back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Në vend të Pasthënies nga Laura Kylheku disa rreshta mbi Librin “Poesie Scelte” të Jozef Radit

Gazeta

Jozef Radi - Kopertina - Poesie Scelte 2017
Jozef Radi – Kopertina – Poesie Scelte 2017

Në vend të Pasthënies

 nga Laura Kylheku

 disa rreshta mbi Librin “Poesie Scelte” të Jozef Radit

Mirdita Jozef,
Pranoje kët refleksion modest timin,
mbasi lexova dhe rilexova librin tuaj të fundit
“Poesie scelte”, i cili u bë shkaktar dhe nxitës i këtyre rreshtave…
Si e lindur dhe e rritur atje ku njerëzit janë paksa të ashpër
dhe jo fort shpesh përdorin fjalë “të ambla”,
ndjej se e shijoj kaq shumë poezinë në dialektin e veriut,
në veçanti kët gegnishte, dmth se gjaku s’bahet ujë sido me qenë…
E sa i përket ndonjë shtese në trajtim të këtij shkrimi,
mund të them se ka plot për të shtuar,
sepse çdo poezi është një kryevepër më vete,
dhe sa më shumë i lexon aq më tepër ato (poezitë)
zbulojnë “aromën” ashtu si vera e vjetër në shishe…
Mendoj se ky shkrim ndalet me tepër tek idetë që ju jepni
se sa të muzikaliteti poetik. Nuk e ndiej veten në lartësinë e duhur
për të shkruar për muzikalitetin në poezitë tueja…
atëhere them se këto shënime të mos i prek më!
Edhe vetëm duke ju lexuar, ndihem shumë e shpërblyer…
Laura Kylheku, 20 maj 2017
.

 

Kur mbaron së lexuari librin me Poezi të zgjedhura (Poesie Scelte) Besa Editrice 2017, nga Jozef Radi, nuk mund të rrish pa iu rikthyer të pakten edhe një herë leximit të poezive. Do të përpiqem ta transportoj atë bashkësi emocionesh të përjetuara prej meje, në formën e buqetë shumngjyrëshe.
E njof Radin përmes shkrimeve që ai rregullisht publikon në fb, nëpërmjet të cilave na njeh në vazhdimësi me figurat më fisnike dhe më me vlera të kulturës shqiptare, ajkën e inteligjencës së vendit tonë; martirët antikomuniste të këtij vendi. Paralelisht me këtë, publikon pjesë të ndryshme nga poetë të rinj, kontemporanë, që kam pasur fatin e mirë t’i njohim në sajë të punës së tij. Citoj këtu Entela Tabakun, Arjola Zadrimën, Enkelejda Ristanin, etj… që me poezitë e tyre, kanë kurajon të denoncojnë hapur realitetin e hidhur që është fakt në Shqipërinë (shtëpinë) tonë, por dinë të jenë edhe poetesha të
zemrës…
.
Laura Kylheku
Laura Kylheku
Por le të kthehemi të libri i tij i fundit antologjik i botuar në Itali, libër të cilin e lexova me një frymë dhe mendoj se lexuesi tashme e njeh Jozef Radin si poet dhe përmasat e tij hiperbolizohen nën një tjetër dimension. Unë do të guxoja ta quaja: “Poet i psherëtimave!” Psherëtima e Jozefit nuk është thjesht psherëtimë përuljeje, ajo dhemb, lufton, akuzon dhe në të njejtën kohë gjen forcë ta rifillojë jetën nga e para pa frikë, nji jetë të lirë. Unë do t’i ndaja në disa etapa “psherëtimat” e jetës së tij:

