back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Në një gjuhë me kohën/ në një Kohë me Gjuhën…

Gazeta

Ardian-Christian Kyçyku
Ardian-Christian Kyçyku 

Në një gjuhë me kohën/ në një Kohë me Gjuhën…

Ardian-Christian Kyçyku

shpalos pikëpamjet e tij gjatë një bashkëbisedimi

me poetin dhe studjuesin shqiptaro-amerikan Anton Çefa

Shenim: Para pak ditësh, pata mundësi me ndejtë për të parën herë e me nda do orë bukur të gjata, (po që kaluen shpejt) me nji intelektual të rrallë, me nji njeri të përkushtuem kulturës shqipe, me nji figurë të kompletueme, që aq shpesh i mungon panoramës shqiptare… Anton Çefa asht 81 vjeç, po nëse ulesh në bisedë me të e kupton se asht i ri, se punon pa orar, se lexon shumçka, se në ngujimin e tij, përpiqet jo vetëm me qenë pjellor, i vëmendshëm e gërmues, po ma së shumti cilësor, e me u ngjit shumë ma nalt asaj çka ndodh në realin shqiptar… Qe ndër kwnaqsitë e mia të mëdha njohja, biseda dhe miqsia me të… Po mbi të gjitha ishte njohja me veprën e pandalun e këtij Intelektuali të Heshtjes, në hulumtimin, gjykimin dhe vlersimin e gjithçkaje që kalon nëpër duer.
Anton Çefa, hyn te ata thesare të kulturës shqiptare, për të cilët, Ne ende s’e kemi fitue si duhet koshiencën e vlerës… Edhe ai e din kët gja, por përditë para tryezës së punës u fut nji shkelm viteve të veta, dhe vazhdon me krijue si të ishte në rininë ma të parë…
Tash shkruhemi vazhdimisht, dhe unë i premtimit se çdo javë do të paraqes nji punë të tij… do ta kryej…
Kësaj here paraqes nji bisedë të rrallë të Tij me artistin shumplanësh Ardian-Christian Kyçyku… bisedë e nji niveli që nuk shifet shpesh ndër letrat tona, e që aq shumë i shkon përshtat nji shprehje e Lazër Radit për kësi punësh: “Për gjana me shije të veçantë, duhet me pasë qiellzë…”
…dhe unë e përcolla kët bisedë fisnikësh të letrave me qiellzë!
Jozef Radi, 11 prill 2015

***

Anton Çefa: Z. Ardian kam kënaqësinë të bëj një bisedë me ju si shkrimtar i niveleve më të larta të letërsisë sonë, si estet, si teoricien i letërsisë, eseist, teolog, pedagog, duke u përqëndruar kryesisht në mjeshtërinë tuaj letrare, sidomos në fushën e narrativës, në risitë që i ka sjellë ajo letërsisë sonë, në pikëpamjet tuaja teorike në lëmijet estetike e artistike, pa lënë mangut probleme të metafizikës që lidhen me letërsinë dhe që janë aq të afërta për përgatitjen tuaj.

Studiuesi Anton Cefa
Studiuesi Anton Cefa

Anton Çefa: Tri aspiratat e shpirtit të njeriut, shprehur në triadën e njohur të Platonit: e vërteta, e moralshmja dhe e bukura, janë tri imperativa në të cilat shpirti merr dhe jep jetë. Njeriu gjakon pas së vërtetës; synon të jetësojë të mirën; ndjen e vlerëson shijen e jetës përmes së bukurës dhe e krijon atë në jetën e përditshme, në natyrë dhe në art. Historia e filozofisë dhe e estetikës ka dhënë gjykime e vlerësime të ndryshme për këtë çështje. Njihet sentenca kategorike e Niçes: “Vetëm si dukuri estetike ekzistenca dhe bota janë përjetësisht të përligjura”, çka i jep përparësinë të bukurës. Të tjerë kanë vënë në vendin e parë moralin. Më vjen mbarë të përmend letrarin, kritikun dhe estetin tonë, Arshi Pipën, i cili ka shkruar: “E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra, një vepër morale ose jo asht në dorë të artistit. Kështu, një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shkruajë kurrë”, çka i jep përparësinë moralit. Si e gjykoni dhe e argumentoni një çështje të tillë? Ardian-Christian Kyçyku: I nderuar zoti Anton, përfitoj nga rasti t’ju falenderoj përzemërsisht dhe të theksoj se biseda jonë ka nisur shumë vite më parë, por vetëm tani po shndërrohet nga dialog në trialog, me pjesëmarrjen e padukshme të lexuesit. Shpresoj të mos tingëllojë si përmbysje kupe nëse them se letërsia duhet të punojë më pak për të vërtetën, të moralshmen dhe të bukurën, në krahasim me sa duhet të punojnë këto të trija për letërsinë. Sepse kjo e fundit depërton ndryshe tek lexuesi, herë si dashuria me shikim të parë, herë si “tirania” e mençur e martesës, herë si një trandje lartuese, herë si vegim… Jetojmë në ca kohëra kur shumë mendimtarë e shkrimtarë, gjer edhe pas vdekjes, ngulmojnë që sëmundjet e tyre ne t’i bëjmë mënyrë jetese. Për fat të keq, shpesh ia dalin mbanë dhe kjo, në më të mbarin rast, vetmon shkrimtarët dhe mendimtarët e mirëfilltë. Ështe një lojë e vjetër me zbrazëtinë që njeriu mbart brenda vetes, kryesisht në zemër dhe në tru. Metaforikisht, zbrazëtia ka një rol baraspeshimi. Ajo ndihmon frymëmarrjen, si të thuash, ashtu siç zanoret ndihmojnë bashkëtingëlloret. Gjykimet kategorike i japin tjetër kah zbrazëtisë së lexuesit, duke e bindur se ka gjetur vetveten, dhe kjo kthehet në shpëlarje truri. Me të drejtë thuhet se rënia shpirtërore dhe morale nxjerrin në plan të parë intelektualë që shpallen si prijësa të estetikës dhe të përsosmërisë kulturore, por këto jo gjithmonë kanë jetë të mirëfilltë, jo gjithmonë përcjellin të vërteta, por më fort ca copëza të vërtetash mbështjellë me shtresa të tejdukshme mashtrimesh. Megjithë shkëlqimin dhe famën e tyre, ata mbeten të papjekur dhe nuk e pranojnë Besimin. I tremb Drita (e sprovës), sepse kanë frikë edhe nga hija e tyre. Prandaj nuk u kushtoj asnjë grimë besimi. Një personazh mendjekthjellët i imi shpreh atë që më duket sarkazma si një lloj verbimi, ose si i vetmi shikim i pavarur. Më është bërë truri pis, – thotë; – kam ardhur të ma shpëlani. Kjo dëshmon edhe një besim të epërm tek Zoti dhe tek e Vërteta, e cila i zgjedh vetë fjalët që i nevojiten, mënyrat dhe mjetet si do të ngjizen në vepër, dhe mbërrin vetë në kulmet ku arti është gjithçka njëheresh dhe nuk ka nevojë për plane e direktiva.

