back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Nga kaligrafia e ëndrrave te beletristika e dhimbjeve… – Shënime për librin “Mbi Varkën e Karontit” të Dine Dines – Parathanie nga Jozef Radi

Gazeta

Dine Dine - Mbi Varkën e Karontit - Roman
Dine Dine – Mbi Varkën e Karontit – Roman

Nga kaligrafia e ëndrrave te beletristika e dhimbjeve…

Shënime për librin “Mbi Varkën e Karontit” të Dine Dines…

Parathanie nga Jozef Radi

Me 27 tetor 2017, Shtëpia Botuese Mapo,
promovon librin e autorit Dine Dine “Mbi Varkën e Karontit”,
një libër ku jeta e një njeriu nën diktaturë 
(që përfaqëson jetën e mijra e mijra njerëzve)
në krejt procesin nga arrestimi, akuza, hetuesia, gjyqi deri te në përplasja burgjeve,
është e paraqitur me një realizëm me të gjitha sfumaturat e së vërtetës…
Sigurisht një nga veprat më interesante me temën e diktaturës…
Dine Dine 2011
Dine Dine 2011

Fletoret e Dine Dines, qysh në rini të herëshme, ishin tejet të dallueshme për bukurshkrimin e tyre! Si duket, kjo dashuri ndaj bukurshkrimit, njiherë e në nji kohë, ishte një arsye madhore komunikimi dhe leximi e çdo tendence letrare si: skica, hartimi, poezia, përkthimi e pse jo edhe e letrave të dashurisë… Në fund të atij leximi, ai shkrim i qëndisur bukur, i pasur në botë shpirtërore, në ndjesi e mendime qe bërë po aq i dashur, në harmoninë e krejt atyre fjalëve të shkruara aq me estetikë!

Nji herë e në një kohë, bukuria e shkrimit krijonte një impakt instinktiv me bukurinë e shpirtit të shkruesit… ama, kjo ishte për njiherë e në një kohë!
Pikërisht, ky raport midis bukurshkrimit (kaligrafisë) dhe të shkruarit bukur (beletristikës)… gjykojmë se përcakton edhe nismën letrare të autorit Dine Dine. E vërtetë është se ky raport me shkrimet dhe leximet, daton hershëm, dhe është përcjellë gjithkund në shënimet e tij, herë ndër libra, herë ndër fletore e herë ndër shënime të dhuruara në shokë e miq: ndërsa kjo shfaqje e paksa e vonë e botimeve të tij, (tashmë të vëna në rradhë) që pret vetëm kohën fizike nga botuesi te lexuesi, përbën një kapitull jo pa rëndësi si për autorin, lexuesit po edhe më gjerë, edhe për letrat shqipe.
Puna e autorit, edhe pse mund të quhet në fillimet e veta, tashmë është kryer. Janë disa libra të tij; të shkruar, të redaktuar e korrektuar me kujdes që presin mirëkuptimin me ndonjë shtëpi botuese, e të mbërrijnë te lexuesi, dhe të nisë kështu ai komunikimi i zakonshëm, edhe pse ca i vonë, të cilin autori e ka ëndërruar dhe dëshiruar qysh në rini të hershme, por jeta e pengut e s’i kish lënë shpresa. Është e vërtetë, se shumçka nga punë e tij ka shkuar hupë në kohë të vështira e situata tragjike, mbasi pjesa më e madhe e jetës së autorit, është vërtitur në mbretërinë e Hadit (sigurisht në të gjallë të tij), dhe në Varkën e Karontit, ngërthyer frikshëm, me “humbjen e çdo shprese” (lasciate ogni speranza… Dante) ai priste dhe përcillte trishtime të pafundme vdekjesh!
Nisur nga leximet në dorëshkrim i tri librave të autorit, mundem të them, se Dine Dine kaherë do të kishte qenë një narrator i dashur dhe i kërkuar për lexuesin, sikur traviatat e jetës përjashtuese, të mos kishin nisur qysh kur ishte gjashtë vjeç, dhe të mos e zhysnin për vite e vite pafund në internime dhe burgje; sikur të mos e mbante peng lufta e klasave dhe lufta e vështirë ekzistenciale në kushtet e gjithë privimeve njerëzore; sikur të mos e ngërthente më pas emigrimi dhe eksperiencat integruese të mbijetesës dinjitoze në vendet e lirisë dhe kapitalizmit të egër… (ku gjithçka duhej siguruar përmes krahëve dhe lodhjes…!) Në pak rreshta, është kjo e gjitha jeta tejet e ashpër e Dine Dines, ku dhuntia e të shkruarit bukur, dhe të rrëfyerit po aq bukur, një ditë duhej të triumfonte!
Ky është fakti më sublim që autori, e përcjell përmes eksperiencave të veta, njohjes në hollësi të jetës në veprën e tij.
Gjithsesi autorin, duhet ta konsiderojmë si pjesë e “të përjashtuarve të përjetshëm”, të cilët asnjëherë s’rreshtën së luftuari e së dëshmuari të vetvetes dhe të tjerëve në kontekst të tragjedisë gjysëmshekullore të diktaturës. Prej kohësh, (qysh në fillim të viteve ’90), grimca të punës së tij letrare e kritike nisën të shfaqen kryesisht në Amerikë, ku tashmë ai qe vendosur, në gazetën e Konicës dh Nolit “Dielli”, po edhe te “Illyria”, e më pas edhe në blogjet online, më vonë tek tuk edhe në shtypin shqiptar, çka ia hoqi ngërçin dhe e bëri më të shlirtë e më të ngrohtë komunikimin e tij, më të lehtë e më të dukshme praninë e tij, edhe pse mund të thuhet se ende shtypi shqiptar s’ka ndonjë përvijim të qartë të këtij personazhi dhe veprës së tij, çka mendoj se dëshmon se kemi të bëjmë me një autoritet letrar për t’u marrë në konsideratë!!
 
