Një kafkë që projekton dritë…
nga Anton Cefa
Shënime rreth vëllimit poetik “Hedh një kafkë në këmbët tuaja” të Visar Zhitit, shtëpia botuese “Naim Frashëri” 1994
Poeti i talentuar, Visar Zhiti, na hodhi në këmbë një kafkë. Ajo është një gropë “ku kanë vdekur betejat” dhe “ku janë mbytur ulurimat si vetëtimat në një pus”. Me këto vargje të vëna para parathënies hapet vëllimi. Dhe lexuesi me drithërimë pret mesazhin e një kafke.
Në vëllim është reflektuar, nga njëra anë, tragjedia e përgjakshme e kohës së diktaturës së Kainëve, që u përpoq ta shndërrojë një popull të tërë në një kafkë, ta mpijë e ta errësojë ndërgjegjen e tij, të shterpësojë botën e tij shpirtërore, t’i paralizojë vullnetin dhe t’ia tjetërsojë personalitetin, nga ana tjetër, poezia e pastër, e çiltër, jetëdhënëse, ajo forcë e vërtetë vitale që i dha krah poetit ta mundë diktaturën. E gjithë poezia është një thirrje për jetën. Aty është përsëdytur dëshira e njeriut për të jetuar i lirë me mohimin absurd të lirisë nga një regjim që pretendonte se ishte kampioni i saj.
Arti poetik e lidh poetin me jetën, me botën, e bën të harrojë veten, ta harrojë e ta kapërcejë, bile ta mohojë gjendjen e vet konkrete, ta sfidojë absurditetin e tmerrin e të jetojë në hapësirën e bukurisë krijuese, që përbën një jetë tjetër të dytë, një “alter ego”, por jo më me pranga, por një “alter ego” të lirë.
Poezia qe për poetin “prostitutë” dhe “Shën Mëri” njëherësh – paradoksi më real i jetëvdekjes dhe i mbijetesës së poetit që e futën në burg, sepse në poezitë e tij “kishte nxirë realitetin socialist”. (Kjo ka qenë një nga akuzat e preferuara të diktaturës së kuqe ndaj shkrimtarëve).
Në qeli apo në oborrin e burgut, në minierë apo në kapanon, kudo brenda telave me gjemba të kampit, poeti shkruan poezi; në fillim në kujtesën e vet, mandej edhe në letër; vetëm e vetëm që t’i linte botës një testament.
“Askush s’më thotë ‘mirëmëngjes’ këtu,
Po më përplasin një fshesë
Që të fshijë dyshemenë e fatkeqësisë sime.
Kurse unë si i marrë ulërij në heshtje:
Tungjatjeta, botë!
Dhe në më ke harruar, s’të kam harruar.”
(“Molla e dënimit”, f. 13)
Në larminë e motiveve që lidhen me jetën e të burgosurit në burgjet e diktaturës, lejtmotivi organizues i gjithë vëllimit është tjetërsimi i njeriut dhe i Atdheut nga diktatura. Është ky motiv që realizon shqetësimet, brengat, dhimbjet intelektuale të poetit, momentet e dëshpërimit dhe të revoltës së tij.
Atdheu është tjetërsuar nga dora kriminale dhe e hekurt e diktaturës. Dhuna absurde ka humbur arsyen e shëndoshë kudo, në të gjitha hapësirat jetësore. Atdheu është çmendur (“Fëmija dhe Atdheu i çmendur”, f. 28) dhe me Atdheun e çmendur nuk luhet. Çmenduria e diktaturës i vë vulën e saj edukatës së breznisë së re. Fëmijët duhet të mësojnë në shtëpi, në shkollë, në rrugë e kudo se duhet t’i binden verbërisht çmendurisë, se përndryshe “me zë shkolle Atdheu të bërtet, duke ta veshur me pëllëmbë syve”. Atdheu i çmendur ka përjashtuar nga jeta e fëmijëve edhe ëndërrimet. Shqipëria është shndërruar në një shtet ku nuk zbatohet asnjë ligj, ku të fusin në burg për të marrë shtëpinë, pasurinë, nderin.