Anton Çefa: Janë botuar dhe botohen pothuajse përditë tek ne romane nga më të ndryshmit, e edhe modernë; por më duket që ju e keni servirur këtë të fundit në sofrën e letërsisë shqipe, në të gjithë elementet e tij në një mënyrë të përsosur, duke njëmendësuar risi estetike nga më të ndryshmet. Keni ndërruar raportin mes veprës dhe realitetit, e keni përmbysur atë, ose edhe e keni mohuar; i keni ndryshuar fytyrën historisë dhe realitetit të ditës; keni sjellë syrin nga gojëdhëna, përralla, miti, duke e shfrytëzuar simbolikën e tyre për synime estetike dhe letrare, pa iu shmangur ngjarjeve aktuale; keni folur për të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen, duke i ngatërruar rendin ose duke i shfytyruar; i keni dhënë romanit një larmi strukturash të mëvetësishme, krejt të ndryshme nga tradicionalet; keni përdorur stilin tuaj të veçantë që ju karakterizon si narrator. Kështu, të gjithë përbërësit e romanit të dikurshëm realist janë përmbysur, duke i lëshuar vendin romanit modern. A mund të na thoni diçka më hollësisht për mjeshtërinë tuaj në realizimin e këtij zhanri letrar më të preferuar prej jush dhe një nga më të rëndësishmit në letërsinë artistike? Ardian-Christian Kyçyku: Një pyetje e rëndësishme dhe ende e pavjetëruar mbetet: ç’është realizmi?! Se ka një realizëm të Shpirtit dhe një realizëm kalimtar, të rrënueshëm, por edhe shkatërrimtar. Për shembull, ata që largohen nga një truall dhe ata që mbeten. Të dytët nisin e ndryshojnë gjëra më së shumti për të qenë në një hap me kohën, por edhe ngaqë u duhet të përshtaten me hapësirën e zgjeruar që mbetet pas ikjes së të parëve. Mirpo hapi i kohës, të paktën historikisht, çon në gropë dhe shpesh edhe në skëterrë. Vendalinjtë shformojnë trojet ku mbështetet malli i të ikurve, por sëprapthi, sepse brenda të ikurve Kujtesa, falë Zotit, bën çudira, ngjall, peshon, pastron e ruan më mirë se çdo kasafortë. Pas një a më shumë breznish, vendësit mbeten pa të shkuar dhe detyrohen t’ua kërkojnë të ikurve. Kështu zgjerohet globalizimi, i cili synon të shfarosë mallin, sepse malli është lufta për mbrojtjen e së pangjashmes, e së papërsëritshmes. Realiteti i ndarë më dysh (mes atyre që e shformojnë në pjesën e dukshme dhe atyre që e mbrojnë në Kujtesë) është karremi përmes të cilit globalizimi u jep gjërave dhe qënieve shije, madje edhe thelb filmik, butaforik. Jo rastësisht bota virtuale tani duket më e gjerë dhe më jetëgjatë se sa fillestarja. Në kushte të tilla, që të mbijetosh si shtetas, duhet vazhdimisht të hiqesh sikur je diku e dikush, atje ku duhet, atëhere kur duhet, ai që duhet etj… E gjitha është një rresht provash si ato të teatrit, por për një pjesë teatri që luhet tek sajohet dhe mbyllet me vdekje të përnjimendtë, qoftë shpirtërore, qoftë metaforike, qoftë shoqërore. Shkrimtari, si shumica e njerëzve, vihet para joshjesh e mëdyshjesh të ashpra. Shpesh gjendja rrënjos bindjen e gabuar se nuk mund të zgjedhim veçse mes dy vetëvrasjesh. Për të na i hapur sadopak sytë, një murg i shquar thotë se “Vetëm gjërat që mbeten këtej Vdekjes janë kotësi”. E drejtë, por sa vetë kanë fatin të lidhen me Vdekjen aq fuqishëm?! Në frymën dhe trysninë e pyetjeve të tilla dalin librat e mëdhenj. Më kot përpiqet një autor të ndryshojë gjëra, po qe se vetë libri dhe letërsia nuk e kërkojnë, për të mos thënë nuk e caktojnë këtë. Lidhur me mënyrat e të shkruarit, mjafton të sjellim ndërmend Realizmin Socialist, që herë e pasoi dhe herë të tjera e priu marrëzinë ideologjike, derisa doli nga realizmi i natyrshëm i artit dhe cënoi rëndë krejt doktrinën socialiste, si puna e një virusi që del nga kompjuteri dhe nis e sëmur njerëzit. E mira që shoh tek stili “përmbysës” është se ai thyen dhe përjashton dyfishësinë, pra: edhe sikur dikush të përdorë një stil krejt të ndryshëm, ose të kundërt nga ana teknike, pó brenda shpirtërores do të veprojë.

