Kush është Flutra Kuqani – Malo nga Gjin Musa
E lindur në Tiranë në një familje të nderuar arsimtaresh, bijë e prindërve Tefë dhe Luçije Kuqani, dhe ka banuar në qytetin e Shkodrës, ku ka kryer edhe studimet.
Ka punuar si cicerone në Muzeun e Shkodrës.
Me erën demokratike në Shqipëri emigron në Itali, ku jeton dhe sot dhe punon në një studio legale në Romë.
E mëkuar që në vogëli në fushën e letërsisë nga babi dhe nëna, mori pasionin për të hedhur në letër herë pas here çdo gjë që i linte mbresa. Më vonë ndihmon të atin në mbledhjen e toponomastikës së Veriut, arkivuar në Institutin e Gjuhësisë – Letërsisë në Tiranë dhe mbledhjen e shumë doreshkrimeve, që u përkasin qytetit te saj.
E shtyrë nga dashuria për letërsinë, filloi të shkruajë që në bankat e shkollës, ku fiton dy çmime të prozës në vitin 1970 e 1972.
Në Itali ka përkthyer Joakima de Vedruna të autores italiane Lidia Veces, që është i botuar, si dhe shumë libra shkollorë për shkollat shqipe të Laçit, në Shqipëri dhe që asistohen nga Murgeshat Karmelitane në Adriatik.
Ka marrë pjesë në librin me poezi të grave shqiptare në botë për “Nënën”, në librin me poezi “Arti fjalës shkodrane” vëllimi II.
Kohën e lirë shkruan ndonjë poezi për kënaqësinë e vet.
Flutra, tashma nji zonje e nderuar nga të gjithë bashkëatdhetarët që e njofin nga afër, gjithmonë e qeshur dhe plot humor, ashtu siç ju shkon vetëm shkodraneve të mira. Ajo sot është e nderuar nga i gjithë rrethi shoqëror ku jeton dhe punon prej vitesh, miqtë dhe mikeshat italiane të flasin me krenari për Flutra Malon, nji shqiptare model i mirësjelljes shembullore, puntore e pashoqe, humane me të gjithë, nji zonjë që e flet gjuhën italiane si gjuhën e nënës, flet aq bukur edhe atë shkodrançe të vjetër.
Sa ma afër të qëndrosh me Flutrën, aq ma mirë ndihesh, ajo të rrëfen për jetën e saj, për jetën e familjes, për lidhjet që ka me vendlindjen – Shkodrën, ku shpesh nga syri i pikon loti kur flet për vitet e fëmijërisë, në atë qytet madhështor – siç e quan Flutra Shkodërlocen…
Ajo ka nji humor edhe ne komunikim me të gjithë miqtë, pavarsisht kombsisë, prandaj njerzit këtu në Romë thonë: Ah, ajo Flutra Shkodrane që shkruan poezi…! e ashtu siç shprehet me vargje, ajo shprehet edhe në sjellje me të gjithë, model i nji njeriu për t’u marrë shembull nga të gjithë.
Kur lexon krijimet e saj, natyrshëm ndihesh mirë, vargje plot emocione, plot vërtetsi, kjo ështe pra, Flutra Malo.
***
“Ka momente kur due me kenë mbrenda nji sfere… e mos me ndigjue asgja, askënd… due veç me mendue… e me e dashtë fort… Flutrën!!”
Neruda dhe Prevert nën përkthimin e Flutura Malo – Kuqani
Dashnija jeme! Pablo Neruda
E dashtun, n’se vdes unë e ti jo
Dashnija jeme, n’se ti vdes e unë jo,
mos t’i japim dhimbjes ma shumë terren
nuk ka si hapsina n’cilën jetojmë.
Pluhun në grunë, ranë ndër ranoret
Koha, uji endacak, era bredhse.
E na solli si grunë lundrues.
Mund t’mos gjeheshim në kohë.
