back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një falenderim për Dom Nikollë Kaçorrin, bashkëthemelues dhe arkitekt i Pavarësisë së Shqipërisë – nga Aleksandër Ndoja

Gazeta

Nikoll Kaçorri (1865-1917)
Nikoll Kaçorri (1865-1917)

Një falenderim për Dom Nikollë Kaçorrin,

bashkëthemelues dhe arkitekt i Pavarësisë së Shqipërisë

nga Aleksandër Ndoja

28 nëntor 1912 – 28 nëntor 2023

Dom Nikollë Kaçorri (Krejë, 1865 – Vienë, 29 maj 1917) – prelat katolik dhe figurë e shquar e kryengritjeve kundër rendit xhonturk, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe zv/kryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.
Në këtë ditë të shënuar për mbarë kombin e shqipeve, mirënjohja ime më e thellë shkon për Dom Nikollë Kaçorrin, këtë strateg dhe arkitekt të Pavarësisë së Shqipërisë, bashkëthemelues i shtetit shqiptar, si dhe për të gjithë ata që më pushkë, pendë e përpjekje pafund, e sollën kombin tonë në këtë prag lirie e pavarësie.
Edhe një herë mirënjohje pafund për ata që e çuan vendin tonë në këtë ngjarje historike, pas 500 viteve robëri nga osmanët, por kurrë jo, për ata që manipuluan duke “luftuar” vetëm orët e fundit nga poltronet pushtetare e hierarkike të pushtuesit 500 vjeçar, thjesht duke u endur fushave të Myzeqesë, në kërkim të “Eldorados”, duke ju shmangur më së shumti nipave te tyre gjonturq, për ta lënë këtë vend vetëm katër muaj më vonë, (mars 1913) me gjysmën e saj më vitale Dardaninë, në prehërin e qoftëlargut sllav.
Ka ardhur koha të shohim përtej “historisë” së kamufluar, për të parë e identifikuar të vërtetën historike, me shpresë mospërsëritjen e pjesës negative në tre kthesa historike vendimtare për kombin, pasi ne kemi dështuar me pranimin për liderë ata që erdhën si pako postale, nga ana me të cilën luftonim.
Aleksandër Ndoja/ Kryeredaktor i revistës “Mirdita”

Dom Nikoll Kacorri (1865-1917)
Dom Nikoll Kacorri (1865-1917)
Disa nga të vërtetat e Pavarësisë së Shqipërisë-
nga Shaban Murati – Historia siç është bërë dhe jo siç e kanë fshirë

1-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912, Nr. 6501, Tel. nr.15
2
“Natën mes 26 dhe 27 (1912), tre krerë (pari) më dorëzuan mua, një dokument, (një për Shkëlqesinë tuaj dhe një për Qeverinë italiane), lidhur me shpalljen e suksesshme të Deklaratës Së Pavarësisë”.

2-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912, Nr. 6645, Nr. Tel.156
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit nën brohoritje. Mutesarrifi u shkarkua. Hamid bej Toptani, governator i përkohshëm. Mitropoliti zvarrit ta njohë “Qeverinë e Përkohshme”. Paria e vendit u doli serbëve përpara, mbi lëvizjen e tyre mungojnë njoftimet. Ata janë nisur prej Krujës.

3-Telegrami i Proklamimit të Indipendencës shqiptare, nga Lef Nosi në librin e tij ”Dokumente historike”, 1924:
Nr.13.300, Durrës, 13 Vjeshta e tretë, 1328-1912 7.30 ora e ditës.
Popullit të ndershëm të qytetevet: Elbasan, Berat, Janinë, Gjinokastër, Lushnje, Korçë, Starovë, Vlonë, Përmet. Ju apim lajmen e gëzushme, se me hirin e të Naltit Perëndie, ndashti shpallëm Indipendencën, n’emën të kombësiës sonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës.

4-Gazeta “Taraboshi” e Shkodrës, 22 janar 1914:
Ismail Kemal Vlora më 27 nëntor 1912, e ngriti flamurin kombëtar shqiptar në ndërtesën e Qeverisë së Përkohshme në Durrës.

5-Gazeta britanike “Daily Telegraph” 27.11.1912:
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Durrës më 27 nëntor 1912, dhe ka një shqiponjë të zezë dykrerëshe ne një fushë me ngjyrë të kuqe.

6-Gazeta austriake “Weinder Bilder” datë 1.12.1912: Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal bej, në krye të një asambleje nga paria, në Durrës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë.
(Nga libri “”Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare” i historianit Prof. Dr. Eqrem M. Zenelaj, Prishtinë, 2016, fq. 340-399)

Dom Nikoll Kacorri (Arben Morina)
Dom Nikoll Kaçorri (Arben Morina)

7-“Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912, mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”.
-(Prof. Dr. Eqrem M. Zenelaj, “Diplomacia e Ismail Kemal Bej Vlorës”, Prishtinë, 2013, fq. 325).

