillova të punoj në një zyrë që ndodhej në katin përdhes të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës.
E kisha tavolinën pranë dritares që binte nga oborri i brendshëm, mbushur plot me pemë dhe lule. A ekzistojnë akoma? Ndoshta, por redaksia jo. Ajo u fik gjatë kohës së demokracisë. Unë ika jashtë shtetit për të ndërtuar një jetë të re tjetërkund, kurse shefi i redaksisë, Zef Murati, u kthye në fshatin e tij verior për të realizuar ëndrrën e vet: të bëhej bari.
Zefi kishte lindur në një familje të varfësh fshatarësh analfabetë; vëllezërit e tij e urrenin shkollën dhe s’kishin kryer veçse tetë klasët e detyrueshme. Kurse Zefi i adhuronte librat, sidomos poezinë. Që i vogël kish filluar të bënte vjersha, kur çonte qingjat të kullosnin.
Fuste disa fletë fletoreje në njërin xhep, një laps në xhepin tjetër dhe shkarraviste buzë liqenit në verë ose në majë të malit në dimër, gjithmonë fshehurazi: kishte turp nga njerëzit që e shikonin tek shkruante akoma, edhe pasi kish mbaruar detyrat e shkollës. Ç’ti përgjigjej nënës së tij plakë që çuditej kur i biri e gdhinte mbi fletë?
-Të duhen për shkollën? – e pyeste ajo me merak.
-Jo.
-Po pse lodhesh dhe nuk shkon të flesh mor bir, po shkruan gjithë ato faqe?
-Për qejf, përgjigjej Zefi.
Ajo mendonte se i biri po çmendej. Zefi ishte kaq ndryshe nga vëllezërit dhe kushërinjtë e tij, që ndodheshin gjithë kohën në burg për vjedhje, për zënie me grushta dhe të tjera veprime të këtij lloji.
Nëna e kuptonte shumë mirë se çfarë mund ta shtynte një djalosh të vidhte një biçikletë kur nuk kish para ta blinte; ajo e kuptonte gjithashtu edhe aktin e padenjë të arrogantit, i cili ia fuste me grusht tjetrit ngaqë nuk ndihej i respektuar. Por ajo nuk mundej në asnjë mënyrë të kuptonte se ç’e shtynte birin e saj të vogël të rrinte me orë të tëra kërrusur mbi fletë! O çudi e madhe! Po i sëmurej djali, duhet t’i bënte patjetër derman!
Po përgatitej ta çonte tek doktori, kur një lajm i jashtëzakonshëm tronditi gjithë fshatin: emri i Zefit kishte dalë në gazetë! Akoma gjimnazist, ai kish fituar një çmim poezie në një konkurs, si dhe dhjetë mijë lekë! Duke filluar nga ky moment, Zefi u bë heroi i fshatit, i vetmi nga banorët e tij që njihej në kryeqytet.
E ëma nuk mendonte më se ai ishte i çmendur, por se mund të fitonte para pa punuar fare, vetëm duke shkarravitur gërma të zeza mbi fletët e bardha, sepse në kryeqytet ku ishte zhvilluar konkursi i letërsisë nuk kish mbetur më asnjë burrë i mençur. Sigurisht, ata duhet të ishin të tërë të shkundur nga farat.
Aq më mirë për të birin. Ajo nuk e çoi tek doktori sepse s’kishte pse ta kuronte! Kjo sëmundje e bekuar i siguronte para dhe lavdi, prandaj ishalla nuk e shëronte Zoti. Në sajë të kësaj sëmundje të çuditshme, shteti i dha djalit të saj edhe një bursë për në Universitet!
Qëkurse studionte në Tiranë, emri i tij dilte gjithnjë e më shpesh nëpër gazeta. Sa krenare ishte e ëma!
Ajo i binte rreth e përqark fshatit me gazetë në dorë, megjithëse nuk dinte të lexonte. Një ditë luti një nga djemtë e saj, që kish dalë përkohësisht nga burgu, që t’ia lexonte gazetën ku Zefi kishte botuar disa vjersha. Me vështirësi, i vëllai arriti t’i lidhte gërmat në rrokje, rrokjet në fjalë dhe fjalët në fraza. E ëma dëgjonte dhe qante.
