Nga anonimati te tjetërsimi…
nga Leka Ndoja
Poeti, gazetari dhe eseisti Leka Ndoja, në vitin 2013,
u paraqit me nji studim mjaft interesant, ku merr në shqyrtim
shfrytëzimin e dhunuem, punën e tjetërsueme e të pa pagueme
të asaj aradhe intelektualësh që pësuan kalvare ende të pazbulueme
e të pastudjueme sa duhet, nën regjimin komunist…
Sigurisht autori meriton mjaft përgëzime, mbasi i gjithë libri
asht i mbështetun mbi nji dokumentacion mjaft të pasun,
me dëshmi të gjalla, dhe me vepra reale… Ky asht nji hap që meriton
mjaft inkurajim dhe mbështetje për me çue përpara nji punë jo fort të lehtë…
jozef radi, 2 dhjetor 2013
***
“…Do të ishtë fundi i veprimtarisë së shkencëtares shqiptare Sabiha Kasimati,
që do të mbyllte kapitullin e Ihtiologjisë, duke e shlyer me tjetërsimin e veprës,
përpos vrasjes makabre të saj, si përshkallëzim i një rrjeti veprimesh terroriste
që krijuan një sistem, duke shkelur gjithë normat e së drejtës dhe të moralit njerzor,
por edhe atij shqiptar rreth trajtimit të gruas. Në këtë periudhë bëhej propagandë
për emancipimin e saj, më shumë se kurrë ndonjëherë në Shqipëri,
vrasja e Sabiha Kasimatit përbënte një rast unik në gjithë Lindjen…”
nga Libri i Leka Ndojës...
Përkthimet e detyruara
Këto përkthime janë kryer në një agjensi të përkthimeve të krijura nga Ministria e Brendshme, në vitin 1945, me intelektualë të burgosur dhe të interrnuar, siç kujton Lazër Radi, si pioner i zyrës së përkthimeve në burg, së bashku me ish Ministrin e Arsimit, Mirash Ivanajn, Mihal Sherkon e të tjerë, në një intervistë të tij të fundit dhënë në vitin 1998.
Për këto anonimate, është vështirë hartimi i një liste me tituj të konfirmuar nga disa burime arkivore ose dëshmi të tjetërllojshme (Mirash Ivanaj, Mihal Sherko, Nikolla Mole, Viktor Dosti, Sejfulla Malëshova, Veniamin Dashi, Lazër Radi, Pjetër Arbnori, etje.)
Për të ndërprerë tjetërsimin, përmes ribotimit me anonimat në kohën e tanishme, si pasojë e krimit të përvetsimit të veprës intelektuale gjatë kohës së komunizmit gjatë viteve 1945-1990, por edhe për të zhdëmtuar moralisht apo dhe financiarisht nga entet botuese, etjerë…
“Në një dhomë të veçantë të Burgut të Ri… flinim tre vete, Mihal Sherko, Mirash Ivanaj dhe unë… Ky ishte nji repart i posaçëm dhe sekret. Aty punohej vetëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Duheshin përkthyer të gjitha veprat e spiunazhit botëror, e në mënyrë të veçantë veprat e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Duket se këto libra përdoreshin, për Shkollën e Policisë, dhe për të stërvitur dipllomatët tanë për të bërë veprime spiunazhi në vendet e tyre të shërbimit. Mirashi ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Mirashi kishte në dorë duke përkthyer dy libra shumë interesantë: njëri ishte “Bijtë e Shqipes”, vepër e Majorit englez Emery, dhe tjetri ishte “Ciceron” spiuni më i madh dhe më i rafinuar i Luftës së Dytë Botërore. Ku Mirashi ia nisi përkthimit të “Ciceron-it”, as ai dhe as ne të tjerët nuk dinim gjë se kush ishte ky Ciceroni, pra ky emër i gojtarit të madh romak, ishte pseudonimi, apo nofka e një shqiptari nga Kavaja…”
Radi pohon se zyra e përkthimit të të burgosurve u shtua me rreth njëqind vetë, duke përmendur edhe Institutin Bujqësor të Kamzës, ish Institutin “Kyriaz”, apo të njohur si “Shkolla e Dakos”, e shfrytëzuar si vend pune për hartimin e të gjitha teksteve shkollore si njëlloj “Mesagjerie” në hije. Këto vlera janë tjetërsuar përgjithmonë, me shlyerjen e jetëve të shumicës së të burgosurve, që kanë vënë themelet e arsimit në fushën e tekstologjisë. Për vepra që do të konsiderohen me autorësi të idendifikuar, por të padokumentuar është e udhës që shtëpitë botuese të konsultohen me familjarët, apo dashamirë të tyre për të drejtën e autorit sipas ligjit, apo kushteve të jashtëzakonshme kur veproi ai ligj, në kohë kur kishte vlerë vetëm mbijetesa…
Përkthyesit e vjetër shërbyen edhe pas përgatitjes së gjeneratës së re të intelektualëve të ardhur nga Lindja komuniste në vitet ’50-’60. Manualet e autokombajnave, makinerive të ndryshme bujqësore, kamionët Ifa janë përkthyer nga Lazër Radi, Pjetër Arbnori etjerë, ashtu si dhe dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe të Jashtëme, duke përfituar nga kohëzgjatja e madhe e dënimit të këtyre personaliteteve, madje Pjetër Arbnori, arriti të botojë librin e përkthyer në burg: “Histori e Anglisë” Botimet Çabej, Tiranë 1996.
Përkthimet në gjuhë të huaj…
Përkthime pa autorësinë e përkthyesve si Jusuf Vrioni, Kudret Kokoshi, Mihal Sherko, Mihal Zallari janë bërë të njohura.
