back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Një meshë historike në kampin e Tepelenës – nga Lek Pervizi

Gazeta

Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi

Një meshë historike në kampin e Tepelenës

nga Lek Pervizi

Ardhja e klerikëve katolikë nga burgu i Shkodrës, disi e gjallnoi pjesën katolike të kampit që përbanin gjysmën e tij, veç me mirditorët e malësorët, që ruenin ne vetvete besimin e tyne me devocion. Në këto rrethana, një ma i gjallë e nismëtar i tyne ishte Dom Nikoll Mazrreku, që i kishte ra me qenë në kazermën tonë.
Dom Nikolli e kishte njoftë vëllanë tim, Valentinin qysh në burgun e Shkodrës. Kështuqë u miqësue dhe me mue, aq ma fort kur i kisha tregue disa vjersha e vizatime, ku ai më porositi me i zhdukë se rrezikohesha po t’mi gjenin në rast të një kontrolli.
Një ditë erdhi e me kërkoi t’i vizatoja një komplet shahu të stilizuem në mënyrë që mos të kishte shumë kthesa të thella. Pse? Ai kishte marrë vesh se shefi i Degës së Tepelenës, merakçi shahu, kishte kërkue mos ndonjë i internuem aty mund të prodhonte një komplet shahu. Aty na kishte qëllue një burrë nga Skuraj, Preng Gjoka, mjeshtër i gdhendjes në dru. Ai ishte me t’vërtet mjeshtër, sepse unë ia kisha pa gurët e shahut Dom Nikoll Mazrreku, që kishte fillue me gdhendë me thikë. Të përsosun, si të fabrikuem! Por që të plotësohej shahu duheshin nja dy-tre muej. Dom Nikolli e kishte marrë vesh këtë punë. Në fillim e patën çue me bajtë trungje e shtylla me Valentinin, ku punonin sëbashku, në transportin e tyne.
Ndodhi që Dega kishte kërkue mos kishte në kamp ndonjë marangoz, dhe ja që del Domi, të cilit ia kishin sjellë nipat, veglat e punës, kështuqë ai u lejue të shkonte e të meremetonte tavolinat e karrikat e Degës, të prishuna e të grumbullueme në një barake. Shefi i Degës, ishte një burrë në moshë, ish oficer i mbretnisë dhe njeri i shkolluem. Domi i hapi bisedën e shahut dhe i jep fjalën se do ta prodhonte një, por mos ta ngarkonin me punë të tjera. Kështu, se si e sajoi një torno primitive, me një rrotë biçiklete që punonte me lëvizje e kambës… diku larg nga kazermat, në një qoshe mbas murit të guzhinës, nën një strehë. Kështu unë ia vizatova format e shahut ku nuk kishte thepa, dhe ai mbrenda pak ditësh e sajoi një komplet shahu!! Pastaj i punoi edhe kutinë, dhe me dha mue që t’i vizatoja e t’i ngjyrosja katrorët. Shefi i Degës mbeti tepër entuziast. Një shah origjinal, i paparë. Po s’mjaftoi me kaq, se ai donte t’ua bante dhuratë edhe miqve të tij.
E kështu Dom Nikolli sajoi edhe një komplet tjetër. Po afroheshin Pashkët, që at vit binin me 13 Prill. Dom Nikolli ndërhyn pranë Shefit, nëse do t’i lejonin të ngrinin një meshë aty në kamp, ku kishte shumë katolikë!? Feja ishte e zyrtarizueme, dhe shefi e akordoi lejën.
.
Dom Nikoll Mazrreku
Dom Nikoll Mazrreku
Punë e madhe. Duke qenë se mungonin sendet e duhuna, për atë cerimoni, na vjen në takim edhe Patër Zef Pllumi, akoma i lirë, i cili i bjen Domit, gjithçka i duhej. Dom Nikolli së bashku me klerikët e tjerë si: Jak Gardini, Viktor Volaj, Zef Gilaj e Ferdinand Paci, u atvizuen e ndihuen Domin në këtë nismë.
