Një hymn dashurie për Prizrenin…
nga Nikoll Loka
Lazër Radi, përmes librit “Mjegullnaja e një kohe të largët”
Libri “Mjegullnaja e një kohe të largët” është një mesazh dashurie që Lazër Radi ia kushtoi Prizrenit, qytetit të tij të lindjes. Një botim me karakter shumëdimensional, një portret i Prizrenit të tridhjetë viteve të para të shekullit XX, ku lexues të profesioneve të ndryshme gjejnë veten. Historianëve iu duket si një kronikë historike; për etnologët sjell të dhëna me interes për popullsinë, zejet, mënyrën e jetesës; për antropologët kulturorë sjell, po ashtu, pamje interesante të marrëdhënieve midis vendësve dhe të ardhurve, në një qytet kozmopolit, si dhe ndikimet që natyrshëm kishin ushtruar kulturat mbi njëra-tjetrën.
Libri është memuaristik i një lloj të veçantë, i shkruar kryesisht në vetën e parë, për vende, njerëz dhe ngjarje, që autori i ka parë dhe të tjerat që i vijnë si dëshmi nga të tjerët, kryesisht familja e tij. Libri është një rrëfim për veten, për familjen, për shqiptarët e Prizrenit, një dëshmi për pushtimin serb dhe një dëshmi për Prizrenin multietnik.
.
Ishin kohë të vështira, ndër më dramatiket në jetën e kombit shqiptar. Ishin ditët e fundit të pushtimit osman, dy luftëra radhazi: Luftërat Ballkanike dhe ajo Botërore, kur shqiptarët u vunë para dilemës hamletiane: “Të rrosh a të mos rrosh!” Prizreni i Lazër Radit e jeton këtë dilemë në tërë zymtësinë dhe dritën e tij.
Që ta kuptosh Prizrenin, duhet të kthesh kokën pas. Këtë bën Lazër Radi, duke na dhënë informacione interesante rreth këtij qyteti shqiptar i cili, për shkak të pozicionit gjeografik, bëhet vend i përzierjes së popujve, ambicjeve, seli administrative e perandorive të huaja, por gjithnjë shqiptar në palcën e vet. Në Prizrenin e Radit bashkëjetonin dy qytetërime, Lindor dhe ai Perëndimor në një ekuilibër të brishtë marrëdhëniesh midis shqiptarëve vendës që ishin shumica me etnitë e tjera që pushtimet, ëndrrat dhe lakmia i kishte sjellë këtu. Dhe në krye të herës, Lazër Radi shprehet: “Pavarësisht kozmopolitizmit të imponuar të qytetit, mundem me thanë pa frikë se nji prej meritave ma të mëdha të qytetit tim, mbetet ruejtja ndër shekuj e krejt zakoneve ma të mira, e traditave ma të vyeme dhe virtyteve ma të nalta të racës arbnore. Në Prizren, edhe pse qytet në udhëkryq të ushtrive të shumta, qënia shqitare mbetej krenari, nder dhe gjithçka.”.
Lazri e përshkruan me nostalgji Prizrenin dhe derdh të gjithë talentin e tij për t’i thurur një hymn dashurie. Autori na shpalos vite dhe ngjarje, periudha pushtimesh dhe pushtuesish, kultura të huaja dhe vendëse. Gjithçka i shërben kuptimit të Prizrenit të kohës së tij. Shpalosen histori dhe gojëdhëna të sjella me kujdes, më një stil të zhdërvjellët publicistik, ku nuk mungojnë ngjyrimet poetike. Radi, një qytetar dhe intelektual shqiptar, e idealizon vendlindjen e tij që i mungoi në periudhën kur shkroi për të, por e brendësoi brenda shpirtit të tij bashkë me xhamitë dhe minaret që ai i quan “Obeliske besimi që shkruajnë në kaltërsi të qiellit besimin në zot”. Po kështu Lumbardhin e sheh si “burim jete dhe urat mbi të si simbole bashkimi”.
.
Rrëfimet e Lazër Radit përmbajnë brenda tyre materien historike që i duhet historianit kur flet për origjinën e Prizrenit dhe për Prizrenin e Luftërave Ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore, kur tregon për personalitete të shquara historike: Azem Bejta, Shtjefën Gjeçovi, Lazër Lymezi, Shtjefën Kurti etj.
Radi jep njohuri me karakter të përgjithëm kulturor për objekte të veçanta, mjaft me domethënie, për trashëgiminë kulturore prizrenase si: Shtëpia e Lidhjes, kalaja e Prizrenit, xhamitë e shumta, katedralja, shkolla shqipe, Lumbardhi, Bylbylderja, rrapi me emrin Marash në dy stinë, shkëmbi i shqipes, Letnica dhe Zymi.