Kështu, Atdheu është kthyer në një burg të madh, ku është futur i gjithë populli:
“I njeh ata dy vëllezërit në burg?
Ka edhe tre vëllezër,
Dhe atë e bir.
Janë edhe nipi me gjyshin në burg,
Vjehrri me dhendërrin,
Burri me të shoqen…”
(“Burgu i vogël, burgu i madh” f. 70)
Një nga poezitë më të bukura të vëllimit “Dy varre 500 vjet larg njëri-tjetrit” (f.105), duke u sendërtuar mbi krahasimin e dy epokave, robërisë turke dhe asaj komuniste, dhe të dy personaliteteve: Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skendërbeut, dhe Poetit tonë Kombëtar, Atë Gjergj Fishtës, rreh të evidentojë një përgjithësim artistik lidhur me fatalitetin historik të popullit tonë. Ushtria pushtuese turke, para 500 vjetëve, nxori nga varri eshtrat e Heroit, “si eshtrat e vetë kombit”, për t’i varur në qafë si hajmali. Tani, në kohët e sotme, jemi ne vetë, jo pushtuesit e huaj, që u sulëm mbi tempujt e Zotit, thyem kryqat e megjithatë nuk shpëtuam dot nga udhëkryqi ynë. Jemi ne që hedhim në lumë skeletin e poetit e varrosim kulturën.
Një numër i konsiderueshëm poezish shtjellojnë motivin e tjetërsimit të njeriut – i trajtuar në dy rrafshe, në rrafshin kombëtar dhe botëror. Ç’është kjo çoroditje, ky çfisnikërim, ky degjenerim i pashembullt? Një alternativë mohuese e vlerave humane? Në rrafshin kombëtar, është veprimtaria kriminale e demagogjike e diktaturës që synon në emër të një ideologjizimi të kuq fals të formojë “njeriun e ri”, quajtur në mënyrë të bujshme “vepra më e lavdishme e partisë” dhe që në realitet konsistonte në çhumanizimin e shtetasit nga vlerat njerëzore, zhveshjen e shqiptarit nga virtytet etnike, për ta shndërruar në një vegël të verbër të diktaturës. Në rrafshin universal, është vetë njeriu që e ka tradhtuar veten.
Poezia “Eposi ynë” është një shembull tipik i shqetësimit të poetit për degradimin e njeriut sa në shkallë kombëtare, aq në shkallë botërore. Njerëzit zbuluan çdo gjë: “njohën sekretet e gjarprit e të mollës, veç harruan njeriun”. Është zhburrëruar edhe malësori ynë, bajtësi i tipareve më të qenësishme e genuine të popullit tonë. Është motivi migjenian e njëheri motivi që ka shqetësuar gjithnjë kuturën shqiptare, jo vetëm letërsinë. Malësori i Migjenit zhburrërohej para nëpunësit që shpërndante misër. Tani ai është në burg dhe nëpërkëmbet e përdhunohet nga një polic. Janë në burg Gjergj Elez Alia, Muji, Halili, Kostantini i vdekur. Dhe grueja e Omerit bën dashuri me operativin. Dhe këtu, një detaj realiteti i dhënë në një nivel të lartë artistik. Ajkuna qan, po “vajtimi i saj endet nëpër erë si qyqet. E ku të pushojë? As antenat s’e pranojnë.” A munden mjetet e informacionit, radioja, televizioni, shtypi, libri të japin vajin e Ajkunës, dramën e Eposit, traumën e kulturës e të psikologjisë etnike, tragjedinë e kombit?
Çfisnikërimi i njeriut, çoroditja e tij kalon çdo përmasë, kur vetë i burgosuri bëhet vegël e diktaturës, e shtypjes, e egërsisë, e përdhunimit të saj. Dhe ja një portret i realizuar artistikisht aq bukur për këtë të burgosur:
“Ti s’je polici – por shkopi i gomës,
Ti s’je qeni me erë – por nuhatja e tij.
S’je goja – por dhëmbët me jargë helmatisëse.
S’je kthetra e dhunës – por thonjtë.
As thonjtë jo – por pisllëku i tyre.”
