back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një bredh sa dy dëllinja – nga Anisa Markarian

Gazeta

Anissa Markarian
Anissa Markarian

Një bredh sa dy dëllinja

nga Anisa Markarian

-Dëshironi të bleni një bredh, zonjë? – më pyet me mirësjellje shitësi zeshkan i fidanishtes.
Bën pjesë në grupin e djelmoshave që i punësojnë enkas për festat e fundvitit. Përforcojnë ekipin bazë për të përballuar dyndjen kaotike të klientëve.
-Në ç’përmasa ju nevojitet? – kërkon të dijë sapo kam tundur kryet në shenjë pohuese e më hap udhën drejt parcelës ku kanë shkarkuar furnizimin festiv.
-Më duhet një bredh sa 2 dëllinja, – i përgjigjem.
-Më falni, zonjë, nuk ju kuptova.
S’ka faj. S’më kupton as im bir që, si çdo vit, më shoqëron me zell të madh në përzgjedhjen dhe transportimin e bredhit. Kur kridhem në kujtimet e mia, shqiptoj përhumbtas fjalë enigmatike. Një gjuhë që veç vetja ma kupton…
 
* * *
Nga përgatitjet e festave të fundvitit në fëmijëri, kujtoj veçanërisht vënien në majmëri të gjeldetit, ritualin e përvëlimit me shurup të ëmbëlsirës dhe zbukurimin e pemës.
Në shtëpinë tonë, pema e Vitit të Ri kishte një rol të dyfishtë: krijonte atmosferën e gëzueshme dhe mobilonte dhomën e pritjes me një sipërfaqe prej 30 metra katrorë. Jo më kot, e quanim “dhoma e (stër)madhe”. Për shkak të rrallësisë së orendive, ngjante më tepër me një pistë vallëzimi. Bufeja italiane me rimeso arre dhe tavolina e të njëjtit prodhim, kanapeja dy-vendëshe stil rokoko e viteve ’30 me jastëkë taftaje të mbushur me pupla, divani i ndërtuar nga im atë, dy kolltukë dhe katër karrige. Ndër to, vetëm bufeja dhe divani mbështeteshin pas faqeve të murit. Mobiljet e tjera si dhe stufa prej majolike me qyngjin në formë L-je ishin vendosur në formë rrethi që të pajisnin hapësirën qendrore. Ja përse pemën e Vitit të Ri e bënim me 2 dëllinja. Duhej të mbushte një vëllim prej rreth 5 metra kub në këndin më skajor të dhomës.
Dëllinjat e para shfaqeshin pak ditë pas festave të fundnëntorit. I sillnin jevgjit. Me shitjen e tyre merreshin gratë; burrat shkonin e vinin në malin e Dajtit për t’i prerë e zbritur në qytet. Në lagjen tonë, rreshti i dëllinjave të ekspozuara mbi trotuar fillonte në hyrje të rrugës “4 Dëshmorët” (menjëherë pas Selvisë), e mbaronte te gjimnazi “Partizani”. Dëllinja të të gjitha formave, përmasave e gjendjeve shëndetësore. Që nga më shtatderdhurat gjer te më rakitiket. Këto të fundit u binin për hise atyre që e linin blerjen e pemës për mëngjesin e datës 31.
Zgjedhjen e dëllinjave, puthitjen e dy trungjeve dhe ngritjen në këmbë të pemës mbi një cung të gërryer ahu që drejtpeshohej nga katër këmbëza metalike e bënin meshkujt e familjes. Me zbukurimin e saj merreshim unë dhe mami. Jo, gënjeva. Unë e kaloja kohën duke soditur e përkitur lodrat. I nuhatja, i ledhatoja, u pëshpëritja… Një emocion ëndërritës i përjetuar veç një herë në vit.