Ardian-Christian Kyçyku - Library 2014
Ardian-Christian Kyçyku – Library 2014

Anton Çefa: A mund të përmblidhen në një emër të përbashkët klasifikues romanet e Ardian Kyçykut? Një çështje që e mundon teorikun e letërsisë dhe kritikun letrar, por që, siç duket, është në kundërshtim me natyrën e romanit modern. Ardian-Christian Kyçyku: Në kohë të ndyshme, – jo si çështje thelbësore, – ka ndodhur t’i përmbledh disa prej librave në pak fjalë e shprehje, por kjo nuk ka zgjatur. Kur ende shkruaja romanet që lidhen kryesisht me mërgimin (Ëngjëjt e tepërt, Kristali dhe hienat, Home, Gjaku asnjanës, zv.Libri, etj), shprehja “Mërgimi nuk është sëmundje, por as për t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë” më dukej e saktë. Herë të tjera thosha se “Kur vdekja nuk është shaka, si mund të jetë e tillë jeta?!” Ose kapërcimi i një faze vendimtare për shkrimtarin: deri në një çast të caktuar, vetëm kur nuk shkruan, mund të rrosh dhe anasjelltas; pastaj: vetëm kur shkruan, rron…

Anton Çefa: Personazhet e narrativës suaj – botë më vete, risi më vete! Personazhe që i takojnë kësaj jete dhe së përtejmes, por edhe as kësaj e as asaj, personazhe realë dhe fantastikë, dhe as realë e as fantastikë. Më së shumti, personazhe të gatuar me lëndën e absurdit dhe të groteskut. Në romanin “Home”, vetë protagonisti na paraqitet si personazh real dhe fantastik, ai u takon dy botëve, asaj të të gjallëve dhe asaj të të vdekurve. Si i vdekur, ai “jo rrallë dilte nga trupi”, ose bisedonte e luante letrash në përtejbotën me mjekun e vdekur, që i kishte bërë autopsinë. Më përtej, ekzistenca e tij luhatet: njeri i gjallë – shpikje, ose shpikje – njeri i gjallë”. Disa sende të rëndomta, si Çelësi, Kulla, Martina (arma), Plumbi, si në përralla, kryejnë veprime nga më të ndryshmet, pra janë në role personazhesh. Ato dalin në më se një rrafsh të simbolikës, apo edhe jashtë çdo simbolike. “Çelësi mund të gjente Kullën, ta pushtonte, të sajonte ca dokumente, t’i mbushte me vula e firma dhe ta merrte trashëgim për jetë, ose edhe të shqyrtonte varrezat, por që “nuk mund të hapte dyert që hap miqësia, leku.” Shkurt, si romani që ka mohuar veten, romanin tradicional, ashtu edhe personazhet mohojnë veten. A ndiqni ndonjëfarë “kanunësie” në profilizimin e personazheve, apo çdo gjë është e shlirshme? Ardian-Christian Kyçyku: Ndoshta duhet thënë “romani që mohon gjithë ç’nuk është letërsi”. Ose “libri që nuk pranon të jetë diçka krejt tjetër”. Kjo lëvizje nuk ka qenë e qëllimshme, por padyshim i ka rrënjët në mllefin që vjen kur sheh se sa larg shkon, – ndonjëherë për vite me radhë, – e rremja. Thënë ndryshe: vendi i syve është në ballë, jo tjetërkund. Sytë e letërsisë së mirëfilltë gati asnjëherë nuk janë po aty ku i sheh lexuesi, apo kritika. Jo se ashtu do shkrimtari, por sepse ata sy duhet të shohin gjërat që lexuesi rëndom i sheh vetëm me sytë e së përditshmes. Tek unë roli i mërgimit ka qënë vendimtar. Pasi gdhihesh “jashtë”, në trupin dhe kokën e të ikurit ndodhin shembje dhe ringritje rrënjësore. Për një kohë, ai është pa rrënjë, krejt si në Asnjanës, mes kufijve shtetërorë, gjuhësorë etj, mes një jete që u ndërpre dhe njërës që ende nuk ka filluar. Dikur erdhi një çast pas të cilit mblidhesha i tëri në kokë dhe në zemër, teksa pjesën tjetër gati nuk e ndjeja. Jetoja vetëm brenda kafkës dhe brenda zemrës, të cilat i lidh frymëmarrja. Ajo i mban jo vetëm lidhur, por edhe gjallë. Nga kjo gjendje u shkruan shumica e librave të mi, dhe kulmuan me romanin “Empatikoni – libri i jetës së parakohëshme”, që është një udhëtim i shumëfishtë i protagonistit jo vetëm në kohë, por edhe brenda trupash të tjerë, apo brenda librash në gjuhë të ndryshme, pa pasur kurrgjë të përbashkët me atë që quhet fantashkencë. Nuk bëhet fjalë fare për legjenda, shpikje a sajesa. Një përvojë e caktuar dhembjeje të mëson, pastaj nis të të udhëheqë – dhe nga ai çast është një lloj krimi të shkruash ndryshe nga ç’ndjen. Në këtë hapësirë qëniet dhe sendet janë farë afër njëra-tjetrës, gati binjake me simbolet e veta, dhe kanë rëndësinë, por edhe rolet e parme, pothuajse si menjëherë pas Krijimit.

