back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nikollë Daka, një idhull inkurajimi – nga Gjeto Voci

Gazeta

Nikoll Daka
Nikoll Daka

Nikollë Daka, një idhull inkurajimi

nga Gjeto Voci

Kur lexon librin e Gjeto Vocit “Takim fatal me diktatorin” edhe ai që ka udhëtuar për vite e vite nëpër labirinthet e diktaturës, kupton se gjithë çmenduritë e botës, nganjiherë mblidhen te një njeri i vetëm, dhe gjithë mekanizmi i një mendje djallëzore dhe perverse, punon me kapacitet të plotë nën shembullin e tij…
Libri është pjesë e një puzzlle të kurajshëm të atyre njerzve që nuk patën asnjë dëshirë prej heroi në veten e tyre, përkundrazi pranuan t’i shërbejnë vendit të tyre me gjithë përkushtimin, dhe me shpresën se ky vend ka vlera, po ka edhe vlera të rralla dhe meriton në fat me të mirë. Gjeto Voci e fillon rininë e tij si mësues në skajet ma të humbuna të maleve shqiptare dhe atje gjen nji djalë të nji dhuntie të rrallë, të cilin përpiqet t’ia nxjerrë në dritë krejt vlerat e tij… E gjitha kjo me kalimin e kohës bëhet tragjedia katastofa e jetës së tij…
Nga ky libër ne kemi shkëputë pjesën që autori i ka kushtuar profesor Nikollë Dakës dhe vlerave të tij, në kushtet e dy burgimeve të tij, mbasi për veprën do të shkruajmë njëherë tjetër…
Jozef Radi, qershor 2018
.
 
Gjeto Voci në Burgun e Spaçit
Gjeto Voci në Burgun e Spaçit

Vendimin se si do të paraqitesha në hetuesi dhe në gjyq, profilin që do të mbaja përpara akuzave, tashmë e kisha marrë aty në vetmi të plotë, në atë qeli të errët dhe të ftohtë: Në çfarëdo rrethane, nuk do të pranoja asgjë. Natyrisht, ai vendim në një farë mënyre, shprehte edhe dobësinë time, por më parë e mata shumë vehten, dhe më figuroi se nuk peshoja aq sa të bëja heroin, për të shfaqur haptas pikëpamjet e mia antikomuniste, siç ka bërë prof. Nikollë Daka dhe ndonjë tjetër si ai.

Profesor Nikolla Daka, ky erudit, antikomunist i deklaraur, njohës i thellë i latinishtes dhe i greqishtes së vjetër, përkthyes i talentuar dhe gjuhëtar, njeri për t’u adimruar, që në kushte të rënda të paimagjinueshme, kish patur kurajon për të mbrojtur haptas pikëpamjet e tij, të cilat i ruajti me dinjitet dhe nuk i fshehu gjersa mbylli sytë përgjithmonë, ndonëse e kaloi jetën nga burgu në burg.
Nuk më hiqet nga mendja një thënie e tij: “Ç’ti bëj familjes, se sa për mua, nuk do u mërzitesha arrestimeve, pasi nuk është gjë tjetër veçse kalimi nga një burg i madh shtet, siç jemi ne të gjithë të rrethuar në tela, të izoluar nga bota, në një burg më të vogël, me popullsi të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria”.
Ishte privilegj të rrije duke e dëgjuar Nikoll Dakën, atë njeri të mirë, të qetë, fisnik, të urtë, gojëmbël dhe të këndshëm, që të vinte t’ia regjistroje të gjitha mendimet dhe fjalët e urta që i dilnin nga goja.
Nga e gjithë qenia e tij rrezatohej vetëm mirësi dhe humanizëm; ai nuk e njihte urrejtjen. Prof. Nikollës, në një farë mënyre, i vinte keq edhe për njerëzit që e kishin torturuar, duke i justifikuar se edhe ata vetë ishin disi viktima të regjimit të Enver Hoxhës, i cili shfrytëzoi me mjeshtri, por poshtërsisht, njerëzit e dobët, pa personalitet, servilë, karrieristë, xhahilë dhe injorantë, të cilit i lidhi fort për fyti me kafshatën e gojës. Ai njeri, pra, që nuk kish zemër të mbyste një insekt, mori nga ai sistem krahas ndëshkimeve, edhe epitete poshtëruese: armik i popullit, kriminel i betuar, borgjez i mykur etj. dhe nuk u lejua kurrë të jepte kontributin e tij në fushën e dijes dhe të kulturës, ku ai shkëlqente. Nuk u lejua asnjëherë të botonte, por me zemërgjërësinë e tij, ua dha të tjerëve pa shpërblim. Në burgun e parë e mbajtën dhunshëm si kryepërkthyes të atyre librave që ai nuk i honepste, ndërsa përkthimet e apasionuara të kryeveprave botërore dhe punimet shkencore në fushën e gjuhësisë, ia grisnin policët gjatë kontrolleve rutinë, si gjëra të palejueshme që sillnin frymën e huaj borgjeze. Ai nuk e pa rrëzimin e Murit të Berlinit, të cilin e ëndërroi aq gjatë. Shumë vite para se të vdiste më kishte lexuar një epitaf të shkruar prej tij me aq art, të cilin do ua linte amanet fëmijëve t’ia vinin tek varri. Nuk kisha lexuar kurrë shprehje të tilla filozofike aq të koncentruara, ku në katër rreshta të përmblidhej një jetë e tërë e dhunuar. Ai epitaf ishte ndërtuar me aq finesë dhe art, me shprehje e fjalë dykuptimore, që siç thoshte Nikolla: “Kukudhët komunistë nuk do ja nxjerrin kuptimin dhe s’do ma heqin”.
.
Nikoll Dakaj e Pashko Çoba (Tiranë 1942 - B. Çoba)
Nikoll Dakaj e Pashko Çoba (Tiranë 1942 – B. Çoba)