(Të burgosurit në ndihmë të diktaturës” f. 41)
Dhe ja një poezi tjetër, e denjë për një antologji poetike ose edhe për një libër leximi për nxënësit e shkollave: “Antinarcizëm” (f. 23). Tingëllon ironik titulli i poezisë dhe vetë kjo antitezë e zbërthyer figurativisht që në ironinë e vargut të parë: “një pellg i ndyrë shikohej tek unë”. Figurën mitologjike të Narçizit të dashuruar në hijeshinë e vet të statujtë, që nuk ngopet duke admiruar në pellgun-pasqyrë derisa bëhet fli e pavullnetshme e mendimit fiks të kësaj hijeshie, poeti e kthen me kokë poshtë, ashtu siç ka vepruar diktatura, pellgu që ka përdhosur çdo vlerë njerëzore dhe e ka kthyer çdo gjë së prapthi. Është pellgu i ndyrë i përditshmërisë, që shikohet në fytyrën e poetit. Përsëdytja e mitologjisë me realitetin në meditacionin poetik, përqasje e errësirës së kohës me dritën e idealit.
Njeriu – mrekullia e natyrës – përsosur nëpër miliarda vite u përdhunua nga vetë njeriu, që i urdhëruar nga sovranët shpiku zinxhirët, prangat dhe mjetet e tjera të torturave. Liria e njeriut është e natyrshme, ndërsa robërinë e shpiku ai vetë. Brenga që e mundon shpirtin e poetit është dhënë në përpjesëtime të përgjithësuara: pse njeriu e tradhton veten, shnjerëzohet, pranon poshtërimin, përdhunumin, robërimin?
“Medet! Ç’mëkat! Njeri ç’zbulove kështu,
Hekurin e fortë apo dobësitë e tua të ndryshkura,
Më të forta se hekuri?!”
Poezia mbyllet me një mesazh sa human aq kategorik: “Mos e lër pellgun të mbytet në veten tënde!”
Duke poetizuar absurditetin e dhunës dhe tjetërsimin e njeriut prej saj, poetin e çudit dhe e revolton shpirti i nënshtrimit, mungesa e protestës, rezignatës. Me një ton qortues në poezinë “Epitaf” (f. 12), poeti i drejtohet gjithë popullit me keqardhje e ironi:
“Ti vdes
Dhe brohoret.
Asgjë nuk po thua, populli im!”
Vargje që të kujtojnë “Flamujt e melankolisë” të Migjenit. Në një poezi tjetër, popullit i është vënë epiteti “dhunëdurues”.
Në hapësirën e sistemit të pasur figurativ, do të veçonim përdorimin me mjeshtëri të lartë artistike të figurave të zakonshme poetike, krahasimit që rreh të shkojë nga similituda, metaforës, ironisë deri në sarkazëm dhe, në mënyrë të veçantë, flutirimit pindarik. Po biem si shembull vetëm krahasimet aq të gjetura në pajtim me objektin poetik të telave me gjemba që rrethojnë ambientet e burgjeve e të kampeve: “Befas ndeshet në telat me gjemba si qerpikë pa sy. Mijëra qerpikë të egër, një rrjetë e tërë përgjimesh të verbëra” (f. 10), “si qerpikë të sëmurë na rëndojnë telat me gjemba” (f. 163); “hija e telave me gjemba si tatuazh skllavi nxin mbi lëkurën time” (f. 135); “telat me gjemba si shkarravina rrugaçësh mureve të jetës” (f. 136); “ç’borë e bukur! Dhe telat me gjemba i zbuti, i shkëlqeu sikur të ishin ornamente”; “Ah, sa më tronditin telat me gjemba, që si floknajë kriminelësh, era i kreh, idiotja” (f. 66).
Ndërsa krahasimi e metafora i vlejnë poetit për një sendërtim sa më të ndritshëm të idesë e sidomos për ta rritur peshën e ngarkesës emocionale, fluturimet pindarike i duhen për të kaluar nga një situatë në një tjetër, mbi bazën e një përfyturimi logjik. (Jo për të aluduar, si poeti i madh grek që i dha emrin kësaj procedure poetike, në paranteza mitologjike, dhe aq më pak për të kapërcyer nga një argument në një tjetër, por për të bërë përgjithësime). Është kjo një nga ecuritë origjinale, realizuar me mjeshtëri të lartë artistike, e shtjellimit të motivit në poezinë e Visarit.