Fërgëllitë më pushtonin që çastin kur nxirreshin nga dollapi kutitë prej kartoni ku ruanim stolitë e pemës. Përherë të njëjtat. Të blera me valutë përpara se unë të lindja. Në përfytyrimin tim fëminor, “Valuta” simbolizonte parajsën e humbur – një minierë mallrash të çmuara që të mëdhenjtë i kujtonin me nostalgji. Brendësia e kutive ishte e ndarë në hoje. Në to, të mbështjella me letër mëndafshi (butësisht, përkujdesisht, mëmësisht), gjendeshin boçe pishash me luspa të arta, toptha qelqi me temina, shtëpiza të drunjta me çati të kuqe e oxhak argjendi, personazhe përrallash në miniaturë, kukulla të vogla me krahë engjëllorë, ushtarë kuqeblu me bori a tambur.
Fësh-fësh, fësh-fësh, fëshfërinte letra e mëndafshit. Mami i çmbështillte zbukurimet me të njëjtën qetësi e kujdes që i kishte mbështjellë. I kontrollonte një për një e m’i pasonte që t’i vija rresht mbi një batanije të shtruar në këmbë të pemës. I zgjedhuri im ishte një zogth pushverdhë brenda një shportëze të thurur me rruaza kristali. E merrja në lugth të dorës e i lëmoja krahët. E pyesja si ndihej, a e kishte marrë malli për mua, ç’kishte bërë gjatë atyre 300 e kusur ditëve që s’ishim parë? Pastaj vinte radha ime t’i rrëfeja të rejat: ç’nota kisha marrë në shkollë, ç’fustan kisha veshur për ditëlindje, ç’dhuratë prisja nga Babagjyshi… Bashkëbisedimi ynë zgjaste sa durimi i sime mëje. Sinjali ishte një shfryrje bulçish. Nënkuptonte që “ia kisha sjellë në majë të hundës” e duhej të “aktivizohesha”. Në rast të kundërt, rrezikoja të më degdiste në kuzhinë për të përgatitur shukat e gjelit bashkë me teta Itën.
Kur hapnim kutitë, gjenim gjithmonë ndonjë stoli të thyer. Pakësoheshin nga viti në vit, por e pamundur t’i zëvendësonim. Ishin zhdukur nga qarkullimi. S’na mbetej veçse të sajonim zbukurime artizanale që i varnim nëpër degët për të plotësuar dekorin festiv: arra të pështjella me letër varak të cilave u ngulnim nga një gozhdë ku lidhnim kllapodanin, lëkurë portokalli në formë spirale të thara mbi sobë, gjerdanë me letër punëdore dhe qeska plastmasi ku futnim biskota, karamele “Zana”, fiq të thatë, bajame e një kartëmonedhë 10-lekëshe. Çdonjëra nga qeskat mbante emrin e një kushëriri a të një kushërire. Kur na vinin për vizitë, ime më i zgjidhte nga pema dhe ua dhuronte.
Pema e Vitit të Ri qëndronte në dhomën e pritjes pothuajse një muaj. Erëmonte rrëshirë, kanellë, karafil e portokalle. Kishte netë kur, me leje a pa leje, braktisja shtratin tim e flija në divan. Me pushverdhin nën jastëk…
 