*Psherëtimat e vuajtjeve të fëmijërisë dhe rinisë në kampet e përqëndrimit

*Psherëtimat e zhgënjimit të madh postkomunist dhe ato të ikjes emigrant
*Psherëtimat e dashurisë së lindur e jetuar mes vuajtjesh dhe zhgënjimesh
*Psherëtimat e së sotmes, që kthehen në akuzë
Vetëm kush ka emigruar prej vendit të tij e kupton “psherëtimën” e Jozefit dhe e prek thellë në shpirt. Sa bukur e shpreh këtë ndjesi te poezia “Ikëm nga të qenit asgja”: “Moskthimi i kryes/ Hijet e qenve t’çartun/ Na i ka lëshue mbas…”
Poezitë janë të mbushura me një figuracion që aq bukur shkrihet me idenë. Te poezia “Sy më sy u pamë me gjarprin e zi” psherëtima e poetit të prek në shpirt, ndonëse ndjenja e neverisë është e shprehur kaq qartazi dhe mjeshtërisht; si piktor i fjalës!!!
Sy m’sy u pamë/ me gjarpnin e zi të kullës,
ai i bindun n’troje të veta/ shenjue me lkurën e tij
midis pemëve e gurëve,/ e unë me lkurën teme të djegun
prej diellit t’nji vere shterpe,/ dhe djersës derdhun mbi barë
ku shndrit rrëshqitja e tij rrëqethse…
.
Jozef Radi "Poesia Scelte"
Jozef Radi “Poesia Scelte”
Mesazhi i tij është i qartë, është mesazhi i një kristiani, vetëm dashuria e bën këtë Botë më të mirë. Urrejtjen ai e shpërfill, si ndjenjë, prej urrejtjes nuk arrihet askund. Kjo është një filozofi jete e një mendjeje të hapur dhe superiore. Sikur njerezit të arrinin të paktën ta kuptonin këtë, shumë ligësi do të merrnin fund.
Ja sesi shprehet tek poezia “Linda i urrejtun me doktrinë”: “Pse ende urrejtsit/ s’janë lodhe prej s’keqes së tyne/ Unë s’pata kohë me humbë n’urrejtje të askujt/ Pse sot e k’saj dite/ mbaj dashninë e atyne dyqind syve/ Që besonin te jeta/ te ajo foshnje n’grazhd.”
Nëpërmjet metaforës “gjithçka u gdhend me pupël”, poeti denoncon hapur dhe qarte fatin e të persekutuarve gjatë komunizmit, në demokracinë e rreme te përgjat 27 viteve në vazhdim.
Gjithë vuajtjet, tmerret, marritë e ikjeve, spaçet, burrelet u shkruan “veç në kujtesën e trishtë të mjegullës”. Dhe psherëtima e tij kthehet në një thirrje të fuqishme tek “Më ler të vdes”! Zhgënjimi i madh i një populli, shpresat e tij me të cilat u luajt paturpësisht, të gjitha këto gjejnë vend me nota të theksuara dhimbjeje… “S’mund ta jetoj moralin e kësaj dite bosh/ S’mund ta shoh/ entuziazmin tragjikomik të tim eti/ që s’lodhet së besuemi në të nesërme…”
Dashuria, për poetin është ajo ndjenje fisnike tek e cila gjen prehje shpirti i vuajtuar. Atij i dhimbset kjo dashuri që jeton mes vuajtjeve të së kaluarës siç e përshkruan tek: “Ne u deshëm n’nji kamp telash me gjëmba…”E me fije bari ia qëndisem klithmat fatit tonë”
Kjo dashuri që e gjen forcën t’i mbijetojë dhimbjes: “në mungesë të librave/ lexoja sytë e tu/ I dehun n’ekstazë humbja/ në pyllin e dendun të flokëve t’tu…”
Te poezia “Në krahët e dashnisë” ai shprehet: “i qamë dashuritë e mbetuna/ nën thundra çizmesh që ende na shkelin”, ku lexohet qartë nota e dhimbjes. Megjithatë ai mbetet optimist dhe ka besim se vetëm dashuria arrin ta sundojë botën, vetëm nëpërmjet saj shpirtnat e lodhun do te ringjallen. “dhe puthemi në kufijtë e vdekjes/ të bindun se aroma e shpirtnave ringjall…!”
Do të veçoja nga poezitë e dashurisë dy lirikat e mrekullueshme; “Ti erdhe e bukur si vjeshtë” dhe “Kthim në Eden” s’kam koment për ato, veç ta mbajnë frymën pezull…
Poeti akuzon njëherësh vuajtjet e një populli nën “çizmen e komuniste” dhe e gërsheton bukur këtë akuzë me realitetin postkomunist 27 vjeçar. Më dhemb të shkruaj për këtë temë, për kampet e internimeve, për dënimet pa gjyq, për vitet e burgimit të njerëzve që arrijnë shifrat më të larta duke i krahasuar me të gjitha vendet e ish bllokut komunist të lindjes. Poeti edhe këtë barbari të paparë ndonjëherë arrin të na e sjellë poetikisht dhe me lirizëm, ndonëse e ka jetuar në primis qysh fëmijë sa erdhi në këtë jetë. Në poezinë “Fëmijët e burgosun” ai shprehet: “…Një foshnje gishtërisht i numëron/ jo vitet e veta të rritjes/ po vitet e pritjes së prindit…”
 .

