back to top
14.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Një çerekshekulli më parë Katedralja e famshme e Shën Patrikut, në New York, u vesh kuqezi si homazh për Nënë Terezën – nga Ruben Avxhiu

Gazeta

Illyria 1997 - 4000 shqiptare ne nderim te Nene Terezes
Illyria 1997 – 4000 shqiptare ne nderim te Nene Terezes

Një çerekshekulli më parë Katedralja e famshme e Shën Patrikut,

në New York, u vesh kuqezi si homazh për Nënë Terezën

nga Ruben Avxhiu

Më shumë se katër mijë shqiptarë, të të gjitha trevave dhe besimeve,
u mblodhën në 2 nëntor 1997, për një meshë historike
të paharruar në gjuhën shqipe kushtuar shenjtores shqiptare

“Ne Shqiptarët do të duam gjithmonë Nënë”, Një nga parullat e shkruara për Nënë Terezën gjatë Meshës
“Ne Shqiptarët do të duam gjithmonë Nënë”, Një nga parullat e shkruara për Nënë Terezën gjatë Meshës

Në 5 shtator 1997, në Kalkuta të Indisë, ndërroi jetë Nënë Tereza, padyshim figura më e shquar ndërkombëtare, me kombësi shqiptare, e kohës sonë.
Dy ditë më vonë, të dielën në 7 shtator, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York, një meshë e tërë iu kushtua jetës dhe shpirtit të saj.
Përveç besimtarëve të përhershëm, kisha ishte mbushur me aktivistë të njohur të komunitetit nga të gjitha trojet dhe besimet fetare.
Një pjesë e tyre qendruan pas meshës për të biseduar me famullitarin e shquar, Dom Pjetër Popaj dhe udhëheqës të Këshillit të Kishës.
Të gjithë dëshironin të bënin diçka më shumë për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e Nënë Terezës. Mesha që sapo kishte mbaruar u kishte lënë një përshtypje të veçantë, kështu që kur Dom Popaj i ftoi që të jepnin propozime, ideja që fitoi shumë shpejt mbështetje ishte një meshë e tillë por e mbajtur në kishën më të famshme njujorkeze, në Katedralen Shën Patrikut (St Patrick Cathedral) në Avenjunë e Pestë, në Manhattan.
Kjo nuk ishte e garantuar sepse kalendari i katedrales është shpesh i mbingarkuar. Për fat të mirë, pasi shqyrtoi kërkesën e Dom Peter Popajt, Arqipeshkvi i New York-ut, John Cardinal O’Connor u përgjigj pozitivisht dhe data e 2 nëntorit 1997, në orën 2 të mbasdites, u caktua për mbajtjen e meshës.
Që këtu filloi puna e ethshme për përgatitjen e meshës. Tonin Mirakaj, një figurë kryesore e komunitetit katolik, Kryetar i Këshillit të “Zojës së Shkodrës” udhëhoqi në 17 tetor një mbledhje të komunitetit shqiptar, në mjediset e Kishës shqiptare që në atë kohë ishte ende në Park Avenue, në Bronx, New York.
Aty veç të tjerash u vendos që liturgjia, duke përfshirë të gjitha leximet gjatë meshës të bëheshin në gjuhën shqipe, kurse predikimi në anglisht.
Dom Popaj u takua me drejtues të Katedrales për t’u siguruar lidhur me flamujt. Ishte e rëndësishme për
shqiptarët që flamuri i Shqipërisë të ishte i dukshëm për t’ia dëshmuar edhe një herë botës së Nënë Tereza ishte me kombësi shqiptare.
Është për t’u shënuar këto roli kryesor i gazetarëve të gazetës “Illyria” në këto përgatitje. Isuf Hajrizi mori përsipër deklaratën për shtyp që iu dërgua medias amerikane. Sinan Kamberaj shkroi biografinë e shkurtër të Nënë Terezës që iu shpërnda pjesëmarrësve në meshë. Këtë tekst e përktheu në anglisht Isuf Hajrizi, i cili bashkë me Naim Dedushajn e Radios së LDK-së dhe kryetarin Tonin Mirakaj përgatitën edhe ftesat për personalitetet e njohura të politikës dhe jetë shoqërore e kulturore që u ftuan të marrin pjesë.
Në mbledhje nga “Illyria” merrte pjesë edhe i ndjeri Xhafer Krasniqi, gazetari ynë për shumë vite.
Marjan Cubi dhe Naim Dedushaj siguruan flamujt e vegjël shqiptarë dhe amerikanë që do të mbushnin katedralen e famshme atë ditë.
Agim Rexha që përfaqësonte Federatën Vatra në të gjitha takimet organizatore ishte i kudondodhur.

