back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një dëshmitar i Revoltës së Spaçit midis nesh nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Thanas L. Gjika
Autori i esese – Thanas L. Gjika

Një dëshmitar i Revoltës së Spaçit midis nesh

nga Thanas L. Gjika

(Portret për inxhinierin marsheder Mina Kosta Kota)

Në gazetën Dielli online të 21 majit 2017, u përkujtua Revolta e të Burgosurve të Spaçit, revolta e parë e këtij lloji e zhvilluar në burgjet e kampit komunist. Disa ditë më vonë, unë dhe dy vëllezërit Romeo dhe Kosta Kota, po punonim si vullnetarë për të përgatitur Festivalin Shqiptar që do të organizohej në Worcester MA më 2-4 qershor. U hap biseda rreth Revoltës së Spaçit dhe ata më treguan se babai i tyre kishte qenë dëshmitar i asaj revolte si një ndër të dënuarit e atij kampi. Këta djem punëtorë e të urtë, nuk më kishin treguar më parë për këtë fakt të rëndësishëm të jetës së familjes së tyre.
Njerëzit me moral të lartë nuk mburren me bëmat e vuajtjet e tyre dhe as me ato të prindërve të tyre. Mina Kota e djemtë e tij nuk flasin për vuajtjet e familjes së tyre gjatë regjimit komunist edhe pse kanë qenë të përndjekur të atij regjimi. Sa shumë po na mungojnë e po na rrallohen të tillë njerëz në shoqërinë shqiptare, ku ish komunistë e ish sigurimsa, për turpin e tyre, për të maskuar poshtërsitë që kryen atëhere, flasin e shkruajnë për pakënaqësitë e tyre e sidomos për përndjekjet që u qenkan bërë në atë kohë.
Mina Kota është 84-vjeçar me trup mbimesatar elegant. Ai ka punuar gjithë jetën nën tokë në tre miniera: në atë të qymyrgurit në Mborje-Drenovë (1960-1969), në atë të bakrit në Spaç (1969-1982) si i dënuar i ndërgjegjes, ku me tejkalimet e normës mundi të ulte nëntë muaj nga dënimi me 14 vjet. Së fundi, mbas lirimit nga ky burg punoi derisa u pensionua po në minierë bakri në Rehovë të Korçës (1982-1991). Tani ai ka disa vjet që jeton në Worcester MA, ku erdhi pranë djemve me bashkim familjar bashkë me zonjën e tij Luiza Kota (Strati). Pasi e njoha këtu këtë çift të moshuar dhe djemtë, u binda dhe një herë se njeriu me karakter të mirë pasi përjeton vuajtje dhe dënime të padrejta bëhet edhe më i mirë.
Djemtë e tij punojnë si kuzhinierë në një restorant me pronar arumun të ardhur nga Greqia në Frammingam MA. Gjithëçka e kanë arritur me punën e tyre të ndershme. Kështu i kanë edukuar dhe fëmijët e tyre. Romeoja ka djalë e vajzë. Djali quhet Michael, tani është duke mbaruar Universitetin “Notre Dame” në Indiana për programim kompjuterash. Kurse vajza, Elisabeta, është nxënëse gjimnazi në vitin e tretë bashkë me Natalinë, vajzën e vetme të Kostës. Ato janë vërsnike e shoqet i njohin sikur janë motra binjake. Jeta dhe arritjet e pasardhësve i bëjnë dy të moshuarit të ndjejnë kënaqësi dhe prehje shpirtërore…
Minai ishte një nga kuadrot e para që studiuan në Universitetin e ri të Tiranës, ku u diplomua si ingjinier marsheder. Mirëpo edhe pse ishte bir i një familjeje atdhetare të lidhur me forcat partizane të Luftës Antifashiste, ai u dënua si armik pa kryer asnjë veprimtari armiqësore. Shkaqet e vërteta të këtij dënimi ishin nevoja e nxjerrjes së mineraleve bakër e pirit në minierën e vështirë burg të Spaçit, si dhe ndonjë shkak tjetër, që do të sqarohet më poshtë, por që nuk u tha kurrë.
