Nikollë Merrnaçaj në jetën time…
nga Jozef Radi
Nikollë Mërnaçin e kam njoftë si nji burrë të urtë, të shtruar dhe të mençëm. Nji malsor tipik kelmendas edhe pse mustaqet e shtëllungëta, e shfaqnin si personazh i dalë nga epika e alpeve shqiptare, që nga nji anë e banin me u dukë mjaft serioz e hijerandë, e nga ana tjetër nëse flisje me të e futeshe në bisedë, e ndjeje menjiherë se ai ishte jo vetëm nji burrë i sjellshëm e hokatar, po kishte nji buzqeshje të pastër, nji za të ngrohtë e nji humor të kandshëm e të bante për vedi… Mjaft të rrije pak kohë me Nikollën o t’ishe ndonji i njoftun i tij, dhe për atë njeri do të ruaje gjithnji nji respekt të veçantë…
.
E kam njoftë Nikoll Mërrnaçajn herët, aty kah fillimi i viteve gjashtëdhjetë, kur unë isha ende nji fëmijë, i sapoardhur në kampin e Savrës… Nikolla ishte nji burrë i fortë e i ngjeshun, jo fort i gjatë, me pamjen e nji malsori, të heshtun e të matun që vërtet kishte humbë shumçka në jetë, po asnjiherë krenarinë edhe pse në vuajtje e në halle të veta ishte njeri i paepun.
Në kujtesën time ma të hershme Nikolla asht i ngulitun me atë konstruktin e nji burri solid si shkamb, me at hapin e ngadaltë dhe të shtruem, me ata sytë plot dritë, e mirësi, me atë duhanin herë më llulë e herë me të dredhun, që nisej mëngjeseve herët me kosën mbi shpinë e korrte gjithë ditën e lume fushave me jonxhë, tërfil e sorgum. Nji punë tejet e lodhshme, por që ai e përballonte me mjaft energji dhe dinjitet.
Komuniteti i malësorëve në kampin e Savrës asokohe ishte diku te 10 – 12 familjet. Ku krahas Fran Tinajt, Palokë Grishës, Rrok Kantit, Mark Malajt, Ndue e Lulash Gjergjit, Lekë Vuksanit e mjaft të tjerëve, ishte edhe familja e Nikollë Merrnaçajt nga Selca e Kelmendit. Meqë nana ime ishte nga fisi i Vushmaqëve të Vermoshit, dhe kushërinë e Dranes, gruas së Nikollës, njohja me familjen e Merrnaçajve ishte edhe ma e afërt pse kishim kështu edhe lidhje kushërinie.
***
Nikolla i kishte kapërcyer të 60-at, kur e arrestuan për herë të dytë… Diella, vajza e madhe e Nikollës, kishte kohë që ishte martue dhe ditën e arrestimit në vitin 1979, në shtëpi ishin Maria, vajza e dytë që s’ishte ma shumë se 17 vjeçe, Marku, djali i vetëm i Nikollës, i cili ishte ende në tetëvjeçare… dhe Drandja e shkretë që vuante nga shëndeti. Vite ma parë me Diellën e mitun, e kishin pritë Nikollën kur doli nga burgu i parë, kurse atë natë që e kishin arrestue Nikollën, kishte mbetë me dy fëmijët ende të vegjël. Shpesh ajo ishte e sëmunë dhe vuente shumë prej zemrës po edhe me probleme të tjera. Ai arrestim i dytë, qe për të dhe krejt familjen Mernaçaj drama ma e madhe e tyne, të cilët prej ma se 20 vitesh jetonin në kampin e internimit Savrës…
Si njeri i shtëpisë, atë natë, mbasi e kishin “marrë” Nikollën dhe i kishin ba kontrollin duke përmbysë gjithçka… shkova me ju dhanë gajret… Në shtëpi të Nikollës kishte ra zia e vdekjes… Drandja, si gjithnji e veshun në të zeza, ishte edhe ma e zezë atë natë, jo vetëm prej lotëve të dhimbjes dhe fatit të zi të atij njeriu që kishte pa gjithë jetën vetëm punën e vet, po edhe në atë moshë, i lodhun jete, duhej të pësonte burgje mbas burgjesh pa i pasë as hak e as hile kërkujt në botë… Krejt ajo çka kish ndodhë, ishte jehona e shtetësisë amerikane të nënës së tij Mrikë Merrnaçaj, e cila në moshën 110 vjeçare kishte vu në lëvizje mirënjoftjeje krejt shtetin amerikan, për kërkesën e shtetësisë, po njiherit e kishte çoroditë edhe krejt diktaturën shqiptare, që në hakmarrje të përbindshme ndaj vëllezërve të Nikollës që jetonin në Amerikë, Marashit e Pjetrit, kishte nisë raprezaljen ndaj atij që kishte mbetë në Shqipëri. I pari që duhej të pësonte, dhe të përplasej birucave dhe burgjeve ishte ai ma i urti ndër të mençun, ma i pafjali ndër të heshtunit, ma dinjitozi ndër malësorët Nikollë Mernaçi…