Ardian-Christian Kyçyku - Vdekja shkruan me dy duar
Ardian-Christian Kyçyku – Vdekja shkruan me dy duar

Anton Çefa: A jeni i mendimit, duke u mbështetur në përvojën e veprimtarisë suaj krijuese, që personaliteti i artistit është çelësi i artit të tij? Ardian-Christian Kyçyku: Për mua personaliteti matet vetëm me besimin në Zot dhe në mirënjohjen ndaj Tij. Ç’bravë mund t’i bëjë ballë një çelësi të tillë?!

Anton Çefa: Një nga kryeestetët e “shenjave”, Roland Barthes, duke e cilësuar stilin në rrafshin thjesht gjuhësor, ka thënë: “Çdo shmangie nga norma është stil”; ndërsa Buffon-i, duke pasur parasysh personalitetin e artistit, në rrafsh thjesht artistik, ka thënë: “Stili është njeriu”. Cili është mendimi juaj për stilin thjesht në rrafshin teorik estetik? Ardian-Christian Kyçyku: Stili më duket mjeti më i mirë për t’i thënë Vdekjes, por edhe Jetës, se nuk je krejt i vetëm. Kjo ka disa nënshtresa. Stili mund t’i bindë të tjerët se janë të vdekshëm, por të përhershëm. Mund t’u zbulojë se zmadhimi i një vetmie artistike nuk është dëbim i njerëzve, apo përçmim ndaj tyre, por një zgjerim hapësire për ta, një mënyrë tjetër për të qenë edhe më të lirë, për ta parë vetveten dhe autorin me saktësi, jo si idhuj.

Anton Çefa: Nëse Buffon-i, kur thotë: “stili është njeriu”, e ka fjalën për njeriun si kulturë, si talent, si etje për ta njohur e dëshmuar të vërtetën, të mirën dhe të bukurën, dhe, më përtej, njeriun si nerv psikik që nuk duron padrejtësinë, të keqen, të ultën; por vuan, reagon e revoltohet ndaj tyre; unë do të thoja që vepra juaj, kryesisht narrativa dhe eseistika, me sa e njoh unë, merr frymë më së tepërmi, prej këtij nervi. Është pikërisht ky nerv që jo vetëm e ushqen, po edhe e përcakton kritikën si lëndë, përmbajtje, dhe stilin ironik aq të arritur të veprës suaj, si formë, me një term shkollor, a si më duket më mirë ta them, si frymë. Sepse është pikërisht ironia ajo që, duke filluar nga “buzë të ngrira në gaz”, siç ka shkruar hermetiku ynë i shquar Zorba, që “shkrihen” herë të tjera në një sens humori të tejdukshëm, për të kapërcyer pastaj në një satirë të matur, që ndonjëherë prek edhe tonalitete sarkazme, bën efektin e duhur. Çfarë mund të na thoni për këtë gur themeli të veprës suaj? Ardian-Christian Kyçyku: Më duket se ky nerv që e shquan në thelb shkrimtarin e vërtetë shqiptar, e dallon edhe shkrimtarin e ndershëm nga të tjerët. Lasgushi kishte një fjalë: “I butë është m…! Shqiptari është nevrik dhe nevriku është i zgjuar”. Ky nerv më ngjan me një thesar shpirtëror që rri mbledhur brenda nesh si ndonjë farë dhe, kur shpërthen, është i aftë të verë shumë gjëra ne vend, ose të pakten të rivendosë baraspeshën e gjërave… Ironia njihet si arma e të dobtit, por në letërsi nuk duhet parë si ndonjë mangësi, sepse autori, para se të jetë i plotfuqishëm apo demiurgjik, është i dobët në kuptimin paulian (pikërisht kur jam i dobët, jam i fortë). Në heshtje dhe duke iu larguar/afruar lexuesit, aq sa ai të mos keqkuptojë as tekstin, as mua e as veten, natyrshëm jam munduar ta dyfishoj dobësinë-forcë, duke shpërndarë si rrjetë të brendshme vetironinë. Kjo edhe si shenjë ngushëllimi ndaj atyre që e gjejnë veten tek “damkosësi” (autori) dhe “të damkosurve” (personazhet), por edhe si dëshmi se letërsia duhet të dalë përtej çdo krenarie apo epërsie të autorit.

Anton Çefa: Stili i narrativës suaj, i shikuar sipas pikëpamjes së Barthes, pra në pikëpamje të gjuhës, gëzon një individualitet të theksuar, dhe karakterizohet nga një seri mjetesh e mënyrash shprehëse, që përbëjnë risi në letërsinë tonë. Me sa kam vërejtur, në tryezën e gjuhës artistike, në përshtatje dhe në shërbim të stilit tuaj ironik, ju keni sjellë mënyra të reja fjalëformimi, që në një pamje të sipërfaqshme të duken si lojëra fjalësh, por që, më së shumti, ofrojnë kuptime të ndryshme nga ato të zakonshmet (duke i hapur “fjalës së palosur kindën e një pale”), dhe shpesh reflektime filozofike dhe ndriçime psikologjike me vlera të mëdha domethënëse. A mund të na thoni diçka lidhur me punën tuaj me fjalën? Ardian-Christian Kyçyku: Jetoj i bindur se shumë gjëra nisin qysh në fëmijëri. Disa vjet pasi mësova të shkruaja, në fillore, vura re se flisja ashtu siç shkruaja, gjer edhe kur përdorja i pavetëdijshëm, si për çmësyshje, shprehje ose fjalë nga të rrugës. Ishte një përpjekje e dhimbshme për të qënë në një gjuhë me kohën, jo në një Kohë me Gjuhën. Më vonë vendimi u bë i dukshëm dhe ma ndau jetën më dysh: nga një anë më mbështolli (ose edhe më mbolli) me shumë vetmi, kurse nga ana tjetër përzgjodhi – shpesh pa mëshirë – ata që do të më qëndronin afër. Edhe në rumanisht ndodhi e njëjta gjë. Madje vetmia u dyfishua, sepse përqëndroi në vetë jetën në dy gjuhë. Edhe tani, kur nuk heshtin të dyja njëheresh, njëra prej vetmive hesht për sa kohë “përdoret” tjetra. Shumë çështje e dije m’u zbuluan nga një tjetër këndvështrim. Për shembull, në një ese kushtuar Lasgush Poradecit, që ju ma botuat vite më parë tek “Dielli”, pasi shpreha bindjen se, në epokën e quajtur pasmoderne, sa më mirë ta shkruash një gjuhë, aq më gjatë rrezikon të mbetesh mbyllur në të, si ndonjë peng, ose i ngujuar pa faj, pra të mos përkthehesh, ca të papjekur nënqeshën, ose e trajtuan ngjarjen si ndonjë flatrim tejet poetik. Mirpo me kalimin e kohës ata që zgjidhen të kuptojnë ca gjëra, binden se gjuha që përdor dikush, në të folme a në të shkruar, ose në të dyja bashkë, ravijëzon edhe të ashtuquajturin fat, gjer në hollësi gjeografike, shoqërore dhe vetjake (Gjuha ime – fati im). Mund të thuash se, njëheresh me përsosjen e gjuhës dhe mbajtjen e saj në një lartësi dhe pasuri të caktuar, nga “fati” i njeriut largohen rastësia, kaosi dhe makthet e përditshëm. Pushteti dhe ndikimi i tyre pakësohen tejmase. Nga ai çast, gjuha nuk punohet, por jetohet.

