back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Nikaj-Mërturi në vështrimin e disa hulumtuesve të huaj – nga Ylli Prebibaj

Gazeta

Studiuesi Ylli Perbibaj
Studiuesi Ylli Prebibaj

Nikaj-Mërturi në vështrimin e disa hulumtuesve të huaj

nga Ylli Prebibaj

Roli specifik që kanë luajtur krahinat e ndryshme në historinë e Shqipërisë,
tashmë ka filluar dora-dorës dhe po del në dritë.
Krahina e Nikaj-Mërturit është një burim identitar në lëmin etnologjik,
arkeologjik, gjuhësor, folklorik, arkitekturor e natyror,
pa trajtimin e të cilave trashëgimia kulturore kombëtare do të ishte e cunguar.
Autorët e huaj e kanë konsideruar krahinën në fjalë
si një univers kulturor me peshë të çmuar kombëtare.
Ky punim i kushtohet pikërisht atyre, pasi gjykojmë që ata janë një çelës i mirë,
për të njohur rendin shoqëror nikajmërturas në të kaluarën… ylli prebibaj
 
Argumentet e kësaj konsiderate, janë:
a)ata pasqyrojnë realitetin me aspektet pozitive dhe negative, duke qenë të huaj ata janë asnjanës.
b)evidentojnë ruajtjen e zakoneve shqiptare autentike mijëravjeçare, duke i konsideruar ato si vazhdimësi e civilizimit të hershëm shqiptar.
c)pasqyrojnë ruajtjen e identitetit kulturor dhe transmetimin e tij brez pas brezi, pa kurrfarë pranie të institucioneve shtetërore. Ndërmjet këtyre autoriteteve, do të veçojmë Baronin Nopçe, gjuhëtarin Lambertc, diplomatin Ipen, klerikun dhe studiuesin E. Kozi etj. Botimi i veprave të tyre i siguroi kësaj krahine përjetësimin e shumë veçorive kulturore, fatmirësisht të ruajtura deri në periudhën e hulumtimit prej tyre. Nëse kjo punë voluminoze nuk do të kryhej në kapërcyellin e shekujve XIX-XX-të, ndoshta ajo trashëgimi aq shumë e vlerësuar sot do të zbehej deri në shpërfytyrim.
Fabrikimi i njeriut të ri, u mbështet pikërisht mbi luftën e të ashtuquajturave “zakone prapanike”, një pjesë e mirë e të cilave janë pjesë përbërëse e këtyre hulumtimeve që iu
kanë kushtuar vite e vite punë autorëve të lartpërmendur.
 
