back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Në Shqipërinë burg – Kurt Kola – Rrëfimi i kalvarit të familjes së Bilal Kolës nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Në Shqipërinë burg - Kurt Kola
Në Shqipërinë burg – Kurt Kola

Të dashur bashkëvuajtës!
Libri “Në Shqipërinë burg” me foton time të moshës 26 vjeçare,
është botuar dhe promovuar nga UET (Universiteti Europian i Tiranës).
Çdo i burgosur politik shqiptar dhe i internuar
ka jetën e tij në këtë libër…
Aty keni hetuesin kriminel që  torturon natë ditë…
keni operativin e Sigurimit, i cili e ndjek për vite të tëra nëpër burgje…
keni policët me hekura në brez e kamzhik në duar,
për të lidhur e rrahur këdo që s’e bën normën…!
Keni jetën e tuaj të mjeruar nën diktaturë…
Ju që e keni lexuar librin tim: “Në Shqipërinë burg”
dhe u ka pëlqyer, ju them se nuk është për Kurt Kolën,
por për të gjitha familjet, fëmijët, vajzat, djemtë, burrat, pleqtë
që kaluan gjysëm shekulli në ferrin komunist
e në veçanti për shqiptarët e Burgut të Madh në përgjithesi!
Besoj se gjithsecili aty do gjej veten edhe pse nuk ka emrin…
Kurt Kola (marrë nga muri i fb)

Nga Promovimi i librit "Në Shqipërinë burg" - i Kurt Kolës
Nga Promovimi i librit “Në Shqipërinë burg” – i Kurt Kolës

Rrëfimi i kalvarit të familjes së Bilal Kolës Senior

nga Romeo Gurakuqi

Libri me kujtime i zotit Kurt Kola, i titulluar “Në Shqipërinë Burg”, është një rrëfim i gjatë, i detajuar i kalvarit të dhimbshëm, të mundimshëm dhe tragjik të familjes së Bilal Kolës Senior dhe i të gjithë parësisë intelektuale, patriotike të Shqipërisë Tradicionale. Bilal Kola, bajraktari krenar i Macukullit në Mat, u vra pabesisht me dorën e komunistëve jugosllavë, dha jetën për të mbrojtur krenarinë e njeriut të lirë, duke qendruar deri në fund me dinjitetin e shqiptarit të ndershëm dhe të papërkulur.
Ndërkohë, familja e tij, bashkëshortja Vasha, fëmijët, mes të cilëve Kurti i vogël 9 vjeçar, përcollën një jetë të tërë epope, nëpër kampet e shfarosjes në masë të Shqipërisë Komuniste dhe u përfshinë në grupin e familjeve që nuk do të duhej ta shihnin kurrë lirinë, as në Burgun e Madh të Hapur të “Shqipërisë së Lumtur Socialiste”.
Libri me kujtime ka si fillesë muajin shkurt 1945, invadimin e dytë të “çlirimtarëve” pushtues në Mat dhe në Shqipërinë e Lirë të Veriut. Përndryshe, si datë fundore e këtij libri me kujtime, është 9 janari 1991, rënia de facto e diktaturës që Enver e Nexhmije Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia dhe grupimi i tyre terrorist, me bazament themelor në Zonën e Parë Operative, imponoi mbi të gjithë Shqipërinë.
Kjo rënie ndodhi për shkak se akumulimi i revoltës nga kampet e burgjet ishte hapur në të gjithë burgun e madh të Republikës së Kuqe, dhe revolucionit demokratik i nisur me 14 janar 1990 në Shkodër do të përmbyllesh më pas nga studentët e dhjetorit 1990, në Tiranë.
Në librin e Kurt Kolës gjejmë në fakt kalvarin e mijëra familjeve patriote shqiptare që u vendosen nën shenjestrën e pushkës së të ashtuquajturëve “partizanë çlirimitarë”, për shkak të formacionit historik, politik, kulturor, krahinor dhe rolit që kishin luajtur, këto familje, në ngjizjen e Shqipërisë si komb, si shtet, si kulturë, si atdhedashuri gjithpërfshirëse.
Rasti i familjes së Bilal Kolës, është rruga e mundishme e familjeve të luftëtarëve nacionalistë, të cilët luftuan edhe kundër pushtuesve fashistë, por që nuk u përfshinë, për shkak të mos përkatësisë në rrethin ideologjik e politik sovjetik, në grupimin e partizanëve komunistë shqiptarë, të drejtuar në prapaskenë nga Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha. Për këtë arsye ato familje do të pësonin dhunën e pamëshirshme gjakatare, fillimisht Divizioneve të Sigurimit, më pas të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Koçi Xoxes, Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe Hekuran Isait. Është fati i ngjashëm që pësuan, krahas familjes së Bilal Kolës, edhe familja e Muharrem Bajraktarit, e Gani Kryeziut në Gjakovë, familja e Bazit të Canes, Mehmet Alisë në Has. Përndryshe, pas këtij klasifikimi fillestar, jeta e familjes së Bilal Kolës, eci paralelisht dhe ngjan edhe me atë të pjesës së mbetur në Shqipëri të familjes së Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjoni, të Fiqiri Dines, Xhevat Korçës, familjes Merlika, familjes Mirakaj, etj.
Në libër gjejmë mrekullisht të dëshmuar fatin tërësor të Shqipërisë së Veriut, Shqipërisë e Mesme, hapësira territoriale dhe komunitete krahinore që u vendosën nga dita e ashtuquajtur e çlirimit e mbrapa, nën thundrën e zonave operative ushtarake, që ushtruan terror për vite me radhë. Dhe, në qoftë se fashistët dogjën shtëpitë dhe vranë kundërshtarët e tyre të drejtëpërdrejtë, partizanët “çlirimtarë” sovjetikë, u prekën Gegëve… por edhe Toskëve kundërshtarë, familjen, fëmijët, shkatërruan jetët, dhunuan varret, torturuan viktimat, i burgosën dhe i internuan vetëm për shkak se ishin bijtë dhe bijat e atyre, që mendja diabolike e diktatorit Hoxha, i kishte etiketuar si armiq.

