back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Nezir Muzhaqi – nga bangat e shkollës… te varja në litar*

Gazeta

Nezir Muzhaqi (1917-1945)
Nezir Muzhaqi (1917-1945)

Nezir Muzhaqi – nga bangat e shkollës… te varja në litar* 

Nezir Muzhaqi – Një Princ i Vërtetë

Nezir Muzhaqi – Një hero dhe një mesazh

“Prindi që le birin e tij të mësuar, por të varfër 
thuaj se i ka lënë gjithçka. 
Por ai prind që e le të birin të pa mësuar dhe të pasur, 
thuaj se nuk i ka lënë asgjë…!”
Gjon Muzaka

70 vjet me parë, me 4 gusht 1945 u ekzekutua me varje në litar, në një trekëmbesh të vendosur pranë rrapit të Bobollës, Nezir Muzhaqi…
Do të fillonte kështu epoka e terrorit fizik dhe shpirtëror, e persekutimit skllavërues për një pjesë të popullatës shqiptare. Periudhë e cila zgjati gjysëm shekulli dhe mplaku disa breza. Nezir Muzhaqi luftoi për Shqipëri kundra pushtuesve nazifashiste, si komandant i cetës nacionaliste të Ballit Kombëtar. Luftoi për një Shqipëri etnike për shqiptarin zot në tokë të vet. U ndodh në bregdetin e Kavajës, në Ishëm kur shokët e ftuan të ikte, por ai nuk pranoi. Ai ishte dhe mbeti një idealist i pandreqshëm dhe besonte në drejtësi. Edhe në çastet e fundit të jetës do të përsëriste: “Unë nuk kam ba krime!”
Një arsye tjetër që e bënte të qendronte ishte meraku për familjen. I dukej se në mungesë, familja do t’i nënshtrohej raprezaljeve për shkak të tij. Por besimi i idealistit nuk u justifikua. Atë e varën, dhe bashkë me të u ekzekutuan në kohë të ndryshme edhe gjashtë burra nga fisi i tij. Familja iu nënshtrua një terrori të egër e të vazhdueshëm gjysëm shekullor.
Po Nezir Muzhaqi diti të qëndrojë përpara vdekjes. Rrallë burra i kanë qëndruar vdekjes si Nezir Muzhaqi. T’i qëndrosh vdekjes nuk mjafton të jeshë vetëm trim, por duhet të keshë edhe bindje në idetë e në pastërtinë tënde përballë poshtërsisë së xhelatëve.
Edhe më 1945, ata që dënoheshin, dënoheshin në “Emër të popullit”, si “Armiq te popullit”, kurse ata që dënonin quheshin “Drejtësia Popullore” dhe po ta pyesje turmën, turma ulëriste: “Kriminelët në litar!!”.
Nezir Muzhaqi preferoi litarin duke mbetur deri në fund nacionalist, se sa ta përdhoste karakterin e t’i shiste idealet, kur raportet e forcave e ndryshuan. Edhe propozimet nuk i mungonin…
Burra si Nezir Muzhaqi e si Apostol Gega nuk pati aq shume Shqiperia në 1945. Ata numërohen me gishta, përndryshe zullumi komunist nuk do të merrte ato përmasa që mori, sepse si thotë dhe Kasi: “Jam i sigurt që s’bëhej ujk Qesari, veç ngaqë qenkan dhenë romanët!!”.

