back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një foto që mbart histori – Ja si ruhej dyqani i Musinese në shtator ’45

Gazeta

Musine Kokalari & Ramadan Sokoli 1945 - Libraria Venus
Musine Kokalari & Ramadan Sokoli 1945 – Libraria Venus

Një foto që mbart histori

Ramadan Sokoli me Musine Kokalarin, që me siguri është marrë në librarinë e saj në Tiranë, diku drejt mesit të viteve Dyzetë. Një miqësi e dy të rinjve intelektualë, e konsoliduar në ambjentet e librarisë së Musinesë.
Para arrestimit të Musinesë, sigurimi survejonte librarinë e saj. Në një raport interesant, survejuesi jep të dhëna me detaje se kush e frekuentonte librarinë. Në mënyrë të detajuar raportoheshin edhe vizitat e Ramadan Sokolit. Një dokument vizual fantastik!
Fotoja është postuar në faqen FB të Gegnishtja, që një mikeshë e imja ma nisi.

Artan Kafexhiu (nipi i prof Ramadanit)

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

Ja si  ruhej dyqani i Musinese në shtator ’45

Dokumentet e Sigurimit te Shtetit

Ja pseudonimet që spiunuan Musinenë Me kë ishte takuar Musine Kokalari paraditen e 3 shtatorit 1945, në dyqanin e saj? Çfarë kishte folur me Ramadan Sokolin dhe kush ishte gruaja që ia kishte behur në dyqanin e saj, një orë e gjysëm pas ikjes së vizitorit të parë? Kush ishte gruaja malazeze që takohej më të? Cili ishte itinerari i lëvizjes së saj nga dyqani në rrugën e Elbasanit e më tej në Misionin e Aleatëve… Cilat ishin lëvizjet e saj pasditen e 3 shtatorit e mandjej të gjithë lëvizjet e ditës së nesërme me 4 shtator?
Ky mund të quhet dokumenti i parë nga dosja e survejimeve të Musine Kokalarit dhe është publikuar në ekspozitën kushtuar 100-vjetorit të lindjes, e hapur dje në Bibliotekën Kombëtare, megjithëse nuk ka asnjë diçiturë apo të dhënë që e cilëson si dokument të kësaj dosjeje.
Dokumenti është një raport spiunimi i hartuar në seksionin e II-të të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (më vonë, në verën e 1946 mori emrin Drejtoria e Sigurimit të shtetit) dhe tregon ne detaje gjithë lëvizjet e intelektuales, orë pas ore, gjatë datave 3 dhe 4 shtator 1945.
Pasi bën një hyrje biografike me gjithë karakteristikat e papëlqyeshme të Kokalarit për regjimin komunist, shefi i seksionit të II-të, (nënshkrimi Balluku?), raporton të gjithë detajet e survejimit gjatë datave 3 dhe 4 shtator 1945. Duhet se në qendër të survejimit është dyqani i Musene Kokalarit, ku regjistrohen të gjithë lëvizjet, hyrje-daljet, personat dhe karakteristikat e tyre dhe orët e takimeve.
Në këtë dokument vihet re dy detaje të rëndësishme që lidhet me arrestimin e saj të parë në nëntor të vitit 1944. Autori i këtij raporti e thekson ën krye të shkresës së tij se “Musine Kokalarin në kohën kur hynë partizanët (në Tiranë) e arrestuan dhe e mbajtën disa kohë në burg, por në mungesë faktesh e liruan. Kohët e fundit nuk është dëgjuar të lëshoi ndonjë parullë”. Nga ky formulim kuptohet se pas lënies së saj të lirë (pas arrestimit të parë) ajo ka qenë rregullisht nën survejim dhe kjo periudhë deri në arrestimin e saj në janar 1946, duhet të jetë e mbushur me shkresa të kësaj natyre.
Po ashtu në krye të dokumentit shënohet se kjo shkresë informative është hartuar si përgjigje e një shkrese pararendëse, që mban datën 28 gusht 1945, ku me shumë gjasa janë kërkuar informacione mbi levizjet e Kokalarit.
Më poshtë e sjellim të plotë të zbardhur sipas origjinalit raportin informativ të hartuar në seksionin e II të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit.

