back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një kujtim për një kolos dhe mik të shqiptarëve Sir Reginald Hibbert (1922 – 2002) – nga Daut Dauti ⁠

Gazeta

Reginald Hibbert (1922-2002)
Reginald Hibbert (1922-2002)

Një kujtim për një kolos dhe mik të shqiptarëve

Sir Reginald Hibbert (1922 – 2002)

nga Daut Dauti ⁠

Në vitin 1993 në Tiranë bleva librin: “Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë –
një fitore e hidhur”, të autorit Reginald Hibbert.
Libri sapo ishte përkthyer nga origjinali: ‘The Albanian National Liberation Struggle:
the bitter victory’, që ishte botuar në Londër më 1991.

Reginald Hibbert - Fitorja e Hidhur
Reginald Hibbert – Fitorja e Hidhur
Vetëm kur e kam lexuar këtë libër e kam kuptuar rrjedhën dhe përfundimin e luftës në Shqipëri gjatë viteve 1941-1945. Si u zhvillua lufta në këtë vend? Pse britanikët i favorizuan njësitet partizane të Enver Hoxhës më shumë se njësitë tjera? Pse fituan komunistët? Pse kjo fitore ishte e hidhur? Të gjitha paqartësitë që i kam pasur për këtë temë, i kam gjetë të sqaruara në këtë libër.
Kjo ishte arsyeja që unë vendosa ta takoja autorin sapo të kthehesha në Londër. Kur e kontaktova e pyeta nëse kishte mundësi ta intervistoja, të cilën gjë ai e pranoi me kënaqësi. Me sa më kujtohet, Hibertin e kam intervistuar disa herë dhe me siguri unë kam qenë gazetari i vetëm që interesohej për të. Deri në këtë kohë, Sir Hibbert ka qenë njeriu më i rëndësishëm që kisha takuar.
Kur kishte filluar Lufta e Dytë Botërore, Hibbert ishte student i historisë në Universitetin e Oxfordit. Sapo i kishte kryer studimet (1942), ishte lajmëruar vullnetar për luftë. Pas një viti të shërbimit në pozitë komanduese të një njësie tenkiste, ishte caktua anëtar i OSE (Operation Special Executives) që ishte një njësi speciale e formuar nga kryeministri i atëhershëm, Winston Churchill. Kjo njësi shërbente për ndihmë që u ofrohej njësive guerile në vendet e okupuara nga Gjermania dhe Italia fashiste. Ndihma ishte e shumëllojshme por kryesisht bëhej me akcione të armatosura, spiunim dhe sabotazh. Më 1943, në këtyë cilësi, si oficer ndërlidhës në mes Britanisë dhe Shqipërisë, Reginald Hibbert u parashutua nga një aeroplan luftarak britanik për të rënë në mesin nacionalistëve në veri. Pas një kohe doli te partizanët e Enver Hoxhës diku në jug të vendit. Këtu fillon libri i tij dhe përfundon me fitoren e komunistëve. Pra, është libër që i shpjegon rrethanat dhe situatën nga dora e parë (neutrale) dhe përjetimet personale të autorit.
Menjëherë pas luftës, më 1946 Hibbert hyri në Foreign Office ku shërbeu deri sa u pensionua (1987). Si diplomat (ambasador dhe nivel tjetër të lartë) shërbeu në Budapest, Vjenë, Moskë, Ulan Bator, Bon, Ankara etj., dhe u pensionua pasi shërbeu si ambasador në Paris. Nga viti 1975 deri më 1979 ka qenë zëvendës sekretar i Foreign Office-it. Pra, Hibbert kishte shërbyer në shumë pozita elitare diplomatike të Britanisë së Madhe.
Por, gjatë tërë kësaj kohe, Shqipëria ka qenë vendi që kurrë nuk i është hequr nga mendja. Në maj të vitit 1991, pas rënies së komunizmit dhe zgjidhjes së problemit të Korfuzit, u themeluan sërish mardhëniet në mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Mardhëniet u normalizuan pas 51 viteve. Ky ishte një rast që e gëzoi Hibbertin pasi që u hap rruga për të kontribuar më shumë për çështjen shqiptare.
Edhepse më parë mungonin mardhëniet në mes këtyre dy shteteve, në Britani të Madhe nuk ka munguar tërësisht prezenca e çështjes shqiptare, e cila kryesisht është zhvilluar nëpermjet veprimeve të dy organizatave britanike për miqësi me Shqipërinë. Në këtë rast duhet së pari të përmendim organizatën e cila është quajtur ‘Albanian Society’ (Shoqëria Shqiptare) që ishte formuar pas Luftës së Dytë Botërore. Një ndër themeluesit kryesor të kësaj organizate ka qenë William Bland, i quajtur edhe si Barbarosa, një komunist i njohur. Pasi që Barbarosa ishte i dhënë pas marksizëm – leninizmit, kishte rënë në kontakt me regjimin komunist në Tiranë dhe e kishte themeluar organizatën në fjalë. Me dekada të tëra ‘Albanian Society’ ka qenë filiale e Partisë së Punë së Shqipërisë në Londër, e cila rreth vetes kishte tubuar disa komunistë të zellshëm britanikë dhe të cilët bënin punën e propagandës së Enver Hoxhës. Për këtë arsye këta komunistë, në zhargonin politik britanik quheshin edhe hoxhistë. Bland ka qenë intelektual i njohur në Britani dhe është autor i veprës së njohur: ‘A tangled web – A history of Anglo-American Relations with Albania 1912-1955’. Nëpërmes tij dhe grupit hoxhist përktheheshin në anglisht librat e Enver Hoxhës apo ndonjë tjetër që fliste për ‘sukeset’ e Partisë së Punës dhe shpërndahej në botën anglo-saksone.