Drandja atë natë kishte pësue nji tjetër krizë në zemër, dhe Maria e shkretë s’dinte kë të qante ma parë: Babën në burg, nanën e nxime që kishte zanë shtratin, apo Markun e vogël, që ishte ba sa nji grusht, e s’po dinte ku me u futë prej së keqes së asaj nate në familjen e Mernaçajve…
Ka momente në jetën e nji familjeje, ku befas e keqja vjen nga të gjitha anët dhe ti s’di si me u mbrojtë prej saj, po tmerri i vërtetë asht kur dy prindët e tu, në punë e në halle e mëdha të jetës, e shofin vedin padrejtësisht njeni në burg dhe tjetri në shtrat i kërcënuem prej vdekjes… dhe për pasojë krejt pesha e asaj familje ra mbi shpatullat e njoma të dy fëmijve kërthinj ende të parritun…
Atë natë ishim me gjithë nanën time midis atyne tri krijesave të pambrojtuna… dhe ndjeva jo vetëm frymën kriminale të shtetit po edhe atë histerizmin e atyne mjeranëve që besonin se, duke goditë njerëz të pafajshëm, do të mund të sundonin gjatë… Sigurisht në ditët që pasuen jeta do të merrte at ritmin e saj, po unë nuk do të mund ta harroj kurrë at natë kur “e morën” Nikollë Merrnaçajn, “agjentin e amerikanëve, që komunikonte me radiotrasmetuese me vëllezërit anmiq, duke vendosë kapuçin mbrojtës të bletëve” që ishte nji nder pasionet e Nikollës ma të dashtuna t’atij burri epik: bletërritja dhe shartimet…
.
***
Zakonisht malsorët e kampit të interrnimit, pjesa katolike e tyre në vitet ‘60, mblidheshin në ditë të kremte fetare e në veçanti në Ditën e Pashkëve, që zakonisht qëllonte ditë e djele e ditë pranvere, kur natyra vetë me shtrojet, ngjyrat dhe tempullin e dritës së saj e bante pak ma të lehtë atmosferën me festue… Ende sulmi ateist mbi kishat dhe fenë nuk e kishte zhdukë gjithçka ndër besimtarë, dhe në raste të tilla, me nji tavolinë të improvizueme midis fushe, në natyrë, në prani të dom Nikollë Mazrekut, ose dom Mikel Koliqit celebrohej mesha e Pashkëve… diku te centrali elektrik, e ku mblidheshin rreth 60-70 vetë me e ndjekë atë meshë të shenjtë. Ishte diçka e rrallë, sepse nuk kishte as altar, as shërbime, ama kishte edhe banorë myslimanë të kampit që me kënaqësi merrnin pjesë në atë meshë. I vogël e kurreshtar isha ulë diku afër Nikollë Mernaçit, dhe gjithë kohës ndiqja fytyrën epikë të atij malësori, të cilit në fund të meshës, vërejta se i ra nji pikë loti në mustaqe… Kurrë s’e kam kuptue, pse ai njeri aq epik dhe aq i fortë, mundi me e lëshue atë pikë loti aty në meshë. Kam besue gjithnji se mund të ishte lot gëzimi, o ndoshta edhe lot trishtimi, pse ai ishte krejt i vetëm aty midis fushës së madhe të Myzeqesë…
***
Në fund të vitit 1962 e ne fillim të vitit 1963, në harkun e gjashtë muajve, tri familjeve që kishim mjaft të shkueme e të lidhuna mes nesh, kishin lindë tre fëmijë… Diku nga dhjetori i ‘62 kishte lindë e para Drandja, Marien, nga fundi i korrikut, kishe lindë mama ime Luçin, dhe diku aty nga shtatori, Kostandina e Fran Tinës, kishte lindë Margaritën…
Nji grue e vejë nga Malësia e Malit të Zi, e quejtun Vidna (mbiemni smë kujtohet), si solidaritet malsorësh, u kishte shkue me peshqesh të tria grave lehona… Isha atë natë te baraka e Franit, ku ishin tri gratë po edhe Frani me Nikollën. Vidna mbasi bani dhuratën e fundit për vajzën e lindun, iu drejtua grave: Boll bre se më lodhët! Çdo tre muej më duhet me mendue nji peshqesh për ju që lindni… ajo e shprehu në serbisht e unë s’e mora vesh po e qeshura e të gjithëve qe nji batutë e bukur e asaj gruaje, kuptimi i së cilës ishte afërsisht; “Ju e bëni qejfin e unë budallja duhet me jua pague!”
Kurrë s’kam me e harrue të qeshunën e pafajme të xha Nikollës. Ndërsa dy gratë e tjerët e respektuen vullnetin e Vidnës e nuk banë ma fëmijë, Nikolla me Dranen, nuk kishin se si… sepse kishte vetëm dy vajza… Tri vite ma vonë atyne do t’u vinte Marku, djali i vetëm, njeriu që me aq dinjitet dhe mirësi e vazhdoi atë që ati vet nuk mundi, sepse të nesërmen e ditës që doli nga burgu vdiq…
Marre nga libri “Forca e Kelmendit” – Zef Naçaj, faqe 203-208