Dokumenti Musine
Dokumenti mbi survejimin e Musinese

Seksioni II-të
N.101/686 Prot.
V.F.L.P – Tiranë më 06.09.1945
S.E.M.P.-it – Këtu

Gjegje shkresës 1735 datë 27.08.945
Nga informata të marra për Musine Kokalari rezulton:
Musine Kokalari, më parë ka qenë me luftën N.Çl. dhe merrte pjesë në grupet antifashiste. Më von dezertoi dhe hyri në grupe të Ballit dhe të Legalitetit. Kjo bashkëpunonte me të quajturën Qefsere Beshirin, ndihmojshin në hudhjen e trakteve bile kjo shkruente dhe vetë. Me çlirimin e Tiranës i janë vrarë dhe dy vëllezër. Sot shifet të shoqërohet me familje reaksionare gjithashtu dhe me Qefsere Beshirin që kishte ndërmend të organizonte gratë. Qefsere bënte lëvizje të shpeshta por e mori vesh se gjyrmohej dhe nuk del, ka hapur dhe një fjalë se gjoja nuk është ketu. Musine Kokalari shkon shpesh në shtëpi të sajë. (Marrë nga In).
Musine Kokalarin në kohën kur hynë partizanët e arestuan dhe e mbajtën disa kohë në burg, por në mungesë faktesh e liruan.
Kohët e fundit nuk është dëgjuar të lëshoi ndonjë parullë. Në dyqanin e sajë shkojnë disa elementa të dyshimtë, si psh, e ëma e Bashkim Dizdarit dhe Ramadan Sokolit gjithashtu rrin shumë herë dhe një grua e cila është malazeze dhe që këtë e kemi parë shpesh herë të bizedoi me englezë. Kjo ka dy dyqane një në rrugën e 28 Nëndorit dhe një pranë Sahatit ngjitur me Qamil Hotin. Këtu poshtë ju shkruajmë lëvizjet e sajë brenda këtyre dy tre ditëve:
Më 3 ketij muaji vjen në dyqan e saj i quajturi Ramadan Sokoli, i cili ndenji atje 2 orë resht. Në orën 11 u largua nga dyqani. Nga ora 12.30 vjen në dyqanin e sajë një grua tjetër e cila nuk njihesh prej zbuluesit, Musineja së bashku me të mbyllë dyqanin e shkuan nga Rruga e Elbasanit. Ke Sindikata punëtore ndahet me këtë grua, gruaja shkon nga rruga e Shëngjergjit kurse kjo shkon nga rruga e Elbasanit, te ura e Lanës takohet me një burrë plak nja 55 vjeç dhe që të dy marrin drejtimin për në Misionet e Aleatëve. Në të djathtë të rrugës, pa shkuar në Misionin ushtarak amerikan, plaku kthehet në rrugicën që të qet në Tiranë të Re kurse Musia shkoi drejt rrugës. Pranë Misionit ushtarak francez kjo hyn në një rrugicë dhe me sa u informuam atje ka një kushërirë të sajë. Mbas dreke vjen në dyqan në orën 4.30 dhe gjat një ore e gjysëm nuk bëhet as një lëvizje, nga ora 5.30 vjen prapë Ramadan Sokoli i cili rrin 45 minuta dhe largohet, 10 minuta më von vjen malazezja që përmendëm më lartë e cila rrin një orë në dyqan dhe largohet. Pas një dhjetë minutash komshiju Qamil Hoti vjen në dyqan dhe bizedon me të për 15 minuta.
Me 4 k.m. në orën 10.15 në dyqanin e Mysines vjen prapë Ramadan Sokoli ku rrin 50 minuta dhe pastaj largohet. Asnjë lëvizje tjetër para dite. Po pas dreke në orën 4.30 kjo doli në dyqan dhe në 5.30 vjen sërisht Ramadani dhe pas pak ikën. Ndërsa Musinea rrinte përjashtë në karrike vjen një grua dhe filluan të bizedonin, pas pak vjen një oficer dhe u fjalos pak me atë gruan dhe së fundi një nga një ata largohen. Në orën 6.30 vjen prapë malazezja ku rrin 1/2 ore. Asnjë lëvizje tjetër.

Shef i Seksionit të II-të (firma)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.