80377152_2376303379349309_1526957527672029184_o* * *
-Ju këshilloj të zgjidhni një Nordman, zonjë. Kryebredhi i Krishtlindjes! – deklamon shitësi me pompozitet. – Emri shkencor: Abies Nordmanniana. Me hala të dendura e të shkëlqyeshme që i ruan për një muaj të tërë. Do t’ju parfumojë të gjithë shtëpinë, më besoni!
-Jo, ju falemnderit, djalosh.
-Po një bredh fisnik? – vazhdon ai. – Emri shkencor: Abies Nobilis. Është shumë aromatik e me formë të rregullt. Gjilpërat i ka kaltëroshe.
-Dua dy dëllinja, – i them prerazi. – Emri shkencor: Juniperus Communis, – dhe i shkel syrin tim biri. – Mund të m’i gjeni?
-…Zonjë, më vjen keq. Fidanishtja jonë nuk tregton lloje të tilla halorësh.
 
* * *
Në muajin dhjetor, rruga që kalonte përpara shtëpisë sonë kthehej në një shtojcë të Pazarit të Ri. Si të mos mjaftonin dëllinjashitësit bregalumas, pak ditë më pas zbarkonin edhe fshatarët. Uleshin këmbëkryq mbi asfalt dhe lëvdonin mallin me çirrma. Zërave njerëzorë u bashkoheshin kakarisjet dhe kokorikotë e shpesërisë e të gjithë bashkë krijonin një kakofoni shurdhuese që në orët e para të mëngjesit. Në sytë e mi, jeta merrte trajtat e përditshmërisë së një trupe cirku. Lagjja popullohej nga xhonglerë, akrobatë, magjistarë, zbutës kafshësh e klounë gjithëfarësh.
Meqenëse në familjen tonë festonim (fshehtas) edhe Krishtlindjet armene, babi blente dy gjela deti. Kjo ndodhte në fillim. Më pas, për shkak të dëmeve që pësonte kuzhina nga kacafytjet e misërokëve, im atë pati vendosur që më 6 janar të flijonim një pulë deti. Dhe gjakrat u paqësuan.
-Sa rëndon?
-Dymbëdhjetë kile! – angërdufej fshatari.
-Me tahmin a me kandar?
-Me sy! E njoh mirë unë gjelin tim. E kam rritur si evlat!
-Të besoj, por a më lejon ta peshoj? – ngulte këmbë im atë dhe nxirrte nga xhepi një dinamometër dore që maste gjer në 20 kilogramë.
Fshatari zihej gafil. “Arma fatale antimashtrim” ia nxirrte të palarat sheshit. Dinamometri kalonte dorë më dorë edhe te fqinjtë. Të bashkuar si një trup i vetëm, banorët e rrugës “Shinasi Dishnica” (sot rruga e Saraçëve) dilnin ngadhënjimtarë mbi pazarakët hileqarë.
Ardhja e çiftit të misërokëve në shtëpi shënonte periudhën më të hareshme të vitit. Më të rrëmujshmen e më të populluarën, gjithashtu. Në kuzhinë bëheshim plot 7 frymë. Gjeli dhe pula e detit rendnin poshtë e përpjetë me gllu-gllu e me glla-glla. I pari për t’i shpëtuar tim vëllai që e shalonte si të ishte hamshor, e dyta për t’iu shmangur gjelit. (Na qëllonin gjithmonë pula të turpshme.) Pas tyre rendnin ime më e teta Ita me nga një futë në bel dhe sahanin me shuka në dorë. Përgatitja e shukave ishte mjeshtëri më vete. E trashëguar brez pas brezi sëbashku me listën e përbërësve. Kokrra misri, ullinj të shtypur, fara luledielli, thelbinj arrash dhe rrush i thatë. Lidheshin me tul buke të njomur në lëng mishi, shtrydheshin e ngjesheshin në grusht, pastaj lyheshin me vaj që të shkisnin si llokum. Bindjen se vetëm fisi ynë i përgatiste shukat në atë mënyrë ma kishin krijuar fjalët e Momës. Sekretin e recetës e ruaj që në vegjëli, na mburrej në prag festash.
Për dhjamosjen e gjelit përgjigjej ime më; teta Ita kishte në ngarkim pulën. Zinin vend secila në një cep të minderit me shpendin të bllokuar në mes të kofshëve. Unë u rrija përballë, e ulur në një stol të vogël. Spektatore e pjesës që luhej 4 herë në ditë. Gjeste profesioniste, mimikë tejshprehëse, dialogje tragjikomike.
-E shikon shoqen tënde? Ta kaloi! – i fliste mami gjelit për të ndezur sfidën.
-Jepi edhe ti! Se Babagjyshi ju do të fortë e të shëndetshëm, – i mbante ison teta Ita dhe, duke përfituar nga hutimi i pulës, i fuste në grykë edhe një shuk tjetër.
Konkursi “Kush e gëlltit shukun i pari” pasohej menjëherë nga “Kush gëlltit më shumë shuka”. Madje, kishte gjasë të ishte një garë mes sime mëje e teta Itës. Kush i rras shukat më shpejt, gjer në ngimje të shpendit! Shenja e ngimjes ishte më se e dukshme: shuku i fundit mbetej gjysmë përjashta. Sado të mundoheshin ta shtynin, nuk zbriste poshtë. Vakti i radhës merrte fund aty, në pritje të tjetrit…
.
 
* * *
-Këtë vit mund të ndryshojmë zakon, – sugjeron im bir.
-…Zakon?! Ç’do të thuash?
-Në vend të bredhit…, më fal, të dëllinjave, mund të zbukurojmë ndonjë bërshen a murriz të mbjellur në vazo. Je dakord?
-Jo. S’jam gati shpirtërisht.
-Shpirtërisht, the?! E ke seriozisht, mam?
-Po.
 
