Një fluturim mbi Letrat (e) Ukës…
Refleksion mbi Veprën Trilogji – të Erina Çokut
nga Jozef Radi
Letrat (e) Ukës është një cikël poetik, që fillimisht ka qarkulluar në rrjetet sociale duke zgjuar interes jo të pakët në lexim e duke marrë edhe një përcjellje mjaft entuziaste çka e bën këtë pjesën solide në koncetim, e që ndoshta mund të ishte funksional edhe si libër më vete. Megjithatë ky cikël bën pjesë në Vëllimin e tretë poetik të Erina Çokut, titulluar: “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”
Nga i gjithë opusi i kësaj vepre, që jam ende në lexim e shqyrtim si diçka e rrallë e letrave shqipe, u ndala pikërisht te ky cikël relativisht i gjatë, sepse së pari e konsideroj risi, e së dyti e vlerësoj si një akt çlirimi shpirtëror, një akt ekzaltues i dashurisë si në kushtet mungesës fizike, edhe në praninë fizike të trupave, tashmë pjesë e një bote globale e virtuale, ku njeriu gjithnji e më pak po i shtron terren dashurisë.
Në njëfarë mënyre, “Letrat…” janë përballëvënia e dy mendësive: burrë-grua, një dëshmi e shkruar me teh të thukët shpirtëror, si bota e largësisë u bëhet strehë ndjesive tona, e ku përmes fjalës së shkulur shpirtrash, shpaloset tempulli i sentimenteve, një përballje poetike delikate, e rafinuar dhe e skalitur përmes një harmonie të pafund në vajtje-ardhje të fjalës, ndjenjës dhe artit… Mund ta them me plot gojë se është ndër risitë o edhe trajtim modern i dashurisë, në kushtet e largësisë që ndjehet si afërsi, e në të njëjtën kohë virtualja e sotme e komunikimeve i bën thuajse të përditshme këto marrëdhënie në dukje efemere, po gjithnjë e më të prekshme. E kur është fjala për një popull, i cili prej disa dekadash po jeton në kushtet e një emigrimi dhe braktisjeje të frikshme, me dyndje të pafundme shpërnguljesh nga habitati shekullor dhe shpërndarjes kaotike nëpër botë, unë besoj se jemi përballë mënyrash të reja komunikimi mes tyre edhe ato sentimentale. E pikërisht, si doracak i kësaj së vërtete, ka ardhur edhe ku cikël i gjatë poetik (ndoshta ende i pambyllur), titulluar “Letrat (e) Ukës”, një nga modelet shpirtërore të këtij komunikimi të kësaj gjendjeje komplekse, ku thuajse ndjehemi të përfshirë shumë prej nesh…
“Letrat (e) Ukës” si narrativë kanë pafundësinë e shpalosjeve të ndjenjës në barasvlerë me largësinë përmes një fantazie të jashtëzakonshme si në strukturën e poezisë, si në mesazhin e saj edhe në larushinë e pafundme të nuancave sentimentale që shkojnë në kufijtë e një mozaiku që pakkush mundet aq bukur…
Ndodhemi brenda një trekëndëshi interesant: Ajo – Autorja; Ai – Uka dhe Postieri, transportuesi i dashurisë sa në njërin skaj të botës në tjetrin, në çantën e të cilit flenë letrat e dashurisë së bashku me ëndrrën e madhe, tre personazhe që përbëjnë strukturën e kësaj poeme solide, që më pëlqen ta theksoj se funksionon edhe si libër brenda librit…
Megjithëse në kohët e sotme komunikimi më së shumti realizohet përmes postës elektronike, e ku sigurisht postieri do të ishte figurë e shpërfillur, periferike e thuajse e harruar në kët lloj komunikimi, autorja e ka futur figurën e postierit për ta bërë paksa më të prekshme botën e ëndrrës, për të dëshmuar se midis njeriut dhe njeriut është urë Njeriu dhe duke qenë se largësia (Ajo dhe Uka) është e madhe, e dashuria do të ishte e pabukur pa ankthin e pritjes, shfaqet postieri nun dashuror i njerëzve, që çon edhe sjell ëndrrën e tyre duke u bërë pjesë e kësaj dashurie, nyje e komunikimi e dy thellësive, dy vetveteve, dy botëve aq të pasura, dy poleve që shtyhen e tërhiqen magjishëm, si të thuash janë shkrirë mes tyre shpirtërisht edhe kur nuk e mbërrijnë fizikisht njëri-tjetrin. Ata e jetojnë thellësisht shpirtëroren, sa e bëjnë të padukshme o thuajse të panevojshme koncepti fizik i dashurisë…
Postieri jo vetëm e sposton ëndrrën e secilit prej një skaji të botës në tjetrin… por edhe vuajtjen, edhe dëshpërimin, edhe stinët, edhe shiun, gjithë nuancat e trazimeve dashurore të shfaqura edhe si vegime aurorash boreale diku qiejve të largët… “sepse njeriu është në lëkurë të vet me botën që ecën, e nganjëhere s’e kupton si duhet një burrë e një grua që dashurojnë në mënyra të ndryshme dhe njëherit të njëjta, e ku secili gjen forcë për t’u shprehur, për të ndjerë, për të vuajtur… e sërish për të besuar dhe ëndërruar në pafundësi!
