back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Një histori me paskuinë – Prolegomenat – opinion nga Ferdinand Radi

Gazeta

Ferdinand Radi (1942-2004)
Ferdinand Radi (1942-2003)

Një histori me paskuinë – Prolegomenat

opinion nga Ferdinand Radi

Ky shkrim i dreqosur nga unë
me një mendjeshkprepje si gjithmonë
e me një gjendje të keqe shpirtërore
më detyroi të lë humorin e komedisë që kam në dorë
e të merrem me marrëzirat e Ministrisë së Kulturës.
Kam katër ditë në dispozicion për ta mbaruar
dhe dy ditë të tjera për ta filluar!!
 
Ishte një ëndërr e keqe që m’i turbulloi projektet e mia krijuese e më detyroi të marr përsëri penën për të goditur atë që unë, kohë më parë, vetëm sa e pata gudulisur. Po si t’ja bëj që t’u flas këtyre zotërinjve të nderuar me një gjuhë si ajo e Volterit apo e Rusosë? Ku ta gjej aftësinë për të përdorur fjalë të mençura të këtyre gjenive? “Ky është njeri i vogël i lindur në baltë” apo frazën tjetër Volteriane. “Ky është njeri që përnjëherësh kërkon të zotërojë, ai kërkon që kokat e të tjerëve të vlerësojnë të gjitha lajthitjet e trurit të tij”. Unë nuk jam njohës i shumë fjalëve megjithatë kam mendimin se alfabeti është më i rëndësishëm se etimologjia, dhe se etimologjia është më e rëndësishmese sa sintaksa, po për të folur drejtë, ndihmon më tepër alfabeti se sa njohja e sintaksës. Ndaj unë po e shkruaj këtë histori me stilin e këpucarit italian Paskuino. Ndryshe, shkrimi do të tingëllojë si artikulli i një anarkisti të shpikur e do të më ngjasojë me një proces-verbal të një hetuesie të rëndomtë, me një varg tezash të zbrazda, pa përmbatje, mbushur plot me tautologji e me kryefjalën disa metra larg kallzuesit. Megjithatë çdo gjë mësohet. Napuljanët në Argia e mësuan artin e krasitjeve të vreshtave kur vunë re se një gomar hante gjethet e njoma të hardhive e ato lulëzonin akoma më tepër. Lexuesi i ndershëm do të pyesë se ç’hyn këtu gomari? Përmendja e tij është sistematikisht e pa vend? (E shkruaj për të qetësuar anarkistin). Jam një zotëri i njohur dikur si djalosh plot aventura, që vdekja disa herë më stivoi rreziqe mbi rreziqe, por asnjëherë nuk u lodha prej tyre, asnjëherë nuk rënkova, asnjëherë nuk u tremba, por vrapova deri sa e lodha vdekjen e ajo nuk më shoqëroi dot më. Megjithatë unë e ndjeja se ajo diku më kishte zënë pusi, ndaj dhe kur merrja udhën për t’u takuar me të dashurën time kacavirresha mureve të ndonjë uzine socialiste njëlloj sikur po përvidhesha nga vendi i “krimit” duke u ruajtur edhe nga “arusha e madhe” që kur i afrohej qetë-qetë çative më dukej si bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit. Mua asnjëherë nuk më ka interesuar se si më kanë etiketuar artistët e avionave apo dishepujt e militantizmit. Gjithmonë më ka interesuar ajo që krijoj, ajo që dua të them, ose më saktë, ajo që sa dal ta them. Mua po të më jepet mundësia edhe regjisurën e vdekjes time do të doja ta bëja vetë, ashtu siç mund ta bëj unë dhe jo si fjala vjen mund ta konceptojë një regjisor francez, qoftë ky edhe më vath në vesh. Se fundja, ç’punë ka një regjisor francez të projektojë regjisurën e vdekjes mua.
Gjatë gjithë jetës sime më ka pëlqyer veprimi, prandaj dhe u martova me teatrin. E dua shumë teatrin dhe jam i detyruar ta mbroj me të gjitha energjitë e mia. Por do ta mbroj jo si dikur. Kam lindur në Durrës (siç duket Durrësi shpikërka anarkistë). I përkas shenjës së virgjëreshës, (kontraston me portretin dhe fizikun tim), por jam krenar për stinën time, është stina kur piqen frutat, kur vreshtat fillojnë e zverdhen dhe kazanët nëpër kantina vlojnë nga avujt e verës dhe të rakisë. Gëzuar! Me siguri duhet ta keni kuptuar?
Jam Nand Radi.
.
Ferdinand Radi (1942-2003)
Ferdinand Radi (1942-2003)

Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar

Ngjarja e ëndrrës së keqe zhvillohet në fund të shekullit XX-të shumë pranë apokalipsit e gjyqit Dantesk. Këtu në Shqipëri sapo ka filluar të fryjnë erërat e revolucionit francez edhe në kulturë. Nga pylli i Sardesë një lloj qeverie e çuditëshme kish futur në oborrin e Tetarit “Kombëtar” një kalë prej druri të mbushur me ardhacakë anarkistë. Ishte një kohë kur filloi të mos ekzistonte fare koha. Nuk më kujtohet ishte ditë apo natë? Po ma merr mendja se do të ketë qenë natë, natë e ditëve tona. Kali i drunjtë kishte zënë vend pranë pishinës romake të teatrit. Anarkistët që ishin futur në barkun e kalit i përkisnin shenjës së gaforres, të gjithë kishin nga dhjetë këmbë të kryqëzuara, të cilat i jepnin mundësinë për të lëvizur sa majtas-djathtas. Njerëz të gjatë me koka të mbushur me flokë e me vathë, tellallë të shkolluar, piktorë pa duar që paraqesnin ekspozita vetëm këmbë pa çorape, e përsëri, era e këmbëve kundërmonte ekspozitën. Kishte brenda basketbollistë pa top, dashnorë të dështuar, kujdestarë zjarrfikësesh, njerëz të përdalë të lindjes me fytyra si të apostujve të piktorit El Greko që ngjasonin me spiunët e Torkuemadës mesjetare që bënin filozofime të trasha bohemiste me celularë, ardhacakë të përzënë nga Evropa. Prapa kalit qëndronte një djalosh si prostitutë aziatike, i cili, me bishtin e kalit që përbëhej jo prej qimesh, po prej zorrësh të gjata, gërshetonte një kukurrec!!
Siç duket ai do të kish qenë edhe specialiteti i tij. Brenda, barkut të kalit kundërmonte era sallam i djegur. Të gjithë ishin pagjumë, siç duket, së bashku me sallamin ishte djegur edhe gjumi. Pagjumësia ishte futur edhe në kampanarin që ata pinin vazhdimisht, edhe tek makaronat që aq shumë i hanin. Kishte pagjumësi. Pagjumësia ishte futur edhe në veshët e tyre të vrimosur. Të gjithë kishin vendosur kokat tek ikonat e katër klasikëve dhe luteshin që t’u kthehej gjumi i humbur. Ndrronin pozicione, ndërronin partinë, ndërronin atdhe, ndërronin portrete, lexonin vepra, formonin shoqata në ndihmë të pagjumësisë, por gjumi nuk dukej gjëkundi. siç duket artistët e teatrit duhet t’i kenë vjedhur gjumin! E çfarë nuk pret prej tyre çirrej më i gjati që mbante gradën e kolonelit. Edhe ky oborr me këto pisha është i çuditshëm, ditën ato në heshtje duken krenare, ndërsa natën u kthenkan në përmendore, apoteza, në personazhe dramatike e komike që na kanë zënë pusi. Dikur kali prej druri