back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ngrihuni për projektin e ëndrrave tuaja! – nga Jozefina Çoba Topalli

Gazeta

Jozefina Coba Topalli
Jozefina Coba Topalli

Ngrihuni për projektin e ëndrrave tuaja!

nga Jozefina Çoba Topalli

Fjala e plotë e mbajtur sot në prezantimin e Lëvizjes për Ndryshim!
Jam ndjerë e emocionuar kur një grup të rinjsh më ftuan të ishim bashkë për një kauzë të fortë e patriotike.
Kisha kohë që bëja thirrje e shpresoja që dikush një ditë të niste një inisiativë e të merrte frenat e një lëvizje për ndryshim. Ku ka më mirë e më shpresëdhënëse se sa këtë lëvizje ta fillojnë brezi i ri, një brez i lindur në liri.
Unë jam e inspiruar nga projekti i tyre, nga besimi qe kam gjetur, nga fjalët e shpresa e të rinjve; unë jam e inkurajuar nga kauza si dhe nga mbështetja përmes pranisë sot këtu dhe jashtë kësaj sallë të shumë pedagogëve, mjekëve, botuesve, qytetarëve, sipërmarrësve ndaj kësaj Lëvizje.
Falenderoj edhe miqtë amerikanë këtu të pranishëm.
E ndërgjegjshme për kohën e vështirë që vendi po kalon si dhe për sakrificat e forta të shqiptarëve.
E qartë, se kemi përpara një punë të papërfunduar të nisur dekada më parë;
E vetëdijshme se kriza e vendit është shumëplanëshe: është krizë ekonomike, politike, sociale, shëndetësore, morale, përfaqesimi etj.;
E trishtuar kur shoh se si vendi boshatiset; si përjeton shkretim vlerash, ku dija fyhet ndërkohë që mediokriteti nderohet!
Por…, e vendosur për të mos qëndruar anash, për të mos heshtur, për të mos patur frikë jam sot bashkë me këta të rinj për t’i mbështetur në kauzën e tyre patriotike drejt një projekti të ri.
Që ne jemi në mes të krizës është dukshëm e kuptueshme. Vendi jonë është në zgrip.
Ekonomia jonë është tkurrur dhe është sëmurë si konseguencë e korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë në disa raste; por edhe për shkak të dështimit tonë kolektiv për të marrë vendime të forta dhe për të përgatitur vendin për një erë të re()!
Çdo ditë takohemi me paradokse.
Ndërkohë… vendet e punës po shkatërrohen si dhe bizneset po mbyllen!
Sistemi jonë shëndetsor publik vuan, ndërkohë që ai privat është shumë i shtrenjtë; Shumë shkolla vazhdojnë të mbyllen se në rrethe nuk ka më fëmijë.
Universitet përballen me probleme komplekse brenda vehtes ndërkohë që studentët kanë kushtëzime e kufizime të pamerituara.
Ne vazhdojmë të jemi një vend ku ka pensione edhe 100 euro.
Prej vitesh nuk rriten rrogat, por rriten çmimet;
Një vend ku ekonomia bie dhe borxhi rritet. Ku pabarazia dhe pasiguria janë bërë gati dëshpëruese..
Një vend që po zbrazet dhe plaket.
Këta janë disa nga indikatorët e krizës, subjekt i të dhënave dhe statistikave.
Më pak e matshme, por jo më pak e thellë është mungesa e besimit në gjithë vendin, një frikë mbytëse se vendi jonë po rrëshqet në mënyrë të paevitueshme dhe se gjenerata e ardhshme duhet të ulë pritshmëritë…
Sot i them çdonjerit se sfidat me të cilat ne përballemi janë reale.
Ata janë serioze dhe janë të shumta.
Se janë të vështira dhe nuk zgjidhen duke u fshehur.
Dhe ata nuk zgjidhen në një sistem të rreme si ky i joni, ku nuk ka as qeveri as opozitë të besueshme; ku qytetari nuk ka ku të gjejë drejtësi sepse nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të lartë; ku Gjykata administrative është afër kolapsit dhe ata të shkallës së parë kanë degraduar.
Në vendin tonë askush nuk i del për zot njeriut në vështirësi, as lirive dhe të drejtave të njeriut.
Duke ditur këtë sejcili kupton se asnjeri nuk është i sigurt dhe një ditë, diku të gjithë do takohemi me këto sfida.
Dhe nuk kemi kohë me pritë.
Jemi 6 muaj nga dita e zgjedhjeve fushata ka filluar me po ata.
Po ata të tre. Që bashkohen bukur fort për të ruajtur karriget e veta e shantazhohen për llogaritë private, ndërkohë qe interesi publik ështe larg axhendës së treshes.
