back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ne nuk kemi ideale, prandaj po e humbim trashëgiminë nga Kliti Kallamata

Gazeta

Kliti Kallamata
Kliti Kallamata

Ne nuk kemi ideale, prandaj po e humbim trashëgiminë

nga Kliti Kallamata

U nda nga jeta Kliti Kallamata, restaurator, arkitekt, iluminist, mendimtar, i dashuruar pasionant me Trashëgiminë, së cilës i kushtoi gjithë jetën e tij.
Kliti ishte anëtar i Këshillit të Europa Nostra dhe po restauronte kishat e Voskopojës.
Njerzit e familjes humbën njeriun e dashur, dhe kolegët një profesionist, për të cilin realiteti i varfër nga mendimi ku jetojmë ka aq shumë nevojë.
Kliti do të mbetet një shëmbull frymëzimi, për mendimin dhe punën që ka kryer në profesionin e tij.
Lamtumirë mjeshtër, ishe dhe do të jesh përherë me ne, në betejën e vështirë për të ruajtur të bukurën në natyrë e në shpirt.
I paharruar kujtimi i Klitit.
Kliti Kallamata
Kliti Kallamata
Teatri Kombëtar u prish. Barbaria fitoi. Iluzionet ranë. Brenda disa orësh Europës iu larguam edhe disa shekuj mbrapsht. Heronjtë të dërmuar nuk po e mbledhin ende vehten dhe nuk po kuptojnë si është e mundur të ndodhë. Fitimtarët fërkojnë duart.
Para disa ditësh postova fragmente nga një pamflet i Viktor Hygoit, të shkruar 200 vjet më parë, të cilin ai e titulloi “Luftë Shkatërruesve” dhe ku përshkruan se si revolucionarët dhe ata pas tyre, në emër të revolucionit, apo Restaurimit pas tij, shkatërronin trashëgiminë kulturore të Francës për përfitime monetare. E postova për të kujtuar se një situatë shumë e ngjashme po ndodh sot në Shqipëri.
Nga Hygo mund të jenë përkthyer shumë, por këtë pamflet nuk e ka marrë mundimin ta përkthejë njeri këtu tek ne. Dhe kuptohet pse. Sepse nuk i ka interesuar kujt. Unë nuk merrem me letërsi e aq më pak me përkthime. Veçanërisht nga disa shkrimtarë të njohur si Viktor Hygo, Walter Scott, Charls Dikens, John Ruskin, Johann Goethe, Steven Runciman, etj. mund të kem lexuar vetëm pak romane, apo poezi (kryesisht ato që ishin përkthyer në shqip në kohën e rinisë sime e ndonjë tjetër më vonë), ndaj mendoj se nuk i njoh shumë nga veprat e tyre letrare. Por unë njoh mirë kontributin që kanë dhënë këta shkrimtarë e poetë të mëdhenj, dhe shumë të tjerë para e pas tyre, në mbrojtje të trashëgimisë historike në vendet e tyre (dhe jo vetëm, por edhe në vende që nuk ishin të tyre).
Pa asnjë mëdyshje, ata e vunë famën që kishin arritur në shërbim të kësaj kauze të rëndësishme për të ardhmen e njerëzimin: mbrojtjen e të kaluarës së tij. Ata nuk patën frikë se mund t’u rrezikohej reputacioni, karriera, fitimet, kur u duhej të ndesheshin dhëmb për dhëmb me regjime nga më të egra të kohës. Ata e ngritën zërin fort, pa frikë. Ata kishin karakter. Ata kishin ideale. Ata ia dolën të ndalonin shumë shkatërrime. Kështu u ruajt Parisi, Akropoli, Venecia, Londra, Roma, Amsterdami e shumë e shumë pasuri, të cilat përbëjnë atë që sot me krenari quhet Trashëgimi Europiane. Dhe këta shkrimtarë e poetë u bënë akoma më të famshëm e më të fuqishëm, sepse patën mirënjohjen jo vetëm të bashkëkohësve të tyre, por edhe të brezave që pasuan, siç u jemi edhe ne sot mirënjohës për trashëgiminë që ata shpëtuan dhe të cilën ne kemi mundësi ta kundrojmë, ta prekim e të mburremi se e kemi parë atë e këtë, se kemi qënë aty dhe atje.