Po Zefi nuk paskësh qënë i çmendur, ai paskësh qënë shenjtor! Fjalë kaq të bukura ajo nuk kishte dëgjuar kurrë, përveçse në kishë, para se regjimi komunist ta shkatërronte që nga themelet shumë vite më parë, atëhere kur ajo ishte akoma vajzë e re. Çfarë fati kishte i biri që mund të kompozonte fraza të bukura dhe të fitonte para, ndërsa priftërinjtë e dikurshëm kalbeshin nëpër burgje!
Gjatë katër vjetëve që ndenji në Tiranë, Zefi vazhdoi të shkarraviste mbi letër shenja të pakuptueshme për të ëmën. Ai botoi bile edhe një libër, një libër të vërtetë! Pasi mbaroi studimet, u kthye në fshat.
E caktuan mësues, por pasioni i tij mbeti natyra. Sa herë që i jepej mundësia çonte qingjat në kullota, flinte nën qiellin pa re dhe numuronte yjet. Ia falnin të gjitha këto çudira, sepse ishte poet. Tërë fshati kish mësuar ta shqiptonte këtë fjalë me respekt. Vajzat nuk ia shqisnin sytë.

Bessa Myftiu - Rrefime nga vendet e largeta
Bessa Myftiu – Rrefime nga vendet e largeta

Ai ishte i ndrojtur dhe nuk u fliste fare, bile as nuk i ndiqte me sy. Ia varte vetëm njërës; ajo lante pjatat në mencën e kooperativës. Zefit i vinte shumë keq për të. I prekur deri në thellësi të shpirtit nga një qenie akoma më e ndrojtur dhe më fatkeqe se ai vetë, i thoshte gjithmonë dy fjalë të përzemërta kësaj vajze për të cilën nuk kujtohej askush.
E mbushur me adhurim, ajo kalonte shpesh para shkollës ku poeti jepte mësim, vetëm për ta soditur disa çaste tek ëndërronte në oborr gjatë pushimit të madh. Ajo e kishte blerë librin e tij dhe e kish mësuar përmendësh, me nënshtrimin e shpirtit të ndjeshëm. Një mbrëmje, Zefi trokiti tek dera e saj dhe e kërkoi për grua…
Pas martesës, Zefi vazhdoi të shkruante shumë, por të botonte pak. Kohët kishin ndryshuar. Vargjet lirike nuk vlerësoheshin më në kryeqytet: tani ishte në modë shpirti luftarak. Zefi nuk kishte shumë talent për poezinë politike dhe prandaj e harruan mbi dhjetë vjet rresht në fshatin e tij verior.
Ditëve të javës, ai u mësonte gërmat e alfabetit nxënësve të klasave të ulëta dhe poezinë nxënësve të klasave të larta, kurse të dielat i kalonte në natyrë. Sigurisht që do kish vazhduar të jetonte kështu deri në fund të jetës, midis qingjave dhe nxënësve, nëse një ditë ministri i kulturës nuk do ta kish thirrur për ta caktuar shef të një reviste të re kushtuar artit. Zefi kishte refuzuar, duke mos e ndjerë veten në lartësinë e kësaj detyre: ai s’ishte veçse poet!
Por ministri kish ngulur këmbë. Sipas tij, poezia ishte forma më delikate e artit dhe një poet i vërtetë nuk mund të gabohej mbi vlerën e arteve të tjera. Edhe një herë fshati i vogël në veri të Shqipërisë u trondit. Me shumë modesti, Zefi e pranoi më në fund këtë vend të ri pune.
Nëse nuk do ta kisha njohur, unë do isha vërtet e pazonja të zbërthej kuptimin e fjalës “humble” kur fillova të mësoj frëngjishten në dhé të huaj.
Hapja fjalorët, por fjala nuk ekzistonte! Asgjë për t’u çuditur, se me aq sa di unë, Zef Murati ishte i vetmi shqiptar të cilit mund t’i përshtatej kjo fjalë dhe populli nuk është aq budalla sa të krijojë një term vetëm për një person! Se në ç’mënyrë i ishte shmangur ai ligjeve gjuhësore të shqipes, kjo gjë mbetet për mua akoma një enigmë! Ishte kaq i ndryshëm nga gjithë vendasit e tjerë!