Në libër shpaloset trashëgimia kulturore shqiptare e qytetit: Festat tradicionale, shëngjergji prizrenas, pasdarkat prizrenase, loja e kapuçave.
Por Lazri nuk anashkalon as ngjarjet që iu imponuan qytetit dhe mbetën në kujtesën e tij si simbole të pushtimit, si vizita e kryeministrit të Francës dhe e mbretit Aleksandër.
Djaloshi ruan mbresa të veçanta nga takimi në Zym me Shtjefën Gjeçovin, mësimet në shkollën shqipe të Prizrenit, eksursionet dhe veprimtaritë e ndryshme etj. Ai i përshkruan me kujdes zejet e njohura prizrenase dhe jetën e përditëshme të këtij qyteti zejtar.
Në libër zënë vend disa personazhe tipikë, që fitojnë karakter përgjithësues: Çika Sima, një serb që përballonte jetesën duke kënduar këngë çetnike; Zejnepe hanëmi, një turkeshë prej Stambolli, aristokrate tipike orientale që jeton në oazin e vet, në mes të nostalgjisë për vendlindjen e saj tashmë të largët dhe dhimbjes për mungesën e një fëmije, të cilin kërkon ta plotësojë me një shqiptar katolik që është autori i këtij libri; për mësuesin atdhetar Lazër Lumezi, i cili shfrytëzonte çdo rast për të edukuar shqiptarizmin te ai brez rinor i rrezikuar nën pushtim; për serbin mësues, Stojan Qemerkiq që në emër të shtetit të vet pushtues kërkon të ngulisë në mendjet e nxënësve mitet serbe rreth Kosovës; për Lezen e Matej Panafakut, që ka kurajon të thyejë kornizat e kohës dhe fanatizmin që po shkulej ngadalë nga mjediset qytetare prizrenase; për bjellorusin Zuzullov, mësuesin e astronomisë që ua spjegonte aq mirë atë lëndë tërheqëse që nxënësit i shkëpuste nga toka dhe i bënte të ëndrronin.
Në libër jepet kontributi i klerit katolik shqiptar për çështjen kombëtare, përmes përshkrimit të dy figurave simbol të tij, Shtjefën Gjeçovit, që i solli botës shqiptare në formë shkencore Të Drejtën Zakonore, thelbin e identitetit shqiptar dhe Shtjefën Kurtit që bashkë me dy klerikë të tjerë tronditën politikën genocidale serbe me promemorien e famëshme drejtuar Lidhjes së Kombeve.
Një pjesë e librit i kushtohet mbijetesës së shqiptarëve të Prizrenit; një mbijetesë e vështirë, nën kërcënimin e pushtuesve të rinj që kërkonin ta zhbënin identitetin e tyre; kushteve tejet të vështira të jetesës; solidaritetit ndërshqiptar si mjet mbijetese; karakterit të papërkulur të shqiptarëve, të cilët ishin mësuar të jetonin përmes fatkeqësive. Dhe këtu, shqiptarët, ndonëse të ndarë nga besimet fetare, jetojnë si një komunitet; janë bashkë në luftë, në dhimbje dhe në zgjidhjen e problemeve të ndryshme të jetës. Nga ana tjetër, paraqitet një bashkëjetesë e brishtë ndërmjet komuniteteve, të cilat ishin të detyruara të bashkëpunonin për të mbijetuar. Ushtritë pushtuese në qytet shtuan tregtinë, shërbimet etj, prej të cilave, në njëfarë mënyre, përfitonin të gjithë. Po kështu, nuk kishte ndarje as te spitali ushtarak, as te shkolla. Një minimum komunikimi ekzistonte edhe në mes të qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë. Me mjaft origjinalitet jepen marrëdhëniet e familjes së Lazrit me familjen turke të bashkëshortëve Osman Efendia dhe Zejnepe Hanëmi. Familjen shqipatre Radi dhe këtë familje turke, përtej ndarjeve kulturore dhe fetare, i bashkonte humanizmi dhe respekti i ndërsjelltë që mbeti i tillë deri në fund.
.
Një komunikim interesant zhvillohet në nivelin e shkollave, ku gjuhët, kulturat, ideologjitë e besimet fetare konkurojnë dhe shkrihen në një marrëdhënie tjetër. Këto komunikime i takojnë një brezi tjetër, fëmijëve, të cilët përtej njëmijë problemeve të jetës përfshihen nga ëndrrat e moshës.