Përmes jetës së tij sqarohet edhe një herë fakti kriminal se partia-shtet e sundoi popullin tonë duke ushtruar terror, përmes luftës së klasave dhe sajimit të armiqve, të cilët i duheshin për të mbushur kampet e punës me punëtorë të papaguar për tharje kënetash, shfrytëzim minierash, punim tokash bujqësore, ndërtim veprash industriale, etj. Ky problem është rrahur në literaturën tonë, por shumëkush ende nuk bindet për këtë të vërtetë të hidhur. Atë e kanë trajtuar para nesh në vepra me kujtime, poezi, tregime e romane shumë ish të dënuar të talentuar.
Sjellja e fakteve të rinj në këtë shkrim ka për qëllim të ndihmojë për kthjellimin e lexuesve lidhur me karakterit antinjerëzor të diktaturës së proletariatit, të cilin kanë 26 vjet që po e zbutin ish komunistë dhe ish sigurimsa bashkë me bijtë e tyre.
.
Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit
Zbulimi dhe dënimi i të quajturit grupi i agjentëve polakë.
Enver Hoxha, drejtuesi i diktaturës komuniste dhe zbatuesja e urdhrave dhe planeve të tij djallëzore PKSH / PPSH-ja, nuk mund të sundonin dot pa një politikë terrori, të cilën e zbatonin përmes luftës së ashpër të klasave, sajimit të grupeve armiqësore, arrestimeve e burgosjeve të njerëzve të pafajshëm të shpallur “armiq të partisë e të atdheut”.
Historia e Shqipërisë pas marrjes së pushtetit prej Partisë Komuniste është e mbushur me “zbulime e asgjësime grupesh armiqësore”. Kështu pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, për të fituar dashurinë e Stalinit, u sajua dhe u dënua grupi agjenturor i Koçi Xoxes, Misistrit të Punëve të Brendëshme, si agjent jugosllav.
Kur Nikita Hrushovi kërkoi largimin e drejtuesve të partive komuniste si pushtetarë të diskredituar për krimet që kishin bërë, Enver Hoxha, për të mbetur në krye të partisë, shpalli shkëputjen nga kampi socialist me pretekst se Hrushovi kishte tradhëtuar dhe se Enveri do ta mbronte Marksizëm-Leninizmin nga revizionizmi. Krahas kësaj manovre ideologjike ai sajoi zbulimin dhe dënimin e “grupit armiqësor të Teme Sejkos”, Komandantit të Fllotës Ushtarake Shqiptare. Me këtë veprim ai synoi të tregonte se Bashkimi Sovjetik se po punonte për ta përmbysur udhëheqjen e partisë sonë.
Kurse mbas daljes nga Traktati Ushtarak i Varshavës, u projektua kapja dhe shpartallimi i “grupit agjenturor polak” me në krye dy gra polake të martuara me dy djem shqiptarë që kishin studiuar në Poloni. Që të bëheshin sa më të besueshme këto grupe armiqësore, “gjendeshin” dhe disa bashkëpunëtorë të tyre e kështu këto grupe plotësoheshin dhe me viktima të tjera…
 
* * *
“Unë, tregon Minai, pasi mbarova shkollën e lartë Fakultetin Inxhinieri, dega marshedër, fillova punën në minierën e qymyrgurit Mborje-Drenovë në tetor 1960. Aty punova gati 9 vjet në një zyrë me teknikun e minierës Vaskë Orgocka, i cili kishte studiuar dy vjet në Poloni ku ishte martuar me një vajzë polake të quajtur Barbara. Mua nuk më ishte bërë pashaportizimi në qytetin e Korçës dhe nuk më jepej një apartament si familje e re që isha. U martova më 1962 me shoqen time Luiza Strati me origjinë dhe ajo si unë nga Vithkuqi. Vaska, shoku i punës m’u bë si vëlla. Edhe pse kishte dy fëmijë, vajzë e djalë e grua të huaj, ai më mori në apartamentin e tij me dy dhoma e një kuzhinë ku më lëshoi njerën dhomë për disa muaj. Edhe gruaja e tij polake u bë si motër me gruan time. Pastaj gjeta një dhomë me qira tek shtëpia private e z. Kita Karamitro. Aty familja ime u shtua me dy djem, Romeon më 9 qershor 1963 dhe Kostën më 31 dhjetor 1965.
