Në përkujtim të At Zef Pllumit.
(Pjesë e shkëputun nga libri monumental
i At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”)
Libri ka si kushtim kët shprehje mjaft domethanëse:
“Atyne që vdiqën njerz
atyne që qëndruen njerz
gjatë asaj periudhe të vështirë
në të cilën njeriu u shdrrue në kafshë pune”.
“Superiori Át Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë. Ndigjo, more djalë, – më tha, – un e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gjâ ka masë: shka del jashtë mase asht budallallëk. E kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën mâ t’keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos nà. Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë. Na pleqtë edhe në ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni. Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshej njerzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush, po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë! Nuk asht fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm. E kupton këtë? Fra Zef, un jam sot për sot Superjor: po të jam urdhën: Ik, rrno! Vetëm për me tregue!”
(Marrë nga Muri i Fb i Kastriot Markut, 25 shtator 2013)
Skeda At Zef Pllumi
At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924, në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës.
Që në moshën e vogël hyn në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndjek mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.
Në 1946, At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe.
Në vitin 1990, u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje deri në vitin 2003. Shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, ndërkohëqë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punonte për libra të tjerë. Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe ka shkruar artikuj në mjaft organe të shtypit shqiptar.
At Zef Pllumbi u ba i njoftun si shkrimtari, dhe u dekorua si i tille me çmimin “Nderi i Kombit”, kurse nga Konkursi i Shkrimtarëve me çmimin “Penda e Artë”. Vdiq me 26 shtator 2007.
(Marrë nga Wikipedia)