I.- Shoqëria e Nikaj-Mërturit në kapërcyellin e shekujve XIX-XX-të.
Pas Lidhjes Shqiptare tëPrizrenit fillon periudha e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare, kjo evidentohet qartë ndër flamujt e Shqipërisë së Epërme nëpërmjet qëndresës për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë. Qëndresa e armatosur shqiptare la një përshtypje të madhe në qarqet intelektuale evropiane, sidomos në Austro-Hungari, e cila luante dhe rolin e protektorit të krahinave katolike. Në ketë periudhë zgjohet interesi i intelektualeve të kësaj perandorie, për të vizituar Shqipërinë. Misioni i tyre faktmbledhës nuk ishte një rastësi, por i shërbeu kancelarive të shteteve të tyre mbi qëndrimet e mëvonshme përkundrejt faktorit shqiptar.
Këta mysafirë me bllok shënimesh në dorë, megjithëse zbarkuan në qendrat urbane e bregdetare shqiptare, aktivitetin e tyre kryesor e faktmbledhës e zhvilluan në Malësinë e Madhe, Malësinë e Vogël dhe Dukagjin. Krahina e Nikaj-Mërturit në të gjitha rastet ishte pjesë me rendësi e axhendës së tyre. Konsideratat e para mbi Nikaj-Mërturin, kanë të bëjnë me kompaktësinë e secilit flamur (Bajrak), aq sa ndonjëherë përcaktimi jam (i Nikaj), apo jam (i Mërturas), dëshmonte për një lloj “nënshtetësie” të mbrojtur me forcë. Sipas Franc Nopçes kur ata pagëzohen mbajnë emrin e të atit, kurse kur shpërngulen në Shkodër ose ndonjë vend tjetër ku mund të ketë të tjerë me emrin e tij, mbajnë emrin e katundit prej nga ka ardhur, si shembull jepet Dom Ndoc Nikaj (Nopsca 2009, 67).
Përkatësinë si i Nikaj e paraqet edhe vetë Dom Nikaj, kur shkrun se një ndër degët e fisit të tij “…ishte prej Nikajsh, kuer të partë ja patën teprue vendit me vrasa e gjaqe, me gjith se shpi e fortë e me mashkulli shumë, tue dalë prej malit të vet pat ra në Belaj të Bregut të Bunës ku veziri u pat lshue tokë e banesa edhe mbajtë dy sish për djelm të fortë mbas vedi e kishem ndigjue prej babe e se vazhdonin me ndejt në Mazrek edhe unë nuk njifshem kurrnji sish megjithatë ndijshëm një sympathy për at vend” (Nikaj 2003, 92).
Me mendimin e Nopçes pajtohet edhe studiuesi Lambertz, sipas të cilit “Dom Ndoc Nikaj thotë se të parët e tij kanë dalë nga fisi i Nikajve të Malësisë” (Lambertz 011, 29). Mbiemrat Nikaj, Mërtur, Curri, Krasniqi, Ndreaj, Tetaj etj, të cilët hasen në disa vise të Kosovës, provojnë se ky fenomen ka vijuar disa dekada. Përdorimi i mbiemrave të tillë, dëshmon lidhjen e fortë të tyre me flamujt respektivë. Në fakt edhe antropologët e mbështesin ndikimin e fortë që ka prejardhja, kur nënvizojnë se “Gjaku jo vetëm që nuk bëhet ujë, porse është edhe një tutkall social mjaft i mirë. Kështu, tutkalli që mban së bashku familje dhe klane, ndonëse jo i gjithëfuqishëm, të paktën ka cilësinë e një fuqie ideologjike të pamohueshme” (Monaghan dhe Just 2007, 103).
Pyetja që shtrohet natyrshëm është se pse shumica e këtyre autorëve janë nënshtetas austro-hungarezë?! Kjo vjen si shkak i rolit që mori përsipër Austria për mbrojtjen e rajoneve katolike shqiptare, pas thyerjes së turqve në portat e Vjenës. Në një trajtim mbi valën e fundit të konvertimit të dhunshëm fetar në Shqipëri, “Hylli i Dritës” vlerëson se: “Krishterimi ndër shqiptarë është mbrojtur më së shumti nga Perandoria Austriake, kështu më 1689, mbreti i Polonisë, Gjon Sobiski then turqit rreth Vienës dhe i ndjek deri në viset Shqiptare, që prej atëherë Austria përkrahte krishtërimin në Shqipëri. (Hylli i Dritës, 1933, 345).
Me sa duket kjo mbrojtje perandorake ka mjaftuar, që institucionet fetare të ripërtërihen në zonat katolike. Në veprën e diplomatit Armao (1889-1976), gjejmë të dhëna periudha e të cilave përkon me këto zhvillime, siç është ngritja e një strehe të Etërve Françeskanë në (Tetaj) më 1705. Biaka bënte pjesë në famullinë françeskane të Shën Gjergjit (Dioqeza e Pultit) dhe në qarkun e Nikaj-Mërturit. Në Tetaj po ashtu ka funksionuar edhe Kisha e Shna Prendës. (S. Veneranda) Autori i cilëson Tetajt si fshatin më të rëndësishëm të rajonit në këtë periudhë (Armao 1933, 38). I njëjti autor jep të dhëna edhe mbi Kishën e Palçit që kishte ekzistuar në shekullin e XVIII-të, dhe që ishte rindërtuar më 1910, e cila i dedikohej Zojës së Pastrimit (Armao,1933, 87).
Me interes është rinovimi i saj, bash në vitin e ekspeditës së famëkeqit Turgut Pasha. Ndërkohë në Salcë, e cila kishte një popullësi prej 260 banorësh katolikë, Kisha e tyre mbante emrin e Shën Marisë (Armao, 1933, 99).
Me mbrojtjen e institucioneve katolike dhe me përkrahjen e të dërguarve të saj në këto vise, Austria siguroi informacione profesionale të shkruara, të cilat ishin burime të domosdoshme për caktimin e kursit politik të saj, për të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë kuadër, konsulli austriak në Shkodër Th. Ippen, (1861-1935) na sjell informacione gjeografike dhe etno-kultuorore për Nikaj-Mërturin. Ai përshkruan në relacionin e tij “Luginën e Nikaj-Mërturit”. Përkthyesi i tij në gjuhën shqipe Dr. Ardian Klosi, vëren se hulumtimet më të rëndësishme të tij mbeten ato rreth gjeografisë, etnografisë e sidomos ajo e vendeve të panjohura sikurse janë malësitë e sipërme gjë që dëshmohet nga hartat (Ippen 2002, 6). Raporti merr një karakter zyrtar, pasi ka për autor një nëpunës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë. Përpos Luginës së Nikaj-Mërturit ai përmend edhe Currajt “Tzuraj” (AQSH. F. 78, D.3, 46), Boshin, Pikun, etj (AQSH. F. 78, D.3, 87).
Ky dorëshkrim gjermanisht gjendet në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Interesimi i tij për zonën kishte impakt, pasi në këtë kohë ndërtohet edhe Kisha e Currajve të Epër në Nikaj. Autorët e mësipërm i pason Baroni Franc Nopçe, (1877-1933), i cili ra në kontakt me malësorët e veriut qysh në 1903, kur ishte në Shkodër, kurse më 1905, udhëtoi në veri. Ndër studimet e tij ja vlen të përmendim “Die Bergstamme Nordalbaniens und Ihr Gewohnheitsrecht”, “Geographie und Geologie Nordalbanians”, “Albanian, Trachten, Bauten und Gerate Nordalbaniens”, “Aus Shala Und Klementi”, “Das Katholische Nordalbanien”. Prej tyre kemi të botuar në shqip “Udhëtime në Ballkan”, “Shqipëria Katolike e Veriut”, “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe: me disa veçanti nga krahinat e Zadrimës dhe nga Shkodra” dhe “Jeta e fshatarëve shqiptarë në grykën e Rekës së Epërme, Dibra e Madhe (Maqedoni): vepër historike-kulturore” (http://www.bksh.al/katalogu/library).
Ndërkohë që vepra e tij ka ende shumë punë, për t’u botuar e plotë. Ndoshta me botimin e plotësuar dhe pa ndërhyrje e shkurtime të saj, do të dalë edhe më në pah kontributi i tij. Ky autor është vlerësuar që në dekadat e para kur qarkulloi vepra e tij, Shtadmyler vlerëson se “Gjurmimet sistematike të veriut, sidomos t’alpeve Shqiptare veriore e të trollit malcuar të Drinit, janë puna e pareshtur e geologut hungarez Franz Nopsca-s, i cili ka botuem shumë vepra mbi këtë çashtje” (Stadtmuller 1942, 14). Ai jetoi gjatë në Dukagjin, ku kreu hulumtime me rëndësi. Në vëmendjen e kanë qenë edhe flamujt e Nikaj-Mërturit, ku pas një këqyrje sipërfaqësore zbuloi një sopatë iliro-dalmate në Curraj. Njëkohësisht analizat e tij për pemët gjenealogjike janë një tjetër prurje me interes, siç është rasti i asaj të Nikajve (Voell 2004, 165).
.