8-Për Shpalljen e Pavarësisë në Durrës njoftohen po atë ditë me telegram shumë qytete të Shqipërisë dhe teksti i telegramit është ky:
“Ju njoftojmë lajmin gazmor se me mirësinë e lartë hyjnore tani e Shpallëm Pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë.
Ju bëjmë të ditur se nga memorandumet që kemi hartuar, një kopje ja kemi paraqitur Konsullatës Austriake, tjetrën Konsullatës Frenge e të tretën kopje Konsullatës Austriake si zëvendëse e Konsullatës së lartë të Italisë”. (“Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”. Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të RPSSH, Tiranë, 1963, fq. 28.)

Kush është Dom Nikollë Kaçorri?
Dom Nikollë Kaçorri (Krejë, 1865 – Vienë, 29 maj 1917) ka qenë prelat katolik dhe figurë e shquar e kryengritjeve kundër rendit xhonturk, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe zv/kryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.

Pjetër Logoreci për Dom Nikoll Kaçorrin
Pjetër Logoreci për Dom Nikoll Kaçorrin
Biografia

U lind në fshatin Krejë të Malësisë së Lurës më 1862, me të atin katolik dhe të ëmën myslimane. Në po të njëjtën familje, xhaxhai i tij ishte po ashtu mysliman.
Ndoqi mësimet e para fetare në shkollën e Troshanit dhe më pas u shkollua në Romë, ku dhe u dorëzua prift. Kur u kthye më 1895, nisi shërbimin fillimisht si meshtar në Delbnisht. Me kryengritjen e Kurbinit, në bashkërendim me Gjin Pjetri u mundësoi kryengritësve 500 armë.
Më 1907, emërohet kryetar nderi i klubit “Vllaznia” dhe më 1909 u anëtarsua i klubit “Bashkimi”,3] me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën.4] Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.2] Pasi iu zunë prova që e përfshinin në një kryengritje, u arrestua dhe iu bë gjykimi. Për gjyqin dhe dënimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla boton gazeta “Dielli”.
Gazeta “Dielli” e datës 8 nëntor 1911 shkruan: “Me 15 të dhjetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që patën ardh të prishuna prej temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjyqi përsëri por pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuen përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe. Avokati mbrojtes, zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kërkoji të zhburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit, dhe e bâni temiz (apel) për së dyti por gjyqi nuk e liroji.”
Dielli nr. 89 shkruan: “Nga gazetat e huaja mësuam sihariqin se të ndershmit prift katolik nga Durrësi z. Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit për dënimin që kishte dhënë gjykatorja ushtarake. Përgëzojm nga thelbi i zemrës të shkëlqyerin atdhetar dhe i lutemi Zotit t’i falë pas këteji shëndet dhe prehje për të mirën e atdheut.”
“Në korrik të vitit 1911, ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaçorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i çonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaçorri kjé qitë në gjyqin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.”
Verën e 1912, qe ndërlidhës i kryengritjes që kishte ndërmarrë Maz’har bej Toptani, i cili lidhi besë me malësorët katolikë të Kurbinit, Kthellës e Mirditës dhe së bashku me disa myslimanë doli në mal.6] Në tetor së bashku me klerikë të tjerë shkoi në mision në Rubik, Mirditë, Kthellë, etj., me synimin që të bashkonte katolikët me forcat osmane kundër Malit të Zi që kish rrethuar Shkodrën.7] Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë.2] Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë së dalur nga Kuvendi i Vlorës.
Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Me shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së mesme, nga kryengritësit iu dogj qela ku banonte si dhe biblioteka e tij personale.
U largua drejt Vjenës, ku me dekret të 28 janarit 1916, Perandori Franc Jozef e dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit.8] Në kryeqytetin austro-hungarez qëndroi tri vjet, ku dhe u ekzaminua e mjekua për sëmundjen e mushkërive. Prej rëndimit të sëmundjes ndërroi jetë në sanatoriumin Würth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917, në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendej në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19.

Emzot Nikollë Kaçorri - Shtjefni & Loka
Emzot Nikollë Kaçorri – Shtjefni & Loka

Riatdhesimi i eshtrave
Në janar të 2011, kleriku Dom Izak Doda gjeti varrin e Kaçorrit në kryeqytetin austriak. Muajt pasardhës me interesimin e klerikëve të tjerë dhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Vjenë,10] u bë i mundur riatdhesimi i eshtrave të tij si dhe varrosja në kishën e Shën Luçias, Durrës.

Dom Nikoll Kaçorri (1862-1917)
Dom Nikoll Kaçorri

Trashëgimia
Më 1962, me 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u përmend për herë të parë qysh prej vitit 1944. Për veprimtarinë e tij u nderua “Për veprimtari patriotike e klasit të dytë.” Në përmendoren e Pavarësisë nuk u paraqit truporja e tij. Në asnjë vepër arti, aq të shumta për Pavarësinë, nuk u pikturua fytyra e tij. Në faksimilen e Aktit të Pavarësisë u arrit deri atje sa iu hoq firma. Në filmin “Nëntori i dytë”, kushtuar Shpalljes së Pavarësisë, del vetëm një herë, po jo në ballkonin ku u u ngrit flamuri.12]
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Kaçorrit i kushtohen vetëm 27 rreshta.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.