back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Nesër Lazër Radi do te ishte 95 vjeç… Jozef Radi (2011)

Gazeta

Lazër dhe  Jozef Radi foto e fundit bashkë 1998
Lazër dhe Jozef Radi – foto e fundit bashkë gusht 1998

 Nesër Lazër Radi do te ishte 95 vjeç…

nga Jozef Radi (2011)

Nesër, Lazër Radi do te ishte 95 vjeç…
Nji fundjanari në dimnin e ashpër prizrenas, bash në zemër të Luftës së Parë Botnore, kur Shqipnisë po donin me ia hangër edhe at pjesë të mbetun nga Kasaphana e Londrës, lindte ma i fundit pesë fëmijëve të familjes Radi… Lazri!
Fati që e ndoqi jetën e tij i ka pasë të gjitha llojet e ngjyrave.
Edhe ai, si njeri i fatit u ngjit e i preku me dorë të vet si naltësitë e admirueshme edhe humnerat e frikshme të jetës së vet… Në fund të fundit të gjithë u nështrohemi fatit… e ai s’mund të bante përjashtim…
Kush e ka njoftë, sigurisht vazhdon me e ruejtë gjatë kujtimin e tij; kush s’e ka njoftë s’ka humbë ndonji gja të madhe… sepse mrekullia e së thjeshtës ishte pjesë e filozofisë së tij; ata që e kanë dashtë, e që sigurisht s’janë të paktë, e ndjejnë mungesën e tij, edhe pse ajo asht nji mungesë për të cilën ai ka çilsin dhe kthehet e vjen shpesh ndër ne, na len at magjinë e tij dhe… vazhdon mbi at biçikletën rrëshkele, çuditnisht ngjyrë bari, n’at udhëtimin që s’ka të mbaruem; ata që s’e kan dashtë, edhe ata kanë qenë të shumtë, po s’e kanë dashtë për nji arsye krejt të thjeshtë, sepse ishin të urdhnuem prej shtetit mos me e dashtë… e këtu asht fantastike me kujtue, bash sot at fjalën e nji qerrexhiu të randomtë, kur u ba demaskimi i tij publik në tetor të 1982-in, ku ai me nji kurajo të pazakontë bani apologjinë ma të randsishme të jetës së vet. Mbas dy orësh të ashpra akuzash e mbrojtjesh… e merr fjalën qerrxhiu S.B. dhe me at pafajsinë e tij prej fshatari myzeqar tha: “Ore po qy, qenka burrë i mençëm shumë, s’e paskam ditur unë… E dini ça e dinjam unë kët babam këtu… E dinjam të tërrnur… Po qy na qenka aq burrë i mençëm, sa s’paska faj Partia që e ka sjellur këtu…” Sekretari i partisë P.N. që ishte organizatori i kësaj maskarde, e urdhnoi qerrexhiun të ulet në vend dhe i bani thirrje sallës që kush ka ndonji gja konkrete le ta thotë, përndryshe “ky njeri kërkon të na japë ujë me bisht të lugës edhe neve këtu lart…!” Unë s’e di nëse qerrexhiu i shkretë kish ndërmend me e sha apo me e lëvdue tim atë, por di të them se s’ka fjalë ma përcaktuese për Atë Njeri se sa shprehja: “Po qy qeka kaq burrë i mençëm shumë, sa s’paska faj Partia…”

