back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Një natë me Shakespeare në Prishtinë Dr. Erenestina Gjergji Halili

Gazeta

"Tregtari i Venedikut" - William Shakespaere
“Tregtari i Venedikut” – William Shakespaere

Një natë me Shakespeare në Prishtinë

Dr. Erenestina Gjergji Halili

Dr. Erenestina Gjergji Halili
Dr. Erenestina Gjergji Halili

Kish nisur vjeshta nazike e Prishtinës… Diell, erë, ca pika vetanake shiu e disa të tjera xheloze që ndiqnin pas shoqet e tyre, të cilat puthën tokën të parat…
Kështu ndodh gjithnjë më vjeshtën, kështu besoj ka nisur edhe 400 vjete më parë, ndoshta edhe natën e parë të shfaqes së parë, atje në Londrën e lagtë, të “Tregëtari i Venedikut”, “The merchant of Venice”.
Regjisori Matthew Lenton ishte para publikut të Kosovës, me kastën e përzgjedhur prej tij në premierën e komedisë së më të njohurit autor botëror të dramaturgjisë…
Skuadra realizuese u mbështet sipas meje në zgjedhjen më të mirë tekstuale, në përshtatjen e fjalës së përkthyer e nga mbështetja në tekstin e parë të Skënder Luarasit.
Besim Rexhaj, dramaturg, me finesë e ngarkesën emocionale që një njohës i mirë i gjuhës origjinale të tekstit mund ta realizojë, solli një tekst me temporitmin e aksionit dramatik parashikuar nga regjisori Lenton. Disa herë pashë se teksti konkuronte brenda bashkësisë me lëvizjen, apo plastikën moderne të kastës së aktorëvë, ishin bashkë në një bashkësi, në një unitet, siç teatri e kërkon, por qëndronin hijshëm secili në domenin e vet.

Tregtari i Venedikut, pergatitja e shfaqjes
Tregtari i Venedikut, pergatitja e shfaqjes

Në fakt, mizanteksti i realizuar prej dramaturgut Rexhaj, u shfaq në plotësi në sintoni retorike e sintaksore, duke projektuar dilemat e karaktereve e duke dhënë dimensionet e tyre, bashkë me skutat e fabulës së parasë…
Paraja… dilemma jonë historike..! A ndikon kultura në sjelljen tonë financiare, apo sjellja jonë financiare, ndikon në kulturën tonë?
“Tregtari i Venedikut” mbetet thellësisht polemik. Teksti mund të duket antisemitik, megjithatë herë pas here, gjatë interpretimeve, ka shfaqur njëfarë natyre kontrastuese.
Shajloku, edhe pse i humbur në sallën e gjyqit, shpesh në teatër triumfon. Me intensitetin e tij, ai mund të dominojë komedinë, duke sfiduar ashpërsisht linjën romantike dhe lirike të saj. Rezultati është një dramë e hidhwtëmbël njëkohësisht. Megjithëse “Tregtari i Venedikut” ofron disa kënaqësi tradicionale të komedisë romantike, ajo shfaq gjithashtu rrjedhojat e paragjykimit.
Kështu, Shekspiri mbetet bashkëkohësi ynë.
Basani, një djalosh i ri fisnik, ka dëshirë të bëhet mëtues i trashëgimtares së bukur dhe të pasur Porcia të Belmontit. Pasi e ka prishur gjithë pasurinë e tij, Basani i kërkon Antonit, tregtar i pasur i Venedikut dhe person bujar, i cili e ka nxjerrë edhe më përpara disa herë nga borxhet, tremijë dukate që i duheshin për të mbuluar gjithë shpenzimet e tij si mëtues.
Antoni pranon, por meqenëse nuk ka para për shkak se anijet e tij janë në det, ai i premton të bëhet dorëzanës i një kredie nëse Basani arrin të gjejë një huajtës. Kështu Basani i drejtohet huadhënësit hebre, Shajlokut, duke caktuar Antonin si dorëzanës të kredisë. Shajloku, i cili e urren Antonin për shkak të antijudaizmit dhe të zakonit për të mos dhënë hua me fajde, ngurron shumë, duke treguar për abuzimin që ka pësuar nga dora e Antonit, por në fund pranon t’i japë hua Antonit shumën pa asnjë interes, me kusht që nëse Antoni nuk ia kthen dot shumën në datën e caktuar, ai mund të marrë një funt mish nga trupi i Antonit.
Në Venedik raportohet se anijet e Antonit kanë humbur në det. Për shkak të kësaj, ai nuk arrin ta shlyejë huanë. Pjesa arrin pikën kulminante në sallën e gjyqit të Dukës së Venedikut. Shajloku nuk e pranon ofertën e Basanit prej gjashtë mijë dukatesh, dyfishin e vlerës së huasë. Ai kërkon funtin e mishit që i takon nga trupi i Antonit…!!