Më 25 qershor 1969, kur në Rrethin e Korçës ishte sekretar i parë i partisë xhahili Mihallaq Ziçishti, ndodhi e papritura. Në vend që të më jepej një apartament për t’u strehuar, më arrestuan. Vaskën e kishin arrestuar një muaj më parë bashkë me gruan e tij. Përveç ne të treve në Korçë u arrestuan dhe doktor Lefter Tiko, mjek shumë i aftë që kishte mbaruar shkëlqyeshëm në Poloni e ishte martuar me balerinën polake Vanda; dhe Gaspër Larja teknolog në Fabrikën “Birra Korça” që kishte studiuar në Itali, që para Luftës. Në Durrës u arrestuan Kostandin Papa dhe shoku i tij i ngushtë agronomi Kujtim Zhari, si dhe polakja Barbara Mullai, bashkëshorte e mekanikut Gëzim Mullai, djalë nga Dishnica e Korçës që kishte studiuar për mekanik në Poloni. I nënti ishte dajua i Vaskës, Tushi Foto, një burë i moshuar mbi 80 vjet.
Hetuesia na u bë në Tiranë, ajo zgjati gjashtë muaj. Edhe gjyqi na u bë në Tiranë gjatë 3-4 ditëve në gusht 1969 me kryetar gjyqi Kleanthi Koçin. Unë pata për hetues Jake Tefikun, një beratas, kurse për prokuror Pandi Konomin. Vaska dhe të akuzuarit e tjerë nuk e pranuan akuzën, sipas së cilës ata kishin bashkëpunuar me agjenturën polake për përmbysjen e pushtetit popullor. Edhe më burrërisht qëndroi Barbara Orgocka. Ajo gjatë gjithë seancave të hetuesisë dhe gjatë gjyqit nuk pranoi t’i përgjigjej asnjë pyetjeje edhe kur i sollën një përkthyes. Ajo përplaste këmbët nën tavolinë pa folur, si shënjë kundërshtimi.
Vaska dhe Kostandini u dënuan me vdekje, por pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor ua mori parasysh kërkesën, dënimi i tyre u zbut në 25 vjet heqje lirie. Barabara Orgocka u dënua me 25 vjet, kurse Barabara tjetër me 20 vjet burg.
Mua më akuzuan se kisha bërë propagandë kundër politikës së partisë, se kisha shpërdoruar valutën, se bashkë me Vaskën donim të arratiseshim në Amerikë, prandaj po mësonim në një kurs privar anglisht me mësues Andon Frashërin, shokun e Fan Nolit që jetonte në Korçë. Shpërdorimi i valutës qëndronte në faktin se kur Barbara Orgocka shkonte si turiste në Poloni, unë i kisha shitur gjithsej 200 dollarë për t’u blerë dhurata njerëzve të saj. Këto dollarë m’i kishte dërguar tetoja ime nga Amerika dhe sipas gjykatësit unë duhej t’i kisha këmbyer në bankë. Unë i mohova akuzat për agjitacion e propagandës, për bashkëpunim me Vaskë Orgockën për arratisje. Për Vaskën thashë se nuk e pranoja që ai të ishte marrë me punë agjenturore. Pranova se unë dhe Vaska kishim shprehur pakënaqësi të vogla ndaj kushteve të vështira të jetës, por sqarova se ato i kishim bërë jo nga dëshira për ta përmbysur qeverinë, por nga dëshira që të përmirësohej jeta e popullit tonë.”