Fëmijë shqiptarë me kostume kombëtare ne meshë
Fëmijë shqiptarë me kostume kombëtare ne meshë
“Bija e Shqipërisë, Qytetare e Indisë, Nënë e Gjithë Botës”

Dita e 2 nëntorit 1997, do të mbetet përjetë në kujtesën e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Katedralja më e famshme dhe më e bukur në New York City, që pret e përcjell miliona vizitorë ishte mbushur me flamuj kuq e zi dhe amerikanë, me lule zbukuruese të zgjedhura me shije, mbi katër mijë shqiptarë, shumë prej të cilëve të veshur me kostume kombëtare, kishin zënë të gjitha ulëset e mundshme e qindra njerëz qendronin në këmbë.
Një pikturë e madhe e Nënë Terezës, me shënimin në anglisht, “Nënë Tereza, bija e Shqipërisë, qytetare e Indisë, nënë e gjithë botës”, shquhej në altarin e lartë sapo hyje. Përfaqësues nga të gjitha nivelet e pushtetit politik, figura të fesë dhe të kulturës, miq të shqiptarëve, ndoqën me respekt dhe kuriozitet një meshë të mbajtur kryesisht në gjuhën shqipe me përjashtim të prediktimeve fetare.
Ishin të gjitha trojet aty në sallë. Nga Lugina e Preshevës në Çamëri. Bashkatdhetarë të të gjitha besimeve ishin mbledhur për të nderuar shenjtoren e madhe shqiptare, si një komb i vetëm.
Kori i kishës shqiptare, i drejtuar nga Fran Shala, ishte i mrekullueshëm. Kurse “Ave Maria” kumboi në mënyrë hyjnore nga zëri i tenorit të njohur shqiptar Bashkim Paçuku që kishte ardhur posaçërisht për këtë ngjarje.
Shquheshin në sallë, kongresisti Eliot Engel, një nga miqtë më të njohur të shqiptarëve në Washington, Domenic Scaglione i Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve, ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes (në atë kohë e fejuara e tij dhe këshilltare e Ligës Qytetare), etj.
Imam Isa Hoxha, udhëheqësi shpirtëror i Qendrave Islamike në New York dhe New Jersey dhe Bill Peters e Jim Liolin nga Kisha Ortodokse Shën Nikolas ishin mes miqve të nderuar. Vijonte një paradë personalitetesh të komunitetit. Mes tyre Dr. Sami Repishti, si President i NAAC, Agim Karagjozi dhe Agim Rexha nga Vatra, Rrustem Ibraj nga LDK, Harry Bajraktari, në atë kohë ende botues i gazetës “Illyria” me të gjithë stafin e saj, Mark Shkreli nga Shoqata Qytetare Shqiptaro Amerikane, Dr. Fuad Myftija dhe Xhafer Elezi nga Legaliteti, mjeku i njohur Dr. Agim Leka, Dr. Gjon Buçaj nga Blloku Independent, Esad Rizai nga Fondacioni Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, Mustafë Demalija nga Liga e Prizrenit, si dhe shumë aktivistë të tjerë si Bruno Selimaj, Cafo Boga, Ramadan Gashi, Marjan Cubi, Ndrec Gjergji, Prenk dhe Pretash Curanaj, Njazi Tonuzi, Palokë Vulaj, Ismer Mjeku, Dashamir Marku, Simon e Sokol Vukejli e shumë të tjerë që mund të mungojnë në këtë listë, por që kanë kontribuar në vite në jetën e komunitetit.
Një pjesëmarrëse e veçantë, Zonja Lina Popaj, nëna e Dom Pjetrit, që po shihte me sytë e saj të birin që si kryecelebrues i meshës po nderonte nënën e gjithë botës.
Ishin po ashtu edhe prindërit e Marash Shkrelit diakonit të meshës.
Ndonëse ishte një meshë e ideuar dhe organizuar nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, si organizatorë zyrtarë figuronin me të madhe edhe Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane si dhe Kisha Ortodokse St. Nicholas e mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan. Synimi ishte bashkimi kombëtar në një zë të vetëm pavarësisht nga ndarjet fetare.
Meshën e drejtoi Dom Peter Popaj, me ndihmën e At Andrew Nargaj dhe diakonët Marash Shkreli dhe Henry Valdkamp.
Ishte një ditë që nuk do të harrohet!