Pema e Fiseve ne Nikaj

Revista prestigjioze “Smithsonian” nënvizon se baroni ishte fluent në dialektet e shqipes dhe krijoi marrëdhënie miqësore me krerët e fiseve. Ai ishte i mahnitur nga sensi i tyre i nderit (www.smithsonianmag.com).
Maksimilian Lambertz, (1882-1963) është një tjetër autoritet që i ka kushtuar aktivitetin e tij studimor Shqipërisë. Lambertc e vizitoi Nikaj-Mërturin gjatë Luftës së Parë Botërore. Misioni i tij maj-gusht 1916, ishte për llogari të Komisionit Ballkanik të Akademisë Austriake të Shkencave. Ai përshkroi Palçin e Kotecin dhe ndaloi në Rajë, të cilën e përshkruan si lokalitetin e fundit të Mërturit.
Në Rajë shkruan ky autor, u njoha me Beqir Nduen dhe Kol Markun. Raja ndodhet në kufi me Mërturin, aty ku Valbona derdhet në Dri dhe ku takohet Krasniqja, Gashi dhe Thaçi. Ai nënvizon se dialekti i Rajës ka një pozitë qendrore në mes të dialekteve të Gjakovës dhe rretheve të veriut, të malësisë perëndimore të Shqipërisë së veriut, Shasit, Berishës, deri në Mirditë në Jug dhe të Prizrenit dhe qarqeve të tjera në Lindje (Lambertz 2011, 30).
Profesor Anton Berisha veçon studimin prej tij të epikës gojore dhe të këngëve të kreshnikeve, ku 20 syresh i përktheu në gjuhën gjermane. Sipas këtij autori, përkushtimi i Lambertzit për epikën gojore shqiptare, lidhet me botën e lashtë tematiko-motivore, qeniet e shumta mitike, dinamikën e aksionit, mesazhin poetik e kuptimësinë. Berisha nënvizon se edhe sot burrat e Malësisë së Shqipërisë i këndojnë këto këngë,si në kohët më të lashta, me instrumentin e tyre nacional, lahutën. Këngë të tilla këndohen me lahutë dhe janë shumë të përhapura, përfshi Currajt dhe Nikaj (Berisha 1987, 38).
Lashtësinë e tyre e argumenton me elementet mistike si orët dhe zanat, gjarpërinjtë shërues, kafshët e egra, ku qëndron forca e kreshnikëve. Kjo krijimtari shqiptare, në kontekstin kohor e historik i përket periudhës paraturke, pra asaj ilirike ose shqiptare. Kohë kur sllavët zbresin në Danub rreth viteve ‘700-‘800 dhe fillon ballafaqimi luftarak shqiptaro-sllav. Studiuesi Zymer Neziri është një tjetër kontribues me peshë në studimin e Lambertzit, madje mund të themi se ai i është reshë shkencërisht studimit të tij. Në kuadër të projektit “Dorëshkrimet shqip të folklorit të Maksimilian Lambertzit” ai ka konsultuar imtësisht. 60 dosje të fondit të tij në Vjenë, ku përfshihet një dokumentacion i pasur me folkloristikë, mitologji, etnologji, gjuhësi, letërsi, histori (Neziri 2008, 43-44).
Neziri na sjell të dhëna të reja mbi dorëshkrimet e Lambertizit, me interes ndërdisiplinor për lahutën, karadyzenin, Mujin, Halilin, Konstantinin, Garentinën, Shaqir Grishën, për mbledhësit e folklorit shqiptar dhe analiza për epikën legjendare e historike, etj. Ditari i tij po ashtu konsiderohet i dobishëm, pasi përshkruan qëndrimet e Austrisë kundrejt Shqipërisë, të dhënave për Eposin e Kreshnikëve, për lahutarët këndues të këngëve të Ciklit të Mujit e të Halilit, si dhe për lahutën si instrument i lashtë i grupit të veglave kordofone me një tel.
Studimi mbi eposin heroik dhe përrallën shqiptare në vitet ’20 të shekullit të kaluar, konsiderohen prej tij si kryevepra të M. Lamberzit (Neziri 2008, 55-56).
Mitologjia është një tjetër tematikë e trajtuar në veprën e Lambertzit, “Të dhënat e mbledhura për Zanën, Orën, Dragoin, Kuçedrën, Të Bukurën e Dheut, Hyrinë e Detit, Floçkën, Dedalinë, Katallanin, Divin, Kjoftlargun, Shtrigën, Lugatin dhe për qeniet e tjera mitike ndër shqiptarë janë me vlera të rralla dhe me peshë për demonologjinë. Pas vdekjes së tij, më 1970 u botua në Shtutgart fjalorthi i mitologjisë së shqiptarëve, në kuadër të “Fjalorit të mitologjisë” të H. W. Hausingut. Fjalorthin, që ka 57 faqe, dorëshkrim, e përgatiti për shtyp Klaus Hening Schreder” (Neziri 2008, 57).
Këngët kreshnike janë një dukuri që ndeshen shumë te autorët e huaj, Fulvio Kordinjano, (1887-1952) u ka kushtuar një libër të botuar në Itali më 1943. Këngët e kreshnikëve janë të veçanta sipas këtij autori, sidomos ajo e Gjergj Elez Alisë dhe Muji e Behuri të cilat janë të një bukurie të pakrahasueshme. Ky koleksionrapsodish është mbledhur nga rapsodë në Curraj (Cordignano 1943, 13).
 