.

Sa herë kam shkuar tek varri ku prehet Nikoll Daka, për të vënë aty një lule, me shumë dhimbje e them se atë epitaf të artë nuk e pashë kurrë!
Në arrestimin e dytë, për koincidencë, Nikolla ka patur hetues një ish-nxënësin e tij. Gjatë seancave hetimore, ai nga respekti për ish-mësuesin e vet, e thërriste Nikollën profesor. Dhe ky i fundit e kish korigjuar disa herë që ai ta thërriste ndryshe, siç ishte rregulli, se mund të merrte veten në qafë po ta dëgjonte njeri tjetër aty.
Nikolla e kish siguruar hetuesin se do e kishte të lehtë hetuesinë, duke i thënë se ai nuk i fshihte pikëpamjet e veta. Pyetja më e parë kish qenë: “Profesor, a je dakord me diktaturën e proletariatit?” dhe ai qetë-qetë i ishte përgjigjur: “Një dorë që më godet, nuk mund ta puthi. Të lutem shkruaje pikë për pikë në proces-verbal”.
Këtë frymë ka patur hetuesia dhe gjyqi i tij, në të gjitha dënimet që mori nga diktatura.
Në një moment pauze (kur ishin vetëm për vetëm), hetuesi i ishte drejtuar me këto fjalë: “Ashtu si të njoh unë personalisht, profesor, po ta kisha plotësisht në dorë, kurrë nuk do t’ju fusja në burg, por ligjet e këtij shteti ju konsiderojnë shumë të rrezikshëm dhe nuk mund t’ju lënë të lirë. Ekziston një opinion i tillë për ju që edhe pa folur, vetëm duke kaluar nepër pjacë, ashtu qetë-qetë para Kafes së Madhe, ju njihet si agjitacion e propagandë. Këtë e them sepse të gjithë ju njohin si njeri të ditur e fisnik dhe gëzon tek të tjerët simpati të veçantë, ndonëse po të e dijnë mirë se ju jeni i deklaruar kundër sistemit të sotëm, pra, dashje pa dashje, duke kaluar andej pari, i bën njerëzit të flasin mirë për një njeri që ata e dijnë se është kundër regjimit. Ja pse një kalimi juaj nepër pjacë llogaritet si agjitacion e propagandë”.
Nxënësi hetues, duke njohur thellësisht karakterin e skalitur të prof. Nikoll Dakës, me një mirëbesim jo të zakonshëm, i kish treguar atij se nga kush i kishte denoncimet e vërteta. E porositi që ato emra të mos i zinte kurrë në gojë, ndërsa dëshmitarë për gjyqin i tha se do të kishte disa të tjerë që kishin punuar me të në furrat e fabrikës së tullave, dhe ata s’kish pse i kundërshtonte, se nuk ia vlente.
Si jo pak të tjerë, edhe njëri nga të tre denoncuesit e vërtetë të Nikollës, mbas përmbysjes së komunizmit, filloi të tundë flamurin e të persekutuarit nga familja dhe arriti gjer në administratën ministrore!
 
Marr nga libri “Takim fatal me diktatorin” nga Gjet(o) Vocaj
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.