back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një bisedë me Rajmond Sejkon – nga Dine Dine

Gazeta

Burgu i Spaçit - Foto me pranga
Burgu i Spaçit – Foto me pranga

Një bisedë me Rajmond Sejkon

nga Dine Dine

Me djalin e Teme Sejkos më qëllonte të takohesha shpesh. Sa herë që e shihja, edhe nga larg më shihte me një lloj buzëqeshje të tillë që më dukej gjithmonë se fshihte dhimbjen që ndjente përbrenda. Sepse s’ishte e lehtë, që brenda një kohe tejet të shkurtë të humbasësh babanë, nënën, vëllanë. Sa herë qëlloja vetëm, e ftoja për kafe, mbasi ai ishte i vetmi ngushëllim brenda mureve të burgut. Kishte ndonjë që edhe më bënte vërejtje, pse shoqërohesha me një “revizionist” mbasi: “Ata na e prunë komunizmin… dhe tani po hanë kokat e njëri tjetrit. Mirë t’iu bëhet, s’na vjen aspak keq!”
Nuk pajtohesha me kësi opinionesh pasi s’mund ta fajësoja Mondin apo cilindo tjetër qoftë ai, pse baballarët e tyre si shumë të tjerë u përfshinë në lëvizjen komuniste qysh në moshë të njomë.
Ashtu si komunistët që erdhën në pushtet, nuk duhet të na fajësonin e të na dënonin ne, pse baballarët tanë i përkisnin një ideali tjetër dhe jo atij komunist.
E thënë në përgjithësi; të gjithë ne pa përjashtim ishim viktima të atij regjimi gjakatar që e provoi se për hir të pushtetit, nuk pati aspak mëshirë edhe për më besnikët e tij. Shumë prej tyre që i kisha njohur personalisht e të tjerë ishin djem të mirë e pa paragjykime.
.
Rajmond Sejko duke folur për "Zërin e Amerikës"
Rajmond Sejko duke folur për “Zërin e Amerikës”
Spartak Ngjela në gjyqin e dytë, kur e ridënuan, të gjithë thonin se kishte mbajtur qëndrim burrëror për t’u admiruar. Pra, ata s’ishin aspak fajtorë pse etërit e tyre përqafuan ideologjinë komuniste. Kjo ishte edhe arsyeja që njerëzit e ndershëm në burg edhe Mondin e konsideronin një shok të mirë, me të cilin mund të flisje pa pasur frikë se fjala mund të shkonte në vesh të komandës. Më kujtohet si tani ishte një ditë e ftohtë tetori, me diell. Po shëtisja në sheshin poshtë, i zhytur në mendimet e mia, mbasi ende s’më ishte shuar jehona e dhimbshme e ikjes së papritur të nënës sime nga kjo botë dhe mendimi se ç’bëhej me Adrianën e Ervisin e vogël, më rrinte mbi kokë si një shpatë, kur dikush nga mbas më fut krahun. Me veglat e kafesë në njerën dorë dhe me buzëqeshjen e tij karakteristike, në çast ma davariti mjegullën që vërtitej në kokën time, si një erë e fortë që i shtyn retë e zeza…
Për çudi pas shumë e shumë vitesh, në Amerikë, një ditë marr një telefonatë nga Mondi ku më ftonte për një kafe. Kishin kaluar shumë kohë, dhe ia kisha harruar edhe zërin. U ulëm jashtë, në Time Square në Ave 4 m’u të 6-të e 47 rrugëve, në ca karrike që majori Bllumberg i kish përshtatur për turistët.
Mbasi u çmallëm një copë herë të mirë, siç thuhet ku dhëmb dhëmbi vete gjuha, filluam të qajmë hallet tona. Mondi e nisi i pari.
“Rrënjët e familjes i kemi nga Çamëria nga qyteti i Filatit. Kur u krijua Filati ishin 6 vëllezër që stabilizuan 6 lagje. Dy nga ato mbajnë emrat Sejko dhe Demi. Gjyshi im Mehmet Sejko lindi në Filat më 1879. Mbaroi gjimnazin Zosimea dhe jetoi në Filat. Mbas Kongresit të Manastirit kur u unifikuan shkronjat shqipe, krijoi klubin kulturor “Çamëria” dhe hapi shkollën e parë shqipe në shtëpinë e tij duke sakrifikuar shumë. Kur filloi lufta Ballkanike dhe Turqia ra, Greqia zaptoi tokat e jugut të Shqipërisë. Ata i konfiskuan një pjesë të madhe të tokave të gjyshit dhe ia bënë të pamundur jetën në Filat.