Tonin Mirakaj Kryetar i Këshillit të kishë “Zoja e Shkodrës”
Tonin Mirakaj Kryetar i Këshillit të kishë “Zoja e Shkodrës”
Predikimet, fjalë që zunë vend

“Lutemi sot për një figurë që ka prekur jetën e të gjithë njerëzve, jo vetëm të shqiptarëve, nga Lindja në Perëndim, të myslimanëve dhe të krishterëve, budistëve dhe hebrejve. Ajo la tek njerëzit dashurinë e Zotit dhe të Krishtit në tokë”, ishin disa nga fjalët e Dom Pjetër Popaj të zgjedhura nga gazeta “Illyria” nga ajo meshë.
Famullitari i ri i Kishës “Zoja e Shkodrës” kishte një histori personale mbresëlënëse për të ndarë me të panishmit në atë meshë. Po në atë katedrale, më shumë se 20 vjet më parë, si një prift i ri i saposhuguruar u njoh me Nënë Terezën, e cila papritur, u ul në gjunjë përpara tij dhe e luti që ta bekonte në emër të Zotit. Ishte një moment emocional për të, përpara kësaj gruaje të jashtëzakonshme që në mënyrë aq të natyrshme përulej përballë Zotit. “Isha i tronditur se e dija që po bekoja një shenjtore”, tregoi Dom Popaj përballë sallës që nuk pipëtinte. Ai e përshkroi lutjen që dëgjoi nga Nënë Tereza atë ditë, po në kët katedrale si “lutjen më intime ndaj Zotit që kisha dëgjuar ndonjëherë”.
Historia e krishtërimit në Shqipëri është edhe ajo një histori ringjalljeje. Kleri katolik kishte vuajtur në mënyrë të veçantë nga diktatura komuniste që në 1967 ndërmori veprimin e paprecedentë të ndalimit të plotë të besimit fetar dhe të mbylljes të të gjitha faltoreve. Nënë Terezës, në ato vite iu refuzua të shihte për herë të fundit, nënën e saj dhe njerëzit e familjes që jetonin në Shqipëri. Vetëm në 1989, u lejua më në fund, në një vizitë të programuar dhe mbikqyrur krejtësisht nga regjimi komunist. Një vit më vonë ai regjim ishte rrëzuar. Vizita tjetër e shenjtores shqiptare ishte në liri.
“Kur Nënë Tereza hyri në Shqipëri, Zoti hyri në Shqipëri”, tha gjatë predikimit të tij, Dom Popaj.
Ndryshe nga simbolikat e harmonisë ndërfetare që janë bërë të kohës tani nëpër botë, për shkak të thellimit të konflikteve fetare, rritjes së radikalizimit, retorikës fetare në politikë etj, shqiptarët ishin pararendës në këtë drejtim. Kjo meshë ishte një tjetër shembull.
Fjala e një imami në katedralen e famshme njujorkeze ishte dëshmi e kësaj. Imam Isa Hoxha një nga figurat kryesore fetare e udhëheqës komuniteti iu lut Zotit që kontributi dhe trashëgimia e Nënë Terezës të mos harrohej kurrë. Ai vlerësoi lart shembullin e saj. Vetë murgesha katolike që themeloi një urdhër të ri të përhapur në mbarë botën, asnjëherë nuk diskriminoi mes njerëzve në nevojë në bazë të besimit fetar. Në Kalkutë, shumica e atyre që ndihmoheshin prej saj ishin hindu ose myslimanë. Askush nuk u ftua të ndryshojë fe për të marrë ndihmë. Respekti për Nënë Terezën ishte respekt i fituar me vepra.
Ajo që i bashkonte shqiptarët në këtë ditë ishte figura e saj, por edhe bashkimi në gjak e gjuhë. Ishin domethënëse fjalët e Imam Isa Hoxhës, se “shqiptarët vazhdojnë të vuajnë në regjime diktatoriale, pikërisht në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Ne nuk duam t’ua kthejmë shpinën popullit shqiptar. Duhet të sigurojmë integritetin e atdheut të Nënë Terezës”.
Ngjarja u përshkrua gjerësisht nga gazeta “Illyria”, nga “Jeta Katolike”, që ishte në vitin e dytë të botimit, nga radiot që vepronin në atë kohë në komunitetin shqiptar si Radioja e LDK-së, Radio Malësia, si dhe nga Radio Vatikani. Të gjitha reportazhet në radio u bazuan në tekste të shkruara me dorë nga Tonin Mirakaj që i ruan edhe sot e kësaj dite. Ky shkrim nuk do të ishte bërë i mundur pa materialet e ruajtura prej tij. Punën për organizimin e meshës e kanë përshkruar bashkë me Mark Shkrelin me hollësi në shkrimin e botuar në revistën “Jeta Katolike”.