Shumë prej këtyre figurave të mëdha sot nuk studiohen vetëm në fakultetet ku mësohet letërsia në mbarë botën, por studiohen edhe në fakultetet e arkitekturës, urbanistikës, arteve dhe trashëgimisë shoqërore, pasi janë pjesë e rëndësishme e historisë së mbrojtjes së monumenteve. Ata hodhën themelet e atij qytetërimi, të cilit ne duam t’i bashkohemi, por që nuk e arrijmë dot.
Fatkeqësisht tek ne këta kolosë njihen vetëm si “romancierë”, madje si “romancierë romantikë”, sepse kontributi i tyre më i rëndësishëm nuk njihet dhe nuk mësohet në fakultetet e arkitekturës, urbanistikës, arteve, sociologjisë, historisë, në universitetet tona. Megjithëse ne kemi ndoshta më shumë universitete për banorë se çdo vend tjetër, në asnjerin prej tyre nuk mësohet historia se si e ka mbrojtur njerëzimi trashëgiminë e tij, prandaj edhe jemi aq shumë të dobët, të brishtë e të pafuqishëm për të mbrojtur trashëgiminë tonë. Sot nga shkollat dhe universitetet tona dalin profesionistë pa ideale. Ata janë si kallamishte, që përkulen e shtrembërohen menjëherë nga era më e lehtë që mund të vijë nga çdo drejtim. Le pastaj, kur nis ndonjë stuhi si kjo e sotmja. Ata bëhen rrafsh me tokën. Ata nuk bëhen kurrë lisa.
Sot ne kemi me dhjetra shkrimtarë e poetë të famshëm, brenda dhe jashtë vendit, por asnjeri nuk prononcohet kur shkatërrohet trashëgimia jonë. Madje edhe kur u masakrohen qytetet e ndërtesat ku janë lindur e rritur, ata struken e heshtin, ndërkohë që britma tyre mund të rrëzonte jo një, por disa qeveri.
Sot ne kemi një ushtri prej mijëra arkitektësh, të organizuar në forume e shoqata, qindra prej tyre me mastera dhe doktoratura, të bredhur bollshëm nëpër Europë, që punojnë në administratë e jashtë saj, që planifikojnë, projektojnë e flasin pa pushim për ndërtime të reja – “moderne”, thonë ata, por pjesa dërmuese e tyre hesht kur trashëgimia rrënohet. Ata nuk kanë mësuar asgjë nga Europa edhe pse mund të kenë studiuar, apo bredhur atje. Janë vetëm shumë pak prej tyre që ngrenë zërin në mbrojtje të vlerave që zhduken. Por ata janë aq pak sa numërohen me gishta. Të shkretët! U duhet të përballojnë të vetëm makinerinë monstruoze të shtetit. E për më tepër u duhet të ndjejnë mbi supe edhe cinizmin e kolegëve të tyre, që heshtin sepse përfitojnë jo pak nga shkatërrimi i trashëgimisë që humbet çdo ditë.
Sot ne kemi gjithashtu me qindra artistë, por kur shumica e tyre mbron natë e ditë një monument historik si Teatri Kombëtar, pakica tjetër këtej e përtej oqeanit, me tituj e pa tituj, me brekë apo pampersa, në vend që të tregohen modestë e të paktën të heshtin për ta mbyllur jetën me nder, nxitojnë të luajnë rolin e grevëthyesit në interes të qeveritarëve të lidhur me mafian e ndërtimit, duke dëmtuar rëndë kauzën e kolegëve të tyre që sakrifikuan aq shumë çdo ditë. Ju dhjefsha titujt, se pampersat i dhisni vetë!
