back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

‘‘Një orë bisedë e zakonshme me Kasoruhon, vlente sa një vit universitet” – nga Miranda Haxhia

Gazeta

Amik Kasoruho (1932-2014)
Amik Kasoruho (1932-2014)

‘‘Një orë bisedë e zakonshme me Kasoruhon, vlente sa një vit universitet”

nga Miranda Haxhia

 
Amik Kasoruho – Ishte i ikur, i harruar, i panjohur…
Para ditës së fundit ai ishte njeri që me gjithë 82 vjet mbi supe,
ulej në kompjuter e fillonte përkthimin. Në krah kishte disa fjalorë,
por i hapte shumë rrallë, një fjalë në 100 faqe. Pastaj lexonte librin e fundit
që i kishte rënë në dorë… dhe përsëri përkthente.
.
Amik Kasoruho dhe Robert Shvarc ne vitin 1956
Amik Kasoruho dhe Robert Shvarc ne vitin 1956

***

Fjalët, se pas vdekjes fillon një jetë e re, plot kujtime për të gjallët, janë një përzierje ngushëllimi e hipokrizie. Pasi njerëzit ikin, ne bëjmë sikur i kujtojmë. Ndërsa kuptojmë që kjo përpjekje naive është sprovë për mënyrën e jetesës te ne, të gjallëve.
Pesë vjet më parë, gjysmë ore pas mesnatës së datës 4 maj, ndërroi jetë përkthyesi, Amik Kasoruho.
Që jetën e pati aq të çuditshme, të ngjashme me dhjetëra e qindra ish-të
dënuar të regjimit komunist, por aq të ndryshme nga çdo njeri tjetër, kjo nuk thotë shumë, pasi janë qindra faqe histori që vijnë nga diktatura me burgje, persekutime, shtypje, harresë…
Pa i dhënë rëndësi faktit që fëmijërinë e pati si nëpër ëndrrat më të bukura, mes luleshtrydheve të kopshtit të gjyshit dhe librave të parë që i blinte i ati, këngëve e haresë që i përcillte nëna e tij plot kulturë, por duke i mëshuar “shkollimit në Universitetin e Burrelit” ku gëlonte mes prangash ajka e kombit shqiptar. Diskutimet e gjata me Pjetër Meshkallën, Atë Donat Kurtin, Arshi Pipën, Kudret Kokoshin… etj., u bënë shtylla ku u mbajt fort për të mos iu dorëzuar fatit të lig të rinisë.
Ajo kohë e mësoi të ballafaqohej me të keqen që do ta ndiqte e persekutonte në pjesën më të madhe të jetës.
Nga burgu mësoi se mund të kishte një dritare lirie, e cila kalonte përmes librash, gjuhësh, kulturash të ndryshme, marrë në fshehtësi e përthithur plot etje. Ishte i ikur, i harruar, i panjohur. As Shqipëria nuk e deshi, ashtu siç nuk deshi dhjetëra njerëz të atij rangu të lartë kulture. Ajo klasë jetonte në hije, mbuluar nga harresa apo pavëmendja e shoqërisë.
Librat dhe emri i shqipëruesit poshtë tyre ngulmuan që këta dijetarë e adhurues të gjuhës shqipe të mos zhdukeshin.
Është një nga miqësitë më të çmuara që ka ndikuar në maturinë dhe qetësinë time. Ishte një kohë kur mësova që njerëzit e kulturuar janë aq larg vulgut, saqë një orë bisedë e zakonshme me Kasoruhon, vlente sa një vit universitet. Sidomos kur bëhet fjalë për vlerën e të qenit njeri.
Këshillën time, për të cilën gjithmonë kam këmbëngulur se ishte e drejtë, që të mos pranonte të ishte këshilltar i askujt, qoftë President a çfarëdo tjetër, nuk ma dëgjoi. Dhe jo vetëm kaq. Atë ditë, pati shkuar te varri i të atit, pushkatuar nga regjimi, e i pat mërmëritur: “bab”, dua të jesh krenar për birin tënd. Po i shërbej atdheut…’
‘Cilit atdhe? – Më kujtohet që i thashë. – Atdheu është një fjalë e athët…”
Sepse Kasoruho ishte këshilltar i mirë për letërsinë që përkthente; për kulturën me të cilën kishte një marrëdhënie të shkëlqyer, por nuk mund të krijonte paralele me asnjë lloj pushteti. Ishte i dobët në atë pozicion dhe do të përpiqeshin ta gjuanin me gurë. Siç kishin bërë gjithë jetën duke e përndjekur, duke e burgosur e duke e persekutuar atë, të atin dhe familjen e tij.
 
***
Qysh ditën që iku nga kjo jetë, duke lënë përkthimin e një romani të Gollsuorthit të pambaruar, në faqen 183, Kasoruho, pothuajse nuk ka ekzistuar. Ashtu si ndodhi me Robert Shvarcin, me Vedat Kokonën, me Halit Selfon, me Pashko Gjeçin, me Mitrush Kutelin… etj. Një elitë e tërë për të na bërë të ndihemi krenarë.
Megjithëse aq rrallë ndodh, ashtu si rrallë na ndodh të blejmë libra nga përkthyes të shkëlqyer.
.
(Botuar në revistën TEUTA, Prishtinë)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.