Më tej ai vijon sqarimet: “Unë u dënova me 14 vjet heqje lirie. Ashtu si Vaskës dhe mua nuk na u mohua e drejta e profesionit që kishim. Kjo tregonte se u duheshim si punëtorë minierash. Të dënuarve të tjerë u dhanë dënime të ndryshme. Doktor Lefter Tiko u dënua me 8 vjet, të cilat e dërguan t’i kryente te burgu i Spaçit si mjek. Po atje u dërguam edhe ne: Vaska, Kostandini edhe unë. Të tjerët u dërguan në burgje të ndryshme.”
.
Mina Kota, dhe e shoqja Luiza Kota (Strati)
Mina Kota dhe e shoqja Luiza Kota (Strati)

Dy gratë polake, dy Barbarat, mbas 17 muaj nga dita e arrestimit u morën nga burgu i grave dhe u nisën urgjent pa fëmijët e tyre nga burgu në aeroportin e Rinasit dhe u dërguan në Poloni në mënyrë sekrete pa u dhënë mundësi të shihnin as fëmijët e tyre, të cilët u mbajtën në Shqipëri, ku vijuan të rriteshin prej gjyshërve të tyre si jetimë me prindër gjallë, dhe si qytetarë të dorës së dytë me biografi të keqe.

Këtë ngjarje, shoqja e tyre Vanda Tiko e mësoi disa ditë më vonë prej Radio Varshavës. Vlen të tregojmë këtu pasojat që kaloi kjo balerinë në Korçë. Pas arrestimit të burrit e larguan nga arsimi dhe e dërguan të punonte si punëtore e thjeshtë tek Ndërmarrja e Qilimave, por me gjithë këtë masë ajo vendosi ta priste bashkëshortin e të mos largohej nga Shqipëria. Mirëpo pas dy tre muajsh nga largimi i dy Barbarave, Vandës i sajuan disa rrethana dhe e detyruan të kërkonte largim nga Shqipëria. E tronditur nga fakti se i duhej të bënte një ndarje që nuk e donte dhe se në Varshavë do të mbetej qyqe si dy shoqet e saj, ajo pësoi një depresion të thellë dhe u shtrua në spital. Pas daljes nga spitali i shkuan një mbasdite dy punonjës të Degës të cilët i komunikuan urdhërin se të nesërmen ajo duhej të nisej për në aeroportin e Rinasit pa fëmijët. Vanda mblodhi forcat dhe u përgjigj duke i kërcënuar:
“U thoni eprorëve tuaj në Tiranë, se unë nuk dua të largohem e vetme nga Shqipëria dhe se nuk ua besoj juve djemtë e mij. Unë e dij sa mizorë jeni ju. Ju që e burgosët pa shkak Lefterin, mjekun që kundërshtoi propozimin për të punuar si mjek në Varshavë dhe më solli mua këtu për t’i shërbyer popullit shqiptar, kurse ju ia shpërblyet patriotizmin me burg.
Sa të m’i burgosni nesër djemtë e mij, ose të m’i vrisni ju, unë do t’i vras me dorën time para se të largohen nga Shqipëria, por kur të mbërrij në Varshavë do të kërkoj ngritjen e një gjyqi ndërkombëtar kundër jush.”
Vendosmëria e asaj nëne e mposhti Kadri Hasbiun, Ministrin e Punëve të Brendshme, dhe dha urdhër që ta lejonin Vanda Tikon t’i merrte të nesërmen dy djemtë me vete e të largohej urgjentisht.
Më vonë u muarr vesh se dy Barbarat ishin këmbyer me dy agjentë të zbulimit shqiptar të cilët i kishte arrestuar shteti polak mbas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Njohja e kësaj së vërtete na ndihmon të kuptojmë se nevoja për të realizuar këmbimin e dy agjentëve shqiptarë, ka qenë shkaku bazë i gjithë asaj tragjedie që shkaktoi i quajturi “gjyqi i agjentëve polakë”, pasojat e të cilit i vuajtën jo vetëm nëntë të dënuarit, por edhe dhjetra familjarë të tyre duke u hequr nga punët, duke mos u lejuar të studionin nëpër shkolla të larta, etj, etj.