Më 1920, transferohet, pas shumë peripecish, në Konispol. Të vetmen pasuri që mori që andej ishin librat, dobësia e tij më e madhe.
Në vitin 1924, shkoi në Filat të merrte një sasi librash që i kishin mbetur atje. E arrestuan sapo arriti dhe e futën në bueg. Dikush vuri në dijeni Mit’hat Frashërin, atëherë ambasador në Greqi. Ai protestoi fuqimisht e pas tre ditësh e liruan me kusht që të mos kthehej më në Filat. Fëmijët i shkolloi të gjithë. Babai im, pasi, që kur ishte shumë i ri u lidh me lëvizjen komuniste e vazhdoi gjimnazin në qytete tjera si Gjirokastër, Shkodër, Korçë, Tiranë. Më 1941, babai në moshë të njomë ishte aktiv me lëvizjen guerrilase ilegale. Më 1942, u krijua çeta Çamëria me Rexho Plakun që atëhere ishte i pasur. Në fakt në krye i parë ishte Haki Rushiti, mbasi kish mbaruar Akademinë ushtarake dhe posedonte shumë toka në atë pjesë të Çamërisë që i kish mbetur Shqipërisë. Patën kundërshtime kur u vendos komisar Mustafa Matohiti. Tentuan disa herë ta vrasin dhe ai më 1944, u arratis në Greqi e më pas në Amerikë.
Pra, Rexho Plaku që inisiatori i krijimit të çetës “Çamëria” në 1942 dhe qe martuar me hallën time Merushen.
Që t’i biem shkurt, në 1946 e arrestojnë dhe e dënojnë me 10 vjet për agjitacion e propagandë. Pasi mbaroi dënimin në vitin 1959, tentoi të arratisej. E kapën dhe e dënuan 25 vjet. Sapo mbaroi dënimin jetoi 2-3 muaj e vdiq në spital, shkoi tek i biri.
.
Sokol Sejko i biri i Teme Sejkos, pushkatuar 23 vjeç
Sokol Sejko i biri i Teme Sejkos, pushkatuar 23 vjeç
Sa për babanë tim ai u inkuadrua në çetën Çamëria e më pas në brigadën e parë. Nga që ishte shumë aktiv, në moshën 22 vjeçare u gradua major. Më vonë dihet kundraadmiral. Kur e arrestuan e ngatërruan edhe me vëllezërit.
Duke lexuar për dëshmitarët, tek libri i Kastriot Dervishit, ti mbase i di mirë, edhe tani më rrënqethet mishi kur kujtoj torturat ndaj tij; se si, Nevzad Haznedari e Rexhep Kolli më duket pasi i kanë vënë një litar rreth qafës, njëri e tërhiqte më një anë tjetri në anën tjetër derisa dha shpirt. Nuk u mjaftuan me aq; thuhet se pasi e kanë rrasur në varr i kanë thyer edhe kafkën e kokës me një stap thane.
Sa për akuzat dihen “agjentë të të gjitha shteteve imperialiste revizioniste e sidomos të Rusëve, sepse shumica e tyre kish mbaruar atje”.