E gjithë kjo endje poetike i bën Letrat (e) Ukës një prej risive më fantazmagorike, po edhe më të rafinuara të letrave shqipe, një nga konceptimet moderne të poetes, ku vetë titulli me (e) është e vëndosur qëllimshëm si një lojë ku leximi bazë është “Letrat Ukës” pra të sajat, por edhe “Letrat e Ukës” pra edhe përgjigjet, një shpirt ambig që të ndjek gjithkah, ku vetet kërkojnë vetet, duke i plotësuar dhe përmbushur ato…
Letrat kanë tituj të thjeshtë, joshës, lojcakë janë letra të çuditshme, me andrra, me ujë, me puthje, me shi, me natë, me heshtje, pa fjalë, me mbramje, me flakë dhe hi, e humbjeve… një fantazi mahnitëse, një lojë që nuk ta lodh leximin, mandej janë përgjigjet me pusulla, disi të shkurta, lakonike ku teksti dhe nënteksti bën nyje… Ajo i flet Ukës së humbun në pyll si të ishte përballë vetes: “dashnia e tremb burrin/ i trand fuqi e shpirt” dhe vazhdon “Po si nuk t’shkon mendja,/ se gjurmët e tua i kam unë,/ e në pyll veç etjen time ke me gjetë?”
Gegnishtja e butë e përdorur në gjithë shtrirjen e këtij cikli të gjatë e bën edhe më shpirtëror komunikimin, më tokësore dashurinë, e përcjell si diçka që i ka dalë lehtësisht prej thellësisë së shpirtit, bile ia ka bërë edhe më të lehtë interpretimin e fjalës nyje të këtij komunikimi: Ukë, brenda të cilit Ajo ka gjetur edhe Uria – U, edhe Uj – edhe Ujk duke e bërë të plotë Ukën e saj të dashurisë edhe të këtyre letrave që ledhatueshëm të mbushin me dritë…
“Letrat (e) Ukës” është poemë shpirtërore e fragmentuar përmes një të përditshmeje të vuajtur deri në imtësi, filtruar me ndjeshmërinë e një poeteje race, sjellë me një pafundësi ngjyrash, që lexuesi, s’ka shteg tjetër pos të bëhet pjesë aktive e tyre. Aty gjenden në alarm gjitha ndjesitë tona, e na krijojnë bindjen se çka jeton brenda nesh, është jo vetëm e vërteta jonë, por diçka më shumë! Më pas hasim reflekset e ndjenjave si një himn për dashurinë e vërtetë, sepse nuk është fjala për një lidhje në distancë: ata janë shumë afër edhe larg, janë bashkë edhe njëkohësisht edhe veç. Duket sikur ata i përgjigjen vetes së tyre, dhe letrat më shumë se letra janë komunikime në mendjet e njeri-tjetrit. Largësia duket sikur i ndihmon ta zhbirilojnë e ta njohin veten, e të takohen në një tjetër përmasë me dhimbjen.
Nëse poetët e mëdhenj na kanë lënë imazhe sublime, ku shpirti i tyre i penguar skajshëm nga morali dhe rrethanat e kohës, ngjiste në lartësi hyjnore gruan, letërsia jonë gojore është vërtitë diku në kufijtë e legjendës së Kostandinit dhe Doruntinës… Mendoj se ky konceptim modern i dashurisë, ndërtuar përmes letrash, pusullash e mesazhesh, me gjithë imtësitë e gjendjeve, ndjesitë, ndërdyshjet, e bën hapësirën e largësisë të paqenë e na krijon bindjen se brenda vetes gjithkush mundet të gjejë diçka sublime të munguar, të përhumbur o të plaguar rëndë, e që përmes komunikimi të nisë e ta rindërtojë besimin te dashuria!
jozef radi, shkurt 2023