Liza Kota u thinj brenda natës pas arrestimit të Minait dhe kaloi sëmundje të ndryshme. Ajo me dy djemtë u detyrua të mbështetej tek prindërit e saj ku e ndihmoi sidomos vëllai i saj i madh, Paskali. Romeoja dhe Kosta u rritën si fëmijë me biografi të keqe, si bij armiku dhe si gjithë kjo kategori fëmijësh, nuk u lejuan të vijonin shkollat e larta…
Për Lefter Tikon ka pësuar edhe kushëriri i tij, ish mësuesi Kristaq Tiko. Këtë person e detyruan për një muaj me radhë që pasi të mbaronte mësimin në fshat të paraqitej ditë për ditë në Degën e Punëve të Brendshme të Korçës. Aty e kërcënonin 3-4 orë se do ta burgosnin dhe atë po të mos tregonte bisedat që kishte bërë kundër pushetit me doktorin. Por i ndershmi Kiço Tiko, rezistoi e nuk pranoi të depononte gjëra të paqena, pra nuk pranoi të bëhej vegël e organeve të Sigurimit për të marrë më qafë kushëririn e tij. Tensioni i ngrihej në 20 gjatë e mbas takimeve. Mbas mbarimit të kësaj torture, një ditë Kiços i shkoi tensioni i lartë në 23 njësi. Mbas vizitës mjeku e detyroi të merrte mjekime të vijueshme, por sëmundja e tensionit të lartë iu bë kronike dhe pas disa vjetësh ai pësoi një infarkt të rëndë prej të cilit mundi të shërohej në SHBA ku erdhi urgjentisht tek tetot e tij dhe kreu një operacion të vështirë në zemër…
 
Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

Revolta e Spaçit 21-23 Maj 1973

“Në burgun e Spaçit kishte 1000 të burgosur, prej të cilëve rreth 400 punonin nëntokë për nxjerrjen e mineralit të bakrit dhe të piritit, rifillon tregimin e tij z. Mina Kota. Rreth 560 rrinin të papunë sepse ishin ose të moshuar, ose të paaftë për punë për arsye shëndetësore. Kurse rreth 40 vetë punonin mbi tokë si kuzhinierë e ndihmës, si marangozë, rrobaqepës, pastrues, etj.
Unë kisha kohë që isha caktuar të punoja si brigadier në zonën e tretë të minierës, krahas brigadierit të lirë që më dublonte. Brigada kishte mbi 65 punëtorë. Nja tre katër muaj më parë kishin ardhur për të kryer dënimin e tyre dy vëllezër, që ishin dënuar për agjitacion e propagandë me nga 10 vjet burgim. Vëllai më i madh, Pal Zefi që ditët e para që erdhi kishte ngulur këmbë që dënimin e tij ta kalonte me punë mbi tokë e jo në minierë nëntokë. Komanda, sipas rregullit të saj e dënoi duke e mbyllur në birucë për 30 ditë. Sa mbushi këtë dënim ai përsëri kërkoi të punonte mbi tokë e të mos punonte si minator në galeri. Komanda e ridënoi për të dytën e për të tretën herë. Në maj ai kundërshtoi përsëri dhe komanda me kokfortësi ia përsëriti për të katërtën herë dënimin me 30 ditë të tjera në birucë. Kjo masë e përsëritur ia kishte acaruar shumë nervat Palit. Në buzëmbrëmjen e 21 majit 1973, kur roja i shpuri ushqimin e darkës, Pali shfrytëzoi rastin që iu hap qelia dhe e shtyu rojen, doli jashtë, rrëmbeu një levë dhe e goditi rojen. Pastaj hapi njerën nga birucat e tjera prej ku doli i dëuari Hajri Pashaj, i cili me një levë tjetër hapi dhe katër qelitë e tjera dhe u bashkuan nja 10 të dënuar. Këta filluan të thërrisnin: “Poshtë diktatura!, “Rroftë liria!” “Poshtë diktatori!”, “Roje, mos qëlloni! Motrat e vëllezërit tuaj punojnë për 50 lekë në ditë”, “Mos qëlloni!”, etj.