shurroi, pastaj shurruan të gjithë njerëzit e gjatë së bashku me kolonelin. Pas tij shurroi i gjithë parlamenti që atë natë kishte një seancë për artin. Djaloshi aziatik siç duket nuk e njihte fare Teatrin “Kombëtar” ndaj shurroi më vonë, por jo me zhurmën e të gjithëve, por si një kone e vogël femër. Koloneli i kuq me celular, diç bisedoi me një zjarrfikës francez e duke nuhatur thellë ashtu siç e ka zakon ai iu drejtua njerëzve të barkut. Ky teatër bie era shurrë siç duket vuan nga prostati, ndaj duhet të vdesë, vdekjen e tij siç e dini e kam deklaruar dhe në një kronikë. E duke zgjatur dorën nga lindja vazhdoi: këtu, në këtë vend do të ndërtojmë një parking të gjatë, për këtë ndërtesën e gjatë, për llogari të ne të gjatëve. Investimet vijnë nga Italia. Rroftë Italia 3-milion vjet, thirrën entuziastë ata. Tre milion dollarë, korrigjoi koloneli. Në moment ndodhi një çudi! Nga dera kryesore e Teatrit po afrohej Monaliza e shoqëruar nga dy policë të rendit si dy binjakë që ngjanin me Gjerjonin, dhunuesin e natyrës dhe të artit, të dy mërmërisnin nëpër dhëmbë disa vargje nga kënga e 17 e “Ferrit Dantesk” të kompozuar nga Salieri. Sytë e trishtuar të Monalizës dukeshin si dy liqenj të vegjël të Butrintit! Ajo po afrohej lehtë, po aq lehtë e rrethoi dhe banda e barkut! “Mos e prishni teatrin për një parking”, belbëzoi ëmbël ajo. “Artistët e vjetër do t’u kërkojnë llogari për ëndrrën që nisën në këtë teatër që ju doni ta shkatërroni. Nëse nuk ju kërkojnë llogari të paturpshmit e gjallë, të vdekurit me siguri po. Mos harroni N. Frashëri, K. Spahivogli, S. Prosi, N. Luca, P. Mima. Të vdekurit vërtetë nuk flasin por dëshmojnë” tha Monaliza e trishtuar dhe mori rrugën për t’u larguar. E dëgjuat si tha: “Artistët e vdekur nuk flasin, ata dëshmojnë”. Ra qetësi. Në oborrin e Teatrit filloi një shi kadarean, pastaj shiu u kthye në dëborë agolliane. Koloneli u mbulua kokë e këmbë me një çarçaf të bardhë. Tani ai ngjante me përmendoren gjigande të pambaruar të një diktatori. Nga larg vinte jehona e klarinetës së Laverit, e cila bëhej gjithnjë e më e fuqishme. Të gjithë njerëzit e barkut së bashku me gjeneralin u shtagën, dukej sikur po i kanosej diçka tragjike sikur do digjeshin në zjarrin e ndonjë teatri. Filloi një kor i çuditshëm. Koloneli së bashku me njerëzit e barkut, për të mbytur melodinë e klarinetës, filluan të recitojnë njëzëri poezitë e poetit Shefqet Peçi.
Ishte kjo kakofoni që më zgjoi nga ëndrra e çmendur.
.