Nga Promovimi i librit "Në Shqipërinë burg" - i Kurt Kolës
Nga Promovimi i librit “Në Shqipërinë burg” – i Kurt Kolës

Libri nis me invazionin e dytë komunist në Mat, por nuk lë pa kujtuar me saktësi invadimin e parë komunist të Shqipërisë së Veriut, nisur nga Mati e Dibra, që filloi me 30 qershor 1944, si fillimi i një lufte civile në shkallë të gjërë, mes shqiptarëve patriotë, tradicionalistë dhe liridashës dhe rrethit të hekurt të krijuar nga komunistët shqiptarë, jugosllavë dhe sovjetikë, rreth që eci, dhe ecën serish, në forma të kamufluara, përkundër Shqipërisë Liridashësë, Demokratike, Tolerante dhe Tradicionaliste.
Rrëfimi i Kurt Kolës vijon me procesin e burgosjeve familjare në grup, në burgun e Peshkopisë, më pas atë Strugës, të të gjithë kundërshtarëve të vërtetë dhe hipotetikë të “çlirimtarëve” pushtues hapësirash të lira shqiptarësh të lirë, të familjeve të Parisë së Dibrës, Matit dhe Lurës: Hysni Demes, Fiqiri Dines, Shahin Demes, Esat Dines, Mahmut Pervizit, Nazif Reçit, Cen Elezit (Hysen Ndreut), Hazis, Murat e Myftar Kaloshit, të Menajve të Lurës. Bie në sy që Paria e Shqipërisë së Veriut, Lindjes dhe Qendrës, Kleri Katolik Shqiptar, intelektualët më në zë të Shqipërisë, kryeministrat dhe ministrat më të kulturuar të Shqipërisë, u ndeshën dhe u ballafaquan me një tip partizani shqiptar, pa kodet tradicionale, të krenarisë, të besës, të burrërisë, të nderit, të mëshirës, të atdhedashurisë dhe të forcës së karakterit, me të cilët ata qenë mësuar në Shqipërinë e vjetër prozaike: “partizanët çlirimtarë”, shkruan Kurt Kola, kanë qenë të turpshëm, në paburrërinë, injorancën, frikën, mungesën e karakterit dhe dhunën e tyre të pamëshirshme ndaj shqiptarëve të tyre gegë dhe toskë. Dhuna e ushtruar nga ata ka qenë e një natyre egërsisht të dyfishtë, tipike e komunizmit dhe e nazizmit: fizike dhe psikike dhe kjo do të përdorej nga dita e parë, deri në ditën që pushteti i tyre do të rrëzohej, pa u asgjësuar dhe u fshirë në fakt një herë e mirë.
Është për t’u shënuar se, që në fazën e parë të jetës nën komunizëm, atë të viteve 1945-1949, familja e Bilal Kolës u drejtua forcërisht në kampet e internimit në Berat – Kuçovë, u gjend pranë e pranë me familje të tjera shqiptare, të cilat u vendosën forcërisht nën të njejtin fat, nga pjesë të tjera të Shqipërisë. Mes këtyre familjeve duhet të përmenden edhe dy familje që autori i kësaj parathënie ka pasur rastin t’i njohë personalisht më vonë, familja e Gjon Destanishtës dhe ajo e Mirakajve etj.
Në muajin mars 1949, ndërkohë që rrethanat politike në Shqipërinë e Jugut në kufirin me Greqinë u përkeqësuan, të gjithë të internuarit e Shqipërisë u vendosën në kazermat e rrënuara të Beratit. Diktatura vendosi këtu të gjithë të internuarit nga të gjitha krahinat të Shqipërisë, për të kontrolluar “armikun e brendshëm”. Në Berat u vendosën individë dhe familjet shqiptare më në zë, si të Veriut ashtu edhe të Jugut, nga grupimi që nuk u lirua kurrë nga burgjet dhe kampet. Ndaj tyre u aplikuan metodat e dhunës dhe ndëshkimit, që nuk rreshtën kurrë më në Gulagun Sovjetik Shqiptar, në të gjitha kampet ku ata kaluan 45 vite të jetës së tyre në torturat që nuk merrnin fund asnjëherë.
