back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nga vjen Skëndërbeu – nga Ilirjan Gjika – Kastriotët dhe origjina etnike e tyre

Gazeta

Gjergj Kastrioti - Skanderbeg
Gjergj Kastrioti – Skanderbeg

Nga vjen Skëndërbeu

nga Ilirjan Gjika

Kastriotët dhe origjina etnike e tyre

I

Për herë të parë në histori, Kastriotët përmenden në 2 shtator të vitit 1368, në një dokument raguzian të shkruar në Vlorë, në gjuhën sllave nga përfaqësuesit më në zë të këtij despotati (principate). Në këtë vit, princi i Vlorës, Aleksandër Komnen Aseni, përfaqësuesi i një familjeje sllave (bullgaro-serbe), i kërkoi Republikës së Raguzës, Dubrovnikut të sotëm, titullin e qytetarit të nderit. Për këtë qëllim duhej bërë betimi ndaj Raguzës dhe Aleksandri me 15 bashkëpunëtorët e tij të afërt nënshkruan aktin e besnikërisë. Ky dokument u shkrua në Kalanë e Kaninës, në prani të përfaqësuesit raguzian Nikolla Kabuziç.
Në një pasazh të këtij dokumenti thuhet shprehimisht: “Prodan vojvoda dhe Mikleushi, qefalia i Vlorës Branilo dhe qefalia i Kaninës Kastrioti, Raici oborrmbajtësi, ujega Stavileci, Stamati dhe Obradi gjykatës, dhe Zgure Dukagjini, Smokua, Kostandin Shurboviqi, Borishi, Gruboj, përkthyesi, Radivoj dhe Bgoj…, logofeti i Aleksandrit, zotit të Vlorës dhe Kaninës, Gjorica. (Mustafa Kruja, Antologji historike, 2001).
E publikuar për herë të parë në vitin 1868, kjo dëshmi e shekullit të XIV i ndau historianët në dy grupe, duke i futur në një debat pa fund dhe në interpretime subjektive. Njëri grup i përbërë nga historianët: Hop, Han dhe Makushef e lexonin dhe e interpretonin këtë dokument si të tillë: “Vojvoda Prodan, qefalia i Vlorës Mikleushi dhe qefalia i Kaninës Branilo Kastrioti”. Duke u nisur nga emri sllav Branilo ata mendonin se Kastriotët kishin origjinë sllave. Ndërsa grupi tjetër i përbërë nga historianët: Fallmerajer, Prizani, Shuflai, Thalloczy, Jeriçek dhe Mustafa Kruja, duke u mbështetur në leximin e dokumentit sipas formës origjinale, mendonin se Kastriotët ishin me origjinë shqiptare. Mendimin e tij ky grup e mbështeste në dy fakte: Së pari, Braniloja dhe Kastrioti sipas dokumentit ishin dy njerëz të ndryshëm dhe së dyti, n. q. s dokumenti kishte pasaktësi dhe se Branilo dhe Kastriot ishin i njëjti person (Branilo Kastrioti), kjo nuk do të thoshte asgjë, sepse shqiptarët gjithmonë kanë mbajtur sipas traditës emra të huaj, sikurse ndodh edhe sot. Duke vazhduar më tej idenë M. Kruja aludonte qysh në vitet 1930, se Branilo ose Branilac në sllavisht do të thotë mbrojtës. Pra, sipas tij, Kastrioti i përmendur në dokumentin e mësipërm nuk ishte veçse kështjellari i Kaninës domethënë mbrojtësi i saj, ashtu siç lexohet në përkthimin e mësipërm të këtij dokumenti. Kështu familja e Kastriotëve del në analet e historisë për herë të parë me këtë kështjellar të Kaninës. Ndërkohë që, për pasardhësit e tjerë të Kastriotëve kemi të dhëna nga dy autorë të shekullit XV, si Gjon Muzaka dhe Andrea Engjëlli. Gjon Muzaka që kishte lidhje krushqie me Kastriotët, thotë në shkrimet e veta se, i pari i Kastriotëve ishte Pali, i cili zotëronte në Mat dy fshatra: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm. Si pasardhës i drejtpërdrejtë i tij ishte Gjoni, i ati i Heroit tonë Kombëtar, Gjergjit. Ndërsa Andrea Engjëlli përfaqësues i familjes bashkëkohëse të Skënderbeut, Engjëllorëve të Drishtit, në gjenealogjinë e shkruar prej tij na jep një listë të familjes së Kastriotëve, ku si paraardhës të parë të tyre na jep Kostandinin, nga i cili rridhnin Gjergji, dhe më pas Gjoni, i ati i Skënderbeut. Duke u mbështetur në këto të dhëna, Mustafa Kruja tek libri i tij “Antologji historike”, u përpoq që t’i plotësonte këto dëshmi duke formuluar këtë ide, e cila përsëri mbetet hipotetike. Sipas tij, pas kështjellarit të Kaninës, emrin e të cilit nuk e dimë, vjen Kostandini, i cili ishte një tjetër Kastriot, kushëri ose vëlla i tij. Pas këtij vjen Pali dhe si pasardhës i tij Gjoni. Të tjerë historianë, kryesisht të huaj kanë hedhur edhe hipoteza, të cilat kanë mbetur edhe sot si të tilla. Kështu Thalloczy pa e vazhduar më tej idenë e tij mendonte se Kastriot është emër me origjinë greke që do të thotë qytetar. Ndërsa mesjetologu i njohur Milan Shuflai hodhi një ide tjetër në veprën e tij “Serbët dhe shqiptarët”. Midis të tjerave ai thotë se Kastriotët, Topiajt dhe Balshajt ishin kalorës të fuqishëm, që i përkisnin një race trupmadhe dinarike, por pa përcaktuar në ishin serbë apo shqiptarë.
.
Andronika Kastrioti - Arianiti (1428-1505)
Andronika Kastrioti – Arianiti (1428-1505)

