back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një Letër (nga Eda Zhiti) dhe një klithmë (nga Ervina Toptani) – për një tragjedi ku ka dorë Shteti!

Gazeta

Visar dhe eda Agaj Zhiti - te statuja e Maya Angelou
Visar dhe Eda Agaj Zhiti – te statuja e Maya Angelou

Një Letër… dhe një klithmë – për një tragjedi ku ka dorë Shteti!

Mos i lini vetëm!

letër nga Eda Zhiti –

Këto pak rreshta u nisen si përgjigje një gazetareje që e vlerësoj e i përfundova drejtuar të gjithëve, që jam e lidhur në fb.
Elona, gazetarja, shkruante se sa të na kalojë kjo dhimbje që na ka kapur për fyti dhe i duhet kërkuar llogari personit përgjegjes për shumëçka…

"Vogëlushja që vrapon drejt ëndrrës” - pikture Gjergj Kola
“Vogëlushja që vrapon drejt ëndrrës” – pikture Gjergj Kola

E dashur Elona,
Unë e di sa e dhembshur di të jesh Ti dhe e kupton tjetrin, prandaj po dua t’ju drejtohem shumë e shumë njerëzve të tjerë se prindërve të Jonadës dhimbja jo vetëm nuk do t’u ikë prej fytit, por do të pushtojë tërësinë e tyre, përditë e më shumë. Asnjë drejtēsi, qoftë dhe masa më ekstreme nuk e shlyen tragjedinë. Arroganca e atij që kreu atë akt të zi, ka për t’u përplasur në fytyrën e kohës vazhdimisht, pa asnjë ndjesë. Është ky realitet, me vrasës harbutë, se ndjehen të pandëshkueshëm…
Triumfi i ligësisë vrastare. Zoti i ndihmoftë prindët e Jonadës të shohin dhe dritën e tejme, jo vetëm honin ku i hodhën, që është nën këmbët e të gjithëve.
Por jo vetëm Zoti, dhe njerëzit që prindët e Jonadës kanë pranë do t’ju lutesha që të mos i lënë vetëm.
Kur të shihni mamanë, në ditët më pas, dhe nëse është duke bërë punë, në dukje qetësisht pranë ballkonit, një plan ndëshkimi do ta ketë, për askënd, veç për vetveten – po Ju mos e lini vetëm!
Ju qe rrini pranë tyre në shtëpi, kur të shihni se nuk do t’ju kthejnë përgjigje kur t’i pyesni si janë, mos iu ktheni kurrizin, nuk e kanë me ju, e kanë me fatin. Mos i lini vetëm!
Do të vijë dita që do t’ju  buzëqeshin, do ta bëjnë për ju, duan të lehtësojnë komunikimim. Plaga e tyre do të jetë më e thellë për ta, më pak e dukshme apo fare e padukshme për sytë tuaj. Po ajo djeg gjithmonë si në ditën e parë. Ju mos i lini vetëm!
Kur ta shihni në rrugë që të ketë nje si dëshirë të fortë që të ledhatojë çdo moshatare/moshatar të bijës/birit të tyre, sepse diku shohin flokët e saj/të tij, diku profilin, diku shkujdesjen, diku gëzimin, ju thjesht lëreni ta marrin atë çast.
Kur ta shihni me dhurata një moshatari/je të birit/bijës që martohet apo bēhet më fëmijë, pranoheni se ajo po ndjehet dhe nëna e Tij/Saj. Mos ia përplasni keqardhjen tuaj në fytyrë. Ju thjesht përqafojeni si mama engjëlli.
Dhe besojeni se gjenden gjithmonë Cirenej që do t’i ndihmojnë të mbajnë me dinjitet kryqin e tyre.
3 gusht 2022

Ps. “Vogëlushja që vrapon drejt ëndrrës”
Pikturë nga Gjergj Kola, Koleksion privat, A.V.E – Illinois, USA.

Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi

Historia përsëritet nëse s’nxirren mësime prej saj

klithme nga Ervina Toptani

Dhimbja për tragjeditë që të shkulin shpirtin respektohet në heshtje, revolta për dhimbjen derdhet në sheshe!
Nëse keni Zot, mos i shtoni dhimbjes hartime patetike për të ndërgjegjësuar shqiptarët. Nëse ka mbetë një fije ndërgjegje tek secili, le të bëhemi 1 milion e të ngujohemi në sheshe për t’i sjellë Shqipërisë vetëm buzëqeshjen e fëmijëve e jo fotot e tyre në shtylla lajmërimesh mortore!
Nëse ka mbet një fije logjikë arsyetimi tek secili, kuptojeni që vetëm dashuria për njëri tjetrin e për Shqipërinë do të mundet të ndryshojë anarshinë ku jetojmë.
Çdo tragjedi e tillë ka një fillesë e një vazhdim “filozofie” pushteti të cilën e mbajnë dhe e ushqejnë shqiptarë! Përgjegjës janë bijtë e atyre që për 47 vjet vranë fëmijë me mijëra nëpër kampe shfarosëse komuniste, dënuan fëmijë me burgim, i përjashtuan nga shkollat e i dënuan me punë të detyruar fizike se ishin armiq! Ku ishin gjithë shqiptarët që qajnë sot fatkeqësitë e tragjeditë nëpër rrjete sociale? A e dijnë se historia përsëritet nëse nuk nxirren mësime prej saj? A nuk iu dhimbsen kujt viktimat e pafajshme të genocidit të pastër komunist që vrasësit e tyre i ngritët në detyrë në të gjitha dekadat? Çfarë bëmë ne në 32 vjet për të bërë shtetin që i mbron fëmijët, që nuk i përze qytetarët e tij e kur kthehen prej mallit e dashurisë për familjen, miqtë e vendin, u vriten fëmijët prej atyre të cilëve shqiptarët e tjerë u kanë lënë në dore “bërjen e shtetit”?
Nuk zgjidhen padrejtësitë e përditshme, as mbulohen mijëra viktima në 47 vite e 32 të tjera të të njëjtit vazhdim politik duke nxjerrë foton e ëngjellit të vogël në rrjete sociale, duke përshkruar në hartime dhimbjen njerëzore për raste te tilla, asgjë nuk zgjidhet kështu.
Kam vite që e them, se s’kam ku e derdh dot më dhe unë dhimbjen time se…
Zgjidhja vjen duke e dashur njëri-tjetrin, duke i hyrë në asht dhimbjes së tjetrit e duke u bashkuar fort në një shesh të stërmadh lirie: 1 milion shqiptarë të ngujuar në të gjithë Shqipërinë, në çdo shesh të çdo qyteti për t’i dhënë fund maskaradës politike 32 vjeçare, të cilët fund e krye janë bijtë e atyre antishqiptarëve që vrisnin fëmijë e të rinj nëpër burgje, kampe përqëndrimi e internimi, në kufi, e sot e gjithë ditën edhe në breg të detit, përpara syve të prindërve! Ne i kemi veshur me pushtet politik të gjithë hajdutët e vrasësit e rëndomtë të të ardhmes tonë që dje, sot e kushedi përsa kohë ende do të marrin jetë fëmijësh.
Mos e përdorni dhimbjen e prindërve të engjëllit të vogël për shkrime mbushur me lot. Ndërgjegjësohuni njëherë se zgjidhja vjen atë ditë që të bashkuar ngujohemi në mijëra për të hedhur në greminë politikanët vrasës të 32 viteve, që janë “Njeriu i Ri”, produkti më i zi që komunizmi la pas si vazhdimësi të tij.
Mos ushqeni më gijotinat vrastare të ngritura prej politikës së injorancës, dashakeqësisë, arrogancës e hajdutërisë. Mendoni njëherë për Shqipërinë, por mendojeni atë siç mendoni për veten, nënën, bijën tuaj!
3 gusht 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.