***
Meqë po flasim për nji personazh që u avitet letrave shqipe, mendoj se është e drejtë që para lexuesit, Dine Dine të shfaqet ca më i plotë, në mënyrë që të vlerërohet si një bashkudhëtar i hershëm në botën e letrave, që rrethanat e vonuan paksa shfaqjen e tij! Por autori i librit “Mbi Varkën e Karontit” mbetet një lexues skrupoloz i krejt pjesës më me dritë të klasikëve të letërsisë, të sjellë në gjuhën shqipe nga mjeshtrat; nji dashamir i letërsisë më të mirë shqipe; një mik inkurajues i mjaft prej miqve të tij letrarë, po edhe sqimatar leximesh në gjuhë të huaja, pse jo edhe një tentues i herahershëm në përkthime letrare, filozofike, po edhe në ese apo kritikë letrare…
Të gjitha këto bashkë e bëjnë atorin mjaft të matur në atë çka shkruan, dhe mjaft largpamës në kumtin që ai merr përsipër të përcjellë. Dhe jo vetëm kaq: si pinjoll i denjë i një familjeje me emër, e cila në disa breza ka bërë nyje në histori, ai gjithnji e ka ndrydhur në vetvete lehtësinë e të shfaqurit si letrar ashtu për hobi! Është pikërisht ky shpirt përgjegjësie, që e ka bërë ta ndjejë si peshë të shumëfishtë artin e të shkruarit, e aq më shumë atë të botuarit. Ajo çka deri në vitet ’90, ishte në kufijtë e absurdit për të dhe shumë si ai që ta mendonte këtë gjë, po që mbas viteve ’90, ky shpirt përgjegjsie erdhi duke u bërë gjithnji e më bindës… Vërtet vonoi ca, por mendoj se sot ai shfaqet më të plotë në paraqitjen e vet!
 