Këta të tre veprojnë sikur Shqipëria është prona e tyre, ekonomia e vendit është ndërmarrja e tyre dhe shqiptarët janë rrogtarët e tyre.
Ata vendosin se kush duhet të bëjë biznes me ata, kush duhet të punojë, kush jo, ku duhet të punojë, sa duhet të marrë, kush duhet të jetojë e punojë në Shqipëri dhe kush duhet të iki!
Praktikisht vendi është pa alternativë.
Ata të tre do bëjnë çdo gjë për të mbajtur monopol politikën e vendit. Ata besojnë se pavarësisht dështimit të tyre, duke thënë gënjeshtra konstante do zhdukin të vërtetat. Por e vërteta është liria jonë.
Dhe për këtë sulmojnë, kërcënojnë, shpifin për çdo lëvizje të re që është kundra kësaj kaste të korruptuar politike.
Sulmojnë me brutalitet edhe Lëvizjen e të rinjve me shpresë që t’i dekurajojnë. Taktikë shumë e vjetër kjo.
Praktikisht fushata ka nisur, por më shumë se kundra qeverisë është kundra lëvizjes që ende nuk ka lindur. Dhe më shumë se fushatë është histeri nga paniku.
Gabojnë që sulmojnë të rinjtë dhe lëvizjen e tyre për shpresë.
Të gjesh armikun tek brezi i së ardhmes, tek mosha e ëndrrave dhe energjia pozitive tek kauza e tyre patriotike, tek projekti i shpresës të len pa fjalë.
Sa për mua, më kujtojnë vetëm kohën e vjetër, kur para se të lindja ma kishin përcaktuar se isha e deklasuar, armike, tradhëtare dhe kolaboracioniste.
Por kjo është indikator i frikës se po i rrëshqet monopoli që kanë.
Ndërkohë që 3 kryetarë nuk mund të mbajnë peng 3 milionë shqiptarë.
Këta të fundit nuk kanë pse të presin që fëmijet e tyre që ende i kanë në shpi të ikin nga shtëpia e tyre drejt emigracionit.
Ka gjithmone dy mundësi në jetë:
Të pranosh kushtet në të cilat jeton apo të marrësh përgjegjësinë për të ndryshuar.
Por mos të pretendojmë se gjërat ndryshojne nëse vazhdojmë t’i bëjmë ne të njejtën mënyrë.
Ndërkohë të rinjtë kanë privilegjin e mundësinë të sjellin ndryshimin e shpresës tek një vend pa shpresë!
Shqiptarët nuk ulin kokën përballë një situate paradoksi që i ka hequr përfaqesimin, meritokracinë, shpresën e dinjitetin.
Ata e dijnë se Jeta nuk bëhet më e mirë nga shansi (fati), por nga ndyshimi.
Ne kemi nevojë për aksion per te arritur ndryshimin.
Ne nuk kemi pse të kemi frikë për te folur me ndershmëri; për të thënë me zë të fortë e për t’u ngritur fort për kauza të drejta e projekte të reja.
Dhe nuk ka kauzë më të drejtë, më të madhe se ajo e fëmijëve tuaj dhe e vendit tënd!
Të rinj, gra, burra, pedagogë, mjekë, inxhinierë, punonjës, veterinerë, biznesmenë në gjithë vendin, ashtu si sot të pranishëm këtu, e duan vendin e tyre dhe mund të ndihmojnë për ta ndryshuar atë.
Seicili nga pak por me shumë dashuri.
Nuk ka siguri në status quonë e dëshpërimit.
Bashkë ne duhet t’i japim mundësinë e ndryshimit për të cilët vendi ka nevojë.
E shpresa të fitojë mbi dëshpërimin.
Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, një Shqipëri të Metës e një Shqipëri të Lulit.
Shqipëria është vetëm e shqiptarëve.
Dhe këta të fundit nuk mund të dorëzohen. Ata duhet ta rifitojnë atdheun e tyre.
Unë kurrë nuk e kam humbur shpresën në këta vitet e fundit. Unë jam trishtuar. Shpesh herë si shumë të tjerë kam qenë e frustruar. Por kurrë nuk kam humbur shpresën
Ne nuk duam të jemi spektatorë të një politike cinike kur bashkë kemi mundësi të bëjmë politikën e ndryshimit:
Ky vend ka nevojë për drejtësi sociale; një administratë eficiente, një qeveri të përgjegjshme, lider që japin llogari para qytetarëve të tyre, që punojnë për interesin publik;
Vendit i duhet një sistem real demokratik me qeveri të dalë nga vota e qytetarëve dhe një opozitë që nuk shitet e korruptohet për interesa të udhëheqësit.
Vendi ka nevojë për integrimin në BE! Për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me aleatët tanë strategjikë.