Drama e grave të patriotëve, e Vashës së Bilal Kolës, Mrikës, gruas së Gjon Markagjonit, Nazifes, gruas së Muharrem Bajraktarit, Rukijes, gruas së Fiqiri Dines, Vasfijes së Hysni Demes, Sahadjes së Shahin Demës. Drama e vajzave trimnesha si Bardhë Gjonmarkaj, Liri Bajraktari, Vera Dema, Klara Mirakaj, Neta Sollaku, Elena Merlika, Nina Destanisha, Hyrie Kupi, Xhina Miraka, Prena Pervizi; djalit të Muharrem Bajrakterit, Genc Bajraktari; drama e klerikëve katolikë, Pader Gardinit, Dom Zefit, Pader Viktorit, Pader Ferdinandit, Dom Nikollë Mazrekut, Pader Meshkalla, Padër Gegës, e klerikut musliman Afiz Ali Kraja, Ipeshkvit orthodoks Visarion Xhuvani; një klasë e tërë intelektualësh të rangut më të lartë, që është takuar nga Kurt Kola në Burgjet dhe Kampet Përqëndrimit të Shqipërisë, vjen e përshkruar me aq vërtetësi dhe realizëm nga autori. Një shkollë e tërë e kaluar në burgje, mes pjesës së mbetur të mendjeve më të ndritura të kombit, që komunistët i mbajtën në errësirën e institucioneve të tyre gjakatare të shtërngimit. Në libër gjejmë gjithashtu dramat e të internuarve në Berat, Kuçovë, Turan e Tepelenë, shfarosjet e njerëzve që nuk i kishin bërë askujt keq, që u varrosën dhe u zhvarrosën, emrat e shumë fëmijëve (ishin qindra e mijëra fëmijë që sot nuk e kanë një varr) që nuk arritën t’u mbijetonin vuajtjeve në gulagun e Bençës; gjejmë rrëfimin mbi varrezat e të internuarve të atij vendi të mnershëm, që ia kaluan në pak muaj përmasave të varrezës së ushtarëve italianë të vrarë në Turan, në Luftën Italo-Greke. Pra kemi mijëra shqiptarë të pushkatuar, të vdekur të burgje dhe internime, pa varr, nga një grup kriminal urdhërdhënës dhe urdhërzbatues dhe sot bijtë e tyre udhëheqës politikë të partive të së majtës shqiptare që ende kërkojnë të imponojnë lavdinë e Luftës Nacional Çlirimtare (pa arritur të ndajnë luftën për liri kundër fashizmit, me luftën civile për marrjen e përdhunshme të pushtetit) dhe kanë zotëruar gjithë hapësirën publike të Shqipërisë së shekullit XXI.
Kurt Kola ka ndërtuar në këtë libër, katalogun e plotë të burgjeve dhe kampeve të shfarosjes në masë: Tepelena ose Buhenvaldi i komunizmit shqiptar, Burgu Katakomb i Gjinokastrës dhe vrasjet me torturë  të kryera aty, Burgu i Vlorës, Kampi i Shtyllasit, Kampi i Radostinës, Kampi i Zadrimës, Burgjet e Shkodrës, të vendosura si për ironi, në vendet e shenjta të Kishës Katolike, Kampi i Ndërtimit në Tiranë, Burgu i Burrelit (ku vdiqën 400 të burgosur, ndër të cilët edhe kryeministri që e ndërtoi atë burg Koço Kote). Janë burgjet ku vdiqen tragjikisht ministrat e spikatur arsimit të Shqipërisë, Xhevat Korça dhe Mirash Ivanaj; burgjet ku vujatën Ibrahim Biçaku, Akil Tasi dhe Koço Tasi e sa e sa te tjerë. Kampet e tmerrshme të Kënetës së Maliqit, Orman Pojan; Kampin e Vloçishtit ku ndodheshin Eqerem Çabejt dhe Et’hem Haxhiademi, Arshi Pipa, Kampi i Gradishtës, Kampi i Savrës, Burgu i Spaçit.