Princi Gjon Muzaka
Princi Gjon Muzaka

Legjenda

Atje në malet e Polisit, ku banon familja e Muzhaqëve, ndesha një gojdhanë interesante. Fisi i Muzhaqëve e sheh prejardhjen e vet nga princat e famshëm Muzakaj, të cilët përmenden për herë të parë si familje feudale në gjysmën e dytë tv shekullit XIII. Shndërrimet etimologjike që ka pësuar patronimi i famshëm, nuk e përjashtojnë, përkundrazi, tregojnë se emri ka kaluar nëpër gojën e banorëve të kësaj zone. Pothuaj të gjithë Muzhaqtë e Elbasanit, Gur Shpatës, Rafjes, Fushë-Buallit, etj. dhe ata që më vonë janë vendosur në Elbasan, janë degë të të njejtit fis. Me pak ndryshime rrëfimet e tyre janë versione të së njejtës origjinë. Sipas pleqëve të Vilanit, i pari i familjes së tyre ka banuar në Berat dhe pronat i kishte në Lushnje. Nuk dihet për ç’arsye familja është shpërngulur në Balaj të Kavajës. Atje futen në hasmëri dhe u larguan përsëri duke u vendosur në Labinot. Në Labinot, dalin tre vëllezër: Ahmeti, Qerimi dhe Limi.
Ahmeti me fëmijët e tij, qëndrojnë në Labinot, por i biri i tij, Hasani, i cili në popull njihet si Hasan Aga ose Hasani, qe ai themeloi Vilën në vitet ’70, të shekullit të kaluar. Emri Vilë, vjen nga latinishtja që do të thotë fshat, qytezë, por pleqtë thonë se kur erdhi Hasan Muzhaqi në Vilë gjeti aty vetëm stanet e familjeve Xhaja, Bupi, Maci, Kalia, Vashaku të cilat i bleu.
Jonuz Muzhaqi nga Rafja e Sopotit tregon një variant tjetër të kësaj gojdhane. Ai thotë: “Gjon Muzaka ka ardhur nga Berati dhe është vendosur në Polis të Vogël, aty ku sot është shtëpia e Jaho Muzhaqit. Stanin e ka pasur në Rahje. Jaho Muzhaqi mbeti në Polis të Vogël. Djemtë e tij: Sula, Limi e Hasani u vendosen ne Rafje, Polis Qendër dhe Vilë. Jonuz Muzhaqi thotë se origjina e hershme e Muzakajve vjen nga një fshat i Skraparit.

Disa breza Muzhaqesh dhe fashti i tyre Vilani
Disa breza Muzhaqesh dhe fashti i tyre Vilani

Historia

Se sa e vërtetë është kjo gojdhanë mbetet për t’u hulumtuar, por e rëndësishme është se gojdhanat kanë mbrritur deri në ditët e sotme, nga brezi në brez, nga goja e pleqëve tek më të rinjtë, dhe s’mund të jetë sajesë e ndonjë dashamiri historie. Në asnjë nga variantet e gojdhanës nuk thuhet se Muzhaqët janë vendas në trojet ku banojnë sot, origjina e tyre shihet o nga Berati o nga Myzeqeja ku kanë pasur edhe pronat e tyre të mëdha. Në gjenealogjinë e Gjon Muzakës, që Hopfi e zbuloi në 1863, si prona të Muzakajve dalin krahina të tëra, por gjithmonë baza e tyre mbetet Myzeqeja, madje Noli principatën e Muzakajve e quan principata e Myzeqesë. Pastaj tregohet se si e ndan këtë principatë tre bijëve: Kostandinit, Teodorit dhe Adrianit. Seç ndodhi me Muzakajt që mbetën në Shqipëri Gjon Muzaka nuk na e thotë, por thotë se të katërt bijtë e Angjelines, motrës së Skëndërbeut (qe u martua me një Muzakë) dhe me duzina princër të tjerë, gegë e toskë, u kthyhen në muhamedanë.
E bëra këtë pasqyrë të shkurtër historike për të krahasuar gojdhanën me atë çka shkruan historia për këtë familje princore e të shquar arbërore.