Përmes jetës së familjes së tij, Radi na jep peripecitë e emigrantit shqiptar që vjen në Kosovë për jetë më të mirë dhe detyrohet të lëvizë deri sa të gjejë një vendqëndrim të përhershëm; na pasqyron sakrificat e mëdha me të cilat ishin përballur familjet shqiptare në qytetin e vet të pushtuar nga të huajt. Aty del në pah edhe jeta e komunitetit katolik, veprimtaria e kishës katolike shqiptare dhe e shkollës shqipe; roli i kishës dhe i konsullatës austro-hungareze në shkollimin e fëmijëve shqiptarë, duke krijuar mundësi që nga familje dikur të varfëra të formohen bij të shquar si: Lazër Çeta, Ndue Paluca, Krist Maloki, pastaj Anton Çeta, Lazër Radi, Lorenc Antoni etj.
Radi përcjell me ngjyra poetike dhe intimitetin e tij fëmninor, pjesët e bukura të jetës së tij; marrëdhëniet me Lezinën, Milenën, Angjelinën dhe në atë pjesë, lexuesi gjen një tabllo tjetër, pa vrazhdësinë e jetës, pa muret e ndarjes, ku djemtë dhe vajzat e nacionaliteteve të ndryshme, në shoqërinë e tyre fëminore, harrojnë kombësitë, luftërat dhe vështirësitë dhe rendin në mënyrë instinktive drejt një të ardhmje… Por paralel me këtë tabllo fëminore, përvijohet edhe pamundësia e bashkjetesës shqiptaro-serbe, që reflektohet në ndarjen e thellë në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Prizren. Prend Çup Radi, luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pjesëmarrës në mbrojtje të tokave shqiptare kundër malazezëve, i plagosur dhe i mbetur me dorë të cungueme, e vazhdon betejën e tij për kombin e vet përmes këngëve kushtuar heronjëve shqiptarë: Isa Boletini, Azem Bejta etj. deri në më të mbramen frymë të tij.
.
Arratisja e dy vëllezërve më të mëdhenj të Lazrit; kundërshtimi i tyre i prerë që të bëhen ushtarë të Krajlit, pastaj dëbimi i familjes nga Prizreni për në Shqipëri janë fate të paracaktuara për shumë familje atdhetare që e kërkuan Shqipërinë e lire aty ku ajo ishte, në pjesën londineze të saj. Kjo ndarje me Prizrenin, e imponuar nga rrethanat, i solli shumë trishtim Lazrit, pasi i preu në mes shumë ëndrra të lidhura me vendlindjen.
Në librin e Dr. Lazër Radit kanë se ç’të mësojnë të gjithë, por po ndalem posaçërisht në vlerat historike të tij. Ai është një libër ku materia historike shpreh shumë, jetesë, mbijetesë, bashkjetesë. Nëse historianët na kanë dhënë kronika luftërash midis serbëve pushtues dhe shqiptarëve vendës dhe Prizrenin e atyre viteve e njohim përmes betejave për pushtim nga serbët, apo përmes përpjekjeve për qëndresë nga ana e shqiptarëve, si një dyluftim të përjetshëm midis Davidit shqiptar me Goliadin serb, në rrëfimin e Dr. Lazër Radit historia vjen me të gjitha nuancat, urrejtjet e natyrëshme, si rrjedhojë e luftërave dhe vrasjeve, marrëveshjet e imponuara, mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet e logjikëshme, bashkëjetesën e detyruar dhe mosdurimin e arsyeshëm. Radi shprehet: “Mësimi ma i madh që historia i ka dhanë njerëzimit asht se kurrë dhuna s’mund të përdoret për qetësim dhe zhdukje popujsh. Mësimi i dytë: Popujt duhet të jetojnë në paqe, duke respektue të drejtat dhe lirinë e njëri-tjetrit, pasi nuk e durojnë kurrë zullumin që bahet në kurriz të tyre”.
Libri “Mjegullnaja e nji kohe të largët” është një histori dashurie dhe qëndrese, saga e shqiptarëve, e personalizuar në familjen Radi dhe intelektualin e shquar Dr. Lazër Radi, që me formimin e tij kulturor pati ndikim të rëndësishëm në qarqet kulturore shqiptare të viteve dyzetë, por edhe më vonë, kur nga burgu i solli një sërë veprash në shqip. Vepra e tij e rizbuluar, që po botohet për herë të parë, si ky libër për Prizrenin, do të ketë ndikim në pasqyrimin sa më objektiv të qëndresës shqiptare ndaj të keqes, në një nga periudhat më të vështira të rezistencës shqiptare. Lazër Radi i thuri një hymn dashurie vendlindjes dhe u rikthye pas 89 vitesh me një libër testament.
.
Marrë nga Pirusti News, 22 Korrik, 2018