back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Nexhmie Zaimi, e harruara e madhe… nga Sami Milloshi

Gazeta

Nexhmije Zaimi (1917-2003) - Gruaja e Pare Shqiptare që punoi në CNN
Nexhmie Zaimi (1917-2003) – Gruaja e Pare Shqiptare që punoi në CNN

Nexhmie Zaimi (lindur në Libohovë ose Prevezë,
Shqipëri në 14 maj 1917 – vdiq Santa Barbara, Kaliforni 18 prill 2003)
ka qenë autore dhe gazetare shqiptare.
Është autorja e të parës autobiografi të shkruar nga një femër shqiptare,
me titull: “Daughter ofthe Eagle: The Story of an Albanian Girl”,
botuar më 1937 në anglisht. (Wikipedia)

 Nexhmie Zaimi, e harruara e madhe…

nga Sami Milloshi

Kur ende nuk i kishte mbushur trembëdhjetë vjet, Nexhmie Zaimin, këtë vajzë të lindur në Libohovë, e vizitoi i ati në dhomën e saj. Ai i dha një shami koke dhe i tha se tani e tutje, kur të dilte nga shtëpia , duhej ta mbulonte fytyrën me të, se ashtu ishin zakonet…
Vajza e vogël, pa thënë asnjë fjalë, e mori shaminë, hapi dritaren dhe e hodhi atë në çatinë e fqinjit. I ati e quajti “dhí e egër”, dhe ashtu i fyer dhe i çarmatosur në krenarinë e burrit, iku nga dhoma duke folur me vehten…
Ky akt prej rebeleje, paracaktoi tonin dhe fatin e Nexhmie Zaimit.
Ajo ishte njera nga gjashtë vajzat që ndoqi një shkollë të mesme në Shqipëri që drejtohej nga misionaret presbiterianë Amerikanë, në vitet ‘20…
Kur qe ende vajze e re, familja e saj provoi ta martojë sipas zakoneve, por ajo ia doli t’i thyejë zakonet. Ajo iku nga Shqiperia dhe u bë e para vajze shqiptare që pati fatin të marrë edukim të lartë në Wellesley College në Amerikë. Pastaj ndoqi Columbia University ku u diplomua si gazetare.
Në vitin 1937, botoi librin e saj “Daughter of the Eagle” (Bija e Shqiponjës). Libri i saj u shpall Best Seller me 1938, në Amerikë. Dhe ajo nuk ishte veçse 20 vjeçe kur e arriti këtë majë si shkrimtare.
Unë nuk po zgjatem në karrierën e saj si gazetare, sepse edhe ajo është brilante, mjafton të them se Nexhmie Zaimi ishte ndër të parat gazetare femra që raportoi nga vendet e Lindjes së Mesme. Ajo intervistoi Nasserin, Sadatin, mbretin Hussein. Nexhmia gjithashtu ishte nga të parët gazetarë që shkroi e dha leksione për refugjatët palestinezë. Ajo, madje bëri një studim për Departamentin e Shtetit, në të cilin theksoi se nëse problemi i refugjatëve palestinezë nuk zgjidhet, ai mund t’i shpërthejë në fytyrë Amerikës pas pesëdhjetë vjetësh…
Zaimi e vizitoi Shqipërinë dy herë.

Nexhmie Zaimi "Daughter of the Eagle"
Nexhmie Zaimi “Daughter of the Eagle”

Së pari, në vitin 1939 dhe së dyti në vitin 1986. Herën e dytë autoritetet komuniste nuk e lanë të hynte dhe e kthyen mbrapsht.
Tani, përse po i shkruaj unë këto rradhë?
Po i shkruaj sepse edhe sot e kësaj dite, në Shqiperi vazhdon kultura e përjashtimit, kultura e përbuzjes, kultura e klaneve provinciale, kultura e protokolleve të paravendosura në Lidhjen e Shkrimtarëve, edhe pse Lidhja ka vdekur, ose nuk lidh dot as ushkurin e pantallonave…
Me përjashtim të Robert Elsiesë që e ka përmendur Zaimin ne Fjalorin e tij historik me 2012, një përmendjeje në nje Leksikon Shkrimtarësh të botuar në Kosovë,si edhe studiuesit Aurenc Bebja në Francë, kurrkush tjetër nuk do t’ia dijë për një Shkrimtare Shqiptare, best seller në Amerikë para 70 vjetësh…!
Pse? Sepse Shqipëria është përsëri e vetizoluar. Bile edhe më keq se ne kohën e Enver Hoxhës. Atje promovohen pseudovlera, sepse nuk ka kurrfarë kriteri si në Perendim.
Libri “Daughter of the Eagle” i Nexhmie Zaimit është gur themelor i një proze moderne të shkruar nga nje shqiptare. “Kronikë në Gur” e Ismail Kadaresë,një vepër padyshim e mrekullueshme, është thjesht një përsëritje krejt e çuditshme (ose mua më duket ashtu) e asaj proze që Nexhmie Zaimi e ka shkruar disa dekada para tij.
Bukuria e prozës se Zaimit rri përkrah të mëdhenjve Kuteli e Koliqi.
Unë e lexova në Amerikë librin e Nexhmie Zaimit dhe jam krenar që njoha një mjeshtre të letrave, një shkrimtare të madhe shqiptare.
Po të kisha gjë në dorë, ia jepja librin e saj mjeshtrit Ukë Buçpapaj ta përkthente në Shqip. Dhe natyrisht e paguaja sa frengu pulën…
Po ç’them edhe unë “marrëzira”?!!!!

Sharlatanët në Tiranë janë të zënë me tallava dhe s’kanë as din as iman se e kanë vetizoluar për së dyti atë vend…
Me tallava e kanë izoluar, jo me tela me gjëmba si dikur…

.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.