back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Një copëz historie… – nga Ilir Ikonomi

Gazeta

Fan Stilian Noli (1882-1965)
Fan Stilian Noli (1882-1965)

Një copëz historie…

nga Ilir Ikonomi

Kjo foto, e cila mund të quhet e rrallë, është marrë nga mesha në qiell të hapur që Fan Noli mbajti në Durrës, më 10 mars 1914, tri ditë pas arritjes së Princ Vidit. Vonë e kuptova që fotografia i përkiste asaj dite historike.
Në foto duket Fan Noli duke folur. Ballin ia kanë mbuluar zbukurimet me lule që kanë mbetur në Durrës nga festimet për pritjen e Vidit.
Në krahun e tij të majtë është prifti i njohur katolik Dom Nikollë Kaçorri dhe përpara tyre nacionalisti i flaktë Dervish Hima me qeleshen e bardhë, të dy duke duartrokitur.
Ishte hera e dytë që Noli vinte në Durrës dhe populli e njihte famën e tij.
Mesha u mbajt në Sheshin e Jallës buzë detit afër Konakut, pak a shumë aty ku sot është Veliera.

Mesha që mbajti në qiell të hapur, Fan Noli në Durrës, më 10 mars 1914
Mesha që mbajti në qiell të hapur, Fan Noli në Durrës, më 10 mars 1914

Mesha e Nolit ishte historike sepse për herë të parë mbahej në shqip. Mitropoliti i Durrësit, Jakovos, nuk kishte lejuar që mesha të bëhej brenda në kishë, kambanorja e së cilës duket në sfond. Nëpër kishat ortodokse të Shqipërisë nuk lejohej përdorimi i gjuhës shqipe.
Noli u detyrua ta mbante meshën mbi një tribunë të sajuar, siç shihet në foto. Kishte ardhur garnizoni holandez, myftiu me hoxhallarët dhe qytetarë të tjerë të Durrësit. Përpara meshës, Dervish Hima foli për bashkimin e tri feve në Shqipëri.
Sipas gazetës “Ushtimi i Krujës”, përfaqësuesit e feve hipën në tribunë bashkë me At Nolin dhe me At Damianin e Beratit, të cilët nisën t’i luten Perëndisë për Mbretin dhe Mbretëreshën në gjuhën amtare.
Kur Fan Noli i lutej Perëndisë, shkruante gazeta, “përfaqësuesit e feve katolike dhe myslimane, hoxhët dhe priftërinjtë, me një ulësi të madhe drejtonin lutjet e tyre tinzore para Perëndisë… Gjindja thoshte Amin dhe entuziazmi rritej kur gjindja shifte nji bashkim ndërmjet hoxhëve dhe priftënve… Korrespondentët e huej habiteshin kur shikonin në tribunë priftën e hoxhë të bashkuem për mbushjen e nji akti të shenjtë”.
Bashkimi dhe harmonia e të trija feve në Shqipëri ka qenë gjithmonë reale dhe jo fantazi, siç përpiqen ta paraqesin disa nihilistë. Kjo foto e dëshmon fare bukur këtë – diçka që besoj se rrallë e gjen në ndonjë vend tjetër.
Pas lutjeve, Fan Noli mbajti një fjalim, ku protestoi kundër Jakovit. Ai tha: “Mitropoliti grek i Durrësit, duke meshuar dje përmendi emrat e mbretërve të Serbisë, Greqisë, të armiqve të atdheut, të atyre që therën fëmijët dhe gratë tona të pafajshme dhe nuk përmendi sunduesin e vendit (Vidin)”. “Të gjithë e me gjithë zemër e me zell të madh, të bashkuar tok t’i japim ndihmë mbretit dhe bashkë me të të luftojmë për lumturinë e kombit shqiptar”.
Noli arriti në Durrës më 9 mars nga Triestja. Misioni i tij ishte themelimi i një kishe ortodokse kombëtare shqiptare, siç kishte bërë në Amerikë në vitin 1908, kur themeloi kishën shqipe në Boston. Por ai qëndroi në Durrës më pak se dy javë, për shkak të gjendjes së turbullt të krijuar në jug nga kryengritja epirote.
Fotografia është marrë nga libri italisht “Albania: un regno per sei mesi”, me autor diplomatin Ferdinando Salleo. Autori shkruan se kishte gjetur rastësisht në një treg vjetërsirash një koleksion me foto nga Durrësi. Koleksioni kishte qenë pronë e ministrit të jashtëm italian Markezit San Giuliano. Libri është botuar edhe në shqip, përkthyer mjeshtërisht nga Virgjil Muçi.

Marrë nga Muri i FB Ilir Ikonomi, 10 mars 2023,

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.