Hasan Agë Muzhaqi
Hasan Agë Muzhaqi

Tradita

Vilani është fshati i fundit dhe më piktoresku i Polisit. Në jug vijnë malet e Sopotit, që përballë ka kreshtën e Vukanikut me pyje, në perëndim zgjatet gryka që formon përroi i Gostimës, në veri i ndan shkëmbi i Gjorg Golemit dhe në lindje ngrihet Guri i Kalit Tollit. Siç thamë, kët fshat e themeloi gjyshi i Nezirit, Hasani. Ai, Hasan Muzhaqi bashkë me shtatë djemtë e tij, kanë luajtur një role të rëndësishëm në lëvizjen antiosmane dhe sidomos në periudhën e pavarsisë. Në kët kohë ata bashkëpunojnë me Blloshmët e Bërzheshtës që njiheshin si derë fisnike dhe me një veprimtari të vyer në dobi të çeshtjes kombëtare. Kujtimet e burrave që mbetën nga Muzhaqtë e Vilanit janë të mjergullta, por më mirë flet kënga e Hasan Age Muzhaqit, një këngë mjaft e dëgjuar në Polis, por e pabotuar në ndonjë përmbledhje folklori për arsye që dihen.

Kënga e Hasan Agë Muzhaqit

Ku e bëre ferk/ Për herën e parë
Dede bej o Stavovar
Openo Polit/ Tek Hasan Ai
Dede bej o Stavovar
Ku e dite Hasan Ai/ Paske qene jevg
S’qenke kumanar/
Për një kosaxhi/ U vranë dy xhandarë
Të vunë përpara apo si gomar
Ky Sherif Muzhaqi/ Qenka kumanar
Dede bej o Stavovar
S’pate pamur trima/ Trima Polisarë

Ngjarja për të cilën flet kjo këngë duket se u takon viteve të fundit të pushtimit turk. Hasan Aga ka qenë në burg në kohë të Turqisë. Djemtë e Hasanit dolën në arrati dhe sulmonin garnizonet turke në bashkëpunim me Shaban Blloshmin. Xhandarët që u ngjitën në Polis nën komandën e një Dede bej Starova vranë një kosaxhi, hysmeqar të Muzhaqëve që po kosiste lëndinat. U ndez lufta ku protagonist bëhet Sherif Muzhaqi. Në kët përpjekje u vranë dy xhandarë turq, dhe u plagos një i tretë i ngarkuar me plaçkë. Nga burrat e Vilanit dëgjova se ky Hasan Agë Muzhaqi, ka qenë përfaqësues i krahinës bashkë me Shaban Blloshmin në Kongresin e Lushnjes. Pas vdekjes së Hasanit djali i madh i tij Meti, që njihet në gjithë krahinën për trim e me autoritet, mbetet përfaqesuesi kryesor i Muzhaqëve të Polisit. Met Muzhaqi pati 9 fëmijë, 9 familje që më vonë iu nënshtruan një persekutimi të egër deri në ditët e fundit të pushtetit komunist në Shqipëri.
Me i shquari ndër ta, ai që me jetën e shkurtë dhe vdekjen heroike shkon në rrugë të Gjon Muzakës së dikurshëm (Muzhaku i Angjelinës), që bashkë me 8 oficerë të Skëndërbeut, Sulltani i rropi të gjallë, mbasi i mundoi për 15 ditë rresht që të ndërronin fene. Asnjë prej tyre nuk u tund, asnjë prej tyre nuk lypi mëshirë, asnjë nuk desh ta mohonte fenë dhe atdhenë, por vdiqën si dëshmorë…(Noli).
Të njejtat fjalë mund të thuhen edhe për trimin Nezir Muzhaqi.