II

Të dhënat e sakta historike nisin me dëshmitë dhe dokumentet për Gjon Kastriotin, i cili e nisi ngjitjen e pushtetit në momentin kur turqit u dhanë goditjet e para familjeve dhe principatave të fuqishme shqiptare, siç ishin Balshajt dhe Topiajt, në vitet 1385-1389.
Diku pas vitit 1385, nis edhe ngjitja e Gjon Kastriotit, i cili nga një feudal i vogël, vasal ndoshta i Balshajve, Topiajve, Dukagjinëve apo ndonjë familjeje tjetër feudale, shndërrohet në një zotëri të fuqishëm. Në fillim të viteve 1400, Gjoni kishte krijuar një principatë, e cila arriti fuqizimin më të madh në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XV. Ajo shtrihej në veri deri në afërsi të Drinit në kufij me Dukagjinët, në jug deri afër Shkumbinit në kufij me Arianitët, në perëndim kufizohej me zotërimet e Venedikut, ku kishte edhe një dalje në det, siç ishte skela e Shufadasë në grykëderdhjen e lumit Mat. Në lindje principata shtrihej deri në rrethinat e Gostivarit (Historia e Shqipërisë, 1994, f. 50) dhe kufizohej me zotërimet e vjehrrit të Gjonit që banonte në krahinën e Pollogut. Pikërisht në këtë pikë do të ndalemi, sepse pothuajse ajo ka mbetur e errët.
Të gjitha burimet historike nuk e theksojnë origjinën etnike të nënës së Skënderbeut, Vojsava Kastriotit. Biografi i parë i Skënderbeut, Barleti, thotë: “Gruaja e Gjonit e kishte emrin Vojsavë, të cilën e bënin jo të padenjë për atë burrë, me një anë i ati shumë fisnik, princi i Tribalëve dhe me një anë tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës. (M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 64). Edhe bashkëkohësi tjetër i Skënderbeut, Gjon Muzaka, thekson: “Dhe për më tepër ta dini se zoti Gjon Kastrioti, i ati Zot i Skënderbeut, pati për grua zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën bëri katër djem dhe pesë vajza”. (Gj. Muzaka, Memorie, Tiranë, 1996, f. 44). Ndërsa në një pasazh tjetër të po kësaj vepre, po ky autor thekson: “Zonja Vojsava Tribalda rridhte nga një fis i mirë”. Ndërkohë që është e çuditshme se këta autorë nuk theksojnë origjinën e huaj të familjes Tribalda. Ndërsa profesori i Sorbonës, Abas Ermenji, në librin e tij “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, botim i vitit 1996, f. 26, mendon se kjo familje ka qenë shqiptare, për arsyen se ajo vazhdonte martesat me dyer shqiptare. Këtu ky autor ka të drejtë, sepse Gjon Muzaka thotë në “gjenealogjinë” e tij se e ëma e Vojsavës ishte nga Muzakajt, megjithëse njihet tradita mesjetare e martesave të familjeve fisnike shqiptare me familje fisnike të huaja, si: bizantine, greke, serbe, napolitane, italiane, frënge etj.
