back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Ngjarja e Zeledines (77 vjetori) – nga Lulash Vatnikaj

Gazeta

Isuf Sadik Prebibaj
Isuf Sadik Prebibaj

Ngjarja e Zeledines (77 vjetori)

nga Lulash Vatnikaj

“A e ke pa ti atë çobanin që u prin dhive me i çue në kullotë?
Ai ec drejt, e me krye përpjetë.
I duket vetja mbret.
Po në të vërtetë asht aq mbret sa çdo mbret tjetër.
Ai mundet me ba shka të dojë me tufën e vet shtasore, e falë, e shet, e vret.
Ndërsa kur takohet me ni çoban tjetër e sheh si një tjetër mbret, i madh o i vogël, simbas tufës që ka.
Këtu të gjithë njerëzit janë mbretën, dhe në mes vedit kanë mardhanie të barabarta si mbretën.
Vetëm këtu asht i saktë koncepti i njeriut të lirë.
Këtu janë njerëzit ma të lirë qi ka bota.
Këtu ende nuk ka ardhë feudalizmi.
Këtu secili njeri asht mbret në vedi.
At Gjon Shllaku (marrë nga “Rrno për me tregue” vëllimi l i At Zef Pellumbi faqe 62- 63).
.
Zhuj Sejdi Gecaj
Zhuj Sejdi Geca
Mbasi drejtuesit politikë dhe administrativë të zonës, sikurse edhe një pjesë e parisë e kuptuan rrezikun real që u kanosej jetës së tyre dhe familjeve të pambrojtura të krahinës, u interesuan për aleanca ndërkrahinore si dhe armatosje si e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë trysnisë së rrezikshme të operacioneve komuniste.
Ngjarja e Zeledinës ishte një prej ngjarjeve të shumta ku drejtuesit e zonës të drejtuar nga Pal Nika u orvatën të siguronin armatim dhe vetëmbrojtje.
.
Pal Nik Gecaj
Pal Nik Gecaj
Në këtë ngjarje pjesmarrja asht e katër bajrakëve (Shalë, Shosh e N-M) dhe në pararojë ishte grupimi i Currajve të Epërm me në krye kryeplakun Isuf Sadiku, njohës i mirë i rrethanave politike dhe drejtuesve të krahinave të tjera për shkak të lidhjeve të shumta krahinore.
Në mes tyre në këtë operacion kishte edhe ushtarakë të pregatitur si Hasan Lulash Mehmetaj që kishte kryer shërbimin ushtarak në Oborrin Mbretëror në Romë në vitet 1939-1942 dhe përvoja e tij qe e jashtëzakonshme në këto rrethana të vështira.
Qëllimi i tyre ka qënë thjesht sigurimi i armëve të nevojshme për mbrojtje dhe ndonjë aleancë e mundshme me fiset e tjera.
Armatimi nuk ishte thjesht çeshtje personale e drejtuesve në fjalë, pasi ata kishin armë prej dekadash, madje dhe me leje, sikurse ishte rasti i Isufit dhe Palit, por bëhej fjalë për ata që nuk kishin dhe duhej të rreshtoheshin kundër kolerës se kuqe që ishte në prag.
Në një korrespondencë të Komandës së Përgjithëshme të rojeve të kufirit në MPB (Ministria e Punëve të Brendshme), dokumentet e ashtuquejtura në Curraj i Epërm si “Ngjarja e Zeledinës” ku thuhet: 
– “Simbas njoftimeve të Nënprefekturës së Dukagjinit (janar 1944) rreth 150 persona kanë shkue për të marrë armë, por disa kanë mbetë në borë nga të ftohtit, disa janë vrarë e plagosur në përleshje me malazezët. (faqe 20).
Korrespondenca vijon se në nje dokument të marsit 1944 ku Prefektura e Shkodrës i drejtohet zyrës Politike të MPB ku thuhet se lista e të vrarëve dhe të mbetun në borë dhe të plagosur që kishin shkue me luftue kundër komunistëve në Mal të Zi.
Informacioni vjen nga Inspektori i Përgjithshëm i Kryeministrisë me funksion Prefekt i Shkodrës Javer Rushiti. (faqe 21)
Personat e vdekur në borë: –
.
Ukshin Matosh Mrishaj
Ukshin Matosh Mrishaj
1.Ujk Lulashi 50 vjeç
2.Marash Pali 23 vjeç – Lekaj
3.Nik Ndou 50 vjeç – Theth
4.Zef Çobani 35 vjeç – Theth
5.Prek Pali 35 vjeç – Curraj i Epërm Nikaj
6.Marash Malota 30 vjeç – Curraj i Epërm Nikaj
7.Dedë Leka 30 vjeç – Plan Dukagjin
8.Zef Toma 30 vjeç – Brashtë Shosh
9.Pal Gjoni 30 vjeç – Curraj i Eperm Nikaj
Të plagosun gjatë luftimeve: 
1.Ukshin Matoshi 36 vjeç – Curraj i Epërm Nikaj.
2.Dedë Zefi 35 vjeç – Curraj i Epërm Nikaj
.
Hasan Lulash Mehmetaj
Hasan Lulash Mehmetaj
Në këtë operacion të vështirë e të gjatë në dimrin e acartë të vitit 1944, nuk munguan shfaqja e vlerave më humane të njerëzve.
Kryesuesi i këtij operacioni Pal Nika nxori tufën e lekëve duke ndezur zjarrin në mes të dëborës për të shpëtuar jetën e shokëve.
Vigani Ukshin Matoshi i plagosur rëndë arriti të mbijetojë e të vijë gjallë në shpinën e kushrinit të vet Stak Pjetra e të bashkëfshatarëve të tij deri sa erdhi ke daja i tij Zef Marku i Thethit dhe jetoj me nder e burrni këtë jetë.
I shkrova këto rreshta në kujtim të këtyre burrave të mëdhenj, por dhe për amanetin e tim eti që ishte vetëm 18 vjeç kur u nis për Zeledinë dhe dikur kam shkruar për Isuf Sadikun: – 
Ai asht burri i derës dhe i nderës. Ndër për Currajt, Nikaj-Mërturin, Shalë e Shosh e Krasniqe. Për më shumë se 30 vjet kryeplak i kësaj treve. Me shumë mend e burrni. Im atë Pjetër Sokoli më ka rrëfyer një histori te jetuar. 
Ishin vitet e fundit të Luftës së Dyte Botërore, kur malsorët e Nikaj-Mërturit me krerët e zonës mes te cilëve edhe Isuf Sadiku u nisën për Zeledinë për t’u armatosë në luftë kundër kolerës bolshevike. Situata e luftës dhe motit qe tepër e vështirë. Në vendin e quajtur mullinjtë e Martinoviqit, Isuf Sadiku ju drejtua burrave të Nikaj-Mërturit, dhe ju tha: “O burra po e kthejmë Pjetër Sokolin për Shqipni se asht djalë i vetëm e nuk due me ju shkimë hisja!”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.