Sokolit vëllait tim, 2 vite më i ri se unë i gjetën edhe atij një shkak; “Tentoi të digjte Kombinatin e Tekstileve Stalin?!” Ç’të them hollësitë t’i kam treguar në Spaç. E dënuan me pushkatim! E përfytyron dot! Nëna ime u inkuadrua me lëvizjen komuniste që në moshën 14 vjeç. Janë të panumurta rastet që e kishin kapur duke shkruar trakte. Edhe fustanin, më tregonte gjyshja, e kishte tërë vrima plumbash. Ishte gati të jepte edhe shpirtin për ide(h)alet komuniste. Kjo ishte ironia e fatit; ironia e një fundi tragjik e një drame me të cilën duhej të ballafaqohej por që s’e përballoi dot. Kish filluar të shkruante trakte kundër komunizmit. Siç kam marrë vesh më vonë, kishte përshkruar me hollësi të gjitha akuzat e pabaza e fallco që iu bënë babait e vëllait. Unë s’dija asgjë për to, sepse nëna punonte në fshehtësi të plotë duke ndjerë rrezikun që më kanosej mua. Një ditë nëna shkoi në Fier dhe mua më porositi që nëse pyesin thuaj që ka shkuar në Tiranë të marrë ilaçet. Atë natë kur u err më thirrën në Degën e Punëve të Brendëshme sepse kërkonin mamanë. Më urdhëruan që të shkoj e ta marr që atë natë. Pa iu treguar atyre u nisa për në Fier tek e shoqja e Shaqir Demit. Aty mora vesh që mamaja shkonte vazhdimisht në bibliotekë. Duket kish gjetur ndonjë strehë të sigurt për të shkruar. Unë nuk e gjeta atje. Të nesërmen kur u nisa për në Berat rrugës mora vesh se nëna kish vrarë veten. Përsëri nuk e besoja. Kur kaloja nëpër ato rrugicat e ngushta mes pallateve pata një ndjenjë tmerri, mbasi më dukeshi të pafundme, si tunele të errëta. Kur po afrohesha pashë turma kuriozësh dhe policinë që bënte hetime. Nëna kishte veshur pantallonat e mia dhe ishte hedhur nga kati i katërt. Unë përfundova në Degë. Sapo arrita në 7.30 të mëngjesit më bënë një proces-verbal arrestimi. Ndër shumë gjëra të tjera më akuzonin se kisha shtyrë nënën time të vriste veten e kisha deklaruar se vëllanë e kishin dënuar pa bërë asnjë faj. Ndërkohë vinin korrierë me plot fletore ndër duar, njëri pas tjetrit që të më akuzonin se unë isha nxitësi kryesor i atyre shkrimeve. Në 4.30 të darkës pasi nuk pranova asgjë më liruan.
Kur më arrestuan më mbajtën një kohë të gjatë pa më pyetur.
Merreshin me përpunimin e dosjes sime. Siç ishte e zakonëshme në gjyqet e asaj kohe, edhe mua më bënë akuza nga më qesharaket dhe insistonin që t’i pranoja me kusht që mos të më vrisnin, por të më dënonin me 25 vite burg. Një dëshmitari i kisha thënë se si është e mundur që në Tokio në 1 sekondë kalojnë 20 trena, ndërsa ne kemi vetëm 1 tren.
Kisha edhe një akuzë nga Kiço Treska…
.
Fletoret e Shpresa Sejkos, te shkruara para vetvrasjes...
Fletoret e Shpresa Sejkos, te shkruara para vetvrasjes…
Këta dy dëshmitarë m’i prunë në ballafaqim. Dëshmitë e të tjerëve as që ia vlen të përmenden. Gjyqi m’u bë më 27 Maj në të njëjtën ditë që iu bë edhe babait. Pasi mohova gjithçka u dënova me tetë vite burg. Siç e di edhe ti, punova në minierën e tmerrshme të Spaçit deri më 19 Tetor 1982, ditën që u lirova.
Më kishte mbetur vetëm gjyshi dhe gjyshja, të vetmit njerëz, që, edhe pse të sëmurë e dukeshin si të palosur më dysh vinin të çmalleshin në Spaç. Një herë gjyshi theu gongallën sapo iu afruan burgut pasi shoferi frenoi papritmas. Ai nuk lëvizte dot, por atë ditë bëri të pamundurën erdhi më pa duke mos lënë përshtypjen se po vdiste nga dhimbjet. Unë e mora vesh vonë që gjyshja e kish çuar urgjent në spital gjysëm të mbaruar.
S’mund të lë pa përmendur edhe dy hetuesit e mi Bujar Himçi e Muhamet Ujka që më nxorrën ujët e zi për fletoret e nënës. Bujari pas hetuesisë sime u gradua menjëherë. Po kështu kishtë bërë edhe hetuesi i vëllait, Sokolit, Ali Xhunga.
O Zot i madh, një fytyrë e shëmtuar, i poshtër e kriminel i lindur! Dhe të mendosh se ishte edhe shkodran, për të cilët kam një vlerësim të veçantë.
Më në fund, erdhi edhe çasti i lirimit.
