back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një dorshkrim i rrallë prej Frederik Reshpjes, kushtuar dashurisë – “Requiem!”

Gazeta

Duke shkruar ne karrige... Frederik Reshpja
Poeti duke shkruar ne karrige… Frederik Reshpja

Një dorshkrim i rrallë prej Frederik Reshpjes

kushtuar dashurisë

(Sikurse premtova, po sjell të plotë poemthin “Rekuiem” të Frederik Rreshpjes,
ruajtur e ofruar me bujari nga miku i tij, Mehmet Bejko.
Po nga ky autor e nëpërmjet të njejtit njeri z. Mehmet Bejko,
kemi të shpëtuar edhe poemthin – “Zogu i ëndrrës”, – kushtuar një fëmije.
E sjellim në një ditë tjetër, të plotë.
Ju lutem portaleve të mos vënë dorën grabitëse në këtë postim vetjak për miqte e mi e të poetit.
Krijimet do t’i besohen një botuesi të denjë…
Virion Graçi
.
Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)
Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)

Requiem

nga Frederik Reshpja

1.
U ndamë
Mes nesh krisi e u thye mermer i dashurisë
Ishte një natë biblike
Ishte dhe një shi i verbër
Që trokiste si Homer në asfalt
Dhe një hënë e shuar
Që e harruan ëngjëjt-barij
Dhe lamtumira e gjetheve të verdha
Dhe qetësia-kafsh e plagosur në këmbët e qytetit
Dhe kupola e botës: Pikëllimi im.
 
2.
Po mbledh mermerin e dhimbjes sime
Atje-këtu si arkeologët duke rindërtuar
Ditët e kaluara.
Eja! Unë
Largoj rërën e kohës
Mbledh shpirtin tim copë-copë.
 
3.
Duke të pritur ty
Çeli lule druri i portës
Zogjtë e zërit tim fluturuan
 
Duarkryq mbi heshtjen time
Sa bota të kam pritur ty.
Ku je?
 
Kështu vjen mbrëmja
Pastaj hëna hap një tunel në errësirë
Pastaj agimi i rrëzon muret e natës
Pastaj dergjet drita si peshk mbi rërë
Dhe përsëri perëndimi dergjet
Si kufomë resh
Dhe pastaj vjen mbrëmja e lashtë sa gjeneza
Dhe kështu ikin ditët pa ty.
 
4.
Ishte një herë… (Po kjo s’është legjendë)
Mbaja mbi sup krahun tënd lakuriq
Putha sytë e tu
Duart e mia si druri i hardhisë
Gjelbëronin mbi ijet e tua gati për t’u bërë nënë.
 
Unë isha për ty gjithçka. Isha streha jote
Ku të preheshe në qetësi.
 
Pikë-pikë tani rrjedh shiu mbi strehë
Nuk je.
 
5.
Si më braktise kështu?
E ke ditur se dita pa ty s’ka kuptim
As hëna as dielli që tunden në qiell
Si shprehje absurde.
 
Dhe udhët janë kot: s’të çojnë diku
E ke ditur
Se qyteti pa ty është bosh
Si në ditën e parë të krijmit të botës
Katër horizontet varen si tablo të dështuara
Dhe dreka rri si një gardian te kuzhina
Krevati im ku kam për t’u varrosur përsëri sonte
Dhimbja ime që s’vdes kurrë.
 
Të gjitha këto i ke ditur
Dhe ike, më le.
 
6.
Kthehu e dashur!
Të shoh duart e tua, sytë e tu. Më mori malli.
Të kalojmë përdore mes qytetit
Si dy marsianë të ardhur nga kozmosi i dashurisë
Do të këndoj për ty
Gjithçka do të shndërrohet në kitarë.
 
Zërin tim të bërë kurorë
Po vë te këmbët e tua.
Je perëndia. Bekuar qoftë
Shpirti yt ku unë besoj.
.
Dorshkrimi i gjetur i Reshpjes
Dorshkrimi i gjetur i Reshpjes
7.
Kthehu!
Po rri si skllav përpara Portës së Pikëllimit
Ditë e natë.
Ndjej si po kthehem në bronz.
Ndjej daltat mbi ballin tim
Mbi sytë e mi.
Këtu së shpejti do të mbijë bari.
 
8.
Dhe në vdeksha, kënga ime u bëftë selvi
Ku rrinë zogjtë si rimat në vargje.
Rrufetë e lira, si vargu im
Thefshin mermerin e ftohtë të varrit.
Kur të vdes
Njeri nuk do më qajë
Po mundet të thotë:
Shkoi ky rrëmujaxhi.
Ah! Vetëm nëna duarkryq mbi varr
Do të qajë në vetmi.
Nëna ime, e dhembshura ime
Sa shumë ke vuajtur prej meje.
Udhëve gjithë jetën si qyqe baladash.
Mbështjellë me të zeza
Si e mbështjellë
Me pikëllimin e tërë njerëzve.
 
9.
Mbrëmë qeshë te shtegu ynë
Trishtim. Mërzi.
(Mbi frona, kështu
Me bijat e saj flinte vetmia)
 
Shelg, i thashë, i dashuri im!
Sa herë me duart e gjelbëra na ke mbuluar
Në kujtesën e gjetheve
Në netët me shi
A të është shfaqur
Fytyra ime e harruar?
 
Jam i vetmuar si ti, shelgu im.
Po iki.
Pas meje
Si qen më ndjekin
Bijat e vetmisë: trishtimi, mërzia.
Lamtumirë.
 
10.
Po endem nën gërmadhat e ditë të shkuara
Rrënoja. Pirgje të rrëzuar: muaj, mote.
 
Ç’është kështu?
Është rrëzuar Babilonia por kurrë
Asnjë arkeolog nuk e ka qarë me lotë.
 
O Zot. Bëmë dru dhe merri
Gjethet e mia një e nga një.
 .
Dorshkrimi i gjetur i Reshpjes
Dorshkrimi i gjetur i Reshpjes

11.

Po dal nga kjo këngë
Nga këto kolona të thyera
Nga ky tempull i rrëzuar
Shpirti im tërë plagë kullon gjak
Shikomëni:
Unë po vij nga shembja e Trojës
Unë kam dalë nga gërmadhat e shtatë mrekullive të botës.
 
Nuk e bëri Zeusi olimpik këtë hata
As Hefesti, as Çezari s’e bëri.
 
Jo, në vend të strategëve dhe perëndive
Shikoni dikë tjetër: larg po ikën
Një vajzë e bukur me flokët ngjyrë dielli.
 
12
Lamtumirë!
Dëgjoni rekuiemin tim dhe largohuni!
Si një beduin i lodhur, po ik.
 
Është vonë!
Lamtumirë – kënga ime e trishtuar.
 
Hej, ju të braktisurit si unë, më prisni mua
Udhëtarë të vonuar, po vij!..
 
Frederik Rreshpja, e firmosur,
9 shkurt, 1988
.
Marrë nga Muri i Fb i Virion Graçit, 2 shtator 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.