Me ndihmën e këtij grupi qe hapur edhe një dyqan mu në zemër të Londrës, në Covent Garden, i cili quhej ‘The Albanian Shop’ (Dyqani Shqiptar) ku shitej literatura në fjalë, suvenire nga Shqipëria, amblema apo simbole komuniste, punime artizanale, së bashku me ndonjë mulli të kafes e shishe të konjakut të famshëm ‘Skënderbeu’. Por, gjërat nuk shkuan mirë me komunizmin dhe në vitin 1991, ndodhi ndryshimi i madh. Shteti shqiptar më nuk e financoi shoqatën në fjalë dhe nuk e furnizoi as dyqanin me mallra dhe si rezulat, e tërë ideja komuniste shqiptare për britanikët, ra përtokë. Bland mbeti pa financues dhe u largua nga shoqata, e cila menjëherë kolapsoi. Pastaj ai e formoi një shoqatë të cilën e quajti ‘Stalin Society’ por edhe këtu nuk i shkuan punët mirë. Unë shkova në magazinën e tyre dhe e mbusha një çantë të madhe me libra ‘komuniste’ që më nuk i blinte askush. Nëse dëshironi ta dini, unë ende i kam këto libra dhe disa i kam lexuar.
Reginald Hibbert mes partizanëve shqiptarë
Reginald Hibbert mes partizanëve shqiptarë
Sidoqoftë, pas kësaj ngjarje, komunistët u zhdukën pa gjurmë kurse shoqata ‘Albanian Society’ kaloi në duar të një grupi të intelektualëve majtistë që vërtetë ishin të interesuar t’i përparonin mardhëniet mes Britanisë dhe Shqipërisë. Në mesin e këtyre intelektualëve ishte edhe Sir Reginald Hibbert dhe Michael Kaser, një profesor dhe teoricien i njohur në botën akademike për ekonominë socialiste në Universitetin e Oxfordit, i cili ndihmoi reformën ekonomike në Shqipëri dhe Sali Berisha e dekoroi me urdhërin “Naim Frashëri”. Dy intelektualë tjerë që iu bashkuan kësaj shoqate dhe që vlen të përmendën kanë qenë James Pettifer dhe Miranda Vickers, po ashtu emra të njohur në botën e letrave britanike.
Shoqata fillimisht u udhëhoq nga profesori i famshëm Kaser dhe më vonë nga diplomati, poashtu i famshëm. Hibbert. Pasi që situata në Jugosllavi po eskalonte dhe ajo në Shqipëri poashtu nuk shkonte mirë, Hibbert vendosi që ta forconte lobimin në media dhe në organet vendim-marrëse britanike për Shqipërinë. Prandaj, disa herë tentoi që shoqata e tij ‘Albania Society’ dhe ‘Anglo-Albnian Association’ të bashkoheshin e të bëheshin më të fuqishme. Kjo gjë nuk ndodhi kurrë.
‘Anglo-Albanian Association’, e cila ekziston edhe sot, është organizata më e vjetër britanike për miqësi me Shqipërinë. Kjo organizatë është formuar në vitin 1919, nga Aubrey Herbert, Edith Durham dhe disa intelektualë tjerë pro shqiptarë. Në fakt organizata i ka rrënjët edhe më thellë pasi që është vazhdimësi e ‘Albanian Committee’ që ishte formuar më 1912, nga Aubrey Herbert për të ndihmuar themelimin e Shqipërisë së pavarur. Kjo organizatë ka qenë atraktive sidomos për politikanët dhe oficerët ushtarakë britanikë që ishin përfshirë zyrtarisht e jo zyrtarisht në çështjen shqiptare. Por, kur pas luftës u themelua edhe ‘Albanian Society’ me ndihmën e regjimit komunist nga Shqipëria, tashti këto dy organizatat kishin vetëm mardhënie armiqësore. Prandaj, orvatjet e Reginald Hibbertit për bashkim përfunduan me dështim pasi që pala tjetër (Anglo-Albanian Association) e shihte këtë organizatë (Albanian Society) si komuniste edhepse në fakt më nuk ishte e tillë. Kjo ishte një luftë mjaft e ashpër për Shqipërinë që zhvillohej në mes majtizmit dhe djathtizmit britanik.
Por, kjo nuk e pengoi Hibbertin që të angazhohej për të ndihmuar çështjen shqiptare, sidomos kur filloi lufta në Kosovë. Me këtë rast në skenë, në anën shqiptare, doli edhe Sir Noel Malcolm. Që të dy ishin anëtarë të organizatave ‘armiqësore’ por kishin marrdhënie korrekte shoqërore dhe respekt të madh për njëri tjetrin. Fakti më i rëndësishëm ishte se që të dy kishin pikëpamje tërësisht të njëjta për Kosovën. Dhe kështu, siç thotë një fjalë, pa pritë e pa kujtu, në anën e shqiptarëve dolën dy kolosë që me prezencën e tyre dominonin në media dhe forume të ndryshme të debateve të intelektualëve dhe ekspertëve që kryenin punën e 100 batalioneve ushtarake në favor të Kosovës.
Madhështia dhe efekti i tyre në paraqitje ka qenë e papërshkrueshme. Nuk kishte mundësi që Kosova të kishte në anën e saj diplomat më të rryer e më gjigand se Sir Reginald Hibbert dhe intelektual më të fuqishëm se Sir Noel Malcolm. Betejën për Kosovën në media dhe në opinion publik e kanë fituar këta dy gjigandë. Këta dy kanë qenë ata që në opinion dhe në qeveri e përçonin vazhdimisht porosinë: Intervenoni!
⁠.

Reginald Hibbert - Abania and the Balkans
Reginald Hibbert – Albania and the Balkans
Shqiptarët, as atëherë e as tashti, nuk kanë qenë në gjendje ta kuptojnë këtë mrekulli. Dhe, kjo është arsyeja që sot këta dy, sidomos Hibbertin nuk e përmend askush. Askush nuk është kujtuar që emrin e Herbertit ta rezervojë për ndonjë rrugë, shkollë apo institucion tjetër në Kosovë e Shqipëri. Harroni dekoratat!
Hibbert vdiq në vitin 2002. Kjo ka qenë një befasi për mua. Disa herë kemi biseduar për vdekjen dhe ai, në mënyrë humoristike thoshte se do të jetonte gjatë. Këtë e bazonte në faktin e gjeneve. Babai i tij vdiq vetëm tri vite para tij dhe ky ishte një fakt mashtrues. Kur u varros, mua nuk më ftuan në ceremoninë e varrimit. Këtë e bëri me qëllim grupi që ishte ngarkuar me organizimin e ceremonisë mortore. Disa prej tyre mendonin se unë ia mbaja krahun organizatës tjetër, asaj djathiste : Anglo-Albanian Association.
Sidoqoftë, pas kalimit të kësaj pandemie, do ta vizitoj varrin e Hibbertit. Në heshtje do t’ia lëshoj në varr një tubë lule dhe t’i them se e kishte mirë kur më thoshte se Kosova dhe Shqipëria në një të ardhme të afërt do të përjetojnë kriza të mëdha për shkak se u mungon udhëheqja politike.
.
Marrë nga Muri i fb i Daut Dautit, 29 maj 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.