II. -Disa norma të së drejtës në Nikaj-Mërtur
Vetëqeverisja ishte një sfidë më vete, si e tillë asaj i duhej një sistem rregullash, të cilat i mundësonin funksionimin krahinave që e kishin këtë status. Elemente të së drejtës të hasura në Nikaj-Mërtur kanë qenë në fokus të hulumtimeve. Në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi emërues i përbashkët i propagandës ballkanike për shqiptarët, ishte “njerëz të pazot për të qeverisur”. Mirëpo një konsideratë e tillë filloi të përmbysej pikërisht nga hulumtues si Nopçe, Kozi, Lambertzi, Valentini e ndonjë tjetër.
Xhuzepe Valentini, (1900-1979), shkruan se një prift që vizitoi Nikajt më 1898, konstaton se “në Nikaj bajraktarit si kryetar fisi i drejtoheshin për të gjitha çështjet, edhe ai ua zgjidh me autoritetin e tij të padiskutueshëm ngatërresat që kanë shoq me shoq” (Valentini 2007, 319).
Një ndër mekanizmat kryesorë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve brenda flamurit, ishte (Besa). Nisma të tilla ishin domosdoshmëri në periudhat e tensioneve dhe hakmarrjeve masive. Përshkrimin e një konflikti masiv e gjejmë në veprën e Nopçes, sipas të cilit, kapërcimi i kufirit midis Shalës dhe Nikajt gjatë udhëtimit të tij të parë, ishte thjesht i pamundur. Besa kishte skaduar dhe çdo shaljan në Nikaj, dhe çdo i Nikaj në Shalë vlente si hasëm që duhej shtirë për dhe. “Udha e Besës” e cila mbronte udhëtarin vijon ai, ishte pezulluar dhe rrugën ai mundi ta përshkojë në përcjelljen e priftit nga Shala, kurse për kthimin kishte shfrytëzuar shoqërinë e dasmorëve nga Shala meqenëse këtyre të fundit, Nikajt u kishin dhëne një besë të jashtëzakonshme, (dhjetor 1905) (Nopsca 2009, 30).
Një lexues i ngutshëm nuk do e kuptonte dot këtë episod. Mirëpo kjo masë provon se njëri nga fiset në mos të dy, kanë kryer ndonjë vepër të rendë, e cila sikurse shprehen autorët modernë “e kishte kaluar vijën e kuqe”. Duke analizuar një situatë të tillë, del në pah se të dy flamujt, i paskan rregulluar marrëdhëniet ndërmjet tyre nëpërmjet instrumentit (marrëveshjes) së Besës.
Dasmorët kësodore sigurojnë një leje të veçantë, dëshmi kjo e një statusi specifik që ka institucioni i dasmës, pasi siç do ta shohim edhe në vijim martesa konsiderohet një e drejtë natyrore. Besa e udhëtarit le mbresa tek Nopçe, në një artikull në gjuhën shqipe të botuar në Vjenë më 1920, shkruhet, “Po përmend prej këtyre në të drejtën e asyl–it mbrojtjen qi i ipet bashkudhëtuesit ose bashkëpunëtorit (besa e mikut, besa e çobanëve etj)-një institut që takohet vetëm në Shqipnië” (Dialëria 1920, 6). Fatmirësisht Nopça ndryshe prej autoreve të tjerë, i mëshon faktit se norma të tilla, janë origjinale shqiptare.
Edhe Dom Ernesto Cozzi, (1870-1926) pohon se të dy këta flamuj, kishin kontradikta të shpeshta, por sa i takon rrugës së përbashkët ka besë “…qyshse len dielli deri në perëndim për mbrojtje të shtegtareve; e në qoftë se ndonjëri sulmohet ose vritet në atë rrugë, gjaksi bie në nji gjobë 20 qesesh…” (Cozzi 2017, 71-72).
Mirëpo nëse ndërmjet flamujve vetëqeverisës kishte një mekanizëm komunikimi, për të cilin mjaftonte vullneti i palëve, me pushtuesin e huaj ishte tepër i rrallë. Kjo për shkak të pabesive të shpeshta të autoriteteve turke të Gjakovës, Pejës apo Shkodrës ndaj malësorëve të Nikajve, Mërturit e Dukagjinit. Theksojmë se në kohë të ndryshme megjithëse malësorët ishin ftuar për bisedime, ata ishin likuiduar fizikisht. Një ndër ngjarjet më të përgjakshme dhe të pabesa nga ana e funksionareve turq, ishte eliminimi i Flamurtarit të Nikajve dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët pasi u ftuan për bisedime në Shkodër u eliminuan. Pushteti i huaj nuk kishte ndikim në zonë, madje nëse në krye të çdo fisi, qëndronte një bylykbash muhamedan (mysliman) që e kishte rezidencën në Shkodër të vetmit që se kishin ishin Nikaj dhe Mërturi (Nopsca 2009, 84).