E veçanta e kësaj ditë ishte se për çudi pas shumë peripecishë në minierë kisha shpëtuar gjallë. Por kishte edhe një të veçantë tjetër. Sigurisht për keq. Duhej të më jepnin ca lekë që i kisha fituar me punë në minierë. Ishin aq pak sa s’më hynin në sy fare, por s’mund t’iu thosha. Arka e kampit kish mbetur bosh. Prisnin që paratë të vinin nga Repsi, kështu që duhej të prisja. Mendimi i parë që më vërshoi në tru ishte se do të më ridënonin. Përfytyroja gjyshin e gjyshen që mezi prisnin të më shihnin me sy. Megjithatë në çdo rast Zoti të jep kurajo. Bash kur e kisha mbledhur mëndjen se çka për t’u bërë do të bëhet, më thërrasin aty nga ora 12.00, më japin paratë e më nxjerrin jashtë.
S’më besohej! Për hir të së vërtetës,
duhet të them se ato çaste kisha harruar edhe babanë edhe nënën e vëllanë. Por hijet e sigurimit s’më ndaheshin. Më bëhej se më ndiqnin a do të më arrestonin përsëri. S’më besohej kur i hipa një makine të Spaçit, pasi shoferi kishte frikë të më merrte me rrobat e burgut e më sugjeroi ta prisja diku larg. Kur erdhi pas një ore zbriti nga makina e vështronte me një farë frike sa para, prapa, djathtas, majtas…
Ishin kohë të vështira o Dine! Hijet e sigurimit dukej sikur e ndiqnin edhe atë vetë. Më zbriti në Milot. Vrapova për tek treni, por kishte ikur.
Tek prisja për ndonjë makinë të rastit, duke parë kostumin e pisët bojëkafe të burgut të gjithë më pyesnin dhe unë u tregoja të vërtetën. Sapo erdhi një shofer shkodran më hypi në makinë pa më pyetur. E gjithë karroceria ish mbushur me pasagjerë shkodranë. Ata, si askush e njihnin mirë atë rrobë. Filluan të më pyesnin për të gjithë të burgosurit shkodranë të Spaçit me emra. Unë iu dhashë spjegime të hollësishme për secilin mbasi i njihnja mirë. Në një çast m’u duk sikur e gjithë Shkodra kishte përfunduar në burg. Ata u treguan aq dashamirës, sa për kohën që udhëtuam s’e ndjeva rrugën fare.
Shoferi na ndaloi tek Zogu i Zi. Jo vetëm nuk pranoi të më merrte para, por më ofroi një shuk me para e mi futi në xhep. Unë vrapova e ia hodha në kabinë. Të tjerët pa përjashtim bënë një rrëmujë të paparë. Secili, me forcë, përpiqej të ngecte diçka në xhepa. Bëra çmos dhe së fundi ia dola. Kalimtarët që ishin të shumtë e s’lëviznin, mbase kujtuan se kanë kapur ndonjë hajdut xhepash, sepse e atillë qe skena.
Duke parë atë kostum të pisët e të dalëbojë, që s’ishte i denjë as për një lypës, me të drejtë mendonin se duhej të kisha bërë ndonjë mbrapshti që më ishin turrur me aq agresivitet. Sidoqoftë atmosfera u kthjellua kur u largova si me ngut pasi nuk pranova asnjë qindarkë. Ika duke i falenderuar e përshëndetur me dorë derisa m’u zhdukën nga sytë. Edhe ata bënë të njëjtën gjë duke më uruar shëndet e mbarësi. Të them të drejtën, kur i humba nga sytë u përlota. I jam lutur Zotit gjithmonë që të më japë mundësi e t’i takoj ndonjëherë ata njerëz e t’ua shpreh mirënjohnjen time, për atë xhest aq prekës.
Kur u largova vura re se njëri prej tyre m’i kishte ngecur nja 150 lekë që s’i kisha vënë re fare.
Mbasi s’po më mbanin as këmbët. Kisha kohë pa ngrënë, ndaj u drejtova tek një kushërira ime, e bija e Rexho Plakut. Trokita disa herë, por s’ma hapën derën. Pa e zgjatur vendosa të shkoj te një kushërirë e mamasë, që edhe ajo e kishte djalin në Spaç. Qeshë me fat pasi e gjeta derën të hapur sepse nusja ish turni i dytë. Mund të habitesh… po të të them se ata aq shumë u tronditën nga prania ime sa s’patën guxim të më pyesnin për asgjë!!
Edhe unë mbeta i pagojë! S’dija ç’të bëja. Të ikja, po ku të veja në mes të natës?! Qeshë me fat pasi sapo erdhi nusja nga turni i dytë më pyeti për të shoqin që e kishte në Spaç e më vuri të fle me të birin. Për të ngrënë as që e zunë në gojë.
