back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një borxh qytetarie që i kthehet Shkodrës – nga Agron Milaj

Gazeta

"Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931" - Jakov Milaj
“Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931” – Jakov Milaj

Një borxh qytetarie që i kthehet Shkodrës

nga Agron Milaj

Fjala në promovimin e librit
“Kujtime për Shkodrën 1926-1931” i Jakov Milajt

Të nderuar qytetarë të Shkodrës
Zonja e Zotërij pjesëmarrës.
I nderuar Prof. Ardian Ndreca si dhe Prof. Alfred Çapaliku,

më lejoni t’ju falenderoj për kujdesin dhe dashamirësinë që treguat për botimin e kujtimeve të babait tim, Jakov Milaj, për Shkodrën.
Në vijim, po ju them shkurtimisht dy fjalë me tepër për Shkodrën dhe tim atë, por edhe për eksperiencën time në këtë qytet.
Pas mbarimit të dënimit me burg, babai filloi internimin – së bashku, me të tjerë, punuan për hapjen e kanalit vaditës Vjosë-Levan-Fier.
Në përfundim të kanalit, të burgosurit rreth 3000 persona i çuan për tharjen e kënetës së Thumanës, kurse të internuarit pas dy muajsh i transportuan në Kuç të Vlorës.
Në këtë periudhë 2 mujore u lejuan familjet të takoheshin me ta dhe të sillnin rroba dhe ushqime, madje duke ndenjtur edhe ndonje ditë së bashku.
Ndër këta 87 të internuar, mbi 20 ishin Shkodranë. Ndër ta mbaj në mendje: Dom Mikel Koliqin, vëllezërit Baltazar e Zef Benusi, Karl Çobaj, Zef Shiroka, Engjëll Çobaj e të tjerë.
Në një nga këto ditë vizitash, në oborrin e barangave më thërriti Dom Mikeli dhe më tregoi: – Unë isha sekretar i at Gjergj Fishtës, Jakovi në një gazetë kritikonte at Gjergjin për “Gomarin e Babatasit”. Dhe unë në mëngjes – vazhdonte Dom Mikeli – kur i çova postën dhe gazetat i them se kjo gazetë ju ka kritikuar për librin tuaj “Gomari i Babatasit”, shkruar nga një ish nxënës i Gjimnazit të Shtetit Shkodër. Fishta u përgjigj: Bravo! I lumtë dora!
Ky episod tregon si ishte i formuar Jakovi si personalitet. Por tregon edhe sa gjigand ishte Fishta dhe sa mendjehapur ishin njerëzit që punonin pranë tij.
Edhe unë e kam bërë shkollën e mesme në Shkodër. Kjo gjë mua më gëzoi shumë pasi babai më fliste gjithmonë me admirim për qytetarët dhe qytetin duke mos pushuar së lavdëruari mësuesit e tij dhe shokët. Por babai u gëzua edhe më shume se unë.
Edhe unë nuk mund të harroj mësuesit e mi të shkëlqyer: Dr. Paulin Kirin, Dr. Xhavit Arifin (Belin), Dr. Moisi Mozali, pedagogun e letërsisë Gaspër Ugashi, të rusishtes Paulin Shestani, të fizikës Antoneta Kraja, të zooteknisë Gaspër Kamsi e Zef Radovani, të cilët na shpjegonin mjaft mirë, silleshin si prindër dhe ishin modele qytetarie.
Kur mbrrita në Shkodër për herë të parë isha vetëm. Te axhensia e autobuzit pyeta një qytetar: -Nga duhet të shkoj për të konvikti i teknikumit Veterinar?

Promovimi i librit "Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931" - Jakov Milaj
Promovimi i librit “Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931” – Jakov Milaj

Ai menjëherë e kuptoi se isha jabanxhi dhe m’u afrua. Kapi me mua valixhen dhe u drejtuam te konvikti i gjimnazit dhe i pedagogjikes. Sonte do flesh këtu, më tha, nesër po vij të të marr dhe të gjej konviktin e veterinarisë.
Kështu të nesërmen Jak Beni erdhi që në mëngjes dhe më çoi te Kisha e Fretërve, aty ku ishte veterinaria në atë kohë. Që atehere u bëra mik me të.
Për humor më kujtohet se në ato 4 vite që studiova në Shkodër binte shumë shi në dimër, i cili nuk pushonte ndonjëherë dhe, kushërinjtë e mi më pyesnin me humor -A ka pushuar shiu në Shkodër?
Por në Shkodër nuk binte vetëm shi. Shkodra e viteve ‘50 rrezatonte qytetari, edhe pse njerëzit ishin më të trembur dhe më mosbesues.
Në fund, po i kthehem sërish, me dy fjalë librit që sapo kemi botuar.
Jakovi, këto kujtime për Shkodrën i ka shkruar në fillim të viteve ‘80. I ka shkruar me vetëdijen që nuk do t’i botoheshin; por që do t’i lexoheshin. I ka shkruar me shumë kujdes dhe autocensurë. I ka shkruar në ato vite të vështira për t’i kthyer një borxh Shkodrës; një borxh qytetarie. I ka shkruar në ato vite kur Shkodra nuk citohej më si kryeqyteti i kulturës apo i qytetarisë; por kryeqendra e reaksionit.
Për ne, si familje, ka qenë motiv krenarie fakti që këto shënime qarkullonin në disa qarqe të kufizuara brenda qytetit, në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90.
Kështu që për ne është kënaqësi e veçantë, por edhe detyrim, t’i shikonim të botuara këto “Kujtime”.
Prandaj, në përfundim të këtyre fjalëve, e ndjej për detyrë te falenderoj me zemër pjesëmarrësit dhe të gjithë shkodranët, në veçanti, shokët dhe dashamirësit e tim eti (Jakov Milaj) si edhe profesorët e shokët të mi që më kanë dashur dhe i kam dashur.
Një falenderim të veçantë edhe për Ardianin, pa kontributin e të cilit këto “Kujtime për Shkodrën” nuk do të kishin këtë dritë dhe hijeshi që kanë sot.
Ju lodha pak, edhe njëherë më falni, por i përmenda këto ngjarje për të përforcuar atë që Shkodra e ka traditë: edukatën qytetare.
Faleminderit!
Agron Mila
Shkodër, 09/12/2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.