Përpjekjet e sundimtarëve për një prani më të fortë në ketë zonë nuk kanë munguar, sikurse është dhe ky episod, ”Kur një guvernator turk, kërkoi nga Nikajt të cilët bënin pjesë në kompetencat e tij t‘i dorëzonin armët, ata u përgjigjën pozitivisht, por me kusht që ai të kërkonte të njëjtën gjë nga Shala që i takonte Vilajetit të Shkodrës. Kjo përgjigje na e kujton fjalë për fjalë retorikën në disa konferenca të mëdha ndërkombëtare, mirëpo njeriu mund të ndjehet i qetë që përgjegjësi i Nikajve i cili e bëri këtë kërkesë, kurrë s’do të linte të ndikohej nga një diplomat evropian; megjithëse efekti i përgjigjes së tij ishte i njëjtë, sepse çarmatosja e Nikajve u desh që të shtyhej për më vonë” (Nopsca 2009,31).
Drejtësia duhej domosdoshmërish të vendosej, pavarësisht se palëve në konflikt mund t’i qëllonte të takoheshin me njëri-tjetrin, në ceremoni të ndryshme. Mirëpo ajo duhej të përmbushej sipas normave dhe precedentëve të krijuar, pra sipas një standardi të vendosur. Nopçja nënvizon se në nëntor 1905, “në Curraj kam parë, një marrës haku duke pirë kafe në shtëpinë e viktimës së tij të ardhshme dhe i zoti i shtëpisë ishte aq dashamirës, sikur mes tij dhe kundërshtarit, të moskishte ndodhur kurrë asgjë. Edhe pse ekzistonte gjakmarrja mes tyre ai e ndali atë, madje edhe të darkonte” (Nopsca 2009, 27).
Normat që rregullojnë statusin e femrës, zënë një vend të posaçëm. Dom Kozi është autor i studimit “Grueja Shqiptare me nji shikim të posaçëm kah e drejta zakonore e Maleve të Shkodrës”. Ai ishte një personalitet kishtar, intelektual dhe diplomat i shquar. Ai ishte delegati apostolik i emëruar nga Papa Benedikti i XV-të pranë qeverisë Shqiptare, me caktimin e tij Vatikani ishte shteti i parë që njohu zyrtarisht shtetin shqiptar (Prebibaj 2015, 165).
Në vlerësimin e tij “varzat malësore nuk e kanë të përbashkët fatin e varzave të shkreta të qytetit të dënueme me kenë të ndryshme midis katër mureve të shtëpisë, ku kalojnë pranverën e jetës tue u rritë si bimë të sëmuta, pa diell, pa ajr, por përkundrazi këto malsore të vogla gëzojnë liri të plotë, ecin me ftyrë të zbulueme, jetojnë jetën e katundit, thithin ajrin e pastër të maleve e rriten të shëndosha e të forta. Atyne edhe kur tashma janë rritë, në moshën e martesës, u janë krejt të panjoftuna mirësjellja e stërhollueme e ojnat kaq të zakonshme te simotrat e tyre të prendimit, por në krejt sjelljen e qëndrimin e tyre diftojnë menden e grues, që e shtjellojnë në punët e ndryshme shtëpiake. Ajo, që doket e zakonet e këtyre fiseve ua ndalojnë, asht liria e zgjedhjes në martesë, së cilës u duhet me iu përshtatë si nji fataliteti” (Cozzi 2017,104-105).
Dëshmi e një shoqërie ku institucioni i familjes është i një rëndësie të posaçme, i cili duhet rregulluar në kohë, është edhe kjo konsideratë që “…në fiset e Shalës, Shoshit, Nikajt e Mërturit nuk durohet aspak e për kurrfarë arsyeje që varzat të mbesin të pamartueme, mbasi kjo u duket nji punë kundër natyrës, e prandej përpiqen që varzat e tyne të martohen në moshë të re” (Cozzi 2017, 112). Konsiderimi i martesës si një e drejtë natyrore, përpos se gjendet në shkrimet më të lashta, konstatohet edhe në simbolet e ripërtëritjes të përdorura në zonë, rrathëve koncentrikë të jetës, diellit, gjetheve, etj.
Ndërkohë gruaja shtatzëne, ka një status edhe më të veçantë, “Atij që, me qëllim ose paqëllim, i ndodh me vra një grue shtatzëne, bje me dy gjaqe; dhe në ujdi ka me iu dashtë me pague një çmim për gruen e nji për barrën” (Cozzi 2017, 172).
 
