back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ne s’e njohim thuajse fare as filozofinë as filozofët… bisedë më gazetaren Nini Mano

Gazeta

Të gjallë edhe të vdekur - Lazër & Jozef Radi
Të gjallë edhe të vdekur – Lazër & Jozef Radi

Ne s’e njohim thuajse fare as filozofinë as filozofët…

Bisedë më gazetaren Nini Mano

rreth librit “Të gjallë edhe të vdekur” të Lazër dhe Jozef Radit

Nini Mano: Sot po të shkruaj për librin tënd: eseja filozofike (kështu po e quaj novelën “Apologjia e tretë e Sokratit”) shkruar aq bukur nga babai yt i ndjerë: është një mrekulli që kuptohet dhe shijohet ngadalë.
Një operacion i thellë analizues i gjithçkaje që ka ndodhur dhe ndodh tek ne deri më sot, e askush nuk i ka hyrë thellë shkaqeve, arsyeve, ambicjes dhe zvetënimit moral që pjell në shoqëri vetem vese, dhunë dhe krim.
Fatkeqësisht dhe si për ironi të jetës, babai yt ndofta pati kohë të mjaftë për ta bërë këtë analizë jetësore mbi gjithçka që solli pjellën e komunizmit në shoqërinë tonë, duke iu referuar edhe vetë zhvillimit të shoqërive shumë më të lashta.
Por problemi është se ne si shoqëri, nuk e njohim thuajse fare filozofinë dhe filozofët, që i nxorri në dritë mundimi dhe mendimi i gjetjes së shkaqeve përmes arsyetimit!
Tek ne ende mungojnë tryezat dhe takimet filozofike për të analizuar dhe kuptuar faktet dhe fenomenet sociale. Në këto kuptime, duke e lexuar, nisa dhe unë të mendoj…
Ndërsa “Ironia e një legjende” është një kryevepër dhimbjeje sarkastike e tmerrshme, sepse e tillë është e vërteta në atë histori!
 
Jozef Radi: Të falenderoj shumë znj. Mano… së pari për mënyren e të lexuarit dhe të kuptuarit të këtyre dy novelave që janë në fakt edhe thelbi i librit… Padyshim “Apologjia e Tretë e Sokratit” është kryevepra e Lazrit… Aty ai ka dashur të zbërthejë idenë se diktaturat do të jenë gjithnji një kërcënim i mendimit të lirë… në krejt botën… Ai bën nji itinerar të Sokratitit nëpër kohra, shpesh duke u futur vetë në lëkurën e tij…
.
Nini Haxhistasa - Mano
Nini Haxhistasa – Mano
Nini Mano: Tregimet e tua janë tjetër gjë, ama na përkasin të gjithëve ne si një brez i humbur. Ka aq shumë jetë në to, aq shumë. Duke lexuar, ballafaqoja gjithë kohës, veten time me to dhe e di se cili është përfundimi im?! Jetuam në një kohë pa jetë, pra, nuk jetuam jetën tonë, me dëshirat dhe ëndrrat tona! As dhe një ditë!!!!!!!!!!
Dhe jo vetëm ti, që për shkak të rrethanave t’u mohuan shumë gjëra, por edhe unë që nuk jetova në internim, ndihesha brenda morsës “mos këtë, mos atë, kujdes këtu, kujdes aty!”… dhe kështu nisi, dhe krisi, dhe bitisi… Kjo ndjesi më erdhi nga novela “Një dashuni e pikturueme si poezi dhimbjeje!”…
Ndërsa më pëlqeu shumë, më erdhi si një poezi tregimi “Kohë me humbë dashninë”, sepse në fakt ajo është dashuri. Tregimi për gazetarin është aq i vërtetë… sepse të tillë ka sot tek ne me shumicë dhe pse jo, pjesë Katovicës…!
Pas asaj eseje filozofike me Sokratin dhe çdo krahasim jete me shoqërine tonë, tregimet e tua më erdhën si një fllad ndryshe, sepse aty jemi të gjithë ne, brezi i humbur me gjithçka!
Të falenderoj që më dhe kaq shumë kënaqësi këto ditë leximesh, sepse fundja unë leximin e çdo libri e shikoj me syrin: çfarë mësova prej tij!

 

Jozef Radi: Një lexim si i juaji, më jep shumë kënaqësi! Jam munduar të jem pak i ftohtë në tregime… Kurse në rrëfimin e fundit, është një pjesë jete dhe dashurie e jetuar pa asnjë kuptim… dhe ku krejt e vërteta është dhënë ashtu në vetë të parë… pa asnji manipulim artistik. Çka edhe më dhemb… Duhej konceptuar ndryshe artistikisht… po ndoshta në një rast tjetër… Le të jetojë si e vërteta e nji gjimnazisti të asaj kohe… Ashtu si unë e kam përjetuar…
 
Nini Mano: Ndërsa Lazër Radi më futi në filozofi mendimi, tregimet e tua më rikthyen në moshën time të pafajësisë, ku nuk guxova asnjëherë të bëja qoftë edhe ndonjë faj të vockël fare!!!!
Ju uroj të kem të tjerë libra me tregime të shkurtra aq të ndjera!
 
Jozef Radi: Jam munduar ta sjell njeriun dhe fatin e tij…
 
Nini Mano: Dhe i ke sjellë shumë natyrshëm vërtet!
 
Jozef Radi: Me vjen mirë që më shkruan për leximin e këtij libri që unë e quaj me mjaft vlerë për lexuesin shqiptar dhe më pas edhe për Lazrin si shkrimtar, që mbas 46 vitesh kalvar… mundi të dëshmoje të vërtetën e vet… përmes artit…
 
Nini Mano: Ndofta “Apologjia…” duhet ribotuar si libër më vete dhe të diskutohet në disa takime me pedagogë filozofie, sociale, psikologjie dhe studentë: duhet kuptuar se çfarë ndodhi tek ne përmes analizës së një filozofi!
Ndofta duhet lidhur edhe me katedrat e Universiteteve: e di që ka varfëri të madhe autorësh që të kenë analizuar drejt, në mënyrë filozofike gjithçka ka ndodhur tek ne? Lazri këtë e ka bërë dhe duhet promovuar patjetër!
Kënaqesia ishte e imja! Suksese me tej!
 
Jozef Radi: Nuk ka shumë disponibilitet… e megjithatë, unë do bëj çdo përpjekje që të bëhet edhe një botim i tillë… kam bërë gjithë përpjekjet e mundshme edhe kaq sa kam berë… Tani jam duke punuar trilogjinë e jetës së Lazrit në tre libra… Nji vepër shumë interesante… Ama shumë lodhje për mua… Të falenderoj shumë për leximin… më dhe një kënaqësi të rrallë…
Të falenderoj shumë, po shumë znj. Mano…!
 
7 janar 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.