Të nesërmen pa u përshëndetur me njeri u ngrita herët sepse treni nisej në orën 6.00. Kisha mjaft uri, por s’e mbaja mendjen aty. Po të tregoj edhe një episod të vogël. Sapo zura vend në tren, përballë meje një djalë ezmer. Më pyeti nga vija e unë i tregova të drejtën. Atë çast, pa më thënë asgjë m’u lut t’ia ruaja çantën për një minut. Kur u kthye solli 3 byrekë për mua e 2 për vete. Bëra sikur e refuzova, por ai nguli këmbë. Po s’të pëlqyen – më tha – i hedhim. Unë i bleva për të dy. Në fakt, tek nuhasja aromën e byrekëve të nxehtë, qe një tundim i madh.
Kur ke uri, të shijon gjithçka. Atë ditë kam ngrënë më me oreks se kurrë ndonjëherë.
U furnizova për tërë ditën. Ajo që më bëri më shumë përshtypje qe se ay djalë s’më provokoi për asgjë. Kur u ndamë, pasi e falenderova pafundësisht, tek prisja në Lushnje ndonjë makinë për Berat, u bëra pishman që s’i mora ndonjë të dhënë që, po të më jepej rasti e ta takoja e t’i shprehja mirënjohjen time edhe një herë. Kur arrita, gjyshit dhe gjyshes nuk u besohej.
Jetonim brenda në kala, në një dhomë tre me dy, aty ku në vitet e para kur u “çliruam” jetuan një pjesë e madhe të internuarish nga veriu që më pas i degdisën në kampin çfarosës të Tepelenës, një prej të cilëve është edhe familja e juaj.
Pas disa muaj na transferuan poshtë kalasë në lagjen Mangalem në një dhomë pak më të madhe. Ç’të të them!! Më vonë na internuan në fshatin Kutallì. Pas tre-katër vjetësh më thërrasin në Degën e Brëndëshme e më kërcënojnë të rri urtë, sepse paskan të dhëna që nuk sillesha mirë!
Pas ca kohësh, nja dy tre ditë pasi u vra Çaushesku më thërrasin prapë e më thonë se; “Partia ka vendosur të të lirojë nga internimi sepse ka të dhëna se je sjellur mirë”. Nga vrasja e diktatorit rumun, duket se iu kish hyrë frika në palcë. Harrova të të them se para kësaj ngjarje këshilli i bashkuar më “ftoi” në një mbledhje. Unë nuk shkova, por ata erdhën e më morën në shtëpi. Ishte kohë demaskimesh. Unë sigurisht, i “plotësoja të gjitha kushtet”. Më kishin rezervuar një vend në rresht të parë. Sapo u ula përmendën emrin tim. Kur u çova filluan të më akuzojnë për gjëra qesharake. Materiale të denja për një estradë. As që e vlen t’i kujtosh, gjëra banale, humbje kohe. Ca prej atyre që më akuzonin as i njifja fare. Nuk pranova asgjë nga ato që thanë. Pritej të më dënonin. Njëri thoshte t’i marrim televizorin, një tjetër ta nxjerrim nga shtëpia. Nga fundi dikush tha t’ia heqim kokën. Kthej kokën prapa, por ai ishte ulur dhe nuk e pashë. Thanë e ç’nuk thanë. Njërin desha ta godas me karrike se nuk po duroja më por ai e vuri re sepse e la frazën për gjysëm dhe mbledhjen për atë ditë e quajtën të mbyllur duke më paralajmëruar se për shkeljen më të vogël do merrja dënimin e merituar. Të gjithë e vunë re që u irritova duke dëgjuar ato budallallëqe.
Ç’të bësh o Dine! Turmat kudo janë njësoj. Njëri nga turma bërtet: “Rroftë Mbreti” të gjithë brohorasin, tjetri rropat këmbët, “Poshtë Mbreti” të gjithë e ndjekin pas. Kështu ka qënë e kështu do të jetë sa të jetë bota përse të zgjatemi. Përpiqem boll të harroj por është e vështirë.
U bën vite që jetoj këtu në Amerikë!
Zoti më shpërbleu me dy vajza dhe një djalë. Ndjehem i lumtur, sepse e ringjalla gjyshen, nënën dhe babanë…


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.