Muzhaqet: Kadri, Nezir dhe Qerim
Muzhaqet: Kadri, Nezir dhe Qerim

Kush ishte Nezir Muzhaqi

Nezir Muzhaqi lindi në Vilë të Polisit me 1917. Ishte djali i dytë i Met Muzhaqit dhe i Hatixhe Muzhaqit. Nga fëminia e Nezirit dimë se vjen në Elbasan në vitet 1924-1925 në shtëpinë e Qerim Muzhaqit, për të ndjekur shkollën. Shkollën fillore e kreu në shkollën “Naim Frashëri” ose shkolla e Tebojës siç njihet në popull. Ahmet Abdurrazaku tregon se Neziri ka qenë një nxënës i zgjuar dhe i zellshëm. 12-13 vjeç shkoi në Korçë per të ndjekur liceun. Liceun e përfundoi në 1940 dhe menjëherë niset në Francë për studime, por nuk do të qëndrojë as 7 muaj dhe do të kthehet në Shqipëri për shkak të luftës. Për veprimtarinë e tij antifashiste në këtë periudhë na flet profesor Abaz Ermenji, që e pat nxënës në atë kohë. Në një letër që i dërgon Rudolf Delianës me rastin e përvjetorit të vdekjes së Nezirit. Nezir Muzhaqi, filloi organizimin e çetës së tij në verë të vitit 1942. Duhet thenë se një farë organizimi luftarak Muzhaqtë e kanë pasur edhe më parë mbi bazën e lidhjeve fisnore dhe të influencës së familjës. Ceta përbëhej nga fshatarë të Polisit, Librazhdit, Shushicës, Labinotit, etj. Në verën e vitit 1943, u bë përpjekja të ura e Mirakës me formacione të ushtrise italiane. Në gusht të 1943-it çeta e Polisit shpartalloi italianët në kazermat e Babjes dhe rrëmbeu një sasi armësh dhe municioni. Po në gusht të vitit 1943, ka kaluar nëpër Polis Brigada e Parë me Mehmet Shehun ne krye. Vinin nga Llanga dhe Stravajt. Gjer në atë kohë nuk ishte ndezur konflikti i hapur midis forcave nacionaliste dhe forcave komuniste. Brigada e Parë hyri ne Vilan pasdite. Lëshuan mushkat në arat me bereqet dhe u shpërndanë nëpër shtëpitë për të marrë ushqime. Në shtëpinë e Met Muzhaqit erdhën disa partizanë dhe kërkuan bukë për gjashtë etj. Met Muzhaqi u tha: Terhiqni mushkat nga misri se aty është bereqeti për ju dhe për ne, përndryshe ua tregojmë ne se kush jemi. Mbasi e mori vesh Neziri ngjarjen, të nesërmen në mëngjes zuri qafën dhe me forcat e tij i doli përballë Mehmet Shehut, ky i dërgoi njerëz për të shmangur përpjekjen dhe kërkoi ndjesë për dëmin e shkaktuar. “Ne kemi rrugën këndej nuk kemi luftë. Për dëmin që shkaktuan mushkat do t’ju paguajmë” i ka thënë Mehmet Shehu. “Prej këtu e deri në Mirakë po dëmtuat do t’ju biem…” është përgjigjur Neziri. Dy formacionet u ndanë në paqe, por duket se ishte një paqe me prapamendime. Mehmet Shehu nuk e gëlltiste dot ndjesën edhe kur ishte fajtor. Poshtërimi që pësoi në Vilan do ta kujtontë gjatë. Kjo paqe do të shkaktonte një gjakderdhje të tmerrshme midis shqiptarëve. Mëria e kuqe do t’i ngjitesh Polisit edhe tri herë të tjera për t’u hakmarrë kundër popullsisë së pafajshme.