Në këndvështrimin tim, kjo kategori profesionistësh që hesht me servilizëm, apo e gatëshme të vihet në shërbim ditën e natën për t’iu kundërvënë hapur mbrojtjes së trashëgimisë me vepra, apo letra (që shiten publikisht si “letra të hapura” dhe të kujtojnë letrat e kolektivave të klasës punëtore e fshatarësisë kooperativiste), mbetet një kategori profesionistësh me formim të mangët, injorantë, ose pa kurajë (nuk po them “pa shtyllë kurrizore”).
Sot, me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, ne iu larguam edhe më shumë Europës, apo qytetërimit, të cilit kemi tri dekada që duam t’i bashkangjitemi dhe nuk po ia dalim dot. Në bashkësinë europiane ka disa rregulla të qarta, të shkruara e të pashkruara, por të vendosura me mundin e sakrificën e të parëve të tyre. Një nga këto është edhe respekti për trashëgiminë kulturore. Nëse ti nuk vlerëson të kaluarën tënde, trashëgiminë tënde, nuk të vlerëson asnjeri, nuk fiton respektin e askujt, mbetesh pa të kaluar, pa dinjitet, që do të thotë se nuk ke shans për një të ardhme më të mirë, që ti t’i bashkangjitesh kësaj familjeje të qytetëruar, siç edhe po ndodh realisht.
Ka disa prej këtyre profesionistëve, arkitektë, artistë, apo administratorë, që në kohën e lirë postojnë foto nostalgjike të ndërtimeve që nuk ekzistojnë më, madje kanë edhe hobi koleksionimin e artefakteve nga e kaluara, duke u munduar të servirin imazhin e mbrojtjësit të trashëgimisë, ndërsa në kohën e punës hedhin ide, thurin plane e sigurojnë firma e fonde që ta zhdukin atë. Këta njerëz nuk mund ta mbrojnë trashëgiminë duke iu servilosur mafies së ndërtimit, e cila kërkon vazhdimisht vdekjen e saj. Dhe pikërisht kjo ndodhi sot.
Trashëgimia nuk ka vlerë në fotografi. Ajo nuk mund edhe të ribëhet, siç dëgjojmë disa politikanë të thonë se do ta ngrenë Teatrin nga e para, do ngrenë stadiumin nga e para, këtë e atë nga e para. Trashëgimia nuk është lojë me kuba, ku çiliminjtë mund t’i prishin e t’i ngrenë sa herë të duan. Trashëgimia është vlerë. Nëse nuk e kuptojnë këtë, kjo është fatkeqësi për ta, por është edhe fatkeqësia për ne që kemi këta politikanë. Trashëgimia duhet të jetë pjesë e jetës dhe e politikës së përditëshme. Ajo është baza për edukimin e gjeneratave me idealet e qytetërimit modern.
Ne nuk i kemi këto ideale. Prandaj po e humbim trashëgiminë. Prandaj na duhet të luftojmë më shumë për ta mbrojtur atë. Sot trashëgimia nuk mbrohet me lojra kukam’shefti. Duhet luftuar për të. Në rast se dikush premton dhe pretendon se po e mbron dhe më pas ajo shkatërrohet do thotë se ai ka dështuar dhe nuk mund jetë më i besueshëm për të realizuar premtime të tjera. Trashëgimia mbrohet gjithashtu duke respektuar e vlerësuar të gjithë ata që dinë ta mbrojnë e që duan ta mbrojnë, ata që kanë sakrifikuar e që sakrifikojnë për të dhe jo duke i përqafuar me thikën pas shpine.
Shkatërrimi i sotëm më kujtoi Gardistët e Kuq, me uniforma doku, me të cilët Revolucioni Kulturor shkatërroi thuajse gjithë trashëgiminë kulturore të Kinës gjysmë shekulli më parë. Ndryshimi është se këta të sotmit kanë uniforma blu, makina e pajisje luksoze, flamurë rozë dhe postera ylber. Mos vallë do shohim edhe Khmerët e Kuq? Nuk është çudi. Ndoshta me ambulanca. Lufta kundër inteligjencës ka kohë që ka nisur..
.
Marre nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.