back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Një kujtim i bukur nga një botë e vështirë nga Erman Dine

Gazeta

Herman Dine
Herman Dine
Para pak ditësh gjatë një bisede me një mikun tim që merret me muzikë m’u kujtua një ndodhi nga fëmijëria. Meqë ra fjala së shpejti miku im do të postoj një bashkëpunim. Vendosa të ndaj këtë kujtim për dy arsye. Desha t’jua kujtoj atë kohë disa miqve të mi në këtë ambjent ata që jetuan pranë meje, sidomos shokët dhe shoqet e klasës, të cilët edhe pse qenë prezent gjatë kësaj ndodhie nuk e dinin se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Dhe nuk kishin si ta dinin sepse ajo që ndodhi ishte pa zë, pa fjalë. Një komunikim spontan dhe i papritur, i çastit, midis dy njerëzve që edhe pse fizikisht ndanin të njëjtën hapsirë me dhjetra të tjerë ndodhi në një dimension dhe frekuencë tjetër. Arsyeja tjetër për publikimin e kësaj ndodhie është për ato gjenerata që lindën më pas ose ishin shumë të vegjël për të mbajtur mend atë kohë. Një botë bardh e zi, e zymtë, e pashpresë në përgjithësi, por që nuk ishte pa gjëra të bukura fare. Gjërat e bukura ndodhnin pak a shumë larg syve dhe veshëve të keqbërësve që përfitonin duke i bërë keq të tjerëve. Më besoni kur ju them se ajo që ndodhi me mua sado qesharake të duket sot ishte tepër domethënëse por dhe e rrezikshme për atë kohë.
Herman Dine - Shkolla fillore - Kampi i Gjazës
Erman Dine (ne qender) – Shkolla fillore – Kampi i Gjazës