Fshati Vilan themeluar nga Muzhaqet
Fshati Vilan themeluar nga Muzhaqet

Lufta e Polisit

Jo shumë gjatë, por vetëm disa muaj më pas, në dhjetor të 1943-it Brigada e Tretë, do të ngjitej në Polis për të ndeshkuar fshatarët e pambrojtur në befasi. Komunistët erdhën natën, e qarkuan fshatin Polis Qendër, hynë në shtëpinë e Hasan Zajmit dhe tentuan ta rrëmbenin për ta përdorur si udhërrfyes. Hasani pati kohë të shtije dhe të hedhë një bombë për alarm. Hasan Zajmin e lidhën me gjithë gruan. I tërhoqën zvarrë dhe i pushkatuan rrugës të dy…
Si dëgjuan krismat e armëve u ngritën fshataret e Polisit, Gur Shpatës dhe Gajovit. Populli lajmeroi Kadri Muzhaqin, Hazis Cakanin. Këta mobilizuan çetën që ishte e shpërndarë dhe u ranë komunistëve. Gjithë natën dhe ditën, edhe ditën tjetër vazhdoi lufta…
Ishte më tepër një luftë popullore se sa luftë midis çetash kundërshtare. Brigada komuniste u shpartallua keq duke lënë shumë të vrarë, të plagosur dhe robër në duart e fshatarëve. Falë mjegullës së dendur që binte atë ditë në Polis shpëtuan ata që mundën, duke marrë vrapin drejt përroit të Gostimës e Fushë-Buallit.
Trimërinë dhe virtytet e malësorit fisnik të kësaj zone i jep dhe kjo ngjarje që tregon Jonuz Muzhaqi, që ka qenë partizan në Brigadën e Parë dhe kundërshtar i Nezirit. “Një fshatari me mbiemrin Kasa që kish luftuar gjithë ditën me trimëri kundër komunistëve, i shkon një partizan i plagosur në shtëpi. Ai e strehoi si e ka zakon shqiptari, në darkë i vete Zenun Cekani dhe i thotë: Nxirre partizanin! Fshatari i përgjigjet: Ti e vret atë, por nuk del i gjallë nga shtëpia ime!Në shtëpinë e Ballollit, 25 partizanë të zënë rob i liroi trimi me fletë Ali Cekani. Ky Ali Cekani, më vonë vdiq në burgjet komuniste. Pas luftës, të nesërmen kur vjen Neziri nga Elbasani gjen dy partizanë të plagosur që i dërgoi në shtëpinë e Haziz Beqirit në Fushë-Buall dhe e porositi t’i mjekojë dhe t’i lirojë.

Polisi i Vogël
Polisi i Vogël

Djegia e Polisit

Me 17 maj 1944, në befasi nga Vithkuqi vijnë në Vilan forcat e Brigadës së Parë, të përforcuar nga batalioni i Bërzeshtës. Këtë radhë nuk erdhën nga Polisi, por i ranë Vilanit nga prapa duke i zënë burrat në befasi. Neziri me çetën e tij nuk ndodhej në fshat. Ata burra që qenë larguan gratë dhe fëmijët në pyll dhe vetë zunë pozicionet. Burrat e Vilanit i komandonte Kadri e Qerim Muzhaqi dhe e mbrojtën fshatin deri pas mesnate. Në mëngjes duke mos i përballuar forcat e shumta dhe armatimin e rëndë u tërhoqën nëpër Përroin e Gostimës. Në një shtëpi larg fshatit hynë natën dhe zunë dy vëllezër: Tahir e Shaqo Muzhaqin. Njeri 22 dhe tjetri 24 vjeç. I lidhen dhe i pushkatuan sipër shtëpisë së tyre. Atë natë dogjën në fshat 14 shtëpi të Muzhaqëve dhe grabiten 12.000 krerë bagëti. Neziri me çetën e tij, arriti në Vilan të nesërmen në drekë. Gjeti fshatin e braktisur dhe hyri në shtëpitë që digjeshin. Siç tregojnë dëshmitarët, tymi dukej gjer në Elbasan. Atë natë Ruzhdi Muzhaqi, vëllai i vogël i Nezirit që atëhere ishte gati fëmijë, midis zjarrit të armëve rrëmben foshnjën dy javëshe të të vëllait Kadriut, dhe rendi në pyll t’i shpëtonte masakrës. Të qarat e foshnjës kumbonin në errësire dhe atë herë komunistët përqëndruan zjarrin mbi foshnjën. Fëmija ndjente si binin mbi kokën e tij degët e pemëve të keputura nga plumbat, por fati desh që të shpëtonin të dy. Njeri jeton edhe sot i mplakur nga vuajtjet dhe tjetri burrë 70 vjeçar. Polisi u dogj përsëri në shkurt të vitit 1945, por kësaj radhe nuk mbeti më shtëpi e Muzhaqëve në këmbë.

