back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Nëpër analet e historisë së shtypit shqiptar – Dhimitër Berati dhe “Përlindja e Shqipërisë” – nga Frank Shkreli

Gazeta

Dhimitër Berati i ri (1886-1970)
Dhimitër Berati i ri (1886-1970)

Nëpër analet e historisë së shtypit shqiptar – Dhimitër Berati
Përlindja e Shqipërisë” –
Një organ në mbrojtje të drejtave kombëtare
24 gusht, 1913
– në Vlorë
nga Frank Shkreli

Në analet e historisë së shtypit të lirë shqiptar, domosdo përfshihet edhe gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, numri i parë i të cilës është botuar me 24 gusht, 1913 në Vlorë. Thuhet se ka qenë gazeta e parë zyrtare, politike, e cila si mision të saj kishte bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Dhe si e tillë, për kohën e shkurtër që është botuar, ka mbështetur qeverinë e re shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, përballë sfidave dhe kërcënimeve, ndaj trojeve shqiptare, të asaj kohe.

“Përlindja e Shqipërisë”, botuar në Vlorë 24 gusht, 1913
“Përlindja e Shqipërisë”, botuar në Vlorë 24 gusht, 1913

“Përlindja e Shqipënies” e vitit 1913, ishte ndër gazetat e para të shtetit të pavarur shqiptar. Botohej në Vlorë, dy herë në javë, të mërkurën e të shtunën. Numri i parë doli më 24 gusht 1913 dhe vazhdoi deri në 1914. Botonte lajme politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Mbështeti politikën e qeverisë së përkohshme të Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali. Por vija editoriale e saj ishte mbrojtja të drejtave të Kombit shqiptar dhe kufijve të Shqipërisë, kundër synimeve grabitqare të shteteve shoviniste fqinje dhe intrigave të fuqive të huaja. Përsa vazhdoi së botuari, “Përlindja e Shqipëniës”, bënte thirrje për bashkimin e popullit në zhvillimin dhe përparimin e shtetit të ri shqiptar, të posa ishte shpallur, i pavarur.
Gjëja që më ka tërhequr vëmendjen ndaj kësaj gazete të hershme është titulli por sidomos nën-titulli i saj: “Organ për me mprojtur të drejtat kombëtare”. Por, edhe emri i Drejtorit Përgjegjës të asaj gazete, Dhimitër Berati, më ka tërhequr interesimin, kur jam arratisur në botën e lirë, në vitin 1970, pasi ishte një emër që e kisha dëgjuar. Merreni me mend sot një gazetë me një nëntitull të tillë në faqen e parë: organ në mbrojtje të drejtave kombëtare! Ka njeri ose media sot që haptazi e shpallin veten si mbrojtës të interesit kombëtar?! Ndoshta ka ndonjë. Apo, njihni ndonjë politikan shqiptar të këtyre 30 e sa viteve “demokraci”, që të flasë me bindje parimore, në mbështetje të interesave kombëtare, ose të ndonjë veprimtarie mbarë-kombëtare shqiptare – mbi ato interesat personale dhe partiake – interesa për të cilat janë të njohur aq shumë nga politikanët aktualë shqiptarë?! Ndoshta mund të jetë ndonjë aty këtu, por zëri i tyre edhe kur kanë bërë ose bëjnë ndonjë deklaratë në mbrojtje të interesave kombëtare, sot ato zëra, nuk mbështeten, por mbyten ose injorohen nga mas-media digjitale e shitur tek politikanët “modernë”.

