back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një “Falje Bajrami” ndryshe – nga Smeralda Çaça

Gazeta

Smeralda Çaça
Smeralda Çaça

Një “Falje Bajrami” ndryshe

nga Smeralda Çaça

Kurban Bajrami simjet më gjeti në Stamboll. Një mega-qytet prej 25 milionë frymësh që bashkëjetojnë në harmoni prej shekujsh. Meqenëse kemi një xhami shumë afër shtëpisë, gjigande nga jashtë, e stolisur me kaligrafi vargjesh kuranore dhe arabeska në muret e brendshme dhe me një shandan madhështor në kupolë, nuk e ndjeva nevojën të shkoja në ndonjë xhami të njohur, me taksi, pasi këtu mund të shkojmë në këmbë e të kthehemi shpejt. Vajtëm që në gjashtë të sabahut, meqë në internet thuhej se bajrami falej në gjashtë e çerek, por pamë se rruga ishte bosh, asnjë njeri duke nxituar, siç jemi mësuar të shohim në Shqipëri, kur besimtarët janë me vonesë. Brenda dukej vetëm imami me nja dy burra në hyrje, që na vështruan disi çuditshëm.
Mbeta pak e hutuar. “Po këta nuk do e falin bajramin sot?!” Kur u afruam te dera e grave gjetëm një zonjë të moshuar, mjaft të përzemërt. Por edhe ajo, pa hyrë mirë brenda, doli prap jashtë. Mbetem vetëm ne. Ora po shkonte gjashtë e gjysmë, dielli kish lindur tashmë. Në Tiranë e falim namazin e bajramit përpara lindjes së tij. Pas pak erdhi kjo gruaja me tabaka dhe shishe kolonje në dorë. “Iyi Bayramlar kızım!”* – na qerasi me karamele frutash, llokume me lajthi dhe në fund na freskoi duart me kolonjë aromatizuese limoni. Zemrave të mia u ndritën sytë. Ajo përtacia e mëngjesit u tret sakaq dhe iu futën karameleve. Nga ora shtatë filloi të mbushej xhamia me gra lart e me burra poshtë.

Stambolli
Stambolli

“Tani do falemi!” – mendova. Ndërkohë, i angazhova gocat të qerasnin shpejt e shpejt të sapoardhurat dhe t’i freskonin me kolonjë. Çuni kërcente pa pushim mbi sexhadet e buta me motive floreale. Një pjesë e grave u ulën në stolat e bankave të mësimbesimit anës murit, kurse tjerat nisën të falnin disa rekate nafile me një copë pllakë pesëkëndore, bojëtulle, përpara, në vendin e sexhdes. Ata gurë të vegjël prej argjile më patën tërhequr vëmendjen qysh në hyrje, ashtu të stivuar rradhë-rradhë në ca rafte apostafat, disa prej të cilëve mbanin aromë misku. Kisha menduar që duhej të kishin ndonjë simbolikë të veçantë ose vinin nga ndonjë vend i shenjtë profetik.
Aty më ra ndëmend se disa muslimanë sufi i mbajnë para vetes kur falen, si përkujtim të baltës, origjinës së njeriut dhe vendkthimit të tij në tokë.
Doemos, simbolika të tilla më lënë pa frymë dhe fill bëra lidhjen pse disa besimtarë kanë një njollë të errët, si vrajë, mu në lule të ballit. Me siguri nga vënia mbi gur.
Ndërkohë, poshtë, në katin e parë filloi hutbeja. Imami fliste një turqishte tepër të artikuluar për veshin tim të mësuar me gjuhën e përditës dhe mezi mora vesh ndonjë gjë. Ora po shkonte shtatë e gjysmë, rrezet e diellit kishin filluar tua mësynin dritareve harkore të xhamisë dhe me sa dukej, ata ende s’kishin ndërmend të faleshin.

Smeralda Çaça
Smeralda Çaça

Brenda ishin bërë miks gra të vjetra me xhybe të zeza të bollshme, disa me feraxha të holla verore, gra të reja veshur shik me fustane të çelëta e shamia mendafshi me motive ebrush dhe goca adoleshente e të mitura, që shoqëronin mamatë e tyre, me rroba festive gjithashtu. Ndonëse të gjitha e kuptuan që isha e huaj, ato më kureshtaret më pyetën për prejardhjen. Kur u thashë që vij nga Shqipëria, ato u gjallëruan papritur, sikur të kishin qenë ndonjëherë. Mbase historia. “Hoshgeldiniz, hoshgeldiniz!” – thanë ato njëzëri. Ndërkohë që llafosnim, çunin e zuri gjumi në tapet dhe njëra nga zonjat e vjetra erdhi më solli një jastëk. Sakaq, një mesogrua nga fundi i kolonës së stolave, u çua me një kanistër në dorë dhe nisi të mblidhte pará për pritjen e disa mysafirëve. Të gjitha gratë nxorrën kuletat dhe hodhën sekush nga 10 a 20 lira. Unë isha në mëdyshje, nëse duhej të veproja njësoj, sepse më acaronte ndjesia e imponimit kolektiv dhe fakti që kisha ardhur për t’u falur dhe për asgjë tjetër. Sikur të ma kish lexuar mendjen, gruaja e bëshme kaloi te unë me një buzëqeshje në gojë dhe pa më vënë në siklet, vazhdoi më tej.
Pas pak, më në fund u dha haberi që të bëheshim gati për faljen e bajramit. Plotësuam safet dhe sapo filloi namazi pashë se ato i mbanin duart lëshuar, jo si ne që i kryqëzojmë mbi gjoks. Pastaj, imami filloi të recitonte ca lutje të gjata pas çdo tekbiri; falja zgjati më tepër se ç’zgjat zakonisht në Tiranë.
Sigurisht, që i kisha rënë në të, – gjendesha në një xhami shiite. Më kishin thënë edhe disa të njohur më herët, por meqenëse ka ca xhami të tjera rrotull nuk e kisha kuptuar që bëhej fjalë pikërisht për këtë.
Xhamia ka arkitekturë të stilit turk dhe nuk ngjan fare me ato të shiiteve në vendet e Gjirit Arabik. Atmosfera e këndshme e lutjeve dhe të qenurit në një mexhlis besimtarësh të një tarikati tjetër brenda të njëjtit besim, ishte një ndjesi shumë interesante dhe mirakandëse. Pashë se nuk kishim shumë dallime të mëdha në rituale. Kur mbaruam, disa gra vijuan ende të faleshin, ndërsa të tjerat u ngritën. Mora çunin hopa dhe gjeta i një kartmonedhë në ije, ishte dhuratë bajrami.
Zakoni këtu. Fëmijëve u japin ëmbëlsira dhe pará pas faljes së bajramit. M’u bë qejfi tejmase dhe një të nxjerrë portofolin, mora e i dhashë gocës një kartëmonedhë rozë për ta hedhur në kutinë e sadakasë. Me çunin në krahë dhe turmën që dilte, harruam të bënim ndonjë foto. Të gjithë i kishin sytë tek ne dhe na shihnin me përzemërsi. Me sa duket, për faktin se kishim hyrë në rrethin e tyre, kur shumë banorë përreth nuk shkojnë kurrë për shkak të tarikateve të ndryshme.
“A do shihemi prap këtu?” – më pyeti e shoqja e imamit, teksa përshëndeteshim tek porta. “Ndoshta!” – i thashë, me një fije drojë nën vete, sikur kjo do t’i zemëronte bashkëfetarët e mi sunitë.

*Gëzuar Bajramin, bijë!

Marre nga muri i FB i Smeralda Çaça, 11 korrik 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.