Princi që i vu qafën litarit

Në vjeshtën e vitit 1944, forcat nacionaliste u grumbulluan në Shqipërinë e Mesme. Për të përballuar fuqitë komuniste u bashkuan forcat e Ballit dhe të Legalitetit nën komandën e Abaz Kupit. U vendos që të kalonin në Kosovë. Pasi nuk mundën të kalonin në Kosovë, u përqëndruan në Shkodër. Një pjesë u larguan në mërgim.
Edhe Nezir Muzhaqi pati rast të largohej në Ishëm të Durrësit, por nuk e bëri këtë, shokëve u tha: Unë nuk kam ba krime dhe kam merakun e familjes. Kemi një dëshmi të Ahmet Abdurrazakut për këtë periudhë, i cili ka qenë shok shkolle dhe mik i tij. Në tetor-nëntor 1944, janë takuar në shtëpinë e Tasim Bishqemit, Xhavit Kaba, Neziri, Ali Agushi, Ahmet Abdurrazaku, etj. Eshtë biseduar për portretin moral të Enver Hoxhës, pasi Tasimi si ish-komandant i xhandarmërisë, kishte shfletuar arshivat sekrete të Ministrisë së Brendshme të Zogut. Neziri e ka hapur bisedën për ndërhyrjen anglo-amerikane dhe kishte besim se aleatët nuk do ta linin Shqipërinë në duart e kriminelëve. “Ky popull asht mashtru prej injorancës dhe mosdija politike po e çon drejt shkatërrimit…” mbahet mend të këtë thënë Neziri. Mbas 10 ditësh me dha një letër për Lef Nosin – tha Ahmeti. Ja dorëzova letrën Lefit tek shtepia e Samurrëve, pranë fabrikës së alkoolit. Mbas kësaj nuk e takova më Nezir Muzhaqin. Në fillim të vitit 1945, Nezir Muzhaqi u dorëzua vetë tek pushteti komunist në Shijak, sipas Kup Qytykut, që ka qenë besnik i tij. Me 14 maj 1945, Neziri shkruan fjalën e mbrojtjes që e titullon “Promemorie”. Ky dokument është zbuluar në arkivat e gjykatës dhe bashkë me mbrojtjen e avokatëve të tij është një material i çmuar që hedh dritë mbi veprimtarinë e tij në vitet 1939-1945, mbi luftën antifashiste dhe luftën vëllavrasëse. Më mirë se vetë Neziri kush mund të flasë për të? Po lexoj disa rreshta nga kjo “Promemorie”.

“I nënshkruemi Nezir Muzhaqi, nga katundi Polis dhe tani i rreshtuar në burgun e Elbasanit, i akuzuar si “kriminel lufte”, jap këto hollësira mbi sa jam deklaruar përpara komisionit hetimor dhe që provojnë qëndrimit tim korrekt politik e konstruktiv dhe ndjenjat e mia atdhedashëse dhe patriotizmin shembullor.
Qysh nga viti 1941-’42 gjer ne fund te vitit 1943, shtëpia ime e përmendur për ospitalitetin e saj tradicional, edhe këtë herë u vu me të gjithë mjetet e saj morale dhe materiale në dispozicion të atyre që i kishin rrokur armët të parët kundra invazionit fashist dhe këtë përkrahje shtëpia jonë e bante pa marrë parasysh konsekuencat e rënda të reaksionit fashist që ishte në kulm të fuqisë. Si rrjedhim i kësaj sjelljeje vjen menjëherë internimi i babait tim nga qeveria e Krujës. Po në këtë kohë unë kërkohesha me këmbëngulje nga karabineria e Librazhdit dhe kuestura e Elbasanit, kurse unë qëndroja nëpër katunde dhe propagandoja shtëpi më shtëpi për mos më dhenë taksa, mos me shkue ushtarë, mos shkruhen gjindarmë, të mos pranojnë taksa të gjindarmërisë, të mos japin të dhjetat, etj. Këtë veprimtari e vërtetoj me popullin e Polisit, të cilit e kanë përzenë dy herë postën e atij rajoni me forcë si dhe Babjes, Fushë Buallit, Spatharit, Dardhës.
Ditë, muaj e vjet dhe dhjetra e qindra partizanë hanin pinin e laheshin prej familjes sime e me në fund i përcillnin sa për Cermenikë, për Labinot për Shpat, për Vercë, Mokërr e Berzeshtë. Që ta faktoj këto sjellje mjaftohem me pyetjen e Hasan Bajraktarit, Petrit Hakanit, Kadri Hoxhës, Pleurat Xhuvanit, Dhimiteër Shuteriqit, Ramadan Citakut, Mexhit Vinçanit, Enver Hoxhes, Sami Bahollit, etj.