III.- Trashëgimia kulturore dhe natyrore në dekadat e para të shekullit XX-të
Trashëgimia kulturore në Nikaj-Mërtur, plotëson mozaikun e kulturës kombëtare, nëpërmjet eposit të kreshnikëve, toponimisë, arkitekturës së kullave, gjamës së burrave, veçorive dialektore, etj. Krahina nuk u dorëzua ndaj situatave të kobshme ekonomike që kishte kaluar, por vijoi të ruante mrekullisht ndër breza këto referenca identitare.
Konsideratat që ndeshim shpesh se zona të caktuara në viset shqiptare u detyruan t’i nënshtroheshin kulturalisht sunduesve të huaj, ndoshta duhen rivlerësuar për aq kohë sa “visaret kombëtare” i kemi të mirëruajtura në krahina të tjera po shqiptare, siç është krahina e Nikaj-Mërturit.
Kufiri i sajuar më 1913, krijoi pengesa për zhvillimin e shtetit të ri shqiptar, shkaktoi uri dhe vdekje. Gjakova ishte treg për banorët e fiseve të Nikajve, Mërturit, Gashit, Krasniqes, Tropojës dhe Pukës, të cilët kur përpiqeshin të kalonin në anën tjetër të kufirit, rriheshin ose qëlloheshin. E vetmja alternativë për ta mbeti rrugëtimi katërditor për në Shkodër (Swire 2005, 134).
Nga pikëpamja kulturore kjo situatë, ishte një pengesë shumë serioze për sigurimin e mjeteve të domosdoshme të punës për mbajtjen gjallë të traditës kulturore. Në librin “Golgota Shqiptare” autori shkruan rreth një episodi kriminal të ushtrisë serbe, ku ndaj 70 katolikëve nga Nikajt që po shkonin në pazar, u krye një masakër e përgjakshme (Freundlich 2010, 31).
Këta malësore pavarësisht mjerimit ekonomik që ishte i dukshëm, e mbajtën të gjallë identitetin kulturor. Rapsodët nikaj-mërturas vijuan lëvrimin e eposit dhe këngëve shekullore nëpërmjet lahutës, teli i së cilës për arsyet që përmendem më lart, nuk ishte industrial, por fije e një bishti kali. Kështu “Lahuta ndër malcina ku përdoret (Malcia e Madhe, Dukagjini, Nikajt e Mërtur, e megjë me Jugosllavinë asht e vetmja e dashtun vegël muzikore me të cilën zemra e popullit i shprehë ndjesitë e veta ma të xetat e ma të thellat” (Hylli i Dritës 1931, 550).
Mbi rëndësinë që ka një trashëgimi e tillë kulturore, F. Cordignanos, nënvizon se “Kush e ka rujt, rodin, zakonet, gojdhanat, shkurt gjithçka asht vizar shpirtuer i kombit” (Hylli i Dritës 1931, 551). Protokolli i mikpritjes nuk i ka shpëtuar vëzhgimit të Nopçes, i cili e përshkruan kështu “qëndrimi i mëtejshëm disa ditësh në Curraj të Epër i përket periudhave më të këndshme të udhëtimit tim nëpër Shqipëri”. Më tej ai vëren se “banorët e Currajt (Nikaj)në vitin 1908, krahas atyre të Mërturit, u përkisnin njerëzve më të mirë që kam hasur në Shqipëri” (Nopsca 2009, 207-208).
Ndërkohë pas shpalljes së Republikës Shqiptare më 1925, konstatojmë rishtazi një interesim për zonën, por tashmë në fushën e njohjes me veçoritë natyrore. Në objektiv ishte tashmë evidentimi i resurseve turistike, hapësirës gjeografike dhe itinerareve që lidhin zonat me njëra-tjetrën.
Disa ekspedita studimore u ndërmorën nga qarqe profesionale austriake dhe italiane. Studimi hartografik i përgatitur nga Instituti Gjeografik Mbretëror Italian më 1930, i përket një prej punimeve më të mira në lëmin hartografik si për shkak të përmbajtjes por edhe si produkt shkencor i një prej instituteve më të mirënjohura ndërkombëtare. Harta me emërtesë “Curraj Epër”, na sjell të dhëna gjuhësore, topografike dhe gjeografike, për Currajt dhe rajonet kufitare. Kjo është një hartë profesionale e përgatitur mbi kritere qartazi shkencore, ajo i përket vitit 1930 dhe ruhet në fondin e hartave në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë (Insituti Gjeografik Mbretëror Italian i Firencës; 1930).
.
Hartë: Curraj Epër 1930
Hartë: Curraj Epër 1930
Në vitin 1930, Gazeta “Vullneti i Popullit” shkruan mbi eksplorimin e maleve në veri të Shqipërisë nga ana e katër alpinistëve austriake. Udhëtimi i tyre ishte nën patronazhin e Seksionit Akademik të Insbrukut. Alpinistët kryen ngjitje në Majën e Ndërmajës, Malin e Thatë, Lugun e Ndërmajës, Qafën e Pejës, Shtegun e Dhenve etj. Shoqëria alpine që ndërmori këtë mision në Shqipërinë e Veriut, ishte një institucion i mirënjohur për kohën në të cilën ishin aktivizuar alpinistët e Gjermanisë dhe Austrisë, ajo ishte themeluar më 1774, dhe kishte 200.000 ndjekës (Vullneti i Popullit 1930, 1).
Gjashtë vjet më vonë Hylli i Dritës pasqyron një ekspeditë të disa autoriteteve austriake. Në shkrimin “Nji udhëtim në Alpet e Shqipërisë së Veriut”, jepen të dhëna rreth kësaj ekspedite në përbërjen e së cilës ishin Dr. Fritz Lemperg, Fehring Steirmark, zonjusha Maria Kainz dhe Severin Kainz. Ata mbërritën në Shkodër më 13 korrik 1936, ku u pritën me nderime shtetërore dhe vijuan rrugëtimin të shoqëruar nga mësuesi Rrok Zojzi.
Rruga e ndjekur prej tyre ishte Selimaj, Lugu i Valbonës, Maja e Hekurave, Qafa e Droçës, Qereqi, Curraj Epër, Qafa e Ndërmanjës, Shala, Thethi etj. Në fund të rrugëtimit Dr. Lemperg ishte shprehur “…po pse ju shqiptarët nuk bani reklamë për këto farë bukurish që keni” (Hylli i Dritës 1937, 177). Turistët shton ai janë mërzitë veç me udhëtime në Zvicër, nga ana tjetër Shqipërinë e cilëson një vend të bukur. Ai sugjeronte përmirësimin e shtigjeve e ndërtimin e kasolleve alpine.Itineraret më të përshtatshme, për t’u vizituar konsiderohen:
-Shkodër-Bogë-Xhaj-Pult-Theth
-Theth-Curraj-Selimaj-Rrogam
-Tropojë-Selimaj-Curraj-Theth-
-Theth-Qafë e Pejës-Lepushë.
Sipas tyre do ishte me vend ndërtimi i një qendre botanike e cila të përfshijë hapësirën Theth-Selimaj-Maja e Hekurave-Curraj-Kakija e Nikajve (Hylli i Dritës 1937, 179)
 
