Nezim Berati (Frakulla) – Bejtexhiu i shekullit XVIII-të
nga Milto Sotir – Gurra
Milto Sotir Gurra (16 maj të vitit 1884, Marjan të Oparit – 1972, Tirana),
ishte atdhetar, shkrimtar e publicisti, që botoi revistat “Shkëndija”, “Zekthi”, “Mituria”
dhe shkroi veprat: “Rrëjenjë”, “Goca e malësisë”, “Kur rilindej Shqipëria”,
vëllimin poetik “Dëshirë”. Gjithashtu ai përktheu mjaft shkrimtarë të mëdhenj botërorë.
.
Nuk kemi shumë dokumenta për t’ia plotësuar biografië e tij po vetëm dijmë se ky ka patur miqësi të ngushtë me Sulejman Pashën e Elbasanit, ku vinte e hynte shpesh herë. Nga kjo kuptohet se si vjershat e Nezim Beratit u përhapën shumë në Elbasan dhe muar trajtën gegërishte të vendit ashtu siç e ka përshkruar edhe Hahn-i në librin e tij. Dijmë edhe këtë se bejtat e tij ndezë Ismail Pashë Vlorën, Sundimtarin e Vlorës, Beratit e Ohrit, i cili e raportoi tek sulltani si të dyshimtë për idetë e tija politike. Pas këtij kallzimi Nezim Berati u dërgua në Stamboll ku u burgos dhe vdiq në burg në 1754. Thonë se varri i tij është edhe sot e ka një mbishkrim mbi gurin e varrit.
Kamarda, shkrimtari italo-shqiptar, për Nezimin shkruan kështu: “Këngët e Nezim Beut i përkasin më tepër poezisë erudetike e letrave se sa poezisë popullore, po kësaj i afrohen si për thjeshtësinë e mendimit e të frazës, si për shkurtësinë e të endurit”.
E Hahn-i për bejtexhinë e shekullit të XVIII-të thotë: “Nezim beu ka qënë më i famshëmi poet i gegëve myslimanë të qendrës, se këngët e tij vazhdimisht përsëriten gojë më gojë. Sikur të mos ishin shëmtuar aq shumë këto këngë, me fjalë të huaja arabishte, persishte e turqishte, Nezimi, mund të mbahej në një farë mënyre, Anakreont i Shqipërisë”.
Po edhe Gustav Mayeri, albanolog, thotë kështu: Nezimit me gërma arabe, thuhet se ndodhet në duart e një beu nga Elbasani. Ato që ka botuar Hahn-i kanë shpirt erotik dhe janë shumë larg shijeve tona artistike me që shpirti i bejteve të Nezimit na kujton Turqinë e Persinë se i shoqëron me trajta gjuhësore e ka një numër të madh fjalësh turqishte persisht e arabisht, ndërsa kush i di mirë këto gjuhë mund ta kuptojë vjershën”.
Sidoqofshin bejtet e Nezim Beratit, me vlerë apo pa vlerë, ne na intereson fakti se Shqiponja në gjithë kohët ka ndjerë shqip dhe jo vetëm i ka folur këto ndjesi po edhe i ka çfaqur shqip dhe me shkrim.
Dhe Nezimi mund të thuhet se është një nga ay legjion i bejtexhive shqiptarë me ndryshim se ky ka patur mik të ngushtë Pashën e Elbasanit dhe armik Ismail Pashë Vlorën që e raportoi në Stamboll tek Sulltani ku u thirr u burgos dhe vdiq në burg. Cili ishte faji i tij? Se bënte bejte shqip, se shfaqte ndjenjat e zemrës e të shpirtit në gjuhën e nënës, në gjuhën që kish mësuar me qumshtin e gjirit të asaj nëne që e kish mbajtur në bark nëntë muaj e që, me fjalë goje e porositi ta dojë, ta flasë e ta shkruaj gjuhën e Arbërit.
Nga kjo biografi e shkurtër e Nezimit shohim se të gjitha të këqiat që i kanë rënë mbi kokë këtij vendi e këtij populli i kemi bërë vetë ne shqiptarët shkallë naltë. Shpirti ynë i keq, cmira, egoizma, lavdidashësia e marrë, e shumë vese të tjera, na kanë shtyrë t’i hapim varrin shoqi- shojt për interesin e të tretëve cilido qoftë ay. Po, sikurse që nga koha kur këta Mezimë, Markë, Kristo e shkruanin me shkronja arapçe, llatine e gërqishte, të bashkoheshin e të fillonin bashkarisht nga puna, e të përkrahur prej bejlerëve e pashallarëve t’asaj kohe, vallë sa shkrimtarë e poetë, që kanë mbetur në harresë po që kanë shkruar e hartuar, do të kishin sot? Dhe sa qindra mijë
shqiptarë; q’i kemi humbur të tretur nën fqinjët tanë, do t’i kishim sot e do t’ishim shumë e shumë më të rëndë; këtu në Ballkan, si në numër ashtu në vlerë.
.
***
Nezim Bej Frakulla (1685-1760), i njohur edhe si Nezim Berati, është nga autorët e parë të rëndësishëm të letërsisë shqiptare me alfabet arab; në mjediset ku jetoi e krijoi, luajti rol në zhvillimin e kësaj rryme. Poezitë e Nezim Frakullës, që rrjedhin nga Sufizmi reflektuan traditat e ndryshme të mbështetura gjatë epokës Osmane.
.
Nga arkiva e jonë – Apostujt e Shqiptarizmës: Nezim Berati – Bejtexhiu i shekullit XVIII-të
Bashkimi i Kombit, e djelë, 6 shkurt 1944, viti II, Nr. 30