Firma e ekzekutimit të Nezir Muzhaqit
Firma e ekzekutimit të Nezir Muzhaqit

Qëllimi em ishte nji: Që populli të shkëputej nga fashizmi dhe të përgatitej për të luftuar. As dhe pas luftës së Polisit, asnji zonë partizane nuk është sulmuar prej meje. Nuk e them me fjalë, por me fakte dhe ja ku po tregoj disa prej atyre që munda me shpëtue 20 e ca vetë të dorzuem, në mes të cilëve shumë të plagosë i kam dërgue bashkë me polisarët e plagosur si fshatarë polisarë. Një pjese i lirova me inisiativën time midis të cilëve edhe Lufti Lekën, më vonë kam liruar Shefki Shabanin, djalin e Mal Bylykut, Demir Lulen, Sadik Sadedinin, Qemal Zajmin, Semiram Xhuvanin, Vaja e Nasi Guranjakut, e të tjerë.
Në dimrin e 1944-ës, asht rrethue nga forcat e gjindarmërisë lagja Dryni kala, aty ishte i sëmurë Dhimitër Shuteriqi, i cili jo vetëm ndjehej rëndë sa nuk mund të dilte, por edhe dalja qe e pamundur, mbasi qyteti ndodhej i bllokuar nga të katër anët. Unë tue ditë dhe vlerën e Dhimitër Shuteriqit, i jap fjalën se do të baj të pamundurën të mundur, tue vue edhe veten time në rrezik. Vetë personalisht në shtëpinë e tijë e fus në një makinë veshur me rroba katundari së bashku me 7-8 polisarë dhe unë vetë mbrapa që të mos kontrollohen në postëbllok. Kështu e dërgoj në Polis ku ndejti deri sa u shërue. Sa për akuzat që bëjnë kundra meje për plaçkitje e grabitje bagëtishë, kam të shtoj se po të isha i tillë nuk kisha pse të grabisja Rrap Bosin, Gani Fallen e Man Kryemadhin të cilët janë miq të vobektit e Sopotit, Breshkës e Lepushës, por do të digjja më pasanikët e tri lagjeve dhe do të braktisja bagëtitë e tyre si p.sh. bagetitë e Cen Blloshmit, të cilat kur kthehesha i ndesha në rrugë. Kurse unë jo vetëm nuk u kam grabitun, përkundrazi përpiqesha me u shpëtue si mallin ashtu edhe gjanë e gjallë, prandaj edhe këta të thirren edhe të pyeten. Që kam qenë armik numër 1 i fashizmit, këtë e provoj me fakte si p.sh. me demostratat e Korçës, në të cilat kam qenë në ballë, i pari. Në njërën prej këtyre demostratave jam plagosë nga karabinjeria… Në 1942-’43, lashë shkollën, rehatin dhe vura si veten dhe familjen në rrezik dhe hidhem në ilegalitet, i shtytur vetëm nga ndjenja e atdhedashurisë…”
(Materialet e këtij shkrimi janë mbledhur, sistemuar dhe botuar nga Kujtim Cekani)
* Titulli redaksional radiandradi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.