***
Dine Dine i përket brezit të të lindurve gjatë Luftës së Dytë Botërore! Shumë nga këta djem të familjeve në zë të elitës politikës, asaj intelektuale, hierarkisë ushtarake, tregtarëve të mesëm, po edhe familjeve me interesa të gjëra kulturore, mbas ngjitjes së komunizmit në pushtet do të etiketoheshin me shprehjen tashmë shabllone, e cila do të funksiononte për mëse 46 vite: “familjet e reaksionit”. Pikërisht ky brez fëmijësh do të paguante një taksë tejet të rëndë, të cilën askush s’e kish besuar se mund të ndodhte deri në kësi trajtash kaq ekstreme. Asnjë sinopsis kataklizmik s’mund ta kishte besuar (as ta besojë ende) se fëmijët e atyre familjeve që s’e kishin pranuar komunizmin si ideollogji sunduese dhe diktaturën si formë e ushtrimit të pushtetit, tashmë në moshë pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjeçare do të ishin ende rrugëve. Shumë prej tyre kishin kaluar burgjeve, o ende ishin burgjeve, shumë të tjerë endeshin në humbëtirat e kampeve të interrnimit, o ishin plakur, rrënuar pa krijuar as familje; të tjerë kishin gëzuar ndonjë privilegj të vogël, të fituar ashtu thjesht në “shkelje me përdhunë” të dinjitetit të tyre e në abuzime (herë të hapura e herë të maskuara) ndaj bashkëvuajtësve të tyre!
Dine Dine edhe pse hyn te pësuesit e mëdhenj, luftoi të dalë i pacënuar në staturën e tij të dinjitetit! E ritheksoj faktin: ai e kish nisur qysh gjashtë vjeç jetën e kampeve: prej Portopalermos në Tepelenës, prej Savrës në Gjazë; e më pas jetën e Burgjeve prej atij të Spaçit te ai i Qafë-Barit, prej atij të Zejmenit te kompleksi sportiv “Dinamo”.
Mosha 50 vjeçare do ta gjente ende në një kamp interrnimi, humbur mes Myzeqesë, së bashku me familjen dhe dy fëmijët e tij të mitur lindur njëru para dhe tjetri mbas burgut!
Fillimi i viteve ’90, do ta shtynte ngutshëm të vendosej në metropolin më të madh të botës, në atë të Nju Jorkut, duke lënë pas atë vazhdë të pafund tmerresh dhe vuajtjesh! Nuk e di nëse mund të quhet fat, një kapërcim i tillë traumatik, mbasi sipas mendimit tim kjo ka në vetvete të pabesueshmen e jetës dhe epicitetit të Njeriut. “Në thellësi të minierave siberiane, ruani durimin krenar…!” do të shkruante Pushkini, dhe shumë nga këta djem nuk hoqën kurrë dorë nga shpresa… Përndryshe si mund të ikej nga skëterra e diktaturës dhe baltrave të interrnimeve, dhe një ditë të bukur ta gjente veten, ja aty nën këmbët e ëndërruara të Statujës së Lirisë…!?
Pikërisht në dinamikën e kësaj traume, nis edhe familjarizim i tij i vështirë me lirinë; pikërisht aty ai vendos ta shkruaj jo thjesht jetën e vet, jo thjesht një rrëfim të zakonshëm, as një kalim kohe (passatempo) në boshllëk, por shumë më tepër: Të mos e lejojë harresën ta gërryejë shpirtin e vendit të tij, që e keqja të mos përsëritej.
E gjitha kjo duhej realizuar në një përmasë sa më dinjitoze, ku e vërteta njerëzore dhe ajo artistike të puqeshin bashkë, të ndërthureshin në forma sa më harmonike dhe të krijonin një ansambël punimesh letrare që të voziste fisshëm midis artistikes dhe jetësores… dhe ky duhej të ishte Libri tij i Jetës!
 
Pjesa e pasme e librit "Mbi varkën e Karontit" - Dine Dine
Pjesa e pasme e librit “Mbi varkën e Karontit” – Dine Dine

“Mbi Varkën e Karontit” është libri i parë Dine Dines, po jo libri i parë shkruar prej tij. Para se të mbërrinte te lexuesi, autori është përpjekur të ishte i pari ai që besonte te kjo vepër e shkruar herët, (rreth 20 vite të shkuara); së dyti shpirti i ndërdyshjes artistike në këtë paraqitje të vonë, bëri që kjo vepër për shumë vite të jetonte pezull, pa mbërritur ndër lexues e as miq të afërt të autorit, si të thuash ajo pati një kohë maturimi jo të pakët në heshtje… Vetëm tevona, autori u bind se kjo vepër duhej të kalonte nga bukurshkrimi i dikurshëm te uniformiteti kompiuterik dhe komunikimi me lexuesin. Mbasi arriti të marrë konfirmime të njëpasnjëshme prej atyre që ia lexuan veprën ai e ndjeu se ishte çasti i librit të tij. Dhe kjo e nxiti në moshumbjen kohë të mbërrinte ndër lexues, dhe quajtur vonesën një trishtim të pariparueshëm!