Si u muerr vesh se mesha do të mbahej, gjithë katolikët u gëzuen dhe e quejtën kët një mrekulli të Zotit. Ndërkohë ne të rijtë, unë, Gjosho Vasija, Karlet Luka, Suzana Topalli, e kushrijtë tonë, Gjon, Kristiana e Celestina Gjonmarkaj, kishim përgatitë disa kangë të rastit.
Erdh e diela e Pashkëve.
Mesha do të ngrihej në qoshën e kazermës së prishun, veç me dy pjesë muri në kambë, ku zakonisht të internuemit ndiznin zjarre për gatim, e kush kishte mundësi edhe me la tesha të fëmijëve…
I gjithë kampi u mblodh aty: katolikë, muslimanë e orthodoksë. Si ditë e dielë që ishte, puntorët nuk ishin në punë. Kryesisht famijet e njoftuna katolike si: Gjonmarkaj, Pervizi, Merlika, Mirakaj Sokoli, Mëlyshi, Miri, Topalli, Luka etjera familje katolike ishin aty. Dallohej nanë Mrika e kapidan Gjonit, me dy vajzat, Martën e Bardhën. Midis mirditorëve të tyne, aty kishin sjellë edhe Martën e e paralizueme në karrikën e saj dy burra mirditorë. Si u mblodhën të gjithë, kur u duk Dom Nikolli me veshjen e rastit, ra heshtja. Dom Nikolli mbajti një fjalë të nivelit të naltë. Mjafton të përmend fillimin:
“Jemi mbledhë këtu, në kët qoshe nën k’to mure të rrënueme e të nxime, por që janë ma madhështore se kishat, katedralet e bazilikat kudo që janë në botë…”
Fjala e tij ngjalli emocion të madh, n’atë njerëz të shkretë, që të mbyllun aty si berre, kishin humbë edhe nocionin e besimit e të Zotit.
Me Dom Nikollin rrinin dhe fetarët e tjerë, si Patër Viktor Volaj, Patër Jak Gardini, Patër Ferdinand Paci, Dom Zef Gikaj. Mesha u përcoll nga kangët e ne të rijve që i kishim përgatitë siç e treguem ma sipër. Mesha u ndoq me një heshtje e qetësi të madhe, aq qe ndikuese ajo cerimoni fetare që bahej në kushte të tilla të paimagjinueshme. Kishte gra që qanin nga emocionet, të cilave u kishin vdekë fëmijët. Binin në sy disa gra të hueja, si Elena Merlika me të vjerrën dhe djalin e vogël, Eugjenin, zonja franceze Elena Kosmaçi, tri vajzat gjermane që i kishin sjellë aty nga Burgu i Burrelit. Aty ishte edhe grupi i italianëve, Mario Verde, Nino Tagliani, Bruno Prezoto, Xhorxho Zanuti e dy të tjerë. Binte në sy pjesëmaarrja e grave mirditore me kostumet e tyne karakteristike. Një meshë e e rrallë, që mjerisht humbet në harresën e pakujdesinë e njerëzve me ruejtë ato çaste kurrë ma të përsëritshme. Një meshë i përmasave historike, për vendin dhe kushtet ku ishte zhvillue.
Si mbaroi cerimonia dhe njerzit u përfalën me njeni-tjetrin tue urue festën e Pashkëve, Dom Nikolli, që kishte sajue një shportë me një sasi vezësh, ua ndau fëmijëve që ishin mbledhë aty. Fëmijë që s’kishin pa vezë me sy, donin me i kafshue, ashtu pa qërue guackën…!
.
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Sa na vinte për të qeshë, dhe u tregonim si hiqej guacka e pastaj të hahej. Ja pra, ku kishte mbrritë puna, që fëmijët të rriteshin pa njoftë frutat, deri edhe vezët. Të izoluem krejtësisht nga bota dhe jeta. E s’na qenka ky një kamp i tmerrshëm?!
E dhamë kët përshkrim, se ajo meshë ishte një ngjarje nga ato që quhen të jashtzakonshme, dhe merrte përmasa historike siç e kallzuem ma nalt.
Kjo ndodhi të Dielën e Pashkëve, më 13 prill 1952. Vërtet ne s’ishim në tunele të nëndheshme, por fare mirë në tunelet e një ideologjie perverse, katakombe të vërteta, ku njerëzit përpëliteshin me mbijetue me çdo kusht e sakrificë e me ruejtë vlerat e tyne shpirtnore, ku feja, ishte kushti i parë, i rranjosun prej dymijë vjetësh në mendjen, zemrën dhe shpirtin e shqiptarve.