IV-Përfundime
Në këtë punim trajtuam kontributin e disa hulumtuesve të huaj, sa i takon krahinës së Nikaj-Mërturit, rendit shoqëror, traditave, veçorive kulturore dhe natyrore. Hulumtimet dhe botimet e tyre, përbëjnë një fond të dobishëm për pasqyrimin e së kaluarës shqiptare ndër shekuj. Në këto kushte përkthimi dhe botimi i tyre i plotë, duke respektuar besnikërisht punimet autentike, do e pasuronte më tej fondin shqiptar albanologjik. Gjykojmë se një nismë serioze në ketë drejtim, duhet të përfshihet në axhendën e institucioneve akademike në Shqipëri dhe në Kosovë. Ndërmjet hulumtuesve të huaj gjykojmë që veprat e Nopçes dhe Lambertzit zënë një vend kryesor, për shkak të formimit të tyre akademik dhe hulumtimeve të gjata që kanë kryer. Konsiderata jonë mbështetet edhe nga interesimi i instituteve shkencore apo shtëpive botuese të mirënjohura ndërkombëtarisht, për botimin e veprave të tyre. Rëndësia e hulumtuesve të huaj, qëndron në trajtimin e gjithanshëm të fenomeneve shoqërore të asaj kohe, duke trajtuar si aspektet pozitive dhe ato negative. Shmangia
e problematikave në trajtimet shkencore, me përjashtim të atyre që autorët i provojnë si shtrembërime, janë pa bazë shkencore. Këta autorë kanë krijuar një fond të papërsëritshëm studimesh si për krahinën e Nikaj-Mërturit por edhe për albanologjinë shqiptare, pa të cilin nuk do të mundeshim sot të kishim të shkruar shumicën e tematikave që secili syresh ka trajtuar. Në këto kushte ata zënë vend të posaçëm në literaturën e përjetshme shqiptare.
.