Ardian-Christian Kyçyku - in virtual formats
Ardian-Christian Kyçyku – in virtual formats

Anton Çefa: Një tjetër veçori e stilit tuaj qëndron në natyrën sentencioze të frazave a fjalive që e shfaqin a nuk e shfaqin të plotë e të qartë mendimin, ose, duke shkuar më përtej, që e zbulojnë duke e mbuluar a e mbulojnë duke e zbuluar atë, dhe që ngjallin kuriozitetin e lexuesit për të gjetur kuptimin e saktë si dhe kënaqësinë e bukurisë tërheqëse e provokuese, që krijon kjo situatë gjuhësore. Vërehen, gjithashtu, disa ndërtime frazash që, në një analizë timen për një nga romanet tuaja, i kam quajtur “shprehje të përmbysura”, të cilat njëmendësojnë gjykime që aty për aty kundërshtojnë njëri-tjetrin, duke i dhënë hijeshi të veçantë shprehjeje tekstit artistik dhe, në të njëjtën kohë, duke dëshmuar një rast të individualitetit tuaj. Një shembull: “Mbase gjuha juaj amtare, ose thjesht kujtesa, kanë nevojë për pak lëng të hidhur letrash të ëmbla, apo për pak lëng të ëmbël letrash të hidhura.”. Ju jeni familjarizuar aq shumë me këtë lloj ndërtimi, sa që lexuesi e gjen shumë të natyrshëm. A mund të mësojmë nga ju diçka më me hollësi për strukturën sintaksore të gjuhës suaj artistike? Ardian-Christian Kyçyku: Ka një zjarr të brendshëm që sprovon fjalën dhe e ndihmon (nganjëherë e detyron) të hartojë vetëm fjali të mbamendshme. Kur isha në gjimnaz dhe në fakultet, u mora gjatë me folklorin, veçmas me atë verior. Pasi u zhvendosa në Bukuresht, sidomos kur punoja me doktoratën në letërsi të krahasuar dhe botërore, por edhe kur hartova “Një alfabet i poezisë shqipe”, përsiata gjatë rreth gjenive të paemër që ngjizën Eposin e Kreshnikëve, baladat, legjendat, përfshi arbëreshët dhe mërgimtarët e tjerë, që, në vend të tokës amtare, patën vetëm gjuhën. Po me aq përkushtim u mora edhe me muzikalitetin e heshtjes dhe anasjelltas, me arbërishten që përdorte zanoret e njëpasnjëshme, duke i zbuluar gjuhës një përmasë tashmë të harruar, si një tjetër aftësi frymëmarrjeje; me humorin e brendshëm të rumanishtes, me tragjizmin shkëlqimtar të shqipes, derisa hyra në një gjendje ku secila nga gjuhët në të cilat shkruaj pastron dhe pasuron tjetrën, aq sa nuk ka më rëndësi lënda dhe stërhollimet e trajtave të një “çelësi” (në këtë rast gjuha), por bravat që ai është i aftë të hapë. Edhe tani dua të besoj se jam pranuar në atë lloj zjarri që dendëson kohën dhe përqëndron mendime e metafora në sa më pak fjalë. Vetëm se duhet të rrish prore brenda këtij zjarri, se ai nuk është çmim apo dekoratë, dhe, ashtu siç të ushqen, duhet “ushqyer”.