* * *
Përvëlimi me shurup i ëmbëlsirës më datë 30 dhjetor ishte, për ne fëmijët, një festë përpara Festës. Kishim të drejtë të hanim këndet e strukullit. Përfaqësonin pjesën më të varfër të ëmbëlsirës, por s’na mbetej hatri.
Ime më ngrihej që pa gdhirë. Ndizte sobën në kuzhinë, thërrmonte lëvoret e kanellës e grinte në një rende të hollë ca lëkurë limoni. Pastaj mbushte një tenxhere me 2 litra ujë në të cilin treste sheqerin dhe e vinte të valonte mbi sobë. Në vlim të parë, e largonte nga zjarri, i hidhte brenda kanellën dhe limonin dhe e mbulonte me kapak në mënyrë që avujt erëmirë të mos shpërndaheshin në ajër. Shurupi i ardhshëm i thithte aromat dalëngadalë. (S’kish ngut si unë e im vëlla.) Pasonin dy vlime të tjera, filtrimi dhe, më në fund, shurupi ishte gati. I vërtetuar me provë – një ritual kurrë i tjetërsuar! Një pikë shurup e derdhur mbi mermerin e tryezës duhej të mpiksej brenda 20 sekondash. As më shpejt e as më vonë. Përndryshe, ose i duhej shtuar ujë ose duhej lënë të shteronte edhe ca.
Etapa e dytë ishte hyrja në skenë e tepsisë me strukull. E sillte teta Ita me ceremoni. E vinte mbi tavolinë dhe, hop, me një gjest prestigjiditatori, tërhiqte napën dhe zbulonte ëmbëlsirën.
-E ka qarë Bimi pjekjen këtë vit! – qëllonte të lëvdonte furrtarin e lagjes.
-Qoshet do të na i jepni tani apo pas shurupit? – interesohesha unë.
-Merrini tani e na leni rehat! – vendoste mami.
S’arrita kurrë ta kuptoj se si ia dilte të priste 4 kënde strukulli plotësisht të barasvlefshme pa përdorur vizore. Një gjë ishte e sigurt: po të mos kishin qenë të së njëjtës gjatësi e trashësi, mes meje e tim vëllai do të kishte plasur sherri. Nuk falnim as milimetrin!
E përkulur mbi ëmbëlsirën e sapo përvëluar, ndiqja me vëmendje rrëshqitjen e ngathët të shurupit ijëve të saj. I lëpinte, i vakte, i zbuste. Futej nëpër të çarat e brumit e kullonte brenda. Takonte için dhe e ëmbëlsonte. Qosheve të prera bulëzonin perla të tejdukshme. Ndërkaq, në sipërfaqe, ishte kryer mpiksja. Kuptohej nga shkëlqimi që merrte peta e strukullit. Bëhej si pasqyrë. Zgjasja një gisht dhe e ngjyeja në sumbullat e shurupit.
-Mos u bë nepsqare! – më qortonte teta Ita. – Durim deri nesër mbrëma, – dhe me një të rrotulluar të trupit e zhdukte tepsinë si magjistare.
E dija se ku do ta mbyllte. Në dhomën më të vogël të shtëpisë që e quanim “dhoma e Majrigut”. Nuk i zinte besë dollapit të kuzhinës se e kishte bravën të thyeshme. Kështu mendonte edhe ime më.
-Firojnë pikërisht gjërat që mbyll me çelës, – e dëgjoja t’i ankohej babit hera herës.
S’mund ta përfytyronte që ne e merrnim “kalanë” nga mbrapa, pa kopjuar çelësin e pa shkulur bravën. I hiqnim vidhat kompensatës së pasme.
-Hidhu një vrap gjer te Bimi që të dimë kur do t’ia çojmë gjelin nesër, – më lutej teta Ita.
S’kishte nevojë të ma thonte dy herë. Regjistrimin e gjeldetit në fletoren me kapak të lyrët të furrtarit e quaja një mision me përgjegjshmëri të lartë. Larg qoftë po të mos na e pranonte Bimi tepsinë, me pretekstin se ishim kujtuar tepër vonë! Mami do të ishte e detyruar ta piqte në tavën me korrent që zinte veç një gjysmagjel…
 
* * *
-Mam, si të duket ky bredh? – më pyet im bir.
Pozon përbri një koniferi që ia tejkalon në lartësi me më shumë se një gjysmë metri. Më kthen 50 vjet pas, kur matesha me dëllinjat, majat e të cilave më dukeshin të paarritshme. Ishin aq të larta sa që, për të vendosur yllin në kulm, duhej hipur në një shkallë. Po të vazhdoje më tej, këmbëz pas këmbëze arrije në qiell. Oh, s’kisha as më të voglin dyshim! Përndryshe, si mund të shpjegohej që kur shuanim dritat, pema vezullonte nga miliarda xixa? Me siguri, një dorë e padukshme që atje lart e kishte spërkitur me pluhurizë meteorësh.
-Mam? Po pres një përgjigje.
-Po, bir. Tamam një bredh sa 2 dëllinja…
.
©A.M. E enjte, 26 dhjetor 2019 (Shkruar rrëmbimthi, shtegut të thepisur të kujtimeve…)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.