back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

“Në shënjestër të armës sime vrava babain tim” – Rrëfim nga Mito Koliqi në burg

Gazeta

At Zef Pllumi (1924-2007)
At Zef Pllumi (1924-2007)

“Në shënjestër të armës sime vrava babain tim”

(Rrëfim nga Mito Koliqi në burg)

At Zef Pllumi – Rrno vetëm për me tregue

-Është e vërtetë, – më tha. Babai im ishte një ndër kapot e Ballit Kombëtar ndër këto fshatra, ndërsa, siç ishte zakon atëherë ndër këto anë, unë vetë dola partizan. Gjatë luftës isha nënoficer në gardën e Shtabit të Brigadës. Aty shihja me sytë e mi se si oficerat e Shtabit i torturonin deri në vdekje ose pushkatim robërit e zënë nga radhët e Ballit Kombëtar. Kur hymë në fshatin tim si fitimtarë, komanda më urdhëroi: “Më mirë shko vetë e na sill babanë këtu se përndryshej do ta ketë punën keq!”
“Unë u dridha, pasi nuk mund ta kundërshtoj urdhrin. Shkova në shtëpi. Babai ishte larguar nga friga. Pyeta të familjes dhe më treguen vendin. Pak para se ta takoja fola me zë të lartë që ta dinte se isha unë dhe mos të qëllonte. I tregova urdhrin e komandës. Ai u mendua ca kohë, më pyeti për oficerat e në fund më tha: “Sigurisht që nuk do të më vrasin duke qenë baba i një partizani. Përndryshe do të më kërkonin përpjekje zjarri.”
Kështu që pranoi të paraqitej në Shtab për t’u dorëzuar. M’u dridh zemra. Gjatë rrugës mendoja se si oficerat e Shtabit do ta torturonin pa mëshirë deri në vdekje. Këtë gjë ai nuk e dinte, por unë kisha parë e kisha jetuar krimet e tyre të çmendura. Pata dhëmbje për vuajtjet që e prisnin babain dhe i thashë: “Kalo pak para se do të ndalem”. Ai ecte ngadalë dhe unë, atëherë, kur hyri në shënjestër të armës sime, tërhoqa gishtin. Ai ra në të parin plumb prapa kokës. Nuk qëllova më, por ndenja deri sa dha shpirt. I mora armën dhe me të në krah u paraqita në Shtab.
“Nuk erdhi babai, më pyetën?”.
“Desh të ikte rrugës, por e qëllova. Ja dhe arma e tij”.
Ata më përgëzuan për kryerjen e detyrës. Më vonë më graduan oficer. Kam qenë edhe në Degën e Sigurimit në Shkodër në vitet 1945-1946.
Ndëgjo, nuk e di se ç’ke dëgjuar ti për këtë ngjarje, por babanë e vrava sepse e doja shumë dhe nuk duroja që të mâ poshtëronin. Kam shkatërruar familjen e po ashtu edhe jetën time. Me organizimin e policisë popullore më nxorrën në lirim, por nuk jam kthyer kurrë në fshatin tim. Kam jetuar si i humbur.
At Zef Pllumi – Rrno vetëm për me tregue.
.
Marrë nga muri i fb i Elona Casllit, 23 gusht 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.