Imam Isa Hoxha
Imam Isa Hoxha
Kombi Shqiptar në Udhëkryq

2 nëntori qëlloi një ditë me shi, po kjo nuk e zbuti vullnetin e shqiptaro-amerikanëve për të mbushur Katedralen e Shën Patrikut, duke e kthyer meshën në një ngjarje historike për komunitetin.
Mesha, ashtu si edhe ikja e Nënë Terezës, vinte edhe në një kohë të pazakontë për shqiptarët, me tragjedi të lëna pas, e të tjera në horizont. Mbarë kombi ishte në udhëkryq. Në Shqipëri, rënia e skemave piramidale e kishte çuar vendin në buzë të greminës së luftës civile. Shteti ishte rrënuar dhe normalizimi po kthehej me ngadalësi. Trupat ndërkombëtare kishin hyrë në vend për të siguruar shpërndarjen e bukës. Një karikaturë e njohur e kohës tregonte dy kokat e shqiponjës së flamurit shqiptar duke ngrënë njëra-tjetrën.
Në Kosovë, shpresa për një zgjidhje paqësore po humbte çdo ditë. Një grupim i ri me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës po dilte në skenë, e vetëm pak javë më pas do të bënte shfaqjen e parë publike në një varrim në 28 nëntor 1997. Në Prishtinë, protestat studentore të udhëhequra nga një djalë i ri me emrin Albin Kurti ishin shtypur me dhunë.
Shembulli dhe thirrja e Nënë Terezës për dashuri e dhembshuri për njëri-tjetrin ishte në kontrast të thellë me mizorinë e cinizmin e kohës.
Ishte një kujtesë për të gjithë shqiptarët se në këto kohë sfiduese në vend të urrejtjes duhej t’i qendronim pranë njëri-tjetrit. Ashtu si ndodhi, jo shumë kohë më vonë, kur qindramijëra shqiptarë të Kosovës u strehuan me bujari në mbarë Shqipërinë, deri në fund të luftës. Për t’i kujtuar botës dhe vetes shqiptarët janë kombi i Nënë Terezës, i murgeshës së vogël që bëri vepra të mëdha përkundër gjasave e kushteve të jetës. Vetëm me një ndjenjë të fortë morale mund të përballoheshin sfidat e mëdha të kohës.
Kam lexuar diku një teori se fati i shqiptarëve ndryshoi shumë për mirë kur Nënë Tereza u ngjit në qiell, sepse shenjtëresha i ruan nga lart, apo se u ngjit me një lutje drejtuar Zotit për ne. Prandaj Kosova u çlirua dhe pavarësua, lufta civile nuk u kthye më në Shqipëri, vendi përparoi e hyri në NATO. Shqiptarët sot jetojnë në një hapësirë të pa penguar nga kufijtë zyrtarë, bota shqiptare po bëhet një.
Imagjinata dhe besimi, pavarësisht se ku bazohen, kanë qenë gjithmonë forca të jashtëzakonshme dinamike që i kanë çuar popujt përpara. Pa dyshim që krenaria e shqiptaro-amerikanëve për lidhjen me Nënë Terezën, dëshira e fortë për t’ia treguar New York-ut, Amerikës e mbarë botës se kjo trashëgimi e madhe e humanizmit kishte nisur nga rrënjë shqiptare, bëri që mijëra vetë të udhëtonin edhe nga rrethina e shtete të tjera mes shiut atë të dielë pasdite për të qenë aty. Kjo nënë e mbarë botës, ishte vajzë e kombit shqiptar.