Ferdinand Radi, në një nga rolet e tij në filma
Ferdinand Radi, në një nga rolet e tij në filma

Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë

A thua vërtet të ketë qenë ëndërr? Tani po e mbledh me kujdes fillin kryesor të kësaj ëndrre e po vazhdoj në zgjëndërr.
Krimi në Shqipëri ka këputur frerët. Urrejtja tek ne nuk po gjen rrugëdalje. Burgjet hapet dhe krimi merr frymë lirisht. Teatri mbyllet dhe shpirtrat e shqiptarëve ngrijnë të copëtuara nga mungesa e gëzimit. Vërtet bota ka nevojë edhe për marrëzira, por kur këto marrëzira bëhen tërbim, pa tjetër që duhen kuruar. Në Shqipëri ndodh e kundërta: Marrëzinë e tërbuar dhe hakmarrëse e marin dhe e vendosin në kabinetin e qeverisë!!! “Zoti na shpëtoftë nga “shpëtimtarët”. Deleve të shkreta sikur t’i takonte të ruheshin vetëm nga ujku, do të dinin se si të ruheshin, po kush t’i ruajë dhe t’i mbrojë nga bariu?!!” E të gjithë këtë tregëti që bën koloneli i kulturës shqiptare me shpresat e artistëve, qeveria ia quan sukses duke përplasur gotat e uiskit në hotel Dajti. Sot fëmijëve në Shqipëri i mungon hapsira, lulet, parqet, lodrat. Evropa i ka gëlltitur vajzën të dashurit, nënave djemtë, grave burrat e barrave gratë. Ministria e Kulturës i ka rrëmbyer popullit shqiptar ushqimin e shpirtit. Shqipëria sot të kujton një paralitik: Nga jashtë nuk duket asgjë, por po t’i biesh me çekiç damarit të këmbës vëren se i mungon reagimi. Në historinë e njerëzimit mjerimi material ka sjellë shpesh edhe mjerimin moral të popullit. Këtë patjetër duhet ta dijë qeveria në qoftë se është e tillë. Arti vetë është një mjet veprimi, një mjet për të çuar kombin përpara, ai është si një kor i madh që kërkon arien kundër të këqijave të botës, lavditë e martirëve dhe krimet e xhelatëve. Mashtrimi, krimi, prostitucioni janë rrethanë e së keqes. Lulet, zogjtë, frutat, janë rrethanë e natyrës. Arti është rrethanë e kënaqësisë shpirtërore të njeriut. Ai në shëmtinë e epokave i bën njerëzit të shijojnë bukuritë e saj. Por arti i vërtetë e jo rrëfimi i një ministri të Kulturës që i bën një kukulle Barbi në televizion duke përdorur shpesh fjalën më komike e më qesharake që e ka shoqëruar shqiptarin tërë jetën: E ardhmja!!! Realiteti shqiptar sot është mizor, mjeran dhe i përbindshëm, atë pa frikë mund ta titullosh: “Marrëzia shqiptare në këtë fund shekulli”. Duhet që ta kuptojnë një herë e mirë zotërinjtë qeveritarë se janë vetëm artistët ata që dinë të gjykojnë e ta kurojnë këtë marrëzi. Por sot shumë artistë të kombit janë larguar, po largohen dhe dëshirojnë që të largohen nga ky realitet i përbindshëm dhe kanë të drejtë që ta shfrytëzojë lirinë e tij qoftë edhe duke e kërkuar diku jashtë Shqipërisë. Duhet ta kuptojmë se ishin me dhjetra mijëra amerikanë ata që filluan ta braktisin Nju Jorkun në vitet ’70. Rritja e theksuar e kriminalitetit, vështërsitë e mëdha dhe të frikëshme e bënë jetën e qytetarëve mjaft të vështirë. Kryetari i Bashkisë i Nju Jorkut u kërkoi ndihmë artistëve dhe midis tyre Frenk Sinatrës dhe Gregori Pek-ut: “Nju Jorku është në duart tuaja!” u tha ai artistëve. “Shpëtojeni”! banderola me tituj të shumtë spektaklesh e koncertesh, poster shumëngjyrësh me portretet e artistëve të mëdhenj zëvendësuan reklamat e biznesit Njujorkez. Skenat, hollet e hoteleve, parqet dhe sheshet kryesore shpërthyen në spektakle gazmore vodevili amerikan së bashku me vallëzimet e kënduara lulëzuan si asnjëherë. Ky ishte edhe viti që glorifikoi të famshmen këngë Nju Jork, Nju Jork. Pak e nga pak njerëzit filluan të qetësohen, stresi të largohej e çdogjë filloi si më parë. E pra ishin artistët ata që i kthyen qetësinë dhe normalitetin jetës në Nju Jorkun e famshëm e jo vampirët siç do t’i quajë ministri aktorët e teatrit kombëtar. Këtu për të vazhduar dua të përdor një fjalë të urtë arbëreshe: “Ik nga dheu i keq, por mos ik nga regj’i keq!” Regj – fjalë që rrjedh dretpërdrejt nga latinishtja (Rex-Regia-Mbret -Mbretëri). Kjo fjalë e urtë na shpjegon se shumë njerëz dheun e keq e lënë edhe sot, kurse mbreti, qeveritari i keq nuk duhen lënë. Sa herë që regjimi i keq qeveris shumë gjatë, bën të keq edhe dheun e mirë. Shembull i mjaftueshëm i kësaj fjale të urtë është vetë Shqipëria në këtë gjysëm shekullin e fundit.