Deri diku teknikën e punëdhënies nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni për përkthime e ka zbardhur Artan Fuga… Por edhe vetë Vrioni në autobiografinë e tij, për përojën e tij në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, për titujt e veçantë nuk mund të thuhet se është bërë ndonjë klasifikim definitiv në një regjistër të drejtash si provë e pronësisë intelektuale.
Por ka pasur raste të shkëmbimit të emrave të përkthyesve artistikë, kur burgosej autori apo përkthyesi dhe vepra kishte mbetur në tryezat e redaksive ose kishte përfunduar së shtypuri.
Përkthimet e Vrionit u bënë të famshme nga botimet e përkthimeve të Ismail Kadaresë, por ai pati përkthyer serinë e veprave të Enver Hoxhës në frëngjisht. Ndërsa në gjuhën italiane, përsëri i veprave të Enver Hoxhës apo të Institutit të Marksizëm Leninizmit, ka punuar si përkthyes me honorare, Kudret Kokoshi, krahas përkthimeve artistike të letraëve të rinj të realzimit socialist.
Rasti i Jolanda Kodrës me librin “Andrea Mjeda” Poesie, Shtëpia botuese Naim Frashëri Tiranë 1966, ku janë marrë përkthime të Mark Ndojës, të cilat u riprodhuan si dorëshkrime të përgatitura prej tij në vitet ’63-’64, (vit në të cilin, ai u interrnua në ishullin e Zvërnecit 1964-1968) paradoksalisht, libri u botua në Tiranë, në vitin 1966, ndërsa përkthyesi vuante izolimin në ishullin-burg të Zvërnecit, ndërsa kuratorja e librit kishte pushuar së jetuari në 1963, kohë kur Mark Ndoja, e mori dhe e përfundoi përkthimin e vëllimit sipas porosisë së shtëpisë botuese “Naim Frashëri”
Dorëzimi i veprës (përkthimeve) pa kushte
Përkthimi me mëditje
Me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1974, u ndalohej shtëpive botuese që të porosisnin përkthime nga bashkëpuntorët e jashtëm. Me këtë rast mbetën pa punë një plejadë përkthyesish, mjaft prej të cilëve kishin dalë në pension, me një kuotë minimale në kufijtë e ekzistencës. Kohë më parë për disa personalitete si Sejfulla Malëshova, ishte dhënë një urdhëresë selektive nga ministri i Kulturës Manush Myftiu, në vitin 1963, kur ishte drejtor Drago Siliqi, (që ndrroi jetë në 1963 në një incident ajror), shefi i redaksisë për përkthimet, Nasho Jorgaqi kujton: “Ai vinte kryesisht për përkthimet, e vetmja gjë që i qe lejuar nga gjithë veprimtaria intelektuale. Ndoshta kjo i kishte mbetuar nga koha kur punonte në Institutin e Shkencave. Nuk e mora vesh se si u kaluam lidhjet nga Instituti në shtëpinë tonë botuese. Por mbaj mend që “Kopështi i Qershive” i Çehovit, qe botuar, ndonëse pa emrin e përkthyesit…”
Urdhëresa e shkëputi nga letrat shqipe përgjithmonë Sejfulla Malëshovën, madje për t’ia ndërprerë praninë e përkthimeve kundrejt honorarit që të tjerëve u qe lejuar, duke e shmangur edhe nga destinacioni anonimat, siç ishin botuar tregimit e përkthyera prej tij të Çehovit, prozën poetike “Zgalemi” të Gorkit, si dhe vjershat e Nikollaj Nekrasovit.
“Shoku Sejfulla në kuadrin e masave të kursimeve, Ministria na ka shkurtuar një pjesë të buxhetit për honoraret e përkthimeve, kështu që jemi të detyruar, t’i ndërpresim përkohësisht përkthimet me bashkpuntorët e jashtëm, duke u mbajtur kryesisht me përkthimet e brendshme…”
Një rast i tillë i destinacionit të anonimatit ka ndodhur edhe me shkrimtarin e viteve ’40, Mit’hat Araniti, përkthyesi më i madh i veprave albanologjike dhe të historisë antike dhe të arkeologjisë.
Ai gjatë një periudhe tridhjetë vjeçare, siç e kemi trajtuar më sipër, ka të regjistruar në muzeun arkeologjik të Durrësit 151 vepra dhe separate studimore të përkthyera (dorshkrime dhe daktiloshkrime), në gjuhët gjermanisht, anglisht, serbo-kroatisht dhe italisht. Në muzeun arkeologjik të Tiranës ka të regjistruar 35 vepra studimore, ndërsa në ditarin e tij personal ka të regjistruar një listë prej 38 veprash albanologjike, e cila është maja e ajsbergut të shfrytëzimit intelektual në komunizëm.
Ky personalitet i dënuar dhe i përndjekur përmbi dyzet vjet, i dorëzonte dorëshkrimet pa nënshkruar asgjë, gjë që e thekson si vërejtje muzeologu Ilia Toçi, specialist pranë muzeut Arkeologjik të Durrësit, në letrën shoqëruese që i dërgonte Aranitit, të veprave të verifikuara një për një prej tij, duke i ballafaquar me proces-verbalet e mbetura.
Pasi përkthimet e tij janë përdorur gjërërsisht nga studiuesit, duke u shmangur tërësisht në referimet e tyre për tekstet e përkthyera nga Araniti të 186 veprave të tij përkthime, të ekspozuara ndaj tjetërsimit duhet të klasifikohen nga zyra e së drejtës së autorit si pikënisje dhe si simbol i së drejtës.
.
(Marrë nga libri i Leka Ndojës “Tjetërsimi i Veprës Intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1991)” fq.140-145)