Një kujtim i bukur nga një botë e vështirë

nga Erman Dine

Në vitin 1985, fillova shkollën tetëvjeçare. Shkolla e zonës ndodhej disa dhjetra minuta udhëtim në këmbë. Po aty bëra edhe një vit të shkollës së mesme. Besoj se ngjarja ndodhi aty nga mezi i tetëvjeçare, nuk e mbaj mend kohën e saktë, por kujtoj se diktatori kriminel enver hoxha kishte vdekur, dhe dukej sikur ai terrori i vazhdueshëm që ushtrohej në popull kishte filluar të zbutej pak. Megjithatë përçarja vëllavrasëse e diktaturës komuniste nëpërmjet luftës së klasave ishte ende e ashpër dhe vazhdoi të ishte e tillë deri në ’90-ën. Nuk e di sistemin e shkollës mbas 90-ës, por më parë nxënësit, sidomos ato të tetëvjeçares me përjashtim të lëndës së kimisë dhe të fizikës nga që bënim eksperimente duhesh të shkonim tek laboratori për ndryshe mësimi i lëndëve të tjera jepesh në të njëjtën klasë. Dhe gjatë ndërrimit të mësuesve sipas lëndës së rradhës kishim 10 minuta pushim. Gjatë këtij pushimi përfitoja nga zhurma në klasë që ziente nga zërat e lartë të fëmijëve të tjerë që shijonin atë pak kohë të lirë. Kjo vazhdonte gjatë gjithë pushimit kështu që kisha mjaftë kohë për të luajtur me ‘gërrnetën’ time prej letre. Them prej letre se gërrnetë nuk kisha dhe as që dija t’i bija fare. Në fakt se kisha prekur kurrë me dorë, por si gjithë fëmijët e asaj moshe kisha guximin dhe kurajon për të bërë atë që më pëlqente për çastin, sado qesharake mund të dukej në pamje. Kështu që mblidhja fletoren rrumbullak në formë cilindrike dhe i bija ‘gërrnetës’ time prej letre. Një nga këngët e mija të preferuara ishte Marina (këngë italiane e viteve ’60, e Rocco Granatës). Këngë që dëgjohej dhe pëlqehej nga rrethi im i ngushtë i asaj kohe si shumë këngë të tjera italiane. Mua më pëlqente se kishte ritëm, dhe për veshët e mi tingëllonte shumë bukur në ‘gërrnetën’ time prej letre. I bija pa merak se mund të tërhiqte vëmendjen sepse isha i sigurt që fëmijët rreth e përqark meje nuk e kishin dëgjuar. Muzika e huaj gjatë asaj kohe ishte rreptësisht e ndaluar nga shteti, sidomos ajo ritmike siç ishte edhe kjo këngë.
Më kishte shkuar mendja disa herë nëse mësuesi i muzikës e kishte dëgjuar këtë këngë. Kisha parandjenjën se e kishte dëgjuar. Më dukej ndryshe nga mësuesit e tjerë. Pak si kavalier, ishte edhe më i ri në moshe. Edhe nga sjellja ndryshonte. Nuk e çante kokën shumë për zhurmën dhe nonsensin e rradhës që bëhej për Partinë. Nuk isha në gjendje të gjykoja aftësitë e tij si instrumentalist, por vija re gjatë klasës së muzikës ato pjesë që luante në fizarmonikë gishtat e tij lëvizin rrufeshëm. Luante krejt natyrshëm dhe të jepte përshtypjen se ky njeri nuk bën gjë tjetër ne jetë përveç luajtjes së fizarmonikës.
Lënda e muzikës ishte lënda ime më e preferuar. Kur mësuesi i binte fizarmonikës unë isha i përqëndruar gjatë gjithë kohës, diçka që ndodhte shumë rrallë me lëndët e tjera. Një ditë më shkoi mendja ta provokoj, më kuptimin më të mirë të fjalës. Ishte punë me zarar sepse nëse ai reagonte tregonte se e kishte dëgjuar atë këngë të ndaluar, dhe mund të më nxirrte probleme aq më tepër që unë isha i ‘prekur’, një term tjetër që përdorej për familjet e përsekutuara të kohës. Por unë pata besim se ai nuk do të reagonte negativisht. Kështu që vendosa të bëj diçka kur të më shfaqet rasti i parë. Qëlloj që një ditë gjatë orës së muzikës erdhi afër bankës time për të ndihmuar një nxënës për diçka dhe unë fillova të fishkëllej Marinën lehtë. Nuk zgjati shume t’i binte ne vesh. Sapo kaloj bankën time ktheu pak kokën në drejtimin timë pa më parë në sy. Nuk e bëri vehten, vazhdoj ecjen në drejtim të tavolinës së tij.
