back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

N’izolim – Prill 2020 – nga Desantila Qerimaj

Gazeta

Desantila Qerimaj
Desantila Qerimaj

N’izolim – Prill 2020

nga Desantila Qerimaj

Asnji humbje që m’rrjedh në vena, s’e kam hjedhë tej, po i kam dhanë gjí si nana që njomë krijesën e vet butësisht. E kam pa si lundron n’ajrì e vite, i jam mbështetë në supe si nji pushteti të mbrendshëm, me kujdes, me përpikmëní e ndjeshmëní. Kam thye me të, kangë n’vedi, që bukurinë e çlirojnë prej harmonive ma t’pamujtuna. Dhemb, shpirti kur vuen, s’mundet me dallue gjana që s’kanë lumtuninë e dhimbjes në palcë a dhimbjen e lumtunisë. E pra, ndjeje si edhe pezmi, malli… t’ka krijue, t’ka mbajtë e gjallnue, ndoshta n’përjetime t’nji kodrine ku baba t’ka çue të vogël e tash të mungon aq fort. Ndjeje si hana që kërthí ke pritë m’e pá si gjaja ma e kandshme e má, asht bash fminia e atij shikimi që ke dashtë me ia dhurue asaj hane, pa u mendue, i lirë, pa vetvedì, asnji kusht e marre. Ç’naltësí! Kam pa në sy çdo zog e gjeth, re e fushë… e kam mendue se asgjá s’mundet m’e mbytë qetësinë teme t’dashnisë për natyrën, derisa erdhe ti…
Ndoshta kjo quhet andërr. Nji tingull i lehtë, i kadaltë që shkrihet si ti, të përqeth. Plánet i kam ba në tana gjuhët e botës, se te ditunia që s’kam e kam shpirtin, e s’kam muejtë me pushue tue ndje si edhe vdekja e stinëve ka orkestrue mbramjet vetmitare ma t’mira t’kujtimeve. Me përjetue, me përjetue, shpinë e tetë që kam në shtetin e katërt që jam, në qytetin e gjashtë ku kam jetue, thjesht me përjetue, në kët’ kafaz t’lirisë ku mungojnë veç rrugë, trena, delir detyrash e hipokritë. I them vedit se këtu, n’kët’ natë që ikë prej meje si vrull tinzár, dëshirat kanë emnin e nadjeve që kam harrue, çdo fjalë tanden që kam harrue, poezi t’parandsishme që s’i kam shkrue, diell t’marrun që s’e kam mirëpritë, se dielli asht flaka që m’ka lindë, m’ka rritë, m’ka përforcue… në grue të detit. Se jam uji që kam notue, uji që kam pí, uji që kam pushtue, dheu që kam hangër me dhambë të ndrydhun, rana që kam shkundë prej trupit, djersa që m’ka kullue me ty. Jam grueja që zgjanon kët mbyllje… kohën e nënjetueme, lirinë e mbivlersueme, me vitrina, lëkundje t’nji bote plastike, buzë që qeshin sepse duhet, fjalë që thuhen pse kuptohen. Kët heshtje të re t’botës, e kam kërkue, se un kam kja për tinguj të qetë, për rutinë të kotë, për çudi të gjanave që zhduken pa u kuptue, pa u kujtue, pa të vrá se je i huej.
.
Izabel dhe Mama ne shetitje... mbas Coronavirusit
Izabel dhe Mama ne shetitje… mbas Coronavirusit
“Ma mbaj dorën e mërzisë teme”, i lutem mureve t’përditshme. Thjesht un’ dij me ju dashtë si n’nji përgatitje të pafund të jetës së padijtun, ndalem e pushoj mes jush me dashni të vërtetë, për çka kam dashtë, për sa brenga kam shkrue, për sa lumtuni t’rrejshme, e prekja s’më ka rrejtë asnjiherë; ndjenja as vuejtja rrejtë s’më ka asnjiherë. Në çdo vend që kam shkue s’parit, kam pyet vedin n’se kam kenë aty ma parë. Kaq fort e due kët jetën teme t’vogël, kto udhtimet e mia t’vogla, malet ku kam kuptue pse jam njerì, vendet ku kam shá e kjá, të poshtër, të pabesë, rrencakë e matrapaza, vendet ku kam thurë andrra e shpresa, ku kam thye kryet me m’njoftë, me m’pranue e me m’pëlqye…
Nuk kam shpërdorue! Çka m’asht dhanë e çka kam marrë. E kam dashtë dhe due gjithçka. Un’ s’e kam shpërdorue dashninë, kam dashtë gjana të pajeta, gjana të zjarrta, apati, pritesë, dalldisje e ekstaze, të mirë e të këqinj, kam kcye me lirinë botës, kcej me të prej tre javësh mrenda mureve të mia… me gjak, me boshllëk, me marrí e frymë, mrendë kësaj shpie t’huej, s’i përkas. Jam e tokës, e qiellit! S’kam shpërdorue asgja! As dashni as vuejtje! Edhe kur m’asht dukë se shtrëngatë e tërbueme ka thirrë zemrën teme, me vetëtima e shi, i kam bá vend, i kam dhanë gropat e trishtimit për pellgjet e saj, e bashkë kena pritë rreze t’pakjarta.
 
Ia kam borxh qiellit dashninë për sytë…
 
Kena me e përballue frikën e t’pa-ardhmes tue u dashtë me sy! Zemër! Tue pá bashkë jetën, rritjen e gjanave që s’kuptojmë kur gjithçka përreth shkërmoqet.
D.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.