back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Një letër e rrallë e Krist Malokit ku flet për Migjenin Dr. Moikom Zeqo

Gazeta

Migjeni dhe Krist Maloki
Migjeni dhe Krist Maloki

Një letër e rrallë e Krist Malokit ku flet për Migjenin

Dr. Moikom Zeqo

Po publikoj një letër të kritikut dhe estetit Krist Maloki ku flet për krijimtarinë migjeniane. Letrën pati mirësinë që na e tregonte zonja Lina Ceka, e bija e Skënder Luarasit dhe Ollgës, motrës së Migjenit. Letra i është dërguar nga Graci i Austrisë më 15 janar 1961, Skënder Luarasit. Letra nis si ngushëllim për vdekjen e Ollgës e flet pastaj me konsiderata për Migjenin e madh.
Krist Maloki në vitet ’20 e ’30 u aktivizua në shtyp e është bërë i famshëm për dy ese të gjata e të sofistikuara: një për Naim Frashërin dhe tjetra për Lasgush Poradecin. Të dy esetë kanë qenë si sfida blasfemije për kohën. Krist Maloki me një kulturë e indikacione të shumta letrare e kulturore, me një shtrat erudit e filozofik, shkruan për Naimin sipas disiplinës së antropologjisë. Maloki është i pari që ka futur analizën frojdjane ndaj shqyrtimit të figurave të mëdha artistik… Kurse eseja për Lasgush Poradecin mirrte përsipër diçka utopike për të vërtetuar se Lasgushi nuk ishte poet i madh po një mit i madh. Këtë ese të fundit (tepër të gjatë) Maloki nuk e mbaroi asnjëherë, ndoshta dhe u bind për pabazueshmërinë e tezës së tij.
Para Malokit askush nuk kishte shkruar me kaq shumë kulturë dhe me një manierë që ndryshonte nga kritika tradicionale, që rebel dhe kontradiktor. Më poshtë po japim tekstin e plotë të letrës së Malokit, ku ai shfaq dëshirën e madhe për të shkruar diçka për Migjenin.
Tirane, 28.05.2014

Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla)
Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla)

I dashur koleg dhe shok i vjetër,

E kam marrë këto ditë lajmin e zi për vdekjen tragjike të zonjës s’ate Olga dhe po ngutem të t’i paraqes ngushëllimet e mija më të ndijshme e të përshpirtshme!
Para një viti kam qenë n’Ulqin postafat për të mbledhë material historik e letrar rreth Migjenit. Atje u njoha me zonjën Leposava, me të bijën e kunatës s’ate, zonjës Lenka, me shokun e vjetër të Migjenit nga penda e jote, për të cilën edhe pse ti vet nuk ma e ke, të jem mirënjoftës.
Kam mbledhë përndryshe nga shumë anë material aq të plotë sa mundem t’i përmbledhi argumentet e mij rreth një studimi kritik-letrar si aj rreth Lasgush Poradecit më 1939, por me drejtim dhe konkluzion të përkundërt.
Shka ka mbetë mysterjoze në jetën e Migjenit asht qëndrimi i tij kundrejt seksit femnor, për shka nuk po ka njoftime kurrkush nga të njoftunit e tijë. E pra ner Kangët e Rinis bahet shumë herë aluzjon për ndeshje me ndonjë femën, vende-vende shpërthejn tonalitete si ato të Beethoven-it në “Unsterbliche Geliebte”.
A ke ti njoftime ma të hollsijshme në kët pikëpamje? Unë të lutem – po s’pate pengesa e ngatërresa – të hyjsh në korespondencë të dendun me mue vetëm e përvetëm rreth Migjenit dhe vetëm për të mirën dhe nderimin e poetit.
Tuj i përsëritë ngushllimet e mija, po jes me shumë të fala si ty si shokëve të hershëm aty.
Dr. K. Maloki
Graz 15/I/61