Anton Çefa: Në esetë dhe në narrativën tuaj del shpesh problem i mërgimit. Në një ese tuajën, para do kohësh, keni shkruar: “Mërgimi… është vetmi metafizike në verbanen fushë a strofull a shkreti të Urës së Qabesë, urë që rri pezull mbas një jete, së cilës i ka shterur uji, dhe një jete ku uji nuk është zbuluar ende…” . A keni të njëjtin mendim dhe si e argumentoni? Ardian-Christian Kyçyku: Fjalitë e mësipërme lidhen me mënyrën se si populli e përfton mërgimin, madje në kohën kur mërgimi, për shumicën e të rinjve (për shembull nizamët) ishte me detyrim, ashtu siç sot janë bërë gati detyrim mirëqenia e bujshme, titujt, etj. Popullit i dhembin ndryshe gjërat. Asnjëri nga ne nuk pajtohet dot krejtësisht me ndjesitë e popullit, sepse nuk ka thellësinë dhe as jetëgjatësinë e tij. Prandaj shpesh “vizionet” tona ngarendin pas trajtave e ngjyrave që merr mërgimi në varësi të ideologjive, ose modave të kohës. Por në thelb gjërat mbeten siç i ndjen populli. Ikja e të rinjve mplak popullsinë dhe e zhvendos pushtetin e ndreqjes apo të rindërtimit të një vendi në mosha të tjera, ose edhe ndër të huaj. Ikja e të aftëve zgjeron tiraninë e të paaftëve, i zhyt gjërat në të tashme, në mish, kërcënon idealizmin, prish fjalët vendimtare, u jep një shije të rreme prej myku termave të tipit atdhe, besim, dashuri, besnikëri, atdhedashuri, përkushtim, tokë e të parëve, besë, mall etj, etj… Dëmet që sjell mërgimi në këtë zonë janë të tmerrshme dhe zgjasin me breza, madje janë aq të rënda, sa më pak ndihen, sa më dhunshëm e tashmja e një kombi, përmes ndërgjegjeve të shitura, i shpërfill, i nëpërkëmb, ose i tall. Si reagim ndaj kësaj rënieje që shpesh emërtohet progres (dhe që është një kafaz shumëngjyrësh ku fshihet pamundësia e njeriut për të ndjerë e shpërndarë Dashuri, në të gjitha kuptimet), Mërgimi rrëmben thelbet (dhe tharmet) e një vendi dhe të një populli dhe, përmes gjuhës, i (zh)vendos në kulturë, kryesisht në letërsi. Mund të flitet me vite për këtë shembje-lartim të shpirtit. Mërgimi mund të këqyret edhe si hap vendimtar i njeriut për të gjetur Emrin e vet, Emrin si vend dhe vlerë në këtë dhe në atë botë. Por do të mjaftonte edhe sikur ta përmblidhnim në fjalinë: “Vdes për një tokë, për një kohë dhe për një kujtesë – ngjallesh në Letërsi”. Përndryshe, edhe sikur kjo letërsi të mos ketë vlerë për kohën, tokën dhe kujtesën e mësipërme, këto mbeten të strehuara brenda Saj. Ndodh diçka e natyrës biblike: Fjala, nga e cila është ngjizur bota, gëlltit botën dhe e rikrijon në Vetvete.

Liriku i Madh Lasgush Poradeci
Liriku i Madh Lasgush Poradeci 

Anton Çefa: Një personazh në një nga romanet tuaja, thotë për kohën e diktaturës: “Kësaj jete i mungonte lëngu i tretë, ai kryesori, se gjaku e loti nuk ia lehtësokëshin dot shpirtin njeriut. Është një pikëz dashurie falas ky lëng i tretë”, që shëron shpirtrat dhe mundëson paqen e begatinë. Një mesazh vërtet sublim për popullin tonë është kjo pikëz dashurie e dhënë falas. Cilat janë disa nga mesazhet më kryesore që sugjeron narrativa dhe eseistika juaj? Ardian-Christian Kyçyku: Personazhi quhet Home Çkena dhe emri i tij është njëfarë nofke, të cilën bashkëkohësit e sajojnë nga përngjitja e shprehjes tiranase “Ho, me, ç’kena?” Ai nuk flet vetëm për kohën e diktaturës, sepse, pasi shkulet nga një jetë tejet e rëndë dhe zhvendoset në Mërgatë, ndjek me empati të epërme rrënimet që dyndin shoqërinë e tanishme. Kur iku, la në atdhe vuajtje, varfëri, por edhe njerëz. Më pas, njerëzit nuk po i gjente dot më. Sepse kahu i varfërisë dhe i vuajtjes patën ndryshuar. Rënia e njeriut në rrafshin biologjik tjetërsoi edhe vuajtjet, edhe varfërinë. Vuajtja zbriti nga shpirti në stomak dhe në xhepa, të themi, kurse varfëria hipi nga xhepat dhe stomaku drejt zemrës, kokës, gjuhës. Ndodhi një shembje e frikshme, të cilën letërsia duhet ta pasqyrojë, përndryshe del nga roli i vet, humb kuptimin.

Anton Çefa: Përgatitja juaj e lartë teologjike reflekton në veprën tuaj jo vetëm një vizion metafizik të jetës, por edhe një substancë të tillë, domethënë metafizike. A mund të na thoni diçka më tepër për këtë dukuri të rrallë e aq të nevoshme për letrat tona? Ardian-Christian Kyçyku: Më tepër se përgatitje, kjo më duket dhunti. Metafizika e di, por edhe fizika duhet ta pranojë se çdo dhunti vjen nga Tjetërkund(i), sa më vetjake të jetë çështja për të cilën flitet. Në rastin tim, edhe kjo i ka rrënjët në fëmijëri. Liqeni i Pogradecit në secilën stinë; përthyerjet marramendëse dhe marratrupëse të dritës; ngjyrat që merr dëbora majë Malit të Thatë; ajri që sikur të bind se ka edhe një frymëmarrje pa frymënxjerrje; hijeshia e femrës së dashur, e vetme, mes ujrave, qiellit, dëborës; muzgu i shtëpive të hershme; heshtja e varrezës dhe e kinemasë; pamundësia për të pranuar se vdekja e dikujt të shtrenjtë nuk është fund i një bote, por derëzë drejt një tjetre – të gjitha e stërvitin njeriun që të jetë gjithnjë e më i lirë. Nuk është ajo liri të cilën e zgjedhim dëshpërimisht, ngaqë vdekja na duket e padrejtë dhe poshtëruese, por e vetmja liri që vlen gati sa vetë shpirti. Kjo të jep shenja nga s’ta pret mendja. Le të kujtojmë diçka të njohur. Dihet tashmë se të vdekurit, pasi u del shpirti, rëndohen. Disa shkencëtarë kanë bërë matje dhe hulumtime dhe ngulmojnë se shpirti peshon rreth 21 gram. Pasi nga kurmi i të ndjerit ikin 21 gramë, ky shtohet me disa (s’dihet sa) kilogramë. Shqipja ka disa shprehje për vdekjen: “ndërroi jetë”, “doli nga kjo botë”, “iku nga këmisha”, “kaloi”. etj dhe asnjëra nuk nënkupton diçka të pavetëdijshme. Pas daljes nga kjo botë, mes të ndjerit dhe atyre që mbeten gjallë kryhet një “kalim pushteti”. Ai rëndohet, sepse heq dorë nga forca (pesha, vetëdija thjesht tokësore, etj) që e mbante në këtë realitet. Për ta kthjelluar “ngjarjen” më tej, mjafton të vihet re se ata që në të vërtetë kanë vetëm fare pak më shumë fuqi se kukullat, sado të pushtetshëm të duken, janë tejet të “rëndë” në jetë, në shoqëri, kudo, dhe mezi lëvizen vendit, që gjërat të rrjedhin natyrshëm. Kjo ndodh edhe me librat dhe me shkrimtarët.