Dhimitër Berati duke folur në darkën e “Vatrës” në Hotelin “Americana” në Nju Jork, Nëntor, 1969 - 50-vjet pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Paqës në Paris, 1919
Dhimitër Berati duke folur në darkën e “Vatrës” në Hotelin “Americana” në Nju Jork, Nëntor, 1969 – 50-vjet pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Paqës në Paris, 1919

Por, le t’i kthehemi subjektit të këtij shënimi modest me pyetjen se kush ishte Kryeredaktori i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, Dhimitër Berati, i cili drejtonte organin që promovonte mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëri prej nënshkruesve të saj. Berati ishte gjallë deri në vitin 1970 – i fundit i nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë – kur ndërroi jetë nga një aksident automoblistik në Romë. Historia e njeh kontributin e Dhimtër Beratit edhe si pjesëmarrës i shquar aktiv në Konferencën e Paqës në Paris me 1919. Përgjithësisht, veprimtaria e tij ishte shumëdimensionale në politikë e publicistikë, përfshi bashkpunimin me At Gjergj Fishtën dhe më vonë në mërgim edhe me Ernest Koliqin, një bashkpuntor i ngushtë i tij me shkrimet e tija që botoheshin në revistën Shéjzat.
Botuesi i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, organi që filloi botimin me 24 gusht 1913, me synimin për t’ia kushtuar atë mbrojtjes së të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, Dhimitër Berati, ndërsa i mërguar pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist në Shqipëri – ai vazhdoi të punonte, aktivisht, me komunitetin shqiptar në Romë por edhe më gjerë, në mbështetje të interesave kombëtare, përfshi lidhjet e tija me komunitetin shqiptaro-amerikan. “Në nëntor të vitit 1969, prania e tij në kremtimet e Vatrës në Boston dhe New York”, – shkruante Ernest Koliqi me rastin e kalimit në amshim të bashkpuntorit e kolegut të tij të ngushtë, Dhimtër Berati, të pranishëmve në ato festime, “i dha vështrim të posaçëm shfaqjeve të ndryshme që u zhvilluan në atë rast.” Shënohet se Berati gjatë qëndrimit të tij në Neë York u kishte folur shqiptaro-amerikanëve me “hollësi të çmueshme” rreth ngritjes së Flamurit në Vlorë me 28 nëntor, 1912, ku edhe ai vet kishte qenë i pranishëm dhe nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë.
Pyetjes së kush ishte Dhimitër Berati, kryeredaktori pra i organit “Përlindja e Shqipëniës”, gazetës së vet-shpallur “Organ për me mbrojtur të drejtat kombëtare”, ndoshta i është përgjigjur më së miri kolegu e bashkpuntori i tij i ngushtë, Ernest Koliqi: “Ai ishte dekani i Rilindasve ende në jetë dhe simboli i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kunorzimin e saj me 1912, mbas sa mundimesh e gjaku të derdhun.”

Gjergj Fishta - Luigj Bumci - Dhimiter Berati - Paris 1919
Gjergj Fishta – Luigj Bumci – Dhimiter Berati – Paris 1919*

Si përfundim pra në këtë përvjetor, Dekani i Rilindasve, Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet, as të anashkalohen meritat e tij patriotike, gazetareske e publicistike, siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkëpuntorëve të tij të ngushtë, At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi. Por të kujtohen dhe të nderohen, pa paragjykime ideologjike, brez pas brezi, për kontributin e tyre të gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21. Si firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Dhimitër Berati, me shokët e tij të të njëjtit mendim e qëllim, nuk meritonin persekutimin nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës, as nuk meritojnë të hidhen në harresë sot e kësaj dite.
Por për fat të keq, bazuar në historinë e këtyre 3-dekadave të një periudhe gjoja “post-komuniste”, për shkak të asaj trashëgimie komuniste, dhe një mizorie të kohërave të sotëme në trojet shqiptare dhe padrejtësisë së fatit të tyre, Atdheu ende nuk ua njeh këtyre burrave, kontributet e tyre historike, në interes të Kombit, as nuk u ka njohur madje as shpërblimin më të vogël moral për punën e tyre, që e kryenin gjithmonë, me mendje dhe zemër të pastër e pa hile, në shërbim dhe në mbrojtje të interesave kombëtare të Atdheut, ashtu siç deklaronte në faqen e parë të saj, Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e Dhimtër Beratit, e cila ka filluar botimin me 24 gusht, 1913 në Vlorë.
Frank Shkreli

*Fotot nga Revista “Shéjzat” e Ernest Koliqit (XIV, 1970 – 7-9 Dhimtër Berati në Konferencën e Paqës në Paris (1919) me Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishtën

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.