Kampi i Savres 1991
Kampi i Savres 1991
Lirizmi i tij arrin kulmin me poezinë: “Savra”, ku ndjehet se etja për të jetuar është më e fortë se çdo vuajtje. Jeta është personifikuar në atë “kokërrz të verdhë misri”. Ideja është më se e qartë: dhuna dhe padrejtësia kurrë s’mund të japin frute, ato janë të destinuara të mbesin shterpe. Ai e paraqet mjaft bukur si një tabllo e Edward Munch “Skrik”, në poezinë “Jetë gri” “korin e të marrëve, korin e të mërguarve… korin e të enjturve me premtime të rreme”. Më duket sikur duke lexuar poezitë e tij, me sytë e mendjes shoh tabllo të ndryshme, kryevepra të artit botëror…
Një përqasje mjaft interesante është sipas meje, paralelizmi midis këtyre dy poezive: “Ky mur turpi” dhe “Çdo mëngjes” ku shihet qartë dyzimi i personalitetit të njeriut gjatë diktaturës dhe dyzimi i personalitetit që na dikton realiteti i sotshëm.
Dënon me vdekje çoroditjen e vlerave njerëzore gjatë periudhës së komunizmit, ku mosvlera ia zuri vendin vlerës, e përshkruar mjaft bukur në vargjet: “po njeriu i dyzuem/ ka me vdekë njatje/ mbas mureve t’rrëzueme!”
Nuk është aspak e lehtë sot, të përballesh me jetën e përditshme ndershmërisht. “buka e përditshme” sigurohet me shumë mund, sidomos kur s’jeton në vendin tënd e të takon me dalë në sipërfaqe me forcën e krahëve të tu.
“çdo mëngjes/ dal mamurrshëm prej mendjes sime/ e futem në krahët e mi/ çdo mbramje/ dal prej krahëve t’mi t’robtuem/ e ndalem do çaste aty mbi letër…”
Notat e pesimizmit për realitetin përzihen me notat e thirrjes për një zgjim të përbashkët në vargjet e “Mos më lini me mbetë ulërimë”: “pse sërish ka me vazhdue t’jetë mashtrim/ ajo çka e besoja me gjithë shpirt…” apo në poezinë “Dyshim”, ku ai ndjen lodhjen dhe cfilitjen e madhe shpirtërore për kalvarin e jetës së tij dhe shumë bashkëkombasve që me dinjitet përfaqson: “dy gjysma humbun në udhëtim/ guaska moluskësh mbrenda mbetë bosh…”.
Por këto s’janë veçse disa momente dëshpërimi, sepse është po ai, që na jep zgjidhjen, me mençurinë që e ka të trashëguar ndër breza, me urtësinë e nji plaku të moçëm, me dinjitetin që e ka fituar mes vuajtjesh… Ai nënvizon së jetës sado e vështirë qoftë, duhet me i dhënë një kuptim: “me pirgje guralecash,/ prej ditve humbun në kotësi,/ mozaiku i së nesërmes/ nuk ngrihet kurrsesi!”
Ideja se ndryshimi fillon në rradhë të parë të seicili prej nesh e shprehet mëse e qartë në vargjet: “asgja s’ka me ndodhë/ nëse shpirti yt/ s’e ngjit naltësinë e flakës…”
Dhe do ta mbyllja me thirrjen qe gjëmon si kushtrim e arrin të prekë deri thellë ndërgjegjet tona: “A do të dalë ndokush prej nesh burrë/ që s’i vjen turp pse qëlloi burrë?” Më vjen ndërmend Pashko Vasa dhe nje ndjenjë e erëmire e shpresëdhënëse ma përshkon krejt trupin e i them vetes: Mos e braktis shpresën, kjo tokë, ndonëse e cfilitur prej së keqes, vazhdon ende të lindë bij të mençur dhe të denjë!!!
Mos e humbisni leximin e këtij libri!
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.