Dr. Lazër Radi - Tiranë 1995
Dr. Lazër Radi – Tiranë 1995

Jeta e Lazër Radit, u përket pesë qyteteve: së pari Prizrenit, së dyti Shkodrës, së treti Romës, së katërti Tiranës dhe së fundi Lushnjes
Çdonjeni prej këtyne qyteteve ka shkrue në jeten e këtij njeriu diçka shumë të randsishme…
Prizreni asht qyteti lindjes dhe qyteti i dashnisë së tij të amshueme… Ai s’mundi të kthehej kurrë ma në qytetin e zemrës prej të cilit e shkulën përdhunshëm… Ai s’kishte me dashtë kurrë nji tjetër qytet aq sa deshti Prizrenin e tij, andrra e tij ma e madhe me e pa pjesë të Shqipnisë…
Shkodra asht qyteti i rinisë së tij, asht qyteti që i dha formatin intelektual, që i dha iluzionet po edhe seriozitetin e së nesërmes së tij, që i dha nji rreth të gjanë shokësh dhe miqsh që do të banin histori, që i dha kulturën, humorin dhe shpirtin e saj, Shkodra i dha gjithçka që mund me dhanë nji qytet në udhkryq të ujnave të mëdha…
Roma ishte për të magjia e Perëndimit.
Ishte qyteti prej të cilit nji djalë me ide pak utopike kish me e kthye në nji intelektual të spikatun. Roma e mbushi përplot dritë dhe andrra shpirtin e tij. Edhe pse shpesh ndodh që çka të jep nji qytet si Roma, s’asht fort e shijshme për vendin tand. Prej Rome ai zbret në Tiranë me shënimin mbi derën e zyrës së tij avokatore Dr. Lazër Radi… të cilin shumë shpejt iu desh me e harrue për 50 vjet rresht….
Tirana e priti në nji kohë të vështirë. Ndoshta në nji nga kohnat ma të vështira të historisë shqiptare… aty ku po niste shpresa e tij, nisi kalvari i tij pafund. Megjithatë ai u mbeti besnik ideve të lirisë dhe emnacipimit të shoqnisë shqiptare… Mbeti kundërshtar i asaj utopie që po pllakoste rruzullin për nji gjysëm shekulli, dhe u pagoi taksë si askush ideve të veta…
E megjithatë Tirana u bà edhe vendi i rikthimit nga sketërra. Ditët e sprasme të Lazër Radit do të ishin dëshmia ma e gjallë e nji njeriu të paepun, i cili edhe pse në kufijtë e përtejmë kur njeriu pelqen tespihet, ai zgjodhi dëshirën për jetë… Aty ai kishte me shkrue, me botue, me polemizue, me mbrojtë çeshtje të randsishme, me folë e me pritë me miq e  shokë pafund… Tirana do t’ishte për të: feniksi i ngjallun prej hinit…
Tirana veçse, ven midis kllapash nji qytet tjetër të randsishëm të jetës së Lazër Radit: Lushnjen, e për me qenë ma specifikë, kampin e interrnimit Savër, në të cilin ai kishte me kalue gati tridhjetëepesë vite të jetës së vet… Lushnja asht qyteti i ndëshkimit të tij, asht qyteti i stocizmit dhe harresës, qyteti i familjes që u ba objekti ma i randsishëm i jetës së tij. Lushnja asht qyteti, në të cilin ai asnjiherë s’mundi me e shfaqë vedin në përmasat se kush ishte dhe sa vlente… Aty, n’at qytet, ashtu si Sokrati u thoshte dishepujve të vet, që kërkojeni të bukurën edhe te ma e shëmtuemja pjesë e jetës, edhe te Lushnja qyteti i ndëshkimit të vet, Lazër Radi kërkoi dhe e gjeti të bukurën. Aty nisën mjaft nga shkrimet dhe përkthimet e tij që kishte me botue ma vonë, aty ai krijoi at vepër modeste, aty kishte mjaft miq që edhe sot e kujtojnë me dhimbje e dashuri, kështu Lushnja mbetet dëshmia ma sublime e mosepjes së Njerit përballë së keqes…
Në këto pesë qytete asht ferri, parajsa dhe purgatori i këtij njeriu…

Savër 1984, Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka
Savër 1984, Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka

Në kët rrugtimin të gjatë jete, Lazër Radi do të ishte nxanës i Shtjefën Gjeçovit, i Shtjefën Kurtit, i Lazër Lumezit, i Eqerem Çabejt, i Simon Rrotës, i Ernest Koliqit, i Skënder Luarasit, i Selman Rizës; do të ishte shok klase i Pashko Gjeçit, i Arshi Pipës, i Qemal Stafës, i Xhemal Brojës, i Kol Ashtës, i Haki Tahës, i Qamil Grezdës, i Spasse Trimçevit, i Elez Brahës, i Androkli Kostallarit, i Gjovalin Lukës; do të ishte mik i Migjenit, i Musine Kokalarit, Qemal Draçinit, Andrea Varfit, i Vangjel Koçës, Kol Bib Mirakës, i Beqir Valterit, i Tahir Kolgjinit, i Hasan Dostit, do të ndante ditët si bashkvuajtës me Mirash Ivanajn, Mit’hat Aranitin, Jakov Milajn, Petro Markon, Mihal Zallarin, Nedin Kokonën, Guljelm Dedën, Mikel Koliqin, Hekuran Zhitin, Lek Pervizin, Spiro Gjokën, Ibrahim Sokolin, Mark Temalin, mbas 90-s do të lidhte miqësi me Robert Elsienë, Gjon Sinishten, Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Rudolf Markun, Gëzim Hajdarin, Leka Ndojën, Agim Mustën, Kozeta Zylon, Blend Fevziun e mjaft e mjaft të tjerë… si nji dëshmi për rrugën nëpër të cilën kish ecë dhe vazhdonte jeta e këtij njeriu…
Nesër Lazër Radi asht 95 vjeç… 95 vite asht çdo ditë e ktij viti…
Gjithsekush ka të drejtë me e kujtue Atë ashtu si e mban mend ai… Gjithkush mundet me e takue në kujtesë të vet e me e ftue për nji kafe, me e ndigjue me vemendje n’at rrëfimin e tij magjik, e me e falenderue thjesht për kënaqsinë e atij takimi… tashma të kapluem prej kohnave…
Ai ka me na përshëndetë të gjithve ne që e njoftëm dhe e deshtëm, për me vazhdue mbi at biçikletën e tij të vjetër rrëshkele që shpesh e linte rrugës… Nëse e shihni përshëndeteni, nëse mundeni ndihmojeni, pse ai vazhdon me e pasë të lehtë me ba miqsi, të lehë me e rrëfue bukur jetën e vet, aq sa me u mahitë cilindo prej nesh… Pse ai dinte me qeshë me gjithçka, edhe me veten e tij, pse ai dinte me e lanë harenë e vet lehtësisht në shpirtnat e të tjerve…
E kët gja, pakkush si ai mundtte!

( 29 Janar 2011)

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Alida Jolie
    M’u m’duket sikur e “njof” z.Radi dhe sikur shkëmbejmë buzëqeshje sa herë lexoj punën e tij, fjalët që ai ka lanë si pasuni shpirtnore për ata që ndalen tek jeta dhe vepra e tij. Miqsia ime me kët njeri të artit e kulturës ka ndodhë krejt rastësisht, dhe ka qenë ndër ato gjanat e bukura që njeriu i gzohet sa herë e kujton at moment. Prej ktu posht t’uroj ditlindjen e të them falemners për gjithçka ke ba, për jetën tande edhe pse mes vuejtjesh, por mbi të gjitha të admiroj për mosdorëzimin tand në kohë shtrigash e hienash. Me siguri nji gotë champagne e cik edhe me engjejt e tjerë atje nalt në udhëtimin tand plot fantazi e mrekulli!
    (Marrë nga muri i fb. 29 janar 2014)

  2. Bedra Kaba
    Çdo fëmijë është krenar për babanë e vet, por ti je mijra fish krenar se dite të përballesh edhe në diktaturë për të mbrojtur babanë nga padrejtësitë e asaj kohe të çmendur.
    (Marrë nga muri i fb. 29 janar 2014)
    Të rroni e ta kujtoni gjithë jetën, njeriun e letrave dhe shkrimeve, njeriun që me dinjitet përballoi dhimbjen në shpirt, duke mos u dorëzuar kurrë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.