Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
i dedikojnë një flamur shqiptar
shqiptaro-amerikanit, heroit antikomunist, Nik Mërrnaçaj!
nga Artan Lleshi Gjomarkaj
Ky flamur i bukur shqiptar, vendoset çdo vjetë nga Bashkia New York në qytetin e Westchesterit (NY), në nderim të veprës së çmuar të patriotit e antikomunistit të shquar shqiptar Nik Merrnaçaj. Një gjest i rrallë dhe akt i çmuar për Shqipërinë e sidomos për shtresën e ish të përndjekurve politikë shqiptarë, rasti kur Pushteti Vendor i Bashkisë më të lakmuar në botë, nderon njeriun tonë patriot e fisnik me Flamurin tonë të mrekullueshëm, çdo vit në të njëjtën datë.
Nik Merrnaçaj është nderuar edhe në Shqipëri, duke i dhënë titulli “Martir i Demokracisë” dhe emrin e tij ka shkolla e Tamarës, shkollë e cila nuk di nëse e përkujton heroin, emrin e të cilit mban, dhe nuk di sa nxënës i kanë mbetur, pa migruar ashtu si familja Merrnaçaj, e cila u arratis prej regjimit totalitar.
Vërej se shoqe-shoqatat tona turren mbas lavdive amerikane, lajnë e lyejnë bunkerë e regjimit komunist me para të taksapaguesve amerikanë, anglezë e hungarezë, ngrehin rrasa për të zënë ndonjë individ si puna ime ose ndonjë tjetër dëshmitar të kauzës e për t’i mbajtur për leqesh ,sepse vetëm duke patur tek-tuk ndonjë emër-ngjarje mbijetojnë, por nuk i venë në grykë rasteve kur Shteti më demokratik dhe më i lavdëruar në Botë nderon me flamurin tonë heroin e kohëve tona.
Gjej rast të falenderoj familjen Merrnaçaj për qëndrimin dinjitoz si në Shqipëri ashtu edhe në USA, e po ashtu miqtë e mi: Ervin Dine (nënkryetar i Vatrës), Jozef Radi, Beqir Sina, Agustin Mirakaj, Çezar Ndreu, etj për mbajtjen gjallë të frymës së drejtë e të vërtetë shqiptare sotpërsot në komunitetin Shqiptar në Amerikë.
Vraponi t’u dërgoni ftesa me që mësuat një shkëndijë historie, ju shoqata shqiptare, që morët në qafë kauzën e drejtë të të përndjekurve politikë.
Lavdi Nik Mërrnaçajt
nga Artan Lleshi Gjomarkaj, – Mirditë