back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Një libër që lexuesi shqiptar duhet ta lexojë! – “Odiseja e Pafajsisë” e Lek Pervizit – nga Mërgim Korça

Gazeta

Lek Pervizi - Odiseja Pafajsisё
Lek Pervizi – Odiseja Pafajsisё
 Jozef’i dashtun,

Jam kah të shkruej sepse e lexova me shum vëmêndje e doemos mandej edhe me kënaqësí nji libër të shkruem prej njênit të tre djelmve të ish kojshísë së prindve t’uej Gjen. Prek Pervizit, Lekës, sa i tokon jetës vllaut të tij të madh, Valentinit! Kah hymja e librit, mund ta thom me plot gojën, se âsht tejet interesante, sepse e përshkruen në mënyrë vërtet “të fluturimtë”, por me nji logjikë të mpreht’e shum të përqëndrueme regjimin diktatorial si edhe gjakatar komunist, thuejse gjysëm-shekullor, doemos edhe un kam shkrue nji analizë relativisht të shkurtë, por të përqëndrueme rreth hymjes librit se sa rreth biografísë së vetë protagonistit të historisë familjare e cilla, s’mundem me ndejtë për pá e vûe n’dukje se si edhe vetë auktori, Leka, e xên n’gojë se âsht tejet e vështírë m’u shkrue tue qindrue vetë krejt’i paanshëm! Kjo edhe merita e tij sepse faktet rreth jetës Valentinit kush mâ mirë se vetë Leka kishte m’i dijtë…, por m’ânë tjetër jo vetëm qi mos t’i hidhte e zezë mbi të bardhë por edhe krejtësisht të sakta, atyne kurrë s’kishte me iu hjedhë dritë asnjêni prej mashtruesve historianëve ish komunista o shkrimtarë të realizmit socialist t’cillët historinë tonë kombëtare daç e shfytyruene ose e lane të mangut! 

E pikërisht nisun prej këtij realiteti shkrova e jam kah ta bashkangjis e qi mendoj se ke m’e pae t’arsyeshme m’e botue at analizë t’êmen!
Tue t’urue edhe nji herë shëndet të plotë familjarisht, ty të përqafon me shum mallë, Mërgimi
P.S. Me bashkangjitje e ke materialin qi dishroj m’e botue.
.
Mërgim Korça
Mërgim Korça

“Një libër që lexuesi shqiptar duhet ta lexojë”

Rreth librit “Odiseja e Pafajsisë” e Lek Pervizit

nga Mërgim Korça

Këtë thirrje lexuesit eventual e ndjej me shpirt se duhet t’ia bëj nga që ai, mbasi e ka marrë në duart’e tija librin, ësht’e qartë se ose e lexon hyrjen e pastaj… e vazhdon leximin përgjatë rrjedhës së tij ose, nga ana tjetër… pikërisht as që e di paraprakisht pa lé pastaj ta lexojë hyrjen mbasi ta ketë lexuar librin në fjalë!  Mirëpo unë e kam dëshirën që lexuesit potencialë pikërisht ndjenjat që më ka shkaktuar leximi i “Hymjes” në fjalë t’ia transmetoj ashtu siç i kam ndjerë vetë! Me pak fjalë dua t’ua kaloj brezave të ardhshëm ndjenjat krejtësisht të pashfytyruara, ashtu siç i kemi ndjerë né që rasti na shtyu ta pijmë me fund atë gotë pothuajse gjysëmshekullore të diktaturës komuniste! Ngula këmbë lidhur me këtë fakt nga që brezat bashkëkohës, (por me diferencë moshe si minimum dhjetëvjeçare me né, e vazhdo pastaj deri tek moshat tridhjet’e deri më dyzetvjeçare me né), propaganda ish komuniste i ka mbushur me fakte të shfytyruara… pa lé duke kapërxyer e duke lënë në harresë rrethana nga më themeloret që historía patjetër duhej t’i zinte në gojë!
.
Të rinj të internuar në Kuç 1957 (Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)
Të rinj të internuar në Kuç 1957
(Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)
Gjithashtu nuk kam se si mos ta vé në dukje faktin që të shkruarit e një libri për vëllan’e vet, auktorit të librit Lek Pervizit, jo që nuk i përbën mangësí për vetë trajtimin e çështjeve… përkundrazi! Bilé që në fjalín’e parë të hyrjes së librit, vetë auktori e thekson pikërisht këtë veçorí e lidhur kjo me objektivitetin me të cilin trajtohet i gjithë materiali i rikujtuar! Auktori p.sh. thekson që në faqen e parë të hyrjes së librit se: “…Në Shqipni tue fillue nga nëntori 1944 e deri në 1990, me ramjen e diktaturës u vendos një regjim gjakatar nga më të llahtarshmit… u kryen krime të randa kundër vetë popullit e kundër vetë vllazënve e motrave shqiptare… tue u lidhë me ideologjinë komuniste sllave, e huej dhe anmike, një ideologji që përhapej nga dy qendrat kryesore të komunnizmit n’Europë siç ishin Bashkimi Sovjetik me Moskën dhe Jugosllavija me Belgradin…”  Shumë bukur dhe me vend, përgjatë hyrjes, auktori trajton në vazhdim se si i vëllai Valentini “…Ishte figura ma e spikatun e pafajsisë që u gjet papritun si qingji te burimi kur i doli para ujku gllabërues. Ndonse i shpëtoi vdekjes në ato rrethana të kobshme të dënimeve e mundimeve të pafund e krye, pasojat ia këputën jetën në çastin kur e fitoi atë liri për të cilën vuejti…” E me që kësisoji vazhdon edhe e gjithë Hyrja si edhe vetë teksti i librit, auktori Lek Pervizi me shumë të drejt’e ka titulluar librin e tij: “Odiseja e Pafajësísë” ku lexuesi përgjatë leximit të faqeve të librit, me mendjen e tij e bën krahasimin me vëllimin e shkruar nga Homeri por… me ndryshimin thelbësor se si Uliksi i tij mbeti i ndarë nga Penelopa për 20 vite radhazi, kurse djali i madh i Previzëve u bashkua me të shoqen Gori mbas jo pak por 40 Viteve! E prandaj, si përfundim dua t’a përkthej pohimin aq kuptimplotë të Dantes madh që autori Lek Pervizi me plot të drejtë e përmënd se:
“…Lirinë jam kah kërkoj, q’e kena aq të vyeme (të kërkueme), gjâ t’cillën e din veç n’jaj qi për tê vuejti përgjatë jetës tij!”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.