Tek sheshi u mblodhën shumë të bugosur. U krijua një gjendje alarmante. Parullat po përsëriteshin edhe më fort. Rojet e lëshuan sheshin dhe u larguan. Kampi po buçiste, turni i tretë nuk shkoi në punë. Pas ca kohe erdhi turni i dytë nga galeritë dhe sheshi u mbush plot e përplot. Unë isha atje. Komanda e humbi kontrollin. Rojet dhe ushtarët kërcënonin me hapje zjarri në ajër sa për të ngjallur frikë. Nga Tirana nuk po vinte asnjë urdhër. Kjo ngjarje e hutoi si komandën e kampit dhe Ministrinë e Brendshme në Tiranë.
U gdhi 22 maji. Disa të burgosur me piktorin Mersin Vlashi nga Burreli, u morën me përgatitjen e flamurit pa yllin e kuq, shenjën e komunizmit. Ky flamur u vendos në një shtizë druri mbi taracën e godinës trekatshe. Rroje u caktua Ndrec Çoku, një mirditor trim. U lajmëruan disa të burgosur që dinin t’u binin veglave muzikore që të vinin mbi taracë e të këndonin hymnin kombëtar. U krijua grupi muzikor me gjashtë vetësh si Gëzim Çela me kitarë, Agim Nelku me trompë, e të tjerë që nuk po i kujtoj dot.
Ne dëgjuesve na rrënqethej mishi e na mbushej zemra me kurajë. Por nuk e mohoj se unë, duke kujtuar gruan e sëmurë dhe fëmijët e vegjël nuk u bashkova me Kostandin Papën që shkoi në mencë me 70 të dënuar, shumica beqarë, që hartuan një peticion me të cilin kërkohej që të vinte në kamp Kryeministri Mehmet Shehu për të parë kushtet e rënda të të burgosurve dhe të vendoste që të dënuarit e ndërgjegjes të punonin mbi tokë e jo në galeri minierash me rrezik jete. U kërkua gjithashtu që të vinte një komision i OKB-së për të parë kushtet e rënda të jetës së të burgosurve. U kërkua që qeveria shqiptare të merrte pjesë në Konferencën e Helsinkit për të drejtat e njeriut.
Ditën e dytë kampi u rrethua prej ushtarëve të Korpusit të Burrelit me komandant Bako Dervishin.
Ditën e tretë erdhën nga Tirana Feçorr Shehu, Zv-Ministër i Punëve të Brendëshme i shoqëruar prej disa personaliteteve të ushtrisë e sigurimit, midis të cilëve pashë e njoha Kasëm Kaçin, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Me ta erdhën dhe qindra forca speciale të ndërhyrjes së shpejtë. Ata u dhanë urdhër ushtarëve dhe rojeve të na prangosnin dy nga dy e të na nxirrnin tek sheshi i dytë i kampit, sheshi kryesor. Rreth 25 vetë nuk pranuan të prangoseshin dhe hipën mbi tarracën e godinave te banjave ku mbahej tani flamuri.