Aty për aty nuk isha i sigurt nëse më kishte dëgjuar. Por mënyra si ktheu kokën, në befasi më dha të mendoj se e kishte kapur këngën. Fakti që reagoj në atë mënyrë, më bëri të shqetësohem pak. Por tashmë ishte vonë për pendim sepse ajo që ndodhi nuk kthehej më. Tashmë isha në duart e fatit. Kisha frikën se mos më raporton tek nëndrejtori i shkollës që me zor priste të na bënte “shembull” për të tjerët, dhe të fitonte ca pikë me drejtoreshën e cila në shumicën e rasteve ishte anëtare Partie. Por kjo nuk ndodhi. Në fakt ajo që ndodhi qe plotësisht e paparashikuar nga unë. Javën tjetër erdhi prapë ora e muzikës. Mësuesi hyri në klasë si gjithë ditët e tjera mbasi konsumoi programin e ditës filloi të luante disa pjesë jashtë programit. Diçka që e bënte shpesh dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Pas pak minutash filloi të luante një këngë që unë e kisha dëgjuar më parë. Ishte pikërisht Marina, kënga që unë kisha fishkëllyer në klasë, një javë më parë. Kënga bëhej me “alegro” me çdo hap që ai hidhte në drejtimin tim. Kur arriti përpara bankës time vuri buzën në gaz, diçka që mendja ime në ato çaste e interpretoi sikur po mundohet të më thotë: “Të dëgjova… edhe unë e di këtë këngë!” Në këtë kohë, unë po shikoja rreth e përqark klasës dhe vura re një pjesë e mirë e nxënësve ishin përqendruar tek ajo që po ndodhte sepse nuk kishte ndodhur që mësuesi të luante fizarmonikën përpara një nxënësi ashtu si po ndodhte me mua.
Jam më se i sigurt që nuk e dinin çfarë po ndodhte megjithatë edhe ata ndoqën shëmbullin e mësuesit dhe po më buzëqeshnin. Nga ky moment e tutje nuk mbaj mend gjë sepse ula kokën. Ndërkohë një fytyrë më shkonte dhe një tjetër me vinte. Nuk isha mësuar të merrja vëmendje të tilla pozitive më parë.
Në atë kohë dhe pse ishim fëmijë nuk i shpëtonim luftës së klasave. Përbuzja dhe përçmimi vinte nga të gjitha shtresat dhe moshat e ndryshme të shoqërisë. Madje nga njëherë vinte edhe nga mësuesit.
Rasti më konkret ishte një episod me nëndrejtorin e shkollës. Kini parasysh që ky ishte nëndrejtori i shkollës, figurë autoriteti mbi edukatorët, detyra e të cilëve është formimi dhe kujdesi për mendjet e njoma ende impresionuese. Aty ky hidhet themeli mbi të cilin njeriu ndërton gjithë jetën. Ky burrë, nëse mund ta quaj të tillë, u ndje i rëndësishëm me atë xhest të shëmtuar dhe të ulët që bëri, sidomos për një edukator. Më nxori mua dhe kushërirën timë përpara gjithë nxënësve të shkollës. U mundua të poshtërojë dy fëmijë vetëm se rrobat e tyre ishin ndryshe nga të tjerët. Bëhet fjalë vetëm për një palë pantallona xhins të ardhura nga jashtë shtetit, të cilat në atë kohë binin në sy. Aty ai shpalosi gjithë ligësinë dhe mendjen e tij të ndryshkur nga injoranca ekstreme. Për diktaturën këto ishin elemente më të dëshiruara tek njeriu. Këta ishin njerëzit idealë që do t’i shërbenin diktaturës komuniste vëllavrasëse verbërisht për më shumë se 45 vjet, madje vazhdojnë të jenë edhe sot.
Tani t’i kthehemi ‘gërrnetës’ prej letre, Marinës dhe mësuesit të muzikës. Kjo ndodhi është ruajtur në kujtesën time gjithë këto vite. Sot është hera e parë që shkruaj për të. S’ia kam treguar askujt madje as prindërve ndoshta sepse për një kohë të gjatë mendova se askush nuk do të kuptonte domethënien. Ky është një nga kujtimet e mija më të bukura të fëmijërisë. Për ato pak sekonda ky mësues me shembullin e tij njerëzor harroi frikën, luftën e klasave, dhe jo vetëm që nuk më denoncoi në drejtorì, ashtu siç mund të kishin bërë shumë të tjerë në vendin e tij, por shkoi edhe më larg normës. Nëpërmjet tingujve të fizarmonikës që e luante kaq bukur, aty ku për pak çaste mendja dorëzon gjithë madhështinë dhe mbretërinë e arsyes, aty ku shpirti është plot, i lumtur, i lirë të endet pas tingujve të ëmbël të muzikës, përtej reve. Aty një fëmijë i pafajshëm, si gjithë fëmijët e asaj moshe, që nuk i shpëtoi dot luftës psikologjike e përçmuese të klasave, befas u ndje i barabartë me gjithë fëmijët e tjerë.
Marre nga Muri fb 26 Tetor 2016

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. A i ka kërkuar falje qeveria shqiptare, këtyre fëmijeve, që u lenë e u rritën nëpër internime?
    A Ju ka dhënë dëmshpërblime, për një fëmijeri të privuar? A nuk duhet gjykuar, për dënim të fëmijëve të pafajshëm ato qeveritarë e bashkëpuntorë të regjimit diktatorial, që ka 27 vjet që marrin pensione, për torturimin e të pafajshmëve!
    A nuk ka ardhur koha të kërkohen dëmshpërblim për këta fëmijë, ndërkohë që mbesa e Sali Berishes, na tregon sesi shijon jetën e saj boheme në Itali…
    Po të kemi veç një thelb drejtësi në ndërgjegje, do duhej të trajtohej me prioritet, kjo padrejtësi e së kaluarën… Ndryshe të përpunohet një padije kolektive…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.