Shembullin e freskët e kemi sot në kulturën shqiptare. Kohë që do të mbetet si një abses, një lulëzim i neveritshëm në artin shqiptar. Sot regjimi i ministrisë së Kulturës po e kthen Shqipërinë në një det dhimbjesh, në një gjysëm spitali psikiatrik. Rinisë sot i mungon biblioteka, teatri, filmi, ata nuk mund të lexojnë asgjë nga Kanti, Hemingueji, Sartri e Niçja. Ajo nuk mund të shohë asgjë nga Brehti, Gogoli, Molieri. Siparin e këtyre spektakleve vazhdon ta mbajë të tërhequr ministri i Kulturës zjarrfikëseve dhe sporteve. Rinia nuk ka ku të shohë asnjë film të Anagnostit, Gjikës, Kumbaros, Çashkut apo Mysliut! Sot ajo mëson kallashnikovin, kundratankun dhe revolverin. Ndërsa Evropa duke na ndihmuar me ushqime e ilaçe të skaduara merakoset se mos shqiptarët digjen në zjarrin e ndonjë teatri e si për ironi ministri na bie peshqesh nga Franca një ëngjëll mbrojtës ose më saktë një majmun plak të stërvitur poshtë “Senës. Ministrit i dhimbset ky majmun mjeran ndërsa për artistët e kombit shqiptar shfryn në ekranin e vogël duke thithur ajrin me hundë si narkomanët e babëzitur të marijuanës. Megjithatë le të thonë ç’të duan. Unë besoj se ai është një qenie njerëzore dhe një ditë do të na kuptojë të gjithëve se njeriu vonon ndonjëherë të piqet edhe pse është shtatlartë. Sot spektakleve zbavitëse të shqiptarëve janë vetëm lajmet e medias elektronike të shoqëruara me informacione biznesi për një deodorant interesant apo një palë sytjene me tantellë për koketat franceze apo gjermane.
U lodh ky popull me këto lloj spektaklesh, me këto lloj festash të shumta e të dyshimta mbase rënkon. Por zhurma e krimit e mbyt rënkimin e tij të përvajshëm, ndërsa ministri i Kulturës vazhdon rrëfimin e tij mashtrues përballë kukullës Barbi duke vazhduar ta ilustrojë emisionin me fjalën e “ardhmja, e ardhmja”. Ndërsa artistët së bashku me popullin përjetojnë një prej tragjedive të tyre më të rënda. Sofokliu në njerën prej tragjedive të tij i vë personazhit në gojë këto vargje: “Kur njerëzit të mos jenë më të gëzuar, ata për mua janë asgjë; ata janë vetëm kufoma të gjalla…” Edhe arti sot është një kufomë e gjallë që lulëzon në një falsitet të përhershëm. Nëqoftëse nuk do t’i thuhet ndal kësaj dore të rrezikshme kombëtare, në qoftë se nuk do t’i priten duart e gjata këtij njeriu klinik, kurrëfarë ndryshimi pozitiv nuk duhet pritur në tërë atmosferën e kulturës shqiptare. Përkundrazi kultura, artistët së bashku me popullin do të degradojnë në një mjerim të pandreqshëm. E ardhmja sot të ngjall një pesimizëm absolut. Koha që vjen do të shkarkojë më tepër kriminalitet, varfëri e sëmundje. Unë kam bindjen se edhe sëmundjet janë produkt i moskënaqësisë shpirtërore, i mungesës së ushqimit shpirtëror që pa dyshim është arti. Megjithatë unë mendoj së çështja teatër, nuk është vetëm teatër. Unë kam bindjen se gjuetia e kolonelit të kulturës: Edvin Ramës është një gjueti akoma më e rrezikshme se teatër. Detarët kanë një zakon: Kur ndeshen me balena i hedhin asaj një fuçi boshe për ta zbavitur, por në fakt për t’i tërhequr vëmendjen dhe për të shmangur ndonjë sulm nga ana e saj mbi anijen. Por siç duket edhe përpara budallallëkut edhe qeveritarët qenkan të pafuqishëm e kështu “kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë” për ta ndalur këngën e internacionales që ky bolshevik po i këndon artit shqiptar… “Botën mizore ne do ta shkatërrojmë, do të ngremë të renë dhe pastaj…”
Edvini – Unë do të mbledh ca para, do të fitoj një status politik e do t’u telefonoj me celular nga Harku i Triumfit: “Të dashur artistë vampirë shqiptarë, mblidheni dorën grusht, ngrini lart gishtin e madh… dhe lamtumirë. Unë erdha, pashë, fitova!”.
(marrë nga “Republika”, e diel, 14 shkurt 1999, f. 19)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.