Kështu “Karonti i Hadit”, varkëtari i famshëm që kalonte shpirtërat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin i dha titullin e këtij libri! Sigurisht, shërbimi i këtij kalimi në botën e përtejme të të vdekurve, kërkonte tre monedhat e famshme dy në sy dhe një poshtë gjuhës!! Dhe kjo ide e kalimit të shpirtrave në botën e përtejme mbetet mesazhi më i rëndësishëm i këtij libri…
Pa u futur në detaje të librit, dhe pa u marrë me interpretim e tij, mundem të nënvizoj se vetë autori është objekt dhe subjekt i kësaj vepre letrare, çka që në kryekre të punës ka përbërë një rrezik. Por kur i del në fund leximit, e kupton se autori brenda vetes së tij, ka trupëzuar mijra të tjerë si vetja, që kanë kaluar nëpër të njëjtin kalvar. Vërtet libri nis dhe përfundon me nota të një autobiografie, por ka mjaft frymë përgjithësuese, aq sa në fund të mahnit me rezultatin e saj. Diçka reale dhe ireale njëherësh, një shpirt idealist, po edhe një krijesë pragmatiste që i kish krijuar makinës së diktaturës, iluzionin e lehtësisë së thyerjes së njeriut, e që në të vërtetë dëshmohet e kundërta. Një frymë kafkiane i shkon tejetej këtë vepër, ku njeriu dënohet pa pranuar e pa firmosur asgjë, një njeri që nuk bën asnjë kompromis me veten, në iluzion të shpëtimit, por i çmonton mekanizmat e perversitetit diktatorial, për të cilat njeriu nuk është asgjë, veç një numër, e ku dinjiteti është thjesht një leckë për të fshirë këpucët e atyre që kërkojnë të bëjnë karrierë në piramidën e pushtetit. Vepra përfshin një periudhë të vështirë diktaturës komuniste mbas prishjes me Kinën dhe rrënimit ekonomik, nisën gjyqet politike për të mbushur burgjet-miniera që bakri e kromi të çanin bllokadën, nëpër të cilat kaluan disa dhjetra mijëra njerëz të pafajshëm…
 
Pjesa e parë e librit “Mbi Varkën e Karontit”, përfshin tri etapa të proceseve të montuara të dënimeve politike: arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin; pjesa e dytë, e cila do të përfshihet në një tjetër botim përfshin: “Burgjet”.
Edhe pse me frymë përgjithësuese libri mbetet realist dhe denoncues. Gjithë personazhet e librit, nga operativi i kampit, te dëshmitarët, te shokët dhe apo të afërmit, familja, prokurori, hetuesi, gjykatësit, dëshmitarët, përfaqësuesi i ministrisë, gardiani i burgut, atmosfera e kohës janë të dhënë me një realizëm të pashoq, ku autori me një aftësi të rrallë ka prekur njerëzoren e secilit, pa e tepruar askund. Ajo çka të bie në sy është se të gjithë këta personazhe janë me emrat e tyre të vërtetë, çka e bën këtë vepër të rrallë në guximin dhe qytetarinë e saj…
 
Në rrëfimin e shtruar të Dine Dines, të bën mjaft përshtypje raporti që ai ruan me ngjarjen që rrëfen? Mënyra se si e trajton vlerën nga antivlera, dinjitetin nga detyra e partishme, të ndëshkuarin nga ndëshkuesi, ajo çka ai jeton nga ajo që përjeton, transmetohen me emocione që e shtyjnë çdo lexues të reflektojë, gjë e cila i jep një vlerë të jashtëzakonshme këtij libri?
Padyshim përshkrimi i ekuilibruar i ngjarjeve jetësore, mënyra e natyrshme si integrohen problemet e individit në ndërgjegjen kolektive e bën kët vepër jo vetëm me status të qartë e të kuptueshëm, po edhe të besueshëm, çka përbën thelbin e rëndësisë së këtij libri. Veç tjerash, në të spikat dinamika e përshkrimit të situatave, personazheve dhe gjendjeve me frymë kafkiane, çka e shndërron leximin në një përjetim të thellë, dhe projektohen anë tredimensionale të veprës…
Dine Dine mbetet një “qëmtues i kujdesshëm” i detajeve në krejt tablonë e diktaturës duke gëshetuar: ngjarjet, historinë, personazhet… ndërkohë që mbetet gjithnjë i hapur për reflektime; një ftesë e sinqertë që lexuesi të bëhet pjesë e këtij realiteti absurd, të cilin jo pak njerëz e kanë provuar në lëkurën e tyre…
Mbasi e mbaron leximin, ndjen se tragjedia sapo ka filluar, sepse janë edhe të tjera vuajtje e sakrifica, për ta përballuar vazhdimin e së keqen. Aty kuptohet se bukurshkrimet e dikurshme, kanë pasur pranga ndër duar… dhe se për ta shkruar të vërtetën duheshin shkulur prangat nga shpirti, në mënyrë që ato të dhembin sa më pak, ndër të tjerë që vijnë mbas nesh…
korrik-gusht 2017
 
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.