Anëtarë të kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”
Anëtarë të kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”
Kujtime që nuk vdesin

Pak kush ishte aq krenar atë ditë për suksesin e kësaj meshe sa Tonin Mirakaj.
“Është hera e parë në histori që ndodh kjo”, tha ai. Në ditët në vijim me modesti, kujdes dhe vëmendje do të falenderonte me shkrim e me gojë të gjithë ata që ndihmuan në këtë organizim të madh. Një letër ia dërgoi edhe gazetës “Illyria”.
Shqiptarët e komunitetit duhet t’i ruajnë kujtimet e këtyre aktiviteteve. Duhet t’i ndajnë me miqtë dhe publikun në Facebook. Duhet t’i përdorin për të frymëzuar e nxitur veprimtari e nisma të ngjashme.
“Katedralja e Shën Patrikut për një ditë ishte e Nënë Terezës, ishte e shqiptarëve”, shkroi në atë kohë Tonin Mirakaj. “Për shumë kohë, Katedralja do t’i kujtojë shqiptarët, ndërsa shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë as atë e as këtë Ditë”.
Në fund po e mbyll me përshkrimin që i bëri ngjarjes Prof. Sami Repishti, duke folur për “Zërin e Amerikës”, që e intervistoi brenda Katedrales, mes shqiptarëve të mbledhur: “Kjo pamje më ka mbushur me optimizëm për të ardhmen e atdheut shqiptar. Sot, më shumë se asnjëherë më parë, jam i bindur se momenti i tanishëm i çmendurisë së përgjithshme në Shqipërinë e martirizuar është vetëm një ditë e vetme, një ëndërr e keqe, në historinë tonë tremijëvjeçare. Këtu, në Katedralen e Shën Patrikut u duk fytyra pak e njohur e popullit tonë të vjetër e fisnik, u duk qartë besimi ynë në vetvete, besnikëria jonë ndaj traditave kombëtare, dashuria jonë e madhe për gjuhën tonë amtare, tolerance jonë fetare (cili popull fton imamin mysliman të flasë nga altari i Katedrales?) dhe vendosmëria jonë për të qenë pjesëtarë të një kombi që na jep nder dhe na jep emrin shqiptar”.

(http://www.illyria.com/kur-katedralja-e-shen-patrikut-ne…/)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.