Sundimi i shtetit ligjor dhe lufta kundra korrupsionit është një sfidë serioze që kërkon guxim e vetmohim.
Eshtë sfida më e vështirë por dhe më e rëndësishmja, sfidë për të cilën duhet të ngrihesh e të luftosh.
Tek kjo sfidë është edhe buka e fëmijëve edhe shkolla e tyre; edhe rritja ekonomike edhe siguria për jetën.
Pa të asgjë nuk funksionon. As tregu lirë as sipërmarrja as investimet e huaja. Ata nuk ia dalin pa garancinë e pronës dhe të zbatimit të ligjit.
Njerëzit paguajnë taksa dhe shteti duhet t’i përgjigjet me një sistem shëndetësor më të shëndetshëm; me një sistem shkollor që ka nevojë për reformë të thellë e të guximshme.
Impakti i politikës në jetën e njeriut është i thellë. Por kur ajo është e korruptuar impakti është fatal.
Prandaj, për ta fituar këtë sfide ka nevojë për njerëz me integritet, të pa korruptuar me përvojë në punët e shtetit por edhe për energjinë pozitive dhe optimizmin e një brezi të edukuar e të frymëzuar për të bërë vendin.
Me një drejtim të ri të pa korruptuar politika do ishte ndryshe.
Me ndihmën e Zotit, me vullnet e durim ne do të kapërcejmë edhe këtë kohë të çuditshme!
Për të punuar pastaj më tej me ndershmëri, për një ekonomi të zhvilluar që u jep mundësi të rinjve e dinjitet pensionistëve.
E si ju (si Adela, Niketa, Evaldi, Melisa, Najada, etj) në Shqipëri ka me mijëra.
Përfytyrojeni kur të bashkohemi të gjithë bashkë.
Unë kam një ftesë dhe një premtim.
Dua të bëhem avokatja e interesave tuaja.
Mjaft me dëshpërim. Ndaj dhe ju ftoj: “Bëhuni autorë të fatit tuaj.
Mos kini frikë.
Bëni betejën për jetën tuaj.
Mos kini frikë!
Ngrihuni për projektin e ëndrrave tuaja.
Jeta juaj është ndërmarrja më e madhe e botës.
Jeta është një spetakël i pa besueshëm.
Ditën e sotme do e kujtoni gjatë.
Sot mbase nuk e kuptoni se këta të rinj këtu me inisiativën e tyre mund të kenë një jehonë të gjatë.
Hap pas hapi, pa u impresionuar nga asnjë vështirësi e krijuar rrugës nga ata që mendojnë se kanë monopol politikën dhe pasurinë e vendit, nga ata që kujtojnë se kanë në doë edhe frymën tonë, ne do ia dalim.
Mos keni frikë!
Frikë duhet të kenë vetëm ata që vjedhin! Frikë duhet të kenë ata që mbajnë peng vendin dhe partitë.
Frikë duhet të kenë ata që i kane dhënë fëmijëve tuaj rrugët e botës!
“Nuk mund të kthehemi mbrapa e të ndryshojmë fillimin, por të fillojmëku jemi e të ndryshojmë finalen.”
Ky është premtimi im.
Bashkë kemi vullnetin e përvojën, dijen për ta kthyer atë në politikë të shpresës.
Unë kam shumë për zemër një shprehje të Alberto Moravias që thotë: “A e dini çfarë bëhet kur nuk mundesh më?!
Ndryshon-!!!!!
Mendo pak! Çfarë force e madhe ndodhet brenda
jush.
Mos e fusni atë në guackë për të pritur për nesër.
Mos e shtyni më për javën e ardhshme, për muajin e ardhshëm, për vitin e ardhshëm..
Nuk dështojnë kurrë njerëzit që provojnë të ndryshojnë edhe kur nuk ia dalin, por dështojnë ata që ankohen pa provuar.
E vetmja konstante e jetës është ndryshimi!
Ndryshimi për shpresën, në një vend pa shpresë është Detyrë!
Prandaj sot jam besimtare tek ky projekt kurajoz, plot idealizëm e dashuri për vendin; plot energji dhe optimizëm për të mbyllur këtë tranzicion të vështirë.
Unë ftoj çdonjerin në këtë betejë. Nuk do jetë e lehtë, por është e drejtë t’i dalësh zot vendit.
I kam thënë miqve që njoh, e atyre që më pyesin:
Unë nuk kam as para as vende pune për të ofruar. Ju ofroj vetëm Sfidë!
Nuk kam asnjë pushtet.
Kam përvojën e nevojshme, vullnetin e palëkundur dhe besimin e patundur për të kontribuar që ky vend të bëhet. Kam frikë se nesër do të jetë vonë. Koha është tani…
Ndaj dhe ju ftoj… Eja me ne, bashkohu me ne të fillojmë betejën, të kapim sfidën, e të fitojmë për vendin, të sjellim ndryshimin e rrezen shprese për këtë brez!
.
Marre nga muri i Fb i Jozefina Coba Topalli, 28 tetor 2020
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.