Bibliografia –

Burimet Arkivore
-AQSH F. 78.
-Fondi arkivor i Biblotekës Kombëtare.
.
Organet e Shtypit
-Burimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, prej Dr. Franz Baron Nopcsa, përktheu F. Asllani, në Dialëria, Nr. 4 Wien 1920.
-G. Stadtmuller, Historija e Shqipëtare, Nr. 1-2, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër 1942.
-Hylli i Dritës, Nr. 7-8, Shtpshkronja Françeskane, Shkodër 1933.
-Hylli i Dritës, Nr. 4, Shkodër 1937.
-F. Cordignano, Kryevepra e A. Gjergjit në zhvillim të historis shqyptare, në Hylli i Dritës, Nr. 10, Shkodër 1931.
-Vullneti i Popullit, Interesimi i turistave gjermane për bukuritë e maleve shqiptare, Tiranë 1930.
.
Botimet historiografike
-Anton Berisha, Maximilian Lambertzi për Epikën Gojore Shqiptare, në Gjurmime Albanologjike, Nr. 16, Insituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1987.
-Dom Ernesto Cozzi, Studime Etnologjike të Shqipërisë S’epërme, Botimet Fishta, Lezhë 2017.
-Ermanno Armao, Località, chiese, fiumi, monti e toponimi varii di un’ antica carta dell’Albania Settentrionale, Istituto per L’ Europa Orientale Roma, 1933.
-Franz Baron Nopsca, Shqipëria Katolike e Veriut, Faik Konica, Prishtinë 2009.
-Giuseppe Valentini, Ligji i maleve shqiptare: nga relacionet e Misionit Shëtitës të Jezuit në Shqipëri: 1880-1932, Plejad, Tiranë 2007.
-Joseph Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, Dituria, Tiranë 2005.
-John Monaghan, Peter Just, Antropologjia Social-Kulturore, Ideart, Tiranë 2007.
-Leo Freundlich, Golgota e Shqipnisë aktakuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar, Prishtinë 2010.
-Maximilian Lambertz, Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916, Botimet Franceskane, Shkodër 2011.
-Ndoc Nikaj, Kujtime të nji jetës së kalueme, Plejad, Tiranë 2003.
-P. Fulvio Cordignano S. J, La Poesia Epica Di Confine Nell’Albania Del Nord, I Parte, Studio Critico-Letterario, Tipograia Liberia Emiliana Editrice,Venezia 1943.
-Stéphane Voell, Das nordalbanische Gewohnheistsrecht, Curupira, Germany 2004.
-Theodor Ippen, Shqipëria e Vjetër, Parathanje nga Dr. Ardian Klosi, Maluka, Tiranë 2002.
-Ylli Prebibaj, Diplomacia shqiptare e viteve 1920-1925, në fokusin e shtypit të kohës, në Revistën Shkencore Ndërkombëtare Diskutime, Nr. 14, Tetovë 2015.
-Zymer Ujkan Neziri, Studime për Folklorin II
-Epika Gojore dhe Etnokultura, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2008.
.
Harta
-Hartë “Curraj Epër”, Riliev i bamun më 1930, Insituti Gjeografik Mbretëror Italian i Firencës, (shih fondi i hartave në Biblotekën Kombëtare Tiranë).
-Ueb-http://www.bksh.al/katalogu/library/wwwopac/wwwroot/beginner/index_al.html;
-www.smithsonianmag.com
.

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.