back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Nji mesnatë korriku… lexoja Saharanë… Jozef Radi

Gazeta

Vilson Blloshmi
Poeti Vilson Blloshmi

Nji mesnatë korriku… lexoja Saharanë….

nga Jozef Radi

17 korrik, 2013…

Mesnatë… Tre akrepat e orës janë ngjeshë fort mbas njeni-tjetrit… si t’i friken diçkaje tmerri që ashtu padukshëm kërcënon… Të mos kalohet te dita tjetër… I kam ikë nji dite dhe po i hy nji tjetër dite, duke udhëtue nëpër terr të mesnatës… Befas, në vetminë e dhomës ku punoj deri vonë… ndjej zhurmë drynash, llozash dhe zinxhirësh… Kqyr rrotull… Asgja… Vetëm drita e ekranit ndrin mbi tastierë e më ndihmon t’i shkruaj e t’i lexoj çka po shkruaj… Ndejta mjaft kohë sot me shkrimin e Bedriut, të vëllait të Vilson Blloshmit për çastet e fundit para pushkatimit… e përcjellë gjithnji me dhimbje kët masakër të pushtetit mbi poetët shqiptarë… që duket si e mbetun pas ndër kohna… por, jo… ka ndrrue veç formë… Po e lexoja në heshtjen solemne të kësaj mesnate “Saharanë” e famshme të Vilsonit… Eh, dyzet vjeçe poezi… mijra vjet do të jetojë… se ruan thelbin e njerzores… “Saharaja ka shok… veç emrin e saj!”… dhe befas ndjej të zbrazen breshëri automatikësh… ngulen plumba metali në trupa të andërrt poetësh… Shoh përreth dhe më duket sikur rrëzohen njerëz, pemë, lule, zogj, vargje, andrra… O Zot, përsëri vdekje… Përsëri vrasje poetësh… Breshëritë sikur vijnë nga të gjitha anët… Vilsoooon… Geeeeeeenc….. oooo… eeeee… Jehon krejt dhoma… krejt qyteti… krejt atdheu vrasës… krejt bota… Vilsoooon… Geeeeeeenc….. oooo… eeeee… është Saharaja që me “rërë dhe gurë”, vret përsëri… ajo… Saharaja e heshtjes dhe urrejtjes… Saharaja që s’shkulet prej mendjesh të ndotuna… dhe breshëritë shtyhen e gjëmojnë ndër kohna… Edhe dje, edhe sot edhe nesër… Shtyhen ndër vende… prej Përroit të Firarit, në Zall të Kirit, prej Malit me Gropa te Kodra e Priftit… Kudo… Gjithkund… vetëm duke mbjellë vdekje të pafajshme… Sepse “kush s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë…” Oh, në kët mesnatë të pagjumë… më duhet t’u bëj së paku nga nji kafe dy miqve që më vijnë nga botë të largëta qiellore… Dy djemve që shpërfillën të jetuarit si vemje… për të jetuar krenarë, sa të jetë bota… oh, mirseerdhet djema në natën time…
I përjetshëm ky udhëtim i Juaji drejt Lirisë…
.
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Saharaja

(poezi nga Vilson Blloshmi 1973)

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
e ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’ e sajë…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë

Saharaja nuk ka miq as shokë,
Saharaja nuk ka bijë e birë.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe natën s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë
.

As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Porse thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Saharaja e Blloshmit - ne dosjen gjyqsore
Saharaja e Blloshmit – ne dosjen gjyqsore

Kur ai për keq e mban në gojë;
Saharaja e mban vesh e qesh;
Saharaja fillon të gëzojë
Kur ne mallkohemi mes nesh.

E kur bie ndrojtur rrez’e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit;
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur
Mbi dikë mallkon e shfryn e shanë,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi çfryn e kur kujtimi
Në pusinë e harresës tret…
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.
Vilson Blloshmi 25.10.1973

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.