back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Një ngjarje që nuk duhet harruar! nga Klodi Stralla – Djegia e Memorialit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Gazeta

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit - 10 qershor 1878
Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit – 10 qershor 1878

Një ngjarje që nuk duhet harruar!

nga Klodi Stralla

Djegia e Memorialit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit –

27 mars 1999

Në 27 mars 1999, fill pas bombardimeve të NATO-s mbi Beograd, ushtria paramilitare serbe hyri në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe e dogji atë plotësisht, duke zhdukur mbi 200 dokumenta dhe objekte të pazvendësueshme ku ruhej një pjesë e rëndësishme e kujtesës historike të kombit shqiptar. Me çlirimin e Kosovës, në 10 qershor të po atij viti, ndërtesa u rindërtua nga e para, ndonëse dëmi dokumentar material nuk mundi të riparohej.
Unë pata rastin ta vizitoj këtë kompleks të rindërtuar, kur “Rruga e Kombit” (që “rilindasit” tani po i vendosin taksë kalimi), na e mundësoi që Tiranën dhe Prizrenit ta afronte diku në kufirin e 2 orëve!
Nga qershori i vitit 1878, deri në prill 1881 kjo godinë shërbeu si seli e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shënoi përpjekjen e pare, të organizuar të shqiptarëve për të mos e lejuar më tej coptimin e trojeve arbërore nga lakmitë e fqinjëve tanë, të mbështetur nga Rusia.
.
Shtëpia e Lidhjes - Prizren 2013
Shtëpia e Lidhjes – Prizren 2013
Pa dashur të bëj histori, nuk mund të mos e kujtojmë se me Traktatin e Shën Stefanit (3 mars 1878), midis Perandorisë osmane të mundur dhe Perandorisë cariste fitimtare, u krijua:
-Një “Bullgari e Madhe”, që përfshinte në të edhe krahinën e Korçës, Pogradecit e Voskopojës, një pjesë të Dibrës, si dhe gjithë trojet shqiptare të Maqedonisë të sotme, përfshi edhe Shkupin.
-Një “Serbi e Madhe”, ku përfshihej gjithë vilajeti i Kosovës dhe i Sanxhakut, i banuar kryesisht nga shqiptarë.
-Një “Mali i Zi i Madh”, që do të merrte Ulqinin, Plavën, Gucinë, Kelmendin, Hotin e Grudën e duke e pretenduar guximshëm edhe Shkodrën, i cili u zmadhua mbi 3 herë në kurriz të trojeve shqiptare.
Pra, sipas këtij traktati, mbi gjysma e trojeve shqiptare ndahej midis fqinjëve tanë! Pjesa tjetër i mbetej Perandorisë osmane.
Ky rrezik coptimi i detyroi shqiptarët të zgjohen nga gjumi letargjik dhe të ndërmarrin veprime organizative dhe ushtarake në mbrojtje të territoreve të tyre.
Dhe kjo qe Lidhja e Prizrenit e mbajtur më 10 qershor 1878, pikërisht në godinën historike që dogjën paramilitarët serbë ne 27 mars 1999, e që sivjet ka 140 vjetorin e saj historik…
Fuqitë e Mëdha të kohës, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia dhe Gjermania, nuk u pajtuan me rritjen e influencës ruse në Ballkan dhe për këtë thirrën në 13 qershor 1878, Kongresin e Berlinit, ku korigjuan disa nga përfitimet ruse të Traktatit të Shën Stefanit, ndonse territoret shqiptare u masakruan dhe Lidhja e Prizrenit u shpërnda me forcën e armëve të Sulltanit.
Situata, për kombin shqiptar, ende sot vuan pasojat e atyre veprimeve diplomatike dhe ushtarake të Fuqive të Mëdha, të para 140 vjetëve, ndonse ka zhvillime të reja. Ne shqiptaret duhet të jemi syçelët; Historia është një mësonjëse e paçmuar.
Vetëm forcimi i unitetit të brendëshëm midis viseve tona (pastrimi i klasës politike të koruptuar), fuqizimi i ekonomisë (ndërtimi i një tregu të përbashkët kombëtar) dhe tërheqja e kapaciteve intelektuale e monetare të diasporës, duhet të jenë “Ylli Polar” i strategjisë tonë kombëtare për të ardhmen.

.

Ps. Në foto me miqtë e mij Jozef Radi dhe Jetnor Maxhari para godinës historike të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.