
Një ditë pranvere në shtëpinë e fisnikes kelmendase
nga Shqipe Nebiaj
E dielë, 23 Mars.
Dielli ndriçon gjithkah dhe ne shijonim nga brenda udhëtimin e bukur drejt Jonkers.
Ndodh jo shpesh kur njerëzit ndjehen të lirë, me zemër e mendje të hapur, kur dashuria, respekti dhe mirësia shkrihen natyrshëm. Më kujtohet kur para një vit e gjysëm, në kishën “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, Yankers, NY, u promovua libri i heroinës kelmendase, gruas me zemër florini, Mrì Merrnacaj me titull: “Mri Dedja e Merrnacajve, – Zoja e Hekurt me shpirt florini”, nga publicisti dhe shkrimtari i njohur, Jozef Radi, i cili kishte përmbledhur në kët libër rrëfimet plot vërtetësi deri në detaje, të zojës Mrije në lidhje me jetën, vuajtjet dhe torturat, që regjimi komunist i kishte shkaktuar familjes saj po edhe familjes ku ajo jetoi pjesën më të madhe të jetës. Peripecitë e mëdha, guximin dhe trimërinë e treguar për t’i shpëtuar përndjekjes e persekutimit të regjimit dhe emigruar në ShBA për një jetë më të mirë.

Në fund të parathënies së librit, Mrija e mbyll duke shkruar: “Tash që e ndjej t’kryme kët punë, edhe Zoti n’qiell ka m’u ndje mirë, për njaq sa e due e njaq sa e kam përmendë e i jam falë me kët libër…”
Në jetën time nuk kam njohur një grua kaq fisnike me zemër të madhe e bujare.
Sapo hymë në shtëpinë e saj, më ranë në sy dy piktura të bukura, të punuara mjeshtërisht nga piktori i talentuar, Anthony Perdoda: portreti i zojës me zemër florini, Mrì Merrnaçaj dhe portreti i patriotit e heroit legjendar të Malësisë së Kelmendit, Prek Cali. Pranë tyre ishte një pikturë e tretë origjinale, që portretizonte Norën e Kelmendit, gruan fisnike të shekullit të 17-të, që është shndërruar tashmë në legjendë për bukurinë dhe trimërinë e saj.

Pas përshëndetjeve të para, nën shoqërinë e pijeve të shijshme, filluan bisedat rreth historisë, politikës, luftës si dhe temave të tjera që janë aktuale për shqiptarët. Më tej biseda u përqëndrue të Kelmendi, duke filluar me historinë, vazhduar me etnografinë, zakonet etj, pa harruar Logun e Bjeshkëve, ku mbahet çdo vit festa tradicionale e bukurisë së vajzave te Malësisë. Çdo gjë shkoi mirë e bukur. Shto këtu pritjen shumë bujare, tryezën me ushqimet e shijshme të përgatitura nga vajzat e Mrisë, sipas traditës së mrekullueshme të malësorëve Kelmendas.
Në mbarim të kësaj mbrëmje të bukur u ndjeva e mbushur me ndjenja mirësie, poziviteti e respekti të madh për këtë familje fisnike nga Kelmendi. Të gjithë ne të ftuarit, e falenderuan përzemërsisht për mikpritjen, duke i uruar zojës së shtëpisë, Mrijes së Merrnaçajve dhe familjarëve të saj, jetë të gjatë, shëndet, mirësi e lumturi!
Zoti ju Bekoftë!

Marrë nga Muri i FB Shqipe Nebiaj, 24 mars 2025