Mbas kësaj, kjo ngjarje, sikur i parapriu ndryshimeve që do të ndodhnin. Nuk vonoi dhe u ndërpre puna e detyrueme! Andej nga qershori gjithë forcat punëtore u hoqën dhe transferuen në kampe të tjerë për vepra ndërtimi. Kështu që kampi mbeti me pleq, gra, fëmijë dhe të sëmunë, deri kur më nëntor 1953, kampi u mbyll, e të internuemi u vendosën në disa qendra pune të Rrethit të Lushnjes me qendër dhe komandë në Kampin e Savrës.
Duke qenë se ky libër po shkruhet pas 70 vjet, pra si shumë vonë, ndërkohë ka ndodhë që të ketë pasë ndërhyrje nga të tjerë, për ta mohuar kët Meshë historike, dhe sajuar me hamendje një Meshë të rreme të paekzistueshme, që na paska qenë mbajtë për Krishtlindje… n’errësirën e natës, me pisha e flakadaj. Një sajim e mashtrim i madh, dhe një orvatje e neveritshme, me i dhanë lavdi vetvetes!! Ky person që ka shkrue për kët meshe të rrejshme, ka qenë vetë prezent me gjyshen dhe nanën në meshën e Pashkëve që përshkruem, dhe si fëmijë që ishte u dorovit edhe me vezë Pashke. Çudia asht se ai ka shkrue e botue libra më përmbajtje të mirë. Ç’e ka shty që ta njollosë veten me këtë përshkrim të neverishëm, të trilluar e të sajuar? Të vjen keq se është fjala për një familje të njoftun e të respektueme. Por ja që një trashëgimtar i saj, arrin ta përulë e turpëroje. Ai ishte rritë në mes tonë, e të përfitojë nga kjo gjendje, s’më le përshtypje të mira. Pati fatkeqësinë e tetë vjetëve burg, që e kaliten me përballue vuejtjet, dhe kjo i njifet prej rrethit tonë shoqnor. Po në asnjë mënyrë që të pranojmë kalimin e tij haluçinacione e mashtrime, në kundërshti me veshjen intelektuale që mban.
Personalisht e familjarisht kemi pasë miqësi me nanën e tij Zonjën Elena, një grue e kulturueme që në rastin konkret, nuk mund të sajonte gjana të paqena, për deri sa ato rrethana i kishim kalue sëbashku, dhe unë vetë, isha dëshmitari ma i saktë i gjithë historisë së kampit të Tepelenës, të cilit i mbijetova mrekullisht.
Prandaj nuk mund të lejoj që për atë kamp, sado i tmerrshëm që ishte, të shtohen trillime jashtë kontekstit real të rrethanave, e të funksionimit të atij kampi. Nuk asht i vetmi, as i pari as i fundit, sepse po ka të tjerë akoma ma beterrë, që kanë kalue në gjendje mendore të shkallës së kllapive, me sajime, mashtrime, gënjeshtra të përçudme që s’i kanë hije një njeriu o disa njerëzve të po atij tipi, qofshin burra apo gra, e kjo vetëm duke përfitue nga kohëzgjatja 70 vjet t’atij kampi të tmerrshëm, duke kujtue se s’ka mbet kush gjallë që e njeh të vërtetën e tij. Por ja që Zoti e la dikë gjallë, që të dalë dëshmitari ma i besueshëm dhe ma i vendosun për mos me lejue lajthitje të tilla mendore. Ne shkrime të ardhshme, do të nisim demontimin e kësaj strukture fallsiteti, kllapive dhe sajimeve, pa kursye askënd. Nga ata që kanë kalue në të tilla deformime të së vërtetës, me ptetendimin se duke pasë qenë në atë kamp, pavarësisht se fëmijë, kanë të drejtën t’ia këpusin kodra mbas bregut, e pse jo deri në trillime e mashtrime.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.