Anton Çefa: Në disa vepra dhe ese tuajat, për fatin e letërsisë sonë, del prania hyjnore, gjë që në letrat tona, që me “Parathanjen e parathanjeve” të Migjenit dhe në vazhdim, në letërsinë tonë të realizmit socialist, qe mohuar. Si mund të përcaktohet ndihmesa juaj në këtë drejtim dhe, ndoshta, edhe ndonjë risi në rrafshin teorik të trajtimit të këtij problemi? Ardian-Christian Kyçyku: Synimi im i vetëm është që të mos shkel pash më pash “tokën” e tjetërkujt, por as të groposem për së gjalli vetëm në “tokën” time. Çdo thyerje kufiri, në rastin më të mirë, të ngujon në Asnjanës, ku metaforikisht rrezikon të vdesësh urie, apo edhe shpërfilljeje. Tani gjërat duken të koklavitura dhe të pashmangshme, – deti u bë kos, thotë populli, – dhe shumë vetë dynden t’ia marrin tjetrit jo vetëm bukën, por edhe fjalën nga goja. Të ftuar a të paftuar, shumica pandehin se thonë, por vetëm flasin, dhe shumë pak janë vërtet të zgjedhur të thonë. Është përdhosur heshtja (si mirënjohje ndaj Krijuesit, si shkollë për njohjen e vetvetes, si kulm i fjalës, etj) dhe kjo i ka mbushur qeniet njerëzore plot zhurma dhe ndjeshmëri të pashëndetshme… Vërtet dhuntitë mund dhe duhet të bashkëpunojnë, por janë të ndara. Atë që është zgjedhur ta thotë teologu, mendimtari, burri i shtetit etj, nuk ka pse ta thotë shterueshëm shkrimtari. Secili vepron në një hapësirë të caktuar, për një kohë të caktuar. Dhe del qartë më vonë se në Kujtesë mbeten vetëm gjërat e shprehura nga trualli ku e shkruara është flijim dhe mposhtje e vuajtjeve përmes pranimit të tyre, jo shmangie apo arratisje kalimtare.

Anton Çefa: Keni botuar në gjuhën rumune ligjëratat universitare “Hyrje në semiotikë” dhe “Shenjat dhe kështjella”. A mund të na thoni diçka për ndihmesën që u jep semiologjia shkrimtarëve për hartimin e veprave narrative, kritikëve për analizat e tyre, dhe lexuesve për kuptimin e tyre? Ardian-Christian Kyçyku: Me gjysëm shakaje, e kam cilësuar semiotikën si kulm të spiunazhit. Gjatë leksionit të parë, u them studentëve: kush ka dëshirë të luajë mendsh, të ngrejë dorën, ose të braktisë sallën. Pak shkenca të tjera kanë nevojë vendimtare për masën dhe kthjelltësinë mendore sa semiotika. Sepse mund të hysh në të dhe të përfundosh si Pahomi, fshatari i Tolstoit, që vdiq së renduri për të gllabëruar sa më shumë tokë. Përndryshe, semiotika të ndihmon të fitosh kohë, sidomos kur këtë kohë ke ku ta përdorësh. Pas një pune të vëmendshme, mjafton të shohësh ballinën e një libri, afishen e një filmi, fjalët dhe llojet e gërmave të një teksti, ose ngjyrat dhe vendosjen e orendive, apo të veshjeve të dikujt dhe do të dish me kë e me çfarë ke të bësh. Në thellësi të saj, semiotika ia del mbanë ta zbërthejë botën, por vetëm nëse synon ta mbajë të njësuar, në kulm të thjeshtësisë, siç ishte pak pas Krijimit. Njeh detajet e një sahati për të kuptuar si dhe pse punon, jo për t’ia derdhur të përbrendshmet mbi tryezë e për të mos qenë më në gjendje ta rindërtosh. Në të kundërt, mbetesh me veglat në duar, në hapësirën jetike e mendore, dhe nis të numurosh, ose të shkatërrosh.

Anton Çefa: Një metodë tjetër frytdhënëse në studimin e letërsisë, krahas semiologjisë (nuk po përmend atë psikanalitike), është strukturalizmi. Ndonjë përparësi e tij në krahasim me semiologjinë? Ardian-Christian Kyçyku: Pasi përjeton zjarrin brenda Fjalës dhe fjalët që mbijetojnë pas tij, përpjekjet e natyrës shkencore nuk e kapërcejnë nivelin e “punës me këste”. Për mua ka vlerë vetëm empatia. A mund të hysh në tekst dhe të rijetosh, – aq sa lejohet, – atë që përjetonte shkrimtari kur ngjizej vepra, dhe më pas t’ia përcjellësh dikujt tjetër pa ia cënuar shijet dhe dëshirën për të hyrë në veprën përkatëse? Nëse jo, të gjitha shkencat të presin krahëhapur.