Në poezinë: “Varrim – kur shteti i zbutur na bëri një dhuratë: arkivolet” (f. 117), sarkazma, që zë fill kumbueshëm që në titull, vjen e shpërthen: katër të burgosur po dalin nga kampi për të varrosur shokun e tyre në një kodër aty pranë, duke kaluar nga njëra portë në tjetrën, nga njëri rrethim në tjetrin: “U hap porta e parë. E dyta. Rrethimi i pestë. Rrethi i shtatë i Dantes… Dolën”. Nga portat e rrethimet tek rrethet danteske (dhe dihet kë dënoi Danteja në rrethin e shtatë), me një nëntekst të fuqishëm poetik demaskimi të diktaturës e njëheri me një mesazh sa të përhijuar aq të ndritshëm.
Dhe më poshtë, po në këtë poezi, mbi vazhdën e sarkazmës sendërtohet një fluturim tjetër pindarik: “Dhe i vdekur s’je më i lirë. Me pranga dhe i vdekur”. (Sa e sa martirë që vdiqën burgjeve ose u pushkatuan, u gjendën në gropat-varre të lidhur me zinxhirë!). Po, sepse ka edhe sundimtarë të vdekur, dhe policë të vdekur që i ruajnë. Dhe mandej një popull i tërë i vdekur” dhe që edhe pse është i vdekur “duartroket para vdekjes”. Me një aludim të qartë të asaj duartrokitjeje majmuneske që iu bë diktatorit kur vdiq.
Sipas kësaj procedure, zbërthehet motivi ose jepet mesazhi, shpesh nëpërmjet një përgjithësimi të befasishëm. Si shembull, shih poezitë: “Syri i ditës”, f. 163; “Ferri i zhurmave”, f. 58; “Vdekja këtu nuk trondit kërkend”, f.116; “Pranë vdekjes”, f. 94; “Po boshatisem”, f. 131; “Një triko”, f. 142, etj.
Një tjetër realizim mjeshtëror në poezinë e këtij poeti të talentuar është portretizimi. Me fjalë të kursyera, por që bartin në vetvete një figuracion të pasur dhe një ngarkesë ideoemocionale të fuqishme, janë dhënë portretet e të burgosurve, të sëmurëve, të veglave të diktaturës, portreti i mjekut, etj.
E gjithë poezia “Përzierje” (f. 88) është një portret i realizuar i Diktatorit. Ja edhe portreti i Diktatoreshës në poezinë “Lëkura e shekujve”, (f. 157):
“Ja vdes dhe shekulli,
Diktatorët vdiqën një nga një,
Po vejushat e tyre?
(O Zot, ç’mrekulli, ato s’mbarsen më!)
magjistricat e së keqes,
rrinë para pasqyrave të tyne të akullta,
(jo në sytë e popullit) rregullojnë thinjat
si intrigat”.
Poeti, gjithashtu, është mjeshtër i peisazhit.
Visar Zhiti hodhi në këmbët e popullit të vet një kafkë. Është një kafkë, në dy zgavrrat e së cilës bota do të vërë sytë dhe aty ku zbardhin frikshëm dhëmbët, fantasia e poetit dhe e një populli të tërë do t’i vërë buzët e plota të buzëqeshjeve dhe vëtë jeta do ta mbushë me mishin e gjallë të saj. (Shih “Ringjallje imagjinare e kafkës” f. 159). Është një kafkë që projekton një hapësirë drite që të merr sytë. Është një kafkë që rrezaton liri, dashuri, vëllazërim.
Poezia e Visarit është honi i një drame që shndërrohet në një qiell lirik sublim, në një ode për jetën, është fytyra e vërtetë e jetës, për të cilën ka aq nevojë populli ynë në momente trazirash, përmbysjesh e ringjalljesh.
Botuar në “Dielli”, janar-mars, 1995