Gjatë mbledhjeve të rëndësishme me drejtorë, me ministra dhe njerëz të shquar, ai fshihej në fund të sallës, kurse unë me zor prisja të kisha rastin t’u afrohesha atyre! Po s’kisha nga t’ja mbaja, se duhet të rrija t’i bëja shoqëri shefit.
Dhe kur ndonjë nga këta njerëz të famshëm vinte dhe e gjente në vrimën ku ishte futur, Zefi bënte ç’ishte e mundur të sillej përzemërsisht, por me aq siklet sa mua më vinte keq. Nuk kërkonte kurrë të dukej, as të vinte vlerat e veta në pah: ai e konsideronte veten si një kokërr rëre në gjithësinë e paanshme, kurse çdo shqiptari normal i dukej vetvetja qendër e gjithë botës.
Dhe kur aktorët, të ekzaltuar nga mania e madhështisë, hynin në zyrën tonë duke shqiptuar fraza bombastike që i kishin marrë hua nga rolet, Zefi ulte kokën mbi ndonjë tekst dhe bënte sikur korrigjonte, ngaqë i vinte turp.
Ishte kaq delikat dhe i rezervuar sa nuk i kuptonte dot banorët e vendit në të cilin jetonte. Unë kisha përshtypjen se ai ishte lindur në një planet tjetër, në një yll të largët, dhe e kish mësuar shqipen sepse një shpend kozmik e pati sjellë papritur e pa kuptuar mbi Tokë.
Edhe humori i tij varet nga yjet. Pa asnjë shkak konkret, ai mund të ishte i trishtuar ose i lumtur. Vinte në redaksi që në orën pesë të mëngjesit, ndizte një cigare dhe fillonte të lexonte artikujt. Por unë kisha përshtypjen se ai meditonte mbi subjekte të largëta e të paarritshme përtej revistës, Shqipërisë apo planetit…
Ai përfaqësonte vërtet për mua një shkollë stilistike:
-Asgjë që nuk është tejet e domosdoshme në një tekst nuk mund të jetë e bukur!
Kurrë një kurs në universitet nuk më kishte dhënë mundësinë të përfitoja nga këshilla të tilla kaq të vlefshme.
I ndiqja me fanatizëm, nga dashuria për të bukurën.
Shefi im ishte mjeshtër i estetikës. Shpesh më vinte një dokument mbi tavolinë duke thënë:
-Ja ku ke tetë faqe të shkruara keq nga një aktor. Nxirr katër të bukura.
Dhe pastaj shtonte:
-Lexuesi është i lodhur dhe përtac. Gjej një titull aq interesant sa ta nxjerrë nga kjo gjendje letargjike dhe ta detyrojë të lexojë artikullin.
Kërkimi i titullit përbënte një punë më vete.
Përgatisja nja dhjetë dhe ia jepja shefit të zgjidhte më të bukurin, sepse kishte një shije tepër të hollë. Për t’u menduar më nge, ai porosiste një kafe, ndizte një cigare, hidhte vështrimin nga dritarja, përkëdhelte macen e klubit që ngjitej shpesh mbi tavolinën e tij dhe më në fund vinte gishtin mbi titullin më të goditur të listës. Unë e shtypja me makinë shkrimi mbi faqet që i kisha ripunuar.
Gjetja e një titulli të bukur mjaftonte ndonjëherë për të mbushur krejt një ditë pune. Ne largoheshim prej zyrës nga ora tre, shpesh së bashku. Kur dilnim në rrugë, unë këndoja me zë të ulët fragmente nga këngë që më pëlqenin shumë.
-Po qe se punonjësit e ministrisë të dëgjojnë, ata do mendojnë: “Kjo u marrka vesh kaq mirë me shefin, saqë këndon”, më thoshte ai, pak i shqetësuar nga thashethemet e mundshme.
Unë heshtja. Pas disa minutash, i përgjigjesha:
-Nëse ne nuk themi asgjë, njerëzit që punojnë në ministri mund të mendojnë: “Ata merren kaq mirë vesh me njeri-tjetrin, sa nuk kanë nevojë as të flasin.”
Ai qeshte, me atë qeshje të veçantë njeriu të thjeshtë, të dashuruar me yjet.

Besa Myftiu jeton e punon në Gjenevë – 12.06.10 (sh)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.