Ato kishin karakter politik dhe u shërbenin aleancave ndërshtetërore. Të gjithë dinastët katolikë shqiptarë, shkruan Milan Shuflai tek “Serbët dhe shqiptarët”, ishin në lidhje farefisnie me familjet princore ortodokse të Balshajve, Lazareviçëve, Brankoviçëve, Cernojeviçëve, Zharkoviçëve, si dhe me perandorët bizantinë. Martesat e shqiptarëve me sllavët ishin bërë traditë përpara Kastriotëve për fisnikërinë shqiptare. Kështu, mund të përmendim se Gjergji I Balsha ishte martuar me Teodorën, mbesën e Car Stefan Dushanit (Serbët dhe shqiptarët, f. 134). Gjergji II Balsha ishte martuar me Lenën, vajzën e princit serb Llazarit, Gjergj Topia ishte martuar me motrën e sundimtarit serb të Kosovës, Vuk Brankoviçit (po aty, f. 133), ndërsa Mërksha Zharkoviçi, princi serb, u martua me Rugina Balshën, vajzën e Balshës II dhe Komita Muzakës.
Gjon Kastrioti u martua me Vojsava Tribaldën, me të cilën lindi nëntë fëmijë, nga të cilët katër ishin djem e pesë vajza. Kronisti Gjon Muzaka tek vepra e tij “Historia e shtëpisë Muzaka”, thekson se i pari i fëmijëve ishte Reposhi. Ai u bë murg dhe vdiq në vitin 1431, në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, në Greqi. I dyti i djemve ishte Stanishi, i treti Kostandini dhe i katërti Gjergji. Të tre këta djem u përfshinë në sistemin e Devshirmesë, duke u marrë peng nga Sulltani. Stanishi do të bëhej një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gjergj Kastriotit, në luftën 25-vjeçare shqiptaro-turke të shekullit XV. Kostandini u martua me një zonjë turke dhe nga kjo lidhje lindi Hamzai, “djali plëngprishës”. Nga vajzat e Gjonit dhe Vojsavës përmenden: Maria, e cila u martua me Stefan Cernojeviçin, princin e Malit të zi, Jella, e cila u martua me princin Gjin Muzaka, e treta Angjelina u martua me Vladan Arianitin, vëllain e Gjergj Arianitit. Më pas vjen Vlajka, e cila sipas Muzakës, u martua me Pal Stres Balshën dhe së fundi Mamica, e cila u martua me Muzakë Topinë. Martesat e Kastriotëve vazhduan edhe në Itali me largimin e Mamicës dhe Gjonit të ri, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468.
.
Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (vepër e Fiqiri Kasës)
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu (vepër e Fiqiri Kasës)

III

Dëshmitë e historianëve të huaj, të cilët mundohen të hamendësojnë se Skënderbeu kishte origjinë sllave ose greke, bien poshtë nga dëshmitë e historianëve bashkëkohës të Heroit. Kështu, mund të përmenden autorët shqiptarë të shekujve XV-XVI, si Gjon Muzaka, Marin Barleti, kronisti raguzian Pietro Lukari, të cilët dëshmojnë për origjinën shqiptare të Kastriotëve, ndërkohë që këtë problem e zgjidhi vetë Skënderbeu. Kështu, në letrën që ai i dërgon princit të Tarentit, Xhovani Antonio Orsinit, në 31 tetor të vitit 1460, Skënderbeu pohon origjinën e tij shqiptare. Botimi i këtij dokumenti e mbylli përgjithmonë këtë debat, duke vërtetuar plotësisht origjinën shqiptare të Kastriotëve.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.