Anton Çefa: Një vëllim tejet i madh pune ju ka detyruar të hiqni dorë nga gëzimet që mund t’i vidhen jetës së përditshme. E ndjeni veten të lumtur, kur i kushtoheni plotësisht “vuajtjes krijuese”. Naimi e ka përcaktuar këtë dukuri me një shprehje brilante: “Jam i gjallë e jam në jetë, jam në dritëz të vërtetë.” Çka mund të na thoni për këtë aktivitet të veçantë shpirtëror që karakterizon punën tuaj? Dhe çfarë porosie mund t’u jepni atyre që ushqejnë idealin për t’iu kushtuar letërsisë, sikurse i jeni kushtuar ju? Ardian-Christian Kyçyku: Asgjë s’më ka detyruar; unë vetë e kam bërë këtë zgjedhje, që është më e fortë se çdo përbetim. E di që jeta ime duket e varfër, plot përsëritje dhe me diçka prej murgu, por nuk është e tillë. Ndryshe nuk do të shkruaja siç shkruaj. Gjërat janë të thjeshta. Ka shkrimtarë që vrasin veprën e vet dhe shkrimtarë, të cilët vepra i vret, secilin me thonjëzat e rastit, ose pa thonjëza. Meqë as më vret, as e vras, – me përjashtim të pamundësisë njerëzore për ta kryer më mirë, – kjo vepër shoh se më fsheh gjithnjë e më shumë, ose më shndërron në njëfarë ishulli. Jam mësuar tashmë dhe nuk kam pasur ndonjë zgjidhje tjetër, e cila të më duket më e vlefshme për të shkruarën. Dua të shtoj se në këtë lëvizje nuk ka asgjë të pandershme. Se jo pak autorë bëjnë sikur largohen apo dalin prej kësaj bote, që të tërheqin mbi vete dhe mbi librat e tyre sa më shumë vëmendje e admirim dhe që të shndërrohen në qendra rëndese. Qysh në fillimet e mia letrare, edhe kur mund të dilte diçka me vlerë, nuk kam pranuar të shkruaj për gjëra që nuk kalonin më parë në lëkurën time. Ishte edhe një afrim i lëkurës drejt letrës, edhe një nderim i natyrshëm ndaj jetëve të të tjerëve. Ndodhi që t’i kaloja fëmijërinë dhe rininë e hershme nën një regjim që të rrënonte për një fjalë goje dhe të bënte qesharak po të përdorje “ca si shumë” fjalë shpirtërore. Kjo nuk ndryshoi me rënien e atij regjimi, sepse edhe pasi tirania ik, apo ndërron lëkurë, nënkultura dhe egërsia e brendshme e të paditurve mbeten, madje shpesh forcohen. Për këtë arsye, por edhe për të mbrojtur njerëzit e shtrenjtë, vendosa të rrëfeja gjithnjë e më pak. Kjo ka qënë një nga sprovat e mëdha të jetës sime. Rëniet e mia në dashuri, për shembull, ishin si ca ngritje në Çmenduri. Dilja fare nga e tashmja, u nënshtrohesha ligjesh krejt të tjera; fjalori dhe reagimet ndryshonin; pastaj zbuloja se isha kthyer sërish këtu dhe madje duhej të mbaja përgjegjësi. Rrija e numuroja njerëzit që i kishin mbijetuar katrahurës. Dy-tri ngritje të tilla dilnin e tepronin – dhe kanë qenë më tepër se dy-tri. Ç’të rrëfesh më parë dhe kujt dhe pse?! Dashuria që të jep bojën, të merr gojën, thosha… Nga ana tjetër, lidhjet me gjithçka të thellë femërore, me kohë, të bindin se duhet heshtur, jo vetëm për të shijuar ndjesi të rralla, por edhe për të ruajtur një vend të denjë në historinë e pabujë të njeriut, atë që shpesh drejton historinë e dukshme. Dikur m’u duk se misteri i artistit nuk është veçse mjeshtëria me të cilën ai di të fshehë plagët. Heshtja mbështolli plagët, dhe vetëm fshehja i bënte prodhimtare dhe të vlefshme për letërsinë… Nuk është një jetë e lehtë, por është padyshim ndër më të bukurat e mundshme.. Heraherës humb të drejtën të heshtësh, si gjatë kësaj bisede, por edhe në kësi rastesh përfshirja në jetën e tanishme shoqërore nuk mund të jetë klasike. Në të kundërt do të ishte si të përtypje çamçakiz dhe të shpresoje se kjo do të përkryejë nofullat e dikujt tjetër. Nuk jam kurrë në lartësinë nga e cila jepen këshilla, por mund të them se, me kalimin e kohës, sprovën e madhe nuk e sjell vetmia, por empatia: dhuntia për t’i jetuar të tjerët nga brenda, pa i vjedhur, pa i tradhtuar, por thjesht për t’u dhënë sadopak zemër (ose Gjuhë). E vetëm Zoti mund të të mbajë të fortë dhe të freskët në sprova të tilla. Kuptohet që kjo shton vetminë dhe heshtjen, por edhe librat.

Anton Çefa: Duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi dhe suksese, dhe duke ju uruar t’u sillni letërsisë dhe kulturës sonë arritje të tjera të niveleve të larta artistike, ju falenderoj shumë për përgjigjet tuaja të po atyre niveleve, dhe ju kërkoj të falur për kohën që ju kam ngrënë.

http://illyriapress.com/ne-nje-gjuhe-kohenne-nje-kohe-gjuhen/ 03.02.2014

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.