Në pasditen e 23 majit komanda hodhi thirrjen: “Të burgosur dorëzohuni se do t’ju falim!” Por askush nga 25 trimat e tarracës nuk u dorëzua. Filloi përleshja trup me trup midis sambistëve dhe të burgosurve në taracë. Ndeshja vijoi disa orë. Më në fund revoltuesit plot plagë u mposhtën, por akti trimëror i tyre e bëri punën e vet: e trembi diktaturën dhe diktatorin dhe tregoi se diktatura nuk ishte e fortë si shitej…
Në natën e 23 majit u shpunë në Rrëshen 12 luftëtarët më trima të tarracës. Aty u bë hetuesia speciale dhe gjyqi special për ta. Edhe pse u shuan dritat, sepse mbi kabinën elektrike kishte rrënë një mace, gjyqi vijoi me fenerë dhe u dhanë dënimet. Katër vetë: Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko dhe Skënder Daja u dënuan me vdekje me pushkatim; kurse tetë të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg. Gjyqi për 70 personat e peticionit u krye më vonë. Ata u dënuan me riburgim disa me 15 vjet, disa me 16 vjet, disa me 17 vjet e disa dhe me 18 vjet plus. U dënua gjithë kampi me ndërprerje të letërkëmbimit dhe takimeve për tre muaj, me qëllim që të mos përhapej lajmi i revoltës. Asnjë kërkesë për lehtësimin e kushteve të jetesës nuk u muarr parasysh. Të nesërmen filloi apeli dhe dërgimi i turnit të parë në punë…
Zjarri që ndezi në zemrat e të burgosurve revolta e Spaçit, nuk u shua. Pasi u mbyll burgu i Spaçit dhe të dënuarit tij u transferuan te kampi i Qafë Barit, edhe këtu u krye një revoltë, revolta e dytë e të burgosurve të ndërgjegjes në mbarë burgjet e diktaturave komuniste. Këtë revoltë e ka përshkruar me vërtetësi dhe emocione pjesëmarrsi i saj, shkrimtari i talentuar Visar Zhiti tek romani “Ferri i Çarë”...
.
Visar Zhiti "Ferri i çare"
Visar Zhiti “Ferri i çare”

* * *

Një veprim qesharak e kriminal ndaj revoltës së Spaçit u krye në marsin e sivjetëm.
Presidenti i RSH disa vjet më parë i kishte shpallur e vlerësuar me titullin e lartë “Pishtarë të demokracisë” katër të pushkatuarit: Pal Zefin, Hajri Pashain, Skënder Dajën dhe Dervish Bejkon, kurse ish Ministri i Punëve të Brendëshme z. Saimir Tahiri në mars të këtij viti e thiri dhe e dekoroi z. Kasëm Kaçi “për veprimtari me ndërgjegje të lartë në punë”. Sa e pabesueshme, pas 27 vjetve nga rënia e diktaturës komuniste vijojnë të jepen dekorata për ata njerëz që e shtypën revoltën e parë historike antikomuniste të burgut të Spaçit, kur ky burg tashmë është kthyer në Muze kombëtar.
Kasëm Kaçi, i cili ka shumë vjet që jeton në Worcester MA të SHBA-ve dhe po shijon të mirat e jetës demokratike amerikane me gjithë familjarët e tij, do të na kishte dhënë një mësim të vlefshëm sikur në ceremoninë e dekorimit të tij, të mos pranonte ta merrte atë dekoratë e të thoshte para ministrit Tahiri: “Sot Shqipëria paskomuniste me të drejtë ka vlerësuar e vlerëson ata që e kundërshtuan diktaturën komuniste, prandaj nuk është nevoja të më vlerësojë mua e shokët e mij që i shërbenim diktaturës dhe shkuam sipas urdhërit të diktatorit për ta shtypur revoltën e Spaçit.”
Ne shqiptarët duam që të na e ndërtojnë të huajt demokracinë dhe nuk luftojmë për ta ndërtuar vetë atë. Ende vijojnë të dekorohen dhe të vlerësohen prej pushtetarëve, historianëve dhe kritikëve të artit e të letërsisë shërbëtorët e atij regjimi gjakatar dhe veprat e tyre, që ia zgjatën jetën diktaturës komuniste, pa shprehur asnjë qëndrim kritik ndaj dëmit që i bënë popullit. Mirëpo dihet se pa dënuar krimet e diktaturës komuniste nuk mund të ecim përpara…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.