Në ktë preri1) ku na gjindemi,
oh pafundsi e vogël! Ta dorëzojmë,
Por kjo dashni, e dashtun s’ka mbarim:
ashtu si nuk pati as lindje…
vdekje nuk ka, asht si nji lumë i gjatë,
ndrron vetëm toka e buzët e tij.
1)gjeografikisht hapsinë
Dy dashnorë t’lumtun përbajnë nji bukë t’vetme Pablo Neruda
Nji pikë loti të hanës në bar,
lanë tuj ecë dy hije që bashkohen,
lanë veç nji diell bosh në nji shtrat.
Nga gjithë të vërtetat, zgjodhën ditën:
nuk u vranë me fije, por me aroma
e nuk copte paqen e as fjalët.
Asht lumtunia nji kullë trasparente?
Ajri, vena shkojnë me dy dashnorët,
ja dhuron nata petalet e saj t’lumtuna,
kanë t’drejtë për gjithë karajfilat.
Dy dashnorë t’lumtun s’kanë fund as vdekje,
Lindin e vdesin shumë herë tuj jetue
pse kanë amshimin e natyrës.
Të due… Pablo Neruda
E dashtun, të due e m’don, e unë të due
janë t’shkurta ditët, muejt, shiu, trenat:
Janë të nalta shtëpijat, pemët,
po na jena ma të naltë…
Afrohet mbi ranë shkuma që don me t’puthë:
emigrojnë zogjt nga arqipelagët…
E rriten në zemrën teme rranjët e tua t’grujta.
s’ka dyshim, e dashtuna jeme, që shtrëngata e Shtatorit
bjen me hekurin e saj t’oksiduem mbi kryet tand,
e kur, mes breshnisë së ferrave të pashë, tuj ecë…
të pambrojtun,
Mora kitarrën tande ambret, u ula pranë teje,
tuj ndi që s’mund të kndojshe pa gojën tande,
e vdisje n’se s’më shihje tuj lotue nëpër shi.
Pse vuejtjet e dashnisë mbi bregun e lumit
pse e knduemja në muzg t’plotë digjesh,
n’hijen teme,
pse u mbyll n’ty, fragranca e lules,
e ta dorzonte dhuratë aromën e mjaftueshme…
petkut tem t’rrudhun prej shumë luftash dimnore…
Gjethet e vdekuna Jacques Prévert
Oh! Dishroj shumë që t’i kujtosh,
ditet e lumtuna kur ishim bashkë.
Jeta ishte ma e bukur
Dielli digjte ma shumë.
Gjethet e vdekuna bien me shllunga…
Shikjo: nuk kam harrue.
Gjethet e vdekuna bien me shllunga,
si kujtimet dhe pendimet.
Dhe era e veriut i merr me vedi.
Në natën e ftoftë të dyshimeve.
Shikjo: s’e kam harrue
kangën që më këndojë.
Asht nji kangë që na ngjason.
Ti më doje
Unë të dojsha.
E jetojshim na të dy sëbashku
ti që më doje
e unë që të doja.
Por jeta ndan kush duhet
ngadalë,
e pa ba zhurmë
e deti fshin nga rana buzë tij,
hapat e dashnorve të ndamë.
Gjethet e thata bien me shllunga,
si kujtimet e mendimet.
Por dashnija jeme e heshtun dhe besnike,
buzëqesh e akoma e falnderoj jetën.
Të deshta shumë, ti ishe aq e bukur.
Si mund t’harroj.
Jeta ishte ma e bukur
e dielli ma përvlues.
Ishe mikja ime ma e ambël…
por s’kam tashma veç vajtime.
Dhe kanga që ti kndojshe përherë,
gjithnji do ta ndigjoj.
Asht nji kangë që na ngjason.
Ti më dojshe
e unë të doja.
E jetojshim të dy së bashku,
ti që m’doje
e unë që t’dojshe.
Por jeta ndan ato që duhen,
ngadalë,
e pa ba zhurmë,
e deti fshin mbi ranë
hapat e dashnorve të ndamë.
Shqipëroj@ F. Kuqani-Malo 2013