Tregtari  Venedikut - William Shakespeare
Tregtari Venedikut – William Shakespeare

Në fakt mizanteksti i realizuar prej dramaturgut Rexhaj, u shfaq në plotësi në sintoni retorike e sintaksore, duke projektuar dilemat e karaktereve e duke dhënë dimensionet e tyre, bashkë me skutat e fabulës së parasë…
Paraja…dilemma jonë historike..! A ndikon kultura, në sjelljen tonë financiare, apo sjellja jonë financiare, ndikon në kulturën tonë? A maksimalizohet dobia jonë si individë shoqërorë, kur në mes është posedimi i këtij kulti luftërash, egosh, mundësishë e pamundësishë? A është letra me vlerë, vlera e jetës sonë? A mund të këtë rracë e komb, dëshira për ta pasur e poseduar atë?
Mund të jetë shqiptar, hebre, arab gjithkush e të shfaqë vlera e antivlera, gjykoj unë, duke pohuar se në fakt teatër muze nuk mund të ketë, do të thotë se “Tregtari”, nuk ka kombësi, as paraja…
Zgjidhje të hijshme ishin kori, si element antik dhe klasik madje edhe i periudhës elisabetiane, ritmika e këngës së gëzimit, ndërthurur kjo shqip, element skenografikë minimalist, por gati postmodern, si forma gjeometrike qysh prej kohës kur lindi paraja e dasia e vlerës matëse, si ar, argjend e plumb… Të gjitha vinin si nëntekste vizuale të botës sonë të konceptuara si nëntekste e simbolika, si intertekste në hapësirat teatrore, duke na çuar në shenjat klasike të intertekstualitetit, si shenja të historisë dhe ideologjisë, siç thotë Barthes, duke i shtuar tekstit dramatik vëllimin e shoqërueshmërisë, dmth bashkëjëtesën mes gjuhës së mëparme me të bashkëkohore që vjen jo vetëm përmes një imitimi, por edhe përmes një shpërhapjeje, pa e këputur tekstin asnjë momnt nga konteksti shoqëror.
120 minutat kaluan shpejt mes veprimit e fjalës, fjalës e veprimit, kostumografisë që me sens mase kish bashkuar elementët klasikë e modernë, konceptuar nga Yllka Brada, skenografisë me disa rrafshe si një hapësirë gjithëfunksionale, prej Krste S. Dzidrov – ( Gibby) bazës muzikore të Trimor Dhomi…
Regjisori, mësova se ishte mbështetur nga bashkëpunëtori kreativ, Kushtrim Koliqi, padyshim, për të gjitha vështirësitë e veçanësitë që paraqet një skenë e një kastë artistës.
Fabula e komedisë vjen ajo që ishte 400 vjet më parë, ka ndryshuar koha, jo qenia…
Pikat e shiut ishin tubuar, e ashtu të shpeshta lignin plloçat e bulevardit…
Ah, po… e mora atë?
E kam fjalën për katharsën… A ka paraja atdhe…? Në supe ndieja lagështinë e vjeshtës nazike dhe të ftohtin e mëshirës e frikës së katharsës së Aristotelit edhe pse qesha atë natë…
Prishtinë, 19 tetor, 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.