Kurt Kola gjatë një interviste
Kurt Kola gjatë një interviste

Kush kanë qenë ekzekutorët e dhunës kriminale?
Brezi i ri duhet të ketë të qartë që Diktatori nuk ishte i vetëm në sipërmarrjen e shkatërruese të lirisë dhe ai operoi në një linjë të komandës kriminale, në të cilën implikoi të gjithë Byronë Politike, pjesën më të madhe të luftëtarëve partizanë, Sigurimin e Shtetit, Divizionet e Mbrojtjes Popullore, pjesa më e madhe e të cilëve kishin marrë pjesë ne një kohë në njësitë partizane. Për këtë ai shfrytëzoi mbi të gjitha injorancën e përhapur në popullsi, e inkluduar në forcat e Ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Publiku ka nevojë të dijë edhe emrat e tyre dhe Kurt Kola ka bërë shumë mirë që na i ka sjellë disa që ai ka pasur rast t’i njohë në barbarinë e tyre origjinale. Ai nuk ka ndroje, as pengesë t’i përmendë me radhë.
Përmes librit të tij, ne do njohim personazhe të tilla kriminale si kapiten Medi Bilbili, toger Kopi Niko, togeri hienë Xhafer Pogaçi, Syrja Bajrami, diaboliku Niqi Andoni, Kamber Çela, Major Xheloja nga Kurvelesh; Kapter Pilua dhe Neshat Hysi në Burgun e Gjinokastres. Hetues Selfo dhe Kapter Todi, Shefi i sigurimit Natyrel Mici, po aty. Të gjithë me profile psikologjike kriminale, njerëz që  kupola komuniste e Tiranës ua la në dorë jetën e mijëra të internuarve, me të cilët benin si të donin. Dhe mbi ato qëndronin urdhëruesit: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Gjin Marku, Aranit Çela, Ilmi Saiti, Xhule Çiraku, Gjolek Alia, Tasi Marko.
Kurt Kola bën shumë mirë që jep një pjesë të këtyre emrave, për të kuptuar edhe sot, pse pasardhësit e tyre dhe disa dhjetra e dhjetra të tjerëve, janë të vendosur sot në krye të administratës shtetërore, organeve të Ministrisë së Brendshme të qeverisë aktuale; për të kuptuar pse ato kanë ndërtuar familje politikisht të fiksuara në mbrojtje të së djeshmes së palavdishme diktatoriale dhe të dhunimit sistematik të lirisë së shumëpritur për të gjithë; pse establishmenti i sotem është i penguar në ndërtimin e një skeme qeverisëse gjithpërfshirëse!
Libri i Kurt Kolës është një libër i shkruar me kulturë historike, (njohje të së kaluarës, rikthime të sakta në të shkuarën dhe përdorim i të kaluarës për të interpretuar të tashmen dhe të ardhmen), që nuk çalon në asnjë moment; përmban një zbërthim perfekt të Historisë së Shqipërisë 1944-1991, që historianët e arrijnë në fakt, vetëm pas studimit të dokumentacionit, ndërkohë autori e ka arritur përmes studimit të jetës dhe vëzhgimit të kujdesshëm të saj, analizës së dramës së mijëra bashkëvuajtësve, shqyrtimit të sjelljes së liderëve të diktaturës, oshilacioneve në sjelljen e tyre, kalvarit periodik të familjes së tij, situatës ndërkombëtare, vendosjes së ngjarjeve në një kontekst europiano-lindor, etj.
Ky libër është një homazh për vuajtjet e kampeve të përqendrimit në Shqipëri, nëpër të cilat kaloi pjesa më e madhe e disidencës së mbetur të Shqipërisë Tradicionale, patriotët më në zë të vendit dhe familjarët e tyre.
Është një homazh për të gjithë viktimat e kampeve të internimit në Shqipërinë komuniste të kësaj periudhe, një homazh për lirinë e cënuar edhe sot në këtë vend nga nostaligjikët e rinj të Ancient Regime dhe veglat e tij korrupsioniste dhe antieuropiane.
Libri është një thirrje që nxënësve shqiptare t’u mësohet historia e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore dhe Historia e Regjimit të Terrorit, që mbeten pjesët më delikate e të gjithë këtij rishkrimi.
Është koha që Shqipëria do të duhet të përfshihet në një proces të faljes së madhe, hapjes së dosjeve të diktaturës dhe pastrimit të politikës nga strukturat vrastare të diktaturës. Libri është një thirrje e madhe në këtë drejtim. Politika shqiptare duhet të mbajnë shënim zërin e Shqipërisë së Lirë, Zërin e Qytetarëve të Lirë, Zërin e Bijve të Desidencës dhe viktimave të dhunës komunistë që sot vazhdojnë të jenë, në një formë të kamufluar dhe të hapur, nën një persekutim mjaft të stërholluar, në një Shqipëri që vuan nga informaliteti dhe tejkalimi i veprimit governativ.
Tiranë, me 8 prill 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.