Moikom Zeqo
Moikom Zeqo

***
Post Scriptum: Me sa më tha zonja Ceka, Skënder Luarasi nuk i është përgjigjur letrës së Malokit.
Nga letra del qartë se Maloki ka takuar dëshmitarë ad hoc e flet se ka mbledhur një lëndë për një studim (të cilin e krahason me studimin e tij për Lasgushin në 1939, “po me konkluzion e drejtim të përkundërt”, dmth afirmativ). Maloki nuk harron të japë të fala për Justin Rrotën e Çabejin që i çmon për kapacitetin e tyre e profilin intelektual të dorës së parë.
Ai i bën Luarasit një ofertë për një korrespondencë intelektuale, gjë që për fat të keq nuk u realizua asnjëherë.
Jam i bindur se në arkivin familjar të Krist Malokit duhet të jenë materialet që ai ka mbledhur për Migjenin si dhe materiale të tjera analoge për studimin e letërsisë dhe kulturës tonë kombëtare.
Sa me interes do të ishte të mblidheshin e të botoheshin shkrimet e Malokit në një libër të vetëm!

Prof. Krist Maloki (1900-1972)
Prof. Krist Maloki (1900-1972)

Kush është Krist Maloki?

Krist Maloki lindi në Prizren, më 8 prill 1900. Mësimet fillore i mbaroi në vendlindje, pranë shkollës katolike të Prizrenit. Si nxënës i dalluar që ishte, përfaqësuesit e Austro-Hungarisë në Prizren e dërguan në Austri për t’i vijuar mësimet në shkollën e mesme. Studimet i ndoqi në Salzburg, në Vjenë dhe në Graz. Në moshën 12 vjeçare dërgohet me bursë për studime në Austri. Aty kreu shkollën e mesme dhe mori dy doktorata, të parën me 1929 në Filozofi-Pedagogjike me temën “Die Grundprobleme der Kunsterziehungsbeëegung”; dhe të dytën në Jurisprudencë më 1934. Në Graz i përfundoi studimet për filozofi, histori të arteve dhe pedagogji. Qe profesor i rregullt i Akademisë Tregtare të qytetit të Gracit dhe profesor pranë këtij Universiteti për letërsinë shqipe e ballkanike. Më 1966 qeveria austriake i akordon titullin Kryekëshilltar arsimor. Vdiq në nëntor 1972 në Grac të Austrisë. Malokit i është botuar vitet e fundit vëllimi “Refleksione” dhe “Oriental apo Oksidental”. Është i njohur si kritik letrar. Kritikat e tia më të njohura do të ishin ato mbi Naim Frashërin, Lasgush Poradecin, Gjergj Fishtën etj. Qysh para Luftës së Dytë Botërore Krist Maloki në Universitetin e Graz-it të Austrisë hapi edhe lektoratin për gjuhë shqipe, ku ai ishte lektori parë dhe i fundit i këtij lektorati. Po në këtë Universitet ishte edhe bashkëpuntor shkencor dhe shumë kohë punoi në Institutin e Historisë për Europën Juglindore. Këtu Maloki i mbante kompetencat për historinë e popullit shqiptar, ku edhe ligjëronte, sidomos për çështjen e ekonomisë dhe të politikës. Një kohë të gjatë veproi në Akademinë tregtare në Graz, ku po ashtu, ligjëroi ekonominë politike. Ishte i nderuar edhe me urdhërin më të madh, lartë, të Qeverisë së Styrisë (Steiermark) në Graz nga departamenti i arsimit, për kontributin e tij për këtë akademi. Qe bashkpunëtor i shumë revistave shqiptare si “Minerva” në Graz, “Djalëria” në Vjenë, “Hylli i Dritës”, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, e më vonë edhe i revistës “Shqiptari i Lirë”, “Dielli” etj. Ka bashkëpunuar edhe me revista të gjuhës gjermane, me artikuj të ndryshëm. Ishte edhe bashkëpunëtor i enciklopedisë së gruas (Zvicër) në gjuhën gjermane, ku ai shjellon problemin e gruas shqiptare. Ka bërë edhe disa komponime dhe një prej tyre, që vlen të përmendet, është „Mbi vorr t’Avni Rrustemit“. Ka botuar edhe disa shkrime me pseudonim si: K. Lepeteni, Male Krishna, Krraba Malsore etj. Ka lënë shumë dorëshkrime të pabotuara në shqip e gjermanisht, të gjitha studimet e tij janë shpërndarë nëpër revista dhe gazeta shqipe e të huaja, sidomos gjatë viteve ’30. Ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike. Krist Maloki është një ndër mendimtarët